| E hene, 15.07.2013, 07:53 PM |
“Memlizimi”
i Kulturës në Kosovë
Praktikat e sotme “Made by Memli” i ngjajnë atyre të grupit folklorik “Mallakastra” kur shkonte dikur në Francë...dhe shumë anë të qeverisjes së tij me inate e thashetheme politike e klanore.
Nga Jeton
Neziraj
Nuk mund
të krahasohet zhvillimi kulturor i tanishëm me atë të para vitit 1999.
Natyrisht që jo. Kosova kulturore e viteve të 90-ta ka qenë ndryshe, e varfër
dhe e rrënuar. Me pak shenja jete. Por, megjithatë, janë bërë përpjekje të
vogla, por domethënëse.
Të
ardhmen e shihnim ndryshe. Krejt më ndryshe nga kjo që po na e përplasin para
hundëve tani. Disi, kultura ka qenë më e pafata në krejt këtë “xhurulldi” të pasluftës.
Nuk i ka ecur fare, sidomos me Ministrat e kulturës, të cilët, si për dreq,
kanë qenë “secili më teveqel se tjetri”. Vinte njëri që e rraste buxhet deri në
grykë Teatrin Kombëtar të Kosovës, për t’i lënë institucionet tjera me buxhet
minimal. Vinte pastaj tjetri që, si kauboj i vetmuar, vendoste të ndërtonte hiç
më pak se Teatrin e Operës dhe Baletit. E pastaj tjetri që vendoste renovimin e
Teatrit Kombëtar të Kosovës (e nga i cili renovim prej mbi 300 mijë eurosh,
ndërroheshin pak më shumë se dhjetë pllaka kulmi). Dhe pastaj tjetri Ministër
me marifete tjera, e kështu me radhë e kështu me radhë. Njëri nga këta
Ministra, Lutfi Haziri, dalldisej ditëve të para të punës si Ministër, duke
premtuar një “strategji për
kulturën”
- me fjalë të tjera, premtonte një dokument në të cilin do të trasohej rruga të
cilën duhej të ndiqte kultura në Kosovë gjatë viteve në vijim. Fundin besoj e
dini: përralla në ballë, Lutfi Haziri në kafene.
Por
ndryshojnë gjërat me ministrin aktual, Memli Krasniqi. Kultura në Kosovë është
kapluar nga sindromi që me humor po e quajnë “memlizimi kulturor”. Kjo
nënkupton: përfshirjen në sistemin e administrimit të kulturës të krejt atyre
praktikave të këqija të ministrave të mëhershëm, dhe natyrisht, futjen edhe të
praktikave të reja - unike, atyre “made by Memli”.
Siç
pritej- ama vërtet pritej - Memli Krasniqi paralajmëroi me pompozitet
“depolitizimin e kulturës”. Dhe ja, tani kur ai është në vitin e dytë të
mandatit të tij si Ministër, biografia e tij ministrore është qëndisur me skandale
të pahijshme politike. Thjesht, ai është kurthuar aty në qerthullin e
burokracisë, inateve dhe thashethemeve politike e klanore.
Kjo
mësymje prej partizani (në stilin: botën e vjetër blla blla, një botë të re
blla blla) ka përfshirë shkarkimin ilegal të bordeve, shkarkimin dhe largimin e
drejtorëve të krejt institucioneve kryesore kulturore në vend - përmes
shkëputjes së kontratave ose përmes sabotimeve të pista si dhe largimin e
drejtorëve dhe zyrtarëve të ndryshëm brenda vet Ministrisë së Kulturës. Dhe
krejt kjo, në emër të “depolitizimit’ të kulturës. Imagjinoni. Ndërsa, nëse
tregohet që drejtor të ri artistik në Teatrin Kombëtar të Kosovës ka vënë dikë
që deri pak më përpara ka punuar në Zyrën e Kryeministrit Thaçi, atëherë, besoj
që bëhet e qartë se për çfarë depolitizimi bëhet fjalë. Në fakt, jo
depolitizim, por është bërë partizim i kulturës.
Dhe
pastaj, shpërndarja e buxhetit për projekte kulturore nuk e kalon rrethin e tij
të ngushtë të këshilltarëve, ish këshilltarëve, miqve të babait e militantëve
partiakë, ose të afërmeve të zyrtarëve të ndryshëm politikë. Shihni projektet
aktuale të financuara nga MKRS këtë vit dhe përmes tyre do ta krijoni për
mrekulli “trungun familjar, miqësor e partiak” të Ministrit Krasniqi.
A ju
kujtohen historitë e këtyre hershme për komisarët dhe sekretarët e partisë që
kanë ndjekur artistët dhe grupet kulturore kudo që janë prezantuar. P.sh. kur
grupi folklorik “Mallakastra” (ta zëmë), ka shkuar në turne koncertesh në
Francë, pjesë e ekipit ka qenë, domosdoshmërisht edhe dikush i deleguar nga
Partia. Si vëzhgues. Tani, kjo praktikë vazhdon akoma, në Kosovë. Ministri dhe
sekretari i MKRS-së, shoqërojnë grupet e artistëve nga Kosova, kudo që ata
udhëtojnë, në Kore, në Kolumbi, në Gjermani, në Slloveni! Ju do të pyesni, e
çka lypin ata bashkë me artistët? Përgjigjja është: asgjë. Thjesht, shpenzojnë
para kot dhe shesin mend para artistëve dhe para opinionit.
Getoizimi
kulturor është duke e trullosur edhe më shumë kulturën edhe ashtu të trullosur
në Kosovë. Këtë getoizim është duke e ndihmuar me zemërgjerësi edhe Ministri
Krasniqi, përmes këputjes së financimit të projekteve kulturore të pavarura,
përmes stimulimit të prodhimtarisë kulturore folklorike, përmes mbështetjes së
festivaleve e ngjarjeve kulturore periferike, përmes thellimit të hendekut edhe
ashtu ekzistues mes grupeve të krijuesve dhe përmes ndarjes së buxhetit sipas
kuteve familjare, miqësore e politike.
Dhe,
sikurse ministri Memli Krasniqi që tani krekoset se ka vënë në bankën e të
akuzuarve për shpërdorim detyre dy ish Ministrat e Kulturës, kështu do të
krekoset edhe Ministri i ardhshëm i cili do ta çojë në bankën e të akuzuarve
Ministrin Krasniqi - për keq menaxhim, për politizim të institucioneve
kulturore, për degradim të jetës kulturore në vend dhe për shumë gjëra të tjera
për të cilat do të mësojmë në muajt në vazhdim.
Që të mos
keqkuptohemi: vërtet besoj që dy ish ministrat e kulturës e meritojnë që për të
bëmat e tyre të japin llogari para gjykatës.