| E marte, 23.07.2013, 06:00 PM |
FYTYRË E KRIMIT SI KULTURË E PANDËSHKUESHMËRISË
NGA QAZIM
SHEHU
Edhe pse
Shqipëria është një vend që po aspiron përditë e më shumë Bashkimin Europian, edhe
pse pas shifrave të fryra të arritjeve ekonomike apo të lirisë së lëvizjes, po
t `u heqësh perden gjërave dhe të zbresësh në realitetin konkret, pa maskë, jashtë
çdo paragjykimi, do vemë re se krimi bën kërdinë, i shfaqur në forma dhe lloje
të pabesueshme të realizimit të tij.Është një luftë e heshtur e tij me
rezultate të pritshme në mënyrë të tmerrshme, përderisa 1221 familje mbeten të
ngujuara, 3800 të tjera të fshehura nga
hasmëria.Edhe pse këto shifra kanë relativitetin e tyre, sërish ato mbeten të
fiksuara me rëndesën e peshës së tyre jo vetëm sasiore, por më së shumti të
efektit që shkaktojnë në një shoqëri ose pjesë më e madhe e saj që nuk e ndjen
veten të qetë, pikërish prej kësaj katrahure sociale dhe me elemente të
dhimbshëm gërryes.
Gjin
Marku, kryetar i Komitetit Mbarëkombëtar për Pajtimin e Gjaqeve, thotë se nga
periudha e janarit 2013 e deri tani, është bërë ekspedita e misionarëve të
pajtimit anë e kënd Shqipërisë, ekspeditë që ka pasë për qëllim jo vetëm
evidentimin e fakteve dhe studimin e tyre, por edhe grumbullimin e shifrave pa
qëllime propagandistike, por thjesht ndërgjegjësimi dhe sensibilizimi. Në të
vërtetë a ka forcë shoqëria jonë të ndihet e fuqishme dhe e zonja për të vënë
në fre krimin?A mundet dhe a duhet larguar në mënyrë të fuqishme një mungesë e
vëmendjes ndaj ayre ngjarjeve të cilat çdo ditë po dalin nëpër ekranet
televizive si guida që na ftojnë të vizitojmë ferrin e një tmerri provokues?Kjo
forcë ekziston në vetvete tek çdo shoqëri sado e pamundur dhe në kushte të
pavolitshme qoftë ajo, ekziston si e tillë, por ajo duhet organizuar dhe duhet
vënë në qendër të vëmendjes pikërisht që krimi të luftohet çdo minutë, të
zbulohen rrënjët e tij, të pritet koka e kulçedrës së krimit ende pa dalë
ajo.Shifrat më tutje flasin për një bilanc të trishtueshëm dhe mbytës:Deri tani,
nënkupto nga janari, prej nga fillon edhe aksioni i misionarëve-janë vrarë 78
veta, 65 burra e 15 gra.18 prej këtyre vrasjeve janë kryer brenda famijes.
Dihen
shkaqet që çojnë në këtë krim brenda familjes dhe nuk është nevoja të
përsëritet e të mbahet si refren asnjë shkak-por të pësojë një tronditje të
tillë familja shqiptare-sipas studiuesve dhe atyre që merren me grafikët e krimit
nëpër vite-kjo nuk është parë kurrë. Kemi të bjmë më një fenomen voluptiv të
krimit, me një krizë të besimit brenda familjes, kur gruaja kërkon të marrë një
pavarësi të personalitetit të saj, të cilën ia jep vetiu zhvillimi social dhe
përparimi në kohë, -nga ana tjetër në të
kundërt të kësaj tendence pozitive, -njerëzore kemi të bëjmë me një mendësi
mesjetare më keq se kaq, që e konsideron gruan skllave, pronë të vetën, duke
tentuar bindjen e verbër të saj, ndaj një egoje maskiliste të pështirë, e cila
harron se gruaja ashtu si burri, është e barabartë në nocionin njeri, në mos, gruaja më shumë është e prirur drejt zhvillimit, punës
dhe së resë.Kjo është arsyeja kryesore, prej së cilës shkëndijon një konflikt, zgjidhja
e të cilit nuk i ndjek rrugët e arsyeshme drejt përfundimeve paqësore, përkundrazi
përfundon në vrasje nga më makabret, dëshmi e brutalitetit dhe e dhunës
ekstreme, çfarë flet për burracakërinë e burrave të demoduar.
Komiteti
i Pajtimit Marëkombëtar me kryetar Gjin Marku, në një konferencë për shtyp
sqaruan, dhe iu qasën edhe problemeve të tjera të krimit, vrasjeve për motive
të dobta, për motive pronësie apo xhelozie, duke sjellë në skakierën e
problemeve të kohës një apelim apo thirrje për ndërgjegjësimin e shqoqërisë, shtetit,
krijimin e një fryme të përgjithshme ose një lufte të pandalshme me motive të
forta për parandalimin ose minimizimin e krimit.E rëndësishme është vënia e
gjithë problemit brenda një kuadri ligjor të përcaktuar, por shpeshherëmjaft
ligje ose nisma ligjore kanë rezultuar se nuk e kanë ndaluar krimin, as nuk
kanë dhënë rezultate, të paktën në minimizimin e tij.Kjo e ka sjellë një huti
në luftën kundër tij, ose një pamjaftueshmëri
që nuk arrin ku duhet në sendërtimin e një kredoje të fortë morale për
të kapur cakun e vërtetë se krimi mund të minimizohet ose të zhduket.Komiteti
propozon se do ishte mirë që çdo vrasje, përveç atyre në vetëmbrojtje
ekstreme-të ndëshkohej me burgim të përjetshëm dhe nëse nuk realizohet kjo, të
paktën me 30 vite burg.
Parahartimi
i një ligji kërkon një konsulencë të fortë, dhe Komiteti I Pajtimit e zotëron
një eksperiencë të domosdoshme dhe të duhur për të sjellë në këtë lëmë përvojën
e vet.Ndryshe si ka mundësi që edhe pse miratohen ligje që nuk e kanë të paktë
forcën goditëse, krimi të rrisë intesitetin e vet të shfaqjes, ndërsa duhet të
ndodhë e kundërta?Kjo është e pafalshme ose këtu duhet parë se kemi të bëjmë me
çalimin e diçkaje që krijon një hendikap i cili duhet hequr.
Në këtë
sferë thirret në ndihmë përvoja dhe eksperienca e këtyre misionarëve të
pajtimit, të cilët, ç`është e vërteta arrijnë të punojnë mirë në terren jo
thjeshtë si vëzhgues dhe evidentues të problemeve, por edhe si parandalues të
krimit duke krijuar ura të pajtimit nëpërmjet ndërhyrjes tek njerëz të caktuar,
për të bërë të mundur hartimin e strategjive të arsyeshme sesi mund të
parandalohet krimi, vrasja, sesi mund të shkohet nga mëria në drejtim të
paqtimit njerëzor.Puna e tyre po krijon një vlerë të re, një reagim intensiv në
luftën e përhershme kundër krimit, duke demontuar atë pikozë vrastare dhe të
pabazë se gjasme krimi është rrjedhojë injë mendësie patriarkale, ose i
mendësive të tjera që vijnë dhe qendërzohen në krahina apo zona të caktuara të
Shqipërisë.
Realitti
ka sugjeruar se krimi nuk ka njohur një krahinë të caktuar, as ka lidhje me
ndonjë koncept patriarkal, as me ato emërtesat e emrave të vjetra që u
referohet gjakmarrjeve apo kodifikimeve kanunore, përkundrazi ai shfaqet në
shoqërinë e sotme shqiptare, e ashtuquajtur si moderne, jashtë çdo përcaktimi
të vjetër.Këtu, patjetër kemi të bëjmë me një hipokrizi dhe mentalitet të
gabuar, ose paaftësi tonën për të sugjeruar pozicione më realiste në
identifikimin e problemeve të sakta dhe hartimin e taktikave më realiste.
Komiteti
vë re se në këtë tranzicion të stërzgjatur, jo vetëm kemi të bëjmë me hutinë
dhe nulimin e vlerave të së kaluarës, por vetë politika e ka sunduar shoqërinë
ose më mirë e ka injektuar konceptin e saj, me një frymë të çorientimit absurd
kur vjen puna për të kuptuar rëndësinë e ligjit dhe shenjtërimin e tij si vlerë
e domosdoshme që siguron një shoqëri më paqësore dhe i orienton forcat dhe
energjitë pozitive të saj drejt harmonizimit dhe potencialeve njerëzore, larg
çdo droje dhe pasigurie që sjell vetiu atmosfera çorientuese që mbjell vrasjadhe
krimi.Në një shoqëri ku mungon kultura e pandëshkueshmërisë ndaj atyre njerëzve
që pretendojnë se e drejtojnë këtë vend vetëm me fallsitetin e propagandës, një
shoqëri ku kjo kulturë dhe vjedhja
kthehet në arketipin e zotësisë dhe të mburrjes, domosdo do mbjellë në sferat
dhe rrafshet më të ulta të saj pikërisht një trimërim më të madh të së keqes, një
trimërim, rezultatet e pritshme të të cilit nuk janë aspak pozitive.
Komiteti i Pajtimit mbarëkombëtar, me kryetar Gjin Markun, i cili në 4 shtator do thërrasë kongresin e katër të misionarëve të pajtimit, është i ndërgjegjshëm se lufta kundër krimit që synon një shoqëri të pastabilizuar për të livadhisur vetë në parcetat e terrinta, nuk është një luftë sezonale, as një luftë që kryhet për llogari të një propaganda mediatike, përkundrazi, kjo luftë kryhet me një vullnet më të mirë, më të hekurt për të çimentuar bazat e një shoqëre të ardhshme, e cila ngrihet mbi shtyllat e sigurta të disa vlerave, ku liria e lirive është liria për të jetuar, prej nga burojnë gjithë liritë e tjera, e domosdo, kryetemën e kësaj që ta siguron zoti së pari, duhet ta sigurojë së dyti shteti e më gjërë :gjithë shoqëria, prej së cilës buron ëndrra për sendërtimin e një shteti të fortë prestigjoz, pa komplekse, e të cilit edhe i kërkohet llogari duke e përkrahur realisht dhe seriozisht atë, me dëshirën dhe vullnetin e lirë të secilit, në mënyrë që hapat e hedhura drejt një shoqërie të arsyeshme të jenë të sigurta….