Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Agim Mato: Ali Podrimja

| E diele, 21.07.2013, 10:32 AM |


Agim Mato

 

Një vit pa Ali Podrimjen

 

ALI PODRIMJA

 

Bard i lashtë, që shtegtoje në kuvende poetësh,

i zbehtë e i shkujdesur nga kujtesa

dhe përplasja e meteorëve. Ditë më parë ishim

të shushatur

para  teje

kur  mbërrite në netët  tona jonike,

duke hequr zvarrë lumin e një dhimbjeje të shurdhët.

 

Ngatërroje linjat, stacionet,

ngjiteshe në një epokë tjetër,

shetisje kuturu nëpër pavione galaktikash, spitalesh.

 

M’u kujtua ajo profecia kur thoshje:

“Do të hyjmë në Paris”,

pa e kuptuar atëhere këmbënguljen tënde

që ëndërrat  e Lumit  t’i varje në krahët e  lejlekëve,

pa e kuptuar pse nxitoje marramenthi metrove,

dhe përsërisje:

“nuk do të shkelim asnjë mizë

nuk do të trembim asnjë zog

nuk do të derdhim zjarr vrer

mbi kokë të njeriut”

 

Qysh atëhere

ne, poetët,

asnjë shpese e shprese nuk deshëm t’u këputej fluturimi,

as një fije bari nuk deshëm t’i prekej blerimit,

dhe natë e ditë u vumë përkrah teje  të gërmojmë thellë

 shpirtrave tanë,

të gatshëm që të nxenin lumenjtë e  fatkeqësive            

                      që shkaktonin tiranët.

 

Bard i lashtë që shtegtoje në kuvende poetësh,

nuk e kuptuam si  na ike sërish drejt Francës

dhe le pas shpine, siç e pate profetizuar,

netët ballkanike, vallet, këngët, baladat, përrallat.

Vetëm fyellin ta gjetën të ngrohtë ende

nga malli i pashuar i tët biri,

kur paskëshe humbur në  rrethinat e Lodeve.