| E marte, 23.07.2013, 08:02 PM |
Të dashur
radikalë islamikë
Një letër për ata që fyen dhe kanë dëshirë të mbrojnë të pambrojtshmen
Nga Baton Haxhiu
Në
leximet, ose më mirë thënë në literaturën e radikalëve dhe militantëve
myslimanë, që lexova këto ditë, armiku përkufizohet në mënyra te ndryshme si:
hebreu, sionisti, nganjëherë kristiani, kryqtari, ndonjëherë imperialisti
perëndimor, sot i përkufizuar si SHBA-të.
Në këtë
botë, islamikët radikalë në Turqi dhe atje ku dominojnë me logjikën e tyre,
armikun kryesor e konsiderojnë Kemal Ataturkun, sundimtarin më të madh dhe të
vetmin sekularist të botës Islame. Nga do lexime të kësaj jave pashë se këtë
njeri nuk e konsiderojnë as turk, as mysliman, por pa pikë turpi e etiketojnë
si kripto-katolik?!
Derisa
lexoja qindra reagime ndaj shkrimit tim të shkruar në formë letre, drejtuar
mikut dhe kolegut tim Xhemal Ahmeti, pashë se në botën e këtyre njerëzve edhe
për një kohë nuk ka, s’do të ketë edhe përgjatë kohë as Rilindje, as Reformë.
Edhe për shumë gjatë këta do të mbeten të mbyllur për çdo lloj iluminizmi.
Prandaj, Ataturku dhe sekularizmi i tij si ide, koncept dhe nivel qytetërimi,
tërbon radikalët islamikë, sepse këta fesë ia besojnë të gjitha, pra është
epiqendra e gjithçkaje.
Kjo
mënyrë e të drejtuarit më duket mjaft e zorshme. Për arsye se këta njerëz me
britma, duartrokitje kanë marrë stilin e djallit, madje çka është edhe më e
keqja, duke fyer besimtarët tradicionalë, duke i shpallur vrasës dhe duke i
trajtuar sikur të mos ishin të kësaj toke. Mos nga Marsi?
Tiradave
tuaja urrejtëse kundër meje dhe të tjerëve që mendojnë ndryshe, unë nuk mund
t’iu përgjigjem me ton të njëjtë: Fyerje të tilla kthehen te autorët që
akuzojnë dhe fyejnë rëndë. Me gjuhën e tillë të çoroditur ata nuk kontribuojnë
aspak në sqarimin e asaj që kam shkruar dhe gjithë asaj që sot është duke ndodhur
në Kosovë – përkundrazi ata dëshmojnë se nuk kanë resurse as humane, as
intelektuale që mund të komunikojnë siç komunikojnë rëndom njerëzit ndërmjet
veti.
Prandaj
këtë letër e konsideroj si kontribut dhe synim timin modest për të çarmatosur e
kufizuar dëmin. Dhe, unë, po e shkruaj atë jo vetëm në kujtim të letrave të
shkëmbyera me ju, por edhe nga shkaku se unë përfaqësoj po atë pikëpamje që e
shpalosa një javë më herët.
Ne që
shkruajmë në këtë mënyrë gjykohemi bazuar në atë që shkruajmë dhe jo duke u mbështetur
në deklarimet e kujdestarisë fyese që ju bëni faqeve të internetit. Dhe, mes
shkronjave tuaja ka pasur dy apo tri, të cilat mua nuk më kanë lënë indiferent.
Kjo është shumë dhe është pothuaj krejt çka unë mund të them në të mirën tuaj.
Në qoftë
se ju vazhdoni tërbimin tuaj, atëherë emri juaj “islam” do të zhbëhet. Unë po
ju shkruaj edhe për një shkak tjetër, sepse nga koncepti juaj fyes po dëgjoj
tone të larta dhe të ulëta të një dëshpërimi, të cilin unë mund ta kuptoj deri
diku, meqë unë konsideroj se është e neveritshme nëse bisedohet me gjuhën e
urrejtjes.
Ju keni
shkruar dhe ofenduar me lirinë banale të të menduarit, e cila ofron vetëm
thënie kot, fiktive dhe të paqëndrueshme. Beteja me Islamin radikal në Kosovë
nuk është vetëm çështje e të menduarit të thjeshtë. Nuk është fjalëkryq për
rubrikën e gazetës, zgjidhja e të cilit do të mund të gjendej në numrin e
ardhshëm të saj. Kjo luftë shkronjash s’është as sfidë mendore, por një
realitet, përballë së cilit edhe vetë ju si vëzhgues të regjur faqeve të
virtuale do t’u mbetet në fyt pasiguria që i keni sjellë religjionit dhe
popullatës që e duan këtë fe dhe këtë besim.
Kështu më
bëri vaki edhe mua këtë javë. Dhe sy më sy me realitetin, i cili përafërsisht
mund të përthekohet vetëm me fjalët: E papërshkrueshme!! Pse në Kosovën tonë që
kurrë nuk ka pasur probleme të tilla, kanë dështuar kaq keq kujdestarët moralë
(zyrtarët) të Islamit po këtu. Racizmi, që ofroni si metodë linçimi, manifeston
qartë padashurinë që keni ndaj këtij vendi. Kjo sepse JU përdjallëzoni islamin
normal, demonizoni normalitetin e krijuar si kulturë religjioze ne Kosove, të
cilën e kemi pasur tradite dhe që buron nga një histori plot vuajtje.
Dallimi
juaj prej nesh po krijon shok kulturor, të cilin edhe unë e përjetova kur tash
me shkronjat qëndruat përballë meje duke fyer dhe duke përndjekur atë që kisha
shkruar me ndjesinë e njeriut të Kosovës.
Shikimi i
juaj për Kosovën dhe besimin m’i ngjet njerëzve të uritur deri në eshtra për
urrejtje, të cilët askujt nuk i tregojnë për atë që ata shohin. Por çdo ditë
krijohen rrëmuja të kompetencave nga një konkurrencë brutale ndërmjet xhamive
dhe klerikëve,të cilët, grinden për “florinjtë” dhe të hollat e dhuruara.
Vetëm një
gjë nuk përshtatet në këtë déjà- vu, dhe ishalla nuk kalon shumë kohë derisa ju
nuk hetoni dimensionin e këtij vështrimi që po ju them: njerëzit këtu në Kosovë
janë të bardhë! E gjithë kjo ndoshta juve nuk ju bën përshtypje, meqë ju më
tepër interesoheni për peizazhe arabe se sa për banorët e Kosovës, të cilët i
trajtoni si statistë.
Për fund
desha edhe një gjë për shkrimet tuaja: unë kurrë s’kam ndier etje për vrasje
dhe fyerje në krahasim me ju që e bëni dhe jeni të gatshëm ta bëni në të gjitha
shkrimet dhe mendimet që shkruani. Në qoftë se nuk u bën përshtypje fati i njerëzve
në Kosovë, dhe shkruani kështu, dhe pëlqeni atë që shkruani, simpatia ime për
besimin e vërtete është po aq irracionale sa ç’është edhe dashuria juaj ndaj
“islamit radikal dhe vetëflijues”.
Unë e dua
Kosovën, sepse ajo edhe pse është një vend në skaj të Europës, që injorohej dhe
diskriminohej dhe pothuaj ishte fshirë prej hartës nga ana fuqive botërore,
tash Evropa dhe koncepti evropian i dhanë kuptim jetës në Kosovë. Jo JU!
Asnjëherë. Me këtë dëshirë të përshpirtshme për ju dhe njerëzit në Kosovë, përfshirë
edhe ju islamikët radikalë, po e mbyll përgjigjen time. Ne duam dhe jemi
Evropë. E ju na tregoni se çka doni në Evropë dhe nga Evropa!