| E diele, 21.07.2013, 09:33 PM |
DHURTAT E
KRYEMINISTRIT
Nga Dibran Demaku
Kryeministri
aktual i Kosovës, z. Hashim Thaqi, në historinë e vendit të vetë do të hyjë dhe
do të përmendet si udhëheqësi që gjatë mandatit të tij qeverisës ka shpërndarë
dhurata gjithandej.Dhe dhuratat e tij janë shumë më të vlefshme dhe më të
rëndësishme se ta zëmë dhuratat e Babadimrit, apo se sheqerkat e Dajës! Dhuratat
e kryeministrit janë dhurata politike me të cilat ai mëton që t`i përmbushë
premtimet e tij elektorale, por që në një mënyrë apo në një tejetër emri i tij
të hyjë në historinë e Kosovës! Ai
tashmë ka hyrë në historinë e Kosovës si Kryeministër që ka bërë shpalljen e
Pavarësisë së Kosovës! Së paku kështu
tashmë shkruhet në të gjithë librat e historisë të shkollave fillore dhe të
mesme të Kosovës! Ai tashmë e gëzon këtë
privilegj, sado që kryeparlamentari i Kosovës z. Jakup Krasniqi shpeshëherë e
konteston të dhënën që z.Hashim Thaqi ta ketë bërë Shpalljen e Pavarësisë së
Kosovës! Sipas kryeparlamentarit
Krasniqi, shpalljen e Pavarësisë së Kosovës e ka bërë Kuvendi i Kosovës, e meqë
në atë moment historik ai ishte kryetar i Kuvendit apo Parlamentit të Kosovës,
i bie që ai, pra Jakup Krasniqi ta ketë ka bërë Shpalljen e Pavarësisë së
Kosovës! Se sa ka të drejtë Krasniqi në
deklaratat e tij, fjalën e vetë për këtë çështje duhet ta japin juristët! Sido
që të jetë tash për tash merita e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës i është
atribuar Kryeministrit Hashim Thaqi! Por, siç duket kryeministri aktual nuk
është i kënaqur që në historinë e Kosovës të hyjë dhe të përmendet vetëm si
Shpallës i Pavarësisë, por edhe si dhuratëshpërndarës gjithandej Kosovës!
Ai, pra,
Hashim Thaqi për më pak se gjashtë vite si Kryetar i Qeverisë së Kosovës,
popullit të saj ia dhuroi pesë Universitete dhe tetë komuna të reja, me synimet
e tij se ai nuk do të ndalet me kaq! Nëse fiton mandat tjetër qeverisës ai do
të vazhdojë me hapjen e Universiteteve dhe komunave të tjera?!
Hapja e
një Universiteti kudo në botë sjell zhvillim dhe përparim! Të menqurit kanë thënë se aty ku hapet një
shkollë, mbyllet një burg! Andaj edhe hapja e Universiteteve në Kosovë do të
duhej të ishte një lajm i mirë për të gjithë popullin e Kosovës! Vetëm dihet se
hapja e një Universiteti bëhet pasi të jetë bërë studim i veçntë akademik,
ekonomik e financiar! Hapja e vetëm një Universiteti ka një kosto financiare
për qytetin dhe vendin ku hapet ai Universitet!
Pas
krijimit të Universiteteve të reja, kryeministri dhe partia e tij në pushtet po
vazhdon me krijimin e Komunave të reja! Për çdo ditë nga kalon kryeministri dhe suita
e tij, në mbrëmje qytetarët e Republikës së Kosovës dhe më tej, nga ekranet
televizive do të mësojnë për formimin apo krijimin e atyre lokaliteteve si
komuna të reja! Nëse vazhdon ky trend një ditë çdo fshat i Kosovës do ta ketë
emrin komunë?!
Por, ani!
Në ato Universitete dhe komuna të reja
do të krijohen vende të reja pune! Kështu thotë kryeministri dhe partia e tij! Pyetje
tjetër është ajo se kush do t`i fitojë ato vende punë?! Përvoja thotë se ato
vende pune do t`i fitojnë simpatizuesit dhe militantët e Partisë në pushtet! Kryeministri
dhe partia e tij i kanë premtuar elektoratit zgjedhor se ata do të krijojnë
vende pune për ata që do t`ua japin votën! Dhe pasi e kanë fituar votën e tyre,
radha është tash e fituesve që t`i mbushin premtimet! Pasiqë nuk po mundin të
hapin vende të reja pune në fushat e ekonomisë, industrisë apo edhe të
bujqësisë, atëherë po hapin vende pune në administratë?! Vetëm se vendet e
punës në administratë nuk prodhojnë asgjë vetëm e shpenzojnë buxhetin edhe
ashtu të varfër të Kosovës! E kujt i
bëhet vonë se si do të shpenzohen paratë e buxhetit! Ata, që janë sot në
pushtet e kanë ndarë mendjen që së pari t`i rehatojnë familjarët e vetë, pastaj
simpatizuesit dhe militantët e partisë! Sepse shumë shpejtë vijnë zgjedhjet
tjera dhe ata që nuk janë rehatuar mund të votojnë kundër!
Kështu
dhuratat e Kryeministrit dhe partisë në pushtet vazhdojnë të shpërndahen pa
dhimbje për familjarët, simpatizuesit dhe militantët e tyre! Sepse siç e thotë
populli e mira e ka të mirën! Ne sot
atyre Universitete e komuna, ata nesër vota për ne?!
Ata le të
ngrohen në diell! Edhe ashtu dielli i korrikut dhe i gushtit në Kosovë është
shumë nxehtë! ...