| E hene, 22.07.2013, 08:55 PM |
SHEKULLI I KLLAPISË
Një film mbi shëmbjen e komunizmit shfaqet në Kongresin amerikan
Nga Frank Shkreli
Komisioni
për Sigurim dhe Bashkpunim në Evropë, i njohur
edhe si Komisioni i Helsinkit i Shteteve të Bashkuara njoftoi se ditën e martë me 23 korrik do të sponsorizojë, në njërën
prej sallave të Kongresit, çfaqjen e filmit "Shekulli i Kllapisë". Filmi është i bazuar në librin me titull,
"Shekulli i Kllapisë: Shëmbja dhe Shkatërrimi i Bashkimit Sovjetik",
e autorit të njohur amerikan të çështjeve ruso-sovjetike, Dejvid Satër, i cili ka punuar për gazetat Uoll Strit
Xhurnal dhe Fajnënshël Tajmas dhe tani punon pranë Institutit Hudson. Pas shfaqjes së filmit, sipas njoftimit të
Komisionit Amerikan të Helsinkit,
anëtarët e Kongresit dhe publiku do të kenë mundësi të diskutojnë mbi filmin me vet autorin Dejvid Satër dhe me presidentin e Radios Evropa e Lirë, Kevin Klose, edhe
ai një ekspert i çështjeve ruso-sovjetike.
Filmi,
"Shekulli i Kllapisë", i bazuar në librin me të njëjtn titull, botur
në vitin 1966 është një kronikë e shëmbjes së regjimit komunist në Bashkimin
Sovjetik, dhe tërthorazi në gjithë zonën ish-komuniste, e treguar nepërmjet
përvojave personale të individëve të ndryshëm nga të gjitha nivelet e shoqërisë
sovjetike,e të cilët kishin qenë dëshmitarë të ngjarjeve transformuese
historike që çuan në rrëximin e regjimit komunist në Bashkimin Sovjetik dhe në
mbarë Evropën Lindore. Filmi, i bazuar librin "Shekulli i
Kllapisë'' i Dejvid Satër, është cilësuar, si "një prej portreteve më të
mira psikologjike të Rusisë gjatë 1970-ave dhe 1980-ave". Filmi ka fituar çmimin prestigjioz Van
Gough në Festivalin e Filmave në Amsterdam, për vitin 2013 dhe është çfaqur,
përveç në Amerikë, edhe në Rusi, në Angli, Gjermani, Kanada e gjetkë.
Dejvid
Satër, i cili ka shërbyer si korrespondent në Moskë për gazeta dhe media të
ndryshme, përfshirë gazetën prestgjioze amerikane Uoll Strit Xhurnal dhe atë
britanike Fajnënshël Tajms, në rolin e
ekspertit ka shkruar një numër librash dhe artikujsh dhe ka dhënë intervista,
enteve më të njohura mediatike të botës,
përfshirë edhe Zërit të Amerikës, mbi shëmbjen e regjimit komunist në Bashkimin
Sovjetik. Por, përveç portretizimit të
sistemit komunist sovjetik, libri dhe
filmi i bazuar në librin, "Shekulli i Kllapisë'', në të vërtetë
portretizojnë me mjeshtëri edhe tiparet
karakteristike të shoqërive të tjera nën regjimet komuniste anë e mbanë Evropës
lindore, gjatë “Shekullit të Kllapisë”.
Si korrespondent në Moskë gjatë asaj periudhe fatkeqe por historike,
Dejvid Satër ishte dëshmitar i pasojave shkatërruese, për shoqërinë sovjetike
dhe për individin, të një ideologjie komuniste fanatike, që sipas tij -- ndër
të tjera – ishte shkaktare e urisë së përmasave të mëdha në Ukrainë, një
idelogji që me ligj urëdhëroi ndalimin e fesë, torturoi, burgosi dhe dërgoi në
kampe përqendrimi në Siberi dhe gjetkë, miliona kundërshtarë politikë, etnikë
dhe fetarë. Filmi i Dejvid Satër tregon me të vërtetë, efektet dhe goditjet shkatërrimtare shpirtërore dhe
materiale të komunizmit mbi shoqërinë dhe individët, të cilët kanë patur fatin
e keq të jetonin nën atë regjim.
Në një
intervistë për një revistë amerikane, Dejvid Satër ka thënë se filmi,
"Shekulli i Kllapisë", ka të bëjë me "Shëmbjen dhe shkatrrimin e
regjimit komunist sovjetik, i parë nga përvoja personale, ashtu siç është
përjetuar nga vet popujt sovjetikë".
Ai thotë se, " Skenari i
filmit tregon pasojat e rënda dhe se çdo
të thoshte të ndërtohej një shtet i tërë në bazë të një ideje fals e të gabuar
dhe se si informacioni i saktë mbi gënjeshtrën e madhe, më në fund çoi në shkatërrimin e shpejtë dhe
të pandalshëm të Bashkimit Sovjetik.''
Dejvid Satër shpjegon se filmi përmban
intervista me persona dëshmitarë të ngjarjeve, dhe konkretizon përvojat
e tyre që më në fund çuan në rrëximin e
regjimit komunist. Skenari i filmit e
çon shikuesin në qendrat e KGB-së, aty ku merreshin në pyetje disidentët dhe
kundërshtarët politikë të regjimit, si
dhe në kampet e përqendrimit, ku protesta më e vogël e një të burgosuri sjellte
ndëshkime të rënda për të dhe për të tjerët, përfshirë izolim në qeli. Edhe kampet e punës së detyruar të mbushura
me kundërshtarë e disidentë politikë të të gjitha bindjeve e të cilët pësonin
tortura të llojllojshme, janë gjithashtu pjesë e skenave të filmit.
Filmi
portretizon Aleksandër Shatravka-n, i cili kishte kaluar kufirin me Finlandën,
por finlandezët e këthejnë mbrapa
duke ua
dorëzuar atë autoriteteve komuniste sovjetike, të cilët si pasojë e torturojnë në një spital të
çmendurish. Një tjetër, person që
shfaqet në film, është Nina Smirnova, një vajzë e re sakate, e cila lutej në
një kishë për tu shëruar dhe e cila u persekutua nga autoritetet komuniste,
pasi për mrekulli ajo filloi të ecte
rishtas. Dhe individi i tretë që
portretizon filmi, "Shekulli i Kllpisë'',
është një i ri nga qyteti Shadrinsk, i cili besonte vendosmërisht dhe me
bindje në ideologjinë komuniste, por i cili ndërkohë mësoi se cili ishte
realiteti i regjimit komunist sovjetik ndërsa po luftonte në Afganistan.
I pyetur
se cili është objektivi i filmit, Dejvid Satër
tha se "duke treguar realitetin e frikshëm të jetës nën regjimin
komunist nepërmjet përvojave personale, filmi ka për qëllim të tregojë se çdo
të thotë të jetoje në një shoqëri të bazuar në një ide fals e të
gënjeshtërt. Dhe synon gjithashtu që të
kallëxojë pasojat tragjike të përpjekjeve të ideologëve komunistë, për të ndryshuar,
me force, natyrën njerëzore...dhe njëherazi për të treguar realitetin se si
njerzit ishin të detyruar të jetonin dhe të vepronin në bazë të këtij realiteti
të trilluar dhe të rremë."
Filmi,
"Shekulli i Kllapisë'' i bazuar në librin me të njëjtin titull i autorit
Dejvid Satër, ''hedhë poshtë çdo nocion që ende mund të ekzistojë në disa qarqe
dhe në radhët e disa individëve
nostalgjikë, se ideologjia komuniste ishte progresive dhe
humane". Libri dhe filmi venë në
dukje se cila në të vërtetë ishte arsyeja
që u shemb sistemi komunist,
duke u bazuar në dëshmitë dhe
përvojën e atyre të shkretëve që e
pësuan rëndë nga mos pajtimi i tyre me
ideologjinë komuniste, dhe njëkohësisht hedhë dritë mbi arsyet se pse u shëmb
perandoria komuniste.
Filmi,
"Shekulli i Kllapisë'', portretizon gjendjen tepër të keqe në Bashkimin
Sovjetik, sidomos gjatë 20-vjetëve të fundit të ekzistencës së regjimit të tij,
si njëra prej dy fuqive më të mëdha në botë, dhe njëkohsisht nxjerrë në dritë
gënjeshtrat dhe deluzionet e regjimit si dhe brutalitetin e policisë sekrete
sovjetike KGB ndaj kundërshtarve të regjimit dhe të partisë komuniste. Autori Satër, me mjeshtëri dhe pasion paraqet se si
popujt sovjetikë, por edhe popujt e vendeve të tjera komuniste, jetonin
dhe vepronin duke u mbështetur në një gënjeshtër të madhe të një regjimi
brutal, siç ishin regjimet komuniste anë e mbanë Evropës. Dy të këqiat e shekullit të kaluar, nazizmi
dhe komunizmi, kishin shumë gjëra të përbashkëta, por dallonin për nga grupet
qe ata kishin në shënjestër për eliminim.
Nazistët përqendroheshin në zhdukjen e një grupi të veçantë etnik,
ndërsa komunistët fokusoheshin në zhdukjen e të gjithë atyre, të cilët ata i
konsideronin si persona që kërcënonin ekzistencën e regjimit komunist.
Filmi i
bazuar në librin e Dejvid Satër, më në
fund, demonstron se regjimi komunist
sovjetik dhe regjimet si motra anë e
mbanë Evropës lindore -- duke u mbështetur dhe duke ndjekur një ideologji
fanatike që refuzonte të njihte liritë civile dhe të drejtat bazë të njeriut --
u këthyen nga ekperimente të mëdha shoqërore, në një katastrofë gjigante dhe
falimentin të rëndë për të gjithë.
Sistemi komunist dështoi në mënyrën më fatkeqe për të krijuar
"njeriun e ri" dhe "shoqërinë e përfeksionuar". Me librin e tij, "Shekulli në
Kllapi" dhe tani me filmin kinematografik të bazuar në këtë libër, autori
dhe eksperti i çështjeve ruso- sovjetike, Dejvid Satër i ka bërë një shërbim të
çmueshëm njerëzimit duke hedhur dritë për publikun dhe tani për Kongresin amerikan, mbi natyrën e vërtetë të komunizmit, ashtuqë
krimet dhe masakrat për të cilat ai flet në këtë antologji kinomatografike të
mos përsëriten kurrë më. Dhe me shpresë që njerzit të dalin nga kllapia e
harresës së mëkateve dhe krimeve si dhe e të miliona viktimave të pafajshme të
regjimit komunist sovjetik, dhe regjimeve të tjera komuniste të Evropës
lindore. Këjo duket se është edhe
arsyeja kryesore që filmi po sponsorizohet nga Komisioni i Helsinkit i Shteteve
të Bashkuara për tu shfaqur të marten, me 23 Korrik, në njërën prej sallave të
mëdha të Kongresit amerikan.