| E enjte, 18.07.2013, 09:00 PM |
Edikti i
Milanos dhe liria fetare
Nga Ndue Ukaj
Në
historinë e qytetërimit perëndimor, akti i parë juridik, që hapi portat e
lirisë fetare, prej së cilës, u zhvilluan dhe derivuan liritë tjera, është
Edikti i Milanos, i hartuar nga Konstandini i Madh (274-337) nga Dardania. Ky
Edikt, vuri themelet e konstitucionit shpirtëror të qytetërimit perëndimor, pas
shekujve të shumtë sakrifice që përjetuan të krishterët e kishës së hershme. Ky
akt juridik, nxori të krishterët nga llogoret e katakombet dhe për herë të
parë, krishterimi u pranua si besim i Perandorisë. Me këtë, u pranua përmasa
hyjnore e njeriut dhe njëherësh u iniciuan indicet e para të laicitetit të
shtetit. Rëndësinë e këtij Edikti dhe dhënies së lirisë fetare, Konstandini dhe
Licini, dy perandorë të kohës, e motivojnë nga nevoja e stabilitetit të shtetit
dhe për qetësi publike. Këta dy perandorë të famshëm, kuptuan rëndësinë e
lirisë fetare, si një përmasë shpirtërore dhe hyjnore, që mund t’i ndihmoj të
mirës publike, prandaj e lanë të lirë krishterimin të zhvillohej, e bashkë me
të, gjitha besimet tjera.
Është me
rëndësi të theksohet se Edikti Milanos, promovoi dhe afirmoi liritë e besimit
për çdo fe dhe jo vetëm për fenë e krishterë. Kështu, Edikti hapi portat e
mëdha të paqes dhe lirisë dhe u bë fondament për shumë akte tjera juridike e
politike të mëvonshme . Me këtë Edikt, u ndihmua organizimin më i mirë i
shoqërisë njerëzore, sepse siç thuhet në këtë Edikt, të Konstandinit dhe
Lecinit, perandorë: “kemi diskutuar rreth të mirës dhe sigurisë publike, dhe na
është dukur se, ndër gjërat që do t’i sillte përparësi njerëzimit, nderimi që i
dhurohet Hyjit meriton vëmendjen tonë kryesore.” (Edikti i Milanos, botuar në
Drita, 2013, përkthyer nga Don Lush Gjergji, fq. 19). Dy perandorët, janë të
bindur në dobinë hyjnore të lirisë fetare, sepse ishte nevojë e kohës së tyre.
Ndërkaq përvoja njerëzore e ka dëshmuar se kjo njohje dhe kjo liri, mbetet dobi
për çdo kohe. Kjo dobi hyjnore, sipas Ediktit, mund t’i jap shoqërisë të mira
publike dhe të krijoj stabilitet.
Përvoja
njerëzore ka dëshmua se liria fetare është kërkesa ma jetike e njeriut, që në
thelbin e vet ndërlidhet me vet qeniesinë e tij në botë dhe përplotëson gjitha
të drejtat dhe liritë tjera. Historia botërore, ka dëshmuar, se, kur cenohet
kjo sferë shpirtërore e besimit, rrezikohet e mira publike dhe kohezioni
shoqëror. Për një paqe të qëndrueshme
dhe për interesin e përgjithshëm publik, lira e secilit për të besuar është
domosdoshmëri dhe njëkohësisht garanci për paqe. Thjesht, kjo përmase e lirisë,
është porta ma e sigurta për një paqe dhe liri të qëndrueshme.
Gjatë
historisë së njerëzimit, liria si nevojë ekzistenciale e njeriut, ishte objekt
i përhershëm i trajtimeve të ndryshme letrare, filozofike, teologjike, etj. Për
lirinë, është shkrua shumë dhe s’pushohet së shkruari. Historia është dëshmitare
e shumë rasteve gjatë historisë, ne emër të lirisë, etni, grupe të ndryshme dhe
individ kanë qenë në gjendje të sakrifikohen.
Është
fakt i mirëditur se liria, mbetet një nga nevojat ma jetike të njeriut.
Me gjithë
faktin, se, liria është nevojë ekzistenciale e njeriut, diçka e domosdoshme si
buka e ajri, ajo asnjëherë s’e ka përmbush përmasën e tejkohëshme që njerizimi
e aspiron: të bëhet e plotë dhe të përmbush synimet njerëzore, për një paqe
universale e të përhershme. Në botë vazhdon t’mos ketë liri, ndërkohë që në
anën tjetër, dijetarë, artistë, teologë e burrështetas, me debate dhe angazhime
të ndryshme, përpiqen ta sforcojnë nevojën për paqe e liri.
Nëse
kthehemi pak në historinë e njerëzimit, e shohim se liria si koncept ka
evoluar, derisa ka marrë përmasën e tejkohëshme, atë përmasë që në fokus ka
njeriun, siç e njohim dhe konceptojmë sot brenda qytetërimit tonë.
Në Librin
e Zanafillës, në Bibël, mësojmë se njeriu i yshtur nga një instinkt njerëzor,
për të mbërri të pamundurën, e humb parajsën tokësore, Edenin, e bashkë me të,
edhe lirinë. Nga atëherë, qenia njerëzore vazhdon të bëj luftë mes të mirës e
të keqes, mes lirisë dhe jolirisë.
Në anën
tjetër, nga antika kemi mitin për Promotheun, i cili për t’ju sjellur njerëzve
zjarrin, simbolin e lirisë, pranon të sakrifikohet vet.
Në
mendimin letrar e filozofik antik, liria s’kishte përmasën çfarë e kemi në
shekujt e mëvonshëm. Me gjithë faktin se demokracitë antike ishin të
zhvilluara, ndërkohë që mendimi filozofik e letrar lulëzonte, mungonte liria e personit. Kjo përmasë e
munguar, u përmbush me ardhjen e krishterimit, kur liria fitoi një dimension
tjetër, atë të fokusimit te personi dhe kështu e bëri atë qenie të
ndërgjegjshme dhe të lirë në një botë komplekse. Më vonë, konceptet mbi lirinë
evuluan vazhdimisht. Ndërsa liria individuale, që ma tepër ka karakter
pragmatik jetësor, për të cilën aspiron njeriu bashkëkohor, në mendimin dhe
praktikën botërore, erdhi pas Revolucionit Francez (1789).
Për
shqiptarët, rëndësia e Edikti i Mialnos,
është e shumëfishtë. E para, është fakti historik se është hartuar nga një
perandor ilir dhe ky argument duhet të na bëj të ndjehemi krenar. E dyta, është
dëshmi se krishterimi te shqiptarët, është burimor dhe autentik. E treta, duke
e njohur këtë Edikt dhe përmasën e tij politike, juridike dhe fetare, kombi ynë
mund ta forcojë bashkëjetesën ndër fetare dhe krijojë një paqe e stabilitet të
përhershëm.