| E hene, 15.07.2013, 07:17 PM |
SQARIM
PËR OPINIONIN PUBLIK:
NUK KAM QËNË KURRË ANËTAR I PPSH
NGA SKËNDER BUÇPAPAJ
Sa ditë,
sa orë, minutë, sekondë që kalon nga 23 qershori i madh i humbjes më se të
merituar, Partia Demokratike e Shqipërisë po bëhet një ndotëse gjithnjë e më e
gërditshme e ekologjisë shpirtërore të shqiptarëve.
Nëpër
skutat virtuale të facebook dhe mediave të tjera sociale e online dhe nëpër
labrintet e nëndheut të tyre, personazhe të "Metamorfozës" së Kafkës
dhe të "Fermës së kafshëve" të Orwellit, po englendisen këto ditë me
jehonën e shpifjeve të porositura nga makineria e tyre propagandistike, e
dështuar me turp, pa lavdi tri javë më parë.
Segmente
të Sigurimit të Shtetit brenda Partisë Demokratike të Shqipërisë, të zhytura
deri në kalbëzimin më kutërbues në korrupsion, klientelizëm dhe mafie, në vend
që të merren me shkaqet e humbjes, po ndërsejnë eksponentë dhe lukuni anonime
për të hedhur baltë kundër kujtdo që ka kthjelltësinë intelektuale dhe guximin
qytetar për të vënë gishtin në fajtorët e vërtetë të humbjes së Partisë Demokratike
dhe në plagët e vërteta vdekjeprurëse në trupin e kësaj partie.
Në këtë
kontekst, është përhapur edhe shpifja se deri më 1990 paskam qenë anëtar i
Partisë së Punës së Shqipërisë, ndërsa nga viti 1991 deri më 2005 paskam qenë
anëtar i Partisë Demokratike të Shqipërisë.
E vërteta
e katërcipët është se unë nuk kam qenë asnjëherë, as një ditë, as një minutë,
as një sekondë anëtar i PPSH apo i PDSH.
Jam një
përkrahës i Lëvizjes Studentore të Dhjetorit qysh në çastet e para, ashtu edhe
i Partisë Demokratike të Shqipërisë që doli nga kjo lëvizje. Nuk jam pajtuar
asnjëherë me zhvendosjen, largimin dhe eleminimin e udhëheqësve të Lëvizjes
Studentore të Dhjetorit nga kreu dhe radhët e kësaj partie.
E kam
përkrahur PDSH, sepse e kam menduar si një alternativë të djathtë të
domosdoshme kundrejt PPSH (PSSH). Nuk jam pajtuar dhe e kam kundërshtuar me
qëndrimet e mia, veprimet e mia dhe shkrimet e mia çdo rrëshqitje majtas të
kësaj partie.
Të jetë
alternativë e djathtë do të thotë të mbështetet në ish klasat e përmbysura
antikomuniste, në ish të burgosurit dhe ish të përndjekurit politikë, në ish
pronarët dhe në të gjithë të pakënaqurit e diktaturës. Nuk jam pajtuar dhe kam
kundërshtuar qëndrimin shpërfillës, denigrues dhe përjashtues ndaj këtyre
kategorive nga ana e Partisë Demokratike të Shqipërisë.
Nuk jam
pajtuar dhe nuk pajtohem që Partia Demokratike e Shqipërisë të jetë parti e ish
komunistëve, pra ish anëtarëve të Partisë së Punës të Shqipërisë, siç u
katandis ajo përherë e më tepër në këto 23 vite.
Nuk jam
pajtuar dhe nuk pajtohem që Partia Demokratike e Shqipërisë të jetë parti e ish
Sigurimit të Shtetit, pra e ish sigurimsave, të cilët e kanë uzurpuar në këto
23 vite PDSH, qeverinë e saj, administratën e saj.
Kam
kërkuar që në ditët e para e deri sot, në mënyrë zyrtare, në mënyrë publike
hapjen e dosjeve të Sigurimit të Shtetit.
Në qoftë
se Partia Demokratike e Shqipërisë nuk shkëputet përfundimisht nga Sigurimi i
Shtetit ajo nuk bëhet kurrë parti e djathtë. Dhe populli në verdiktin e tij të
23 qershorit e nxori të tepërt PDSHnë.
Në qoftë
se Partia Demokratike e Shqipërisë nuk shkëputet përfundimisht nga ish
komunistët (pra, ish anëtarët e PPSH) dhe nga eksponentët e tjerë të lartë të
kohës së PPSH, nuk do të jetë kurrë parti e djathtë, prandaj do të mbetet e tepërt
në kuadrin e spektrit pluralist të Shqipërisë.
Në qoftë
se Partia Demokratike e Shqipërisë nuk shkëputet nga filozofia klienteliste e
pushtetit, ajo do të mbetet vetëm një kujtesë e urryer e së shkuarës.
Partia
Demokrarike e Shqipërisë ka 23 vjet që votohet nga elektorati i djathtë dhe që
bën politikë gjithnjë e më të majtë.
Në qoftë
se Partia Demokratike nuk do të jetë një parti e djathtë, ajo nuk ka pse të
ekzistojë. Elektorati i djathtë do ta braktisë përfundimisht, duke abstenuar
ose duke u fragmentuar në parti të tjera çfarëdo.
Partia
Demokratike e Shqipërisë sot nuk është parti e Azem Hajdarit, nuk është parti e
Arben Brocit, nuk është parti e Pjetër Arbnorit. Është parti e Islamëve,
Kadelëve, e Dogjanëve, partia e tenderave, pazareve dhe trafiqeve të pushtetit.
Ish komunistët, ish sigurimsat, ish eksponentët e diktaturës, milionerët dhe miliardierët e rinj në radhët dhe kreun e saj e të administratës së saj janë plagët kryesore vdekjepurëse të Partisë Demokratike.