| E diele, 14.07.2013, 05:57 PM |
Shqiptarët dhe origjina e tyre nga Iliri (Hundraku)
Nga Isa Mulaj
Për origjinën e shqiptarëve ka teori të ndryshme. Ajo që duket më e
pranueshmja, është se shqiptarët e sotëm janë pasardhës të një grupi fisesh të
ilirëve që banonin në juglindje të Ballkanit Perëndimor. Fiset tjera ilire të
Ballkanit ku sot gjendet Serbia, Kroacia, Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi, dhe
Sllovenia, si dhe në jug të Italisë, janë asimiluar. Ilirët mendohet se ishin
grup etnik si grekët dhe maqedonasit antik në kuadër të pellazgëve, sikur sot
që janë sllovenët, kroatët dhe serbët në kuadër të sllavëve. Shqiptarët e sotëm
dhe gjuha e tyre ndoshta kanë origjinë pjesërisht nga maqedonasit dhe grekët
antik, por në përgjithësi mund të pranohet hipoteza se janë me origjinë ilire.
Po cila është e vërteta për emrin ilir me të cilin mburren shqiptarët e sotëm,
dhe çka në të vërtetë ishte iliri?
Paraardhësi i emrit të shqiptarëve, Iliri, ishte
dhe është një lloj gjarpri
Sipas ilirologut më të njohur dhe më të besueshëm, arbëreshit nga Zara,
Aleksandër Stipçeviq, në legjendën greke të Apolodorit thuhet se Iliriosi
ishte i biri i princit fenikas Kadmi dhe bashkëshortes së tij Harmonisë. Pasi u
kishte lindur djali i dytë dhe i fundit (vëllai i tij ishte Polidori, ndërsa
motrat Ino, Semela, Agava, dhe Autona), gjersa qëndronte në djep, atë e kishte
mbështjellë një gjarpër i cili njihej si Ilirios. Prindërit ia lanë
emrin djalit të tyre Ilir në bazë të emrit të gjarprit që e mbështolli. Edhe në
mesin e studiuesve të njohur për antikën, në mes tjerash të gjermanit O. Gruppe
dhe filologut slloven Karl Oshtir, ka pajtim se Ilir do të thotë gjarpër.
Arsyetimin e mëtejmë e japin duke u thirrur në atë se hititët e lashtë
me emrin e ngjashëm Ilurianka e quanin një gjarpër të madh mitologjik.
Shpjegimin që e ka dhënë arkeologu Çiro Truhelka nga Bosna se emri ilir
rrjedh nga gjuha e sotme shqipe që do të thotë “i lirë”, është sensacional dhe
naiv. Jo gjithçka nga antika mund të shpjegohet me fjalët e një apo tjetër
gjuhe të sotme. Për shembull, është e vërtetë se “buk/ë” në shqip e ka kuptimin
e ushqimit për njerëz, por e njëjta fjalë “buk” në rusisht do të thotë “ah/u”
(lloj druri, nga i cili e ka marrë emrin edhe sistemi i raketave ruse të
mbrojtjes kundërajrore BUK M1-2), në anglisht shqiptimi “buk” (shkruhet “book”)
do të thotë libër, e kështu me radhë. Po të ishte kështu, atëherë edhe emrin
Ylliri lirisht do të mund ta kuptonim si “Yll i ri”, çka nuk ka të bëjë fare me
këtë.
Iliri kishte lënë gjashtë djem (Enkeleun, Autarin, Dardanin, Meduzin,
Taulantin, Perrhebin) dhe së paku tri vazja (Partën, Daortën, Desarën), prej të
cilëve kanë rrjedhë fiset e mëdha ilire si: enkelejët, partanët, taulantët,
dardanët, autarianët, desaretët, dhe daorsët. Pasardhësi i Autarit
ishte Panoni, i cili kishte lënë dy djem: Skordiskun dhe Tribalin. Edhe nga
këta dolën fiset ilire si panonët dhe tribalët. Nga tribalët
e kishte prejardhjen Gërgur Brankoviqi dhe vajza e tij Vojsava (nëna e
Skënderbeut), ndonëse Marin Barleti në veprën e tij për Skënderbeun, në një
vend e identifikon këtë fis si serb, e në një tjetër si bullgar. Identifikimi i
tillë nga Barleti ishte bërë sipas sundimit të kohës që ndikoj dukshëm në
asimilimin kulturor të shqiptarëve (sidomos me emra dhe mbiemra sllav), ku
pushtetin në trojet e arbërve së pari e kishin bullgarët, e pastaj serbët.
Përveç asaj se emri Ilir identifikohej me një lloj gjarpri, dihet se
ilirët e kishin zhvilluar kultin e gjarprit si religjion, dhe ky zvarranik
kishte ndikim të madh në kulturën e tyre. Ilirët nuk e njihnin veten
kolektivisht si ilirë, por fiset e tyre i kanë identifikuar të tjerët me këtë
emër, duke i quajtur “ata që besojnë në ilirin” ose gjarprin. E cili ishte ai
lloji gjarpri? Këtë nuk e kanë thënë dhe identifikuar ende historianët dhe
arkeologët, prandaj identifikimin e atij gjarpri që jeton edhe sot, do ta
mbajmë si konstatim tonë në këtë artikull. Për këtë do t’u sjellim disa dëshmi
nga realiteti shqiptar. Besimi në kultin e gjarprit ka qenë sidomos i theksuar
në fiset ilire që jetonin në juglindje të Ballkanit Perëndimor, ku sot jetojnë
më së shumti shqiptarët.
Lloji i gjarprit i cili sipas legjendës që e kishte mbështjellë në djep
të birin e Kadmit dhe Harmonisë, sot mund ta identifikojmë si Hundraku, ose
Gjarpri i gurit. Të njëjtin gjarpër, latinët dhe shumë natyralist e njihnin si Vipera
Illyrica (gjarpri ilir), në anglisht Illyrian Viper, në greqisht Vipera
ammodytes (gjarpri që shytet në rërë/zall). Për emrin në greqisht, edhe pse
i pranuar zyrtarisht si ndërkombëtar, nuk pajtohet thuajse askush se është
ndonjë emër që e përshkruan përafërsisht atë, sepse ky lloj gjarpri më së
shumti jeton në terrene kodrinore dhe shkëmbore, prandaj emërtimi në shqip
“gjarpri i gurit” i përshtatet më mirë terreneve në cilat jeton. Në anglisht
njihet edhe me disa lloje emrash si horned viper (gjarpri me bri), nose-horned
viper, long-nosed viper, sand viper (gjarpri i rërës), sand
adder, common sand adder, common sand viper, sand natter. Nga të gjitha
këto emërtime në anglisht që gravitojnë rreth hundës dhe rërës,
më i mirë dhe më real është emërtimi në bazë të hundës në formë briri që e ka
të kthyer përpjetë në pjesën e përparme të kokës. Edhe këtu, emërtimi në shqip hundrak/u
është shumë i përshtatshëm për këtë lloj gjarpri të përhapur në trojet e
banuara me shumicë shqiptare dhe vendet tjera të Ballkanit (Kosovë, Shqipëri,
Maqedoni, Greqi, Bullgari, Serbi, Mal të Zi, Bosnje, Kroaci, Slloveni), dhe më
pak në Italinë verilindore, Austrinë jugore, Rumani (pjesët malore dhe
shkëmbore), Turqinë perëndimore, dhe aty-këtu edhe në brigjet e Lindjes së
Mesme dhe Gjeorgji. Është gjarpri më helmues në Evropë, por përkundër se e ka helmin
të rrezikshëm, për nga sjellja dhe veprimi është mjaft më i ngathët se të
tjerët, jo inteligjent dhe letargjik i cili nuk kafshon njeri pos nëse
provokohet dukshëm, apo rastësisht shkelni afër tij. Rritet deri në gjatësinë
maksimale prej 95cm. Është gjarpër grabitqar që ushqehet me gjallesa tjera më
të vogla që i hasë në afërsi, sepse për punë vetjake në largësi me të mëdha nuk
e ka inteligjencën, aftësinë nuhatëse, dhe shqisat e pamjes.
Meqenëse e njoh mjaft mirë këtë gjarpër që e kam hasur shpesh, ai ka
ngjyrë si të kuqërremtë dhe kurrizin nga koka deri në bisht me katrorë zigzag
ngjyrë kafe (kur është pak më i vogël) ose me ngjyrë portokalli (kur rritet më
i madh). Ilirët, e më vonë deri në ditët e sotme edhe shqiptarët, e kanë
trashëguar simbolikën e mbështjelljes së të birit të Kadmit dhe Harmonisë nga
iliri (gjarpri) kur i lidhin fëmijët në djep duke i mbështjellë me një lloj
shiriti të thurur me gjypnerë dhe fije tekstili. Shiriti i tekstilit është
mesatarisht rreth 10cm i gjerë, dhe më së gjati deri në 2 metra. Me këtë shirit
nënat shqiptare e mbështjellin fëmijën e tyre në djep. Shiritin e tillë, të
gjithë shqiptarët e Kosovës e quajnë lulak (dikush i thotë edhe shokzë).
Lulaku përdoret për mbështjelljen e fëmijës në djep me qëllim që të mbahet
trupi i drejtë i saj gjatë fjetjes, dhe kur të zgjohet, të mos ketë mundësinë
ta heq mbulesën e djepit pa përkujdesjen e nënës. Lulaku më së sheshti qëndisej
me katrorë të drejtë dy ngjyrësh, ku në kombinim dominonte ngjyra e kuqe dhe e
zezë, pra njëri katror ishte i kuq, e tjetri pas tij i zi që vazhdonte me këtë
renditje deri në mbarim të tij. Kishte edhe kombinime tjera të ngjyrave si
bardh e zi, kuq e bardh, e nganjëherë i tëri thurej me një lloj ngjyre të
tjerrit, por dominonte lulaku me katrorë kuq e zi. Nënat shqiptare i thurnin
këto lulaqe kuq e zi me të cilët i lidhnin fëmijët në djep, duke simbolizuar
ngjyrën e flamurit të shqiptarëve. Gjersa simboli i ngjyrës së flamurit kuq e
zi me katrorë në lulak është fakt, është vazhdim i një tradite më të hershme
ilire për simbolizmin e ngjyrave lara-lara që i përmbante iliri (hundraku).
Edhe kombinimi i ngjyrës bardh e zi përdorej shpesh në thurjen e
lulakut. Kjo ngjyrë nuk identifikohej me ngjyrën e ndonjë flamuri, por me
nepërkën – një lloj tjetër gjarpri. Kështu që, praktika e simbolikës së
gjarprit si kult është përcjellë nga ilirët tek shqiptarët, madje kryeministri
i tanishëm i Kosovës, Hashim Thaçi, pseudonimin e tij të luftës e ka pasur gjarpri.
Unë kam bërë një satirizim rreth këtij pseudonimi duke e krahasuar me
gjarprin autokton të ilirëve si në fotografinë e mëposhtme, duke treguar se
kryeministri megjithatë kishte zgjedhur për nofkë një gjallesë në të cilën
besonin ilirët, dhe pikërisht në gjarprin e tyre.
Pavarësisht këtij satirizimi, është e vërtetë se Hashim Thaçi përdorte
me mburrje emrin e luftës gjarpri. Po që se kthehemi prapë në historinë
e shqiptarëve dhe të gjarprit, vërejmë
se emërtimi vetjak i shqiptarëve “shqiptar” si pasardhës të ilirëve, është
shpikje dhe përdorim nga vetë shqiptarët që fillon diku kah Mesjeta, ose shumë
më vonë. Në gjuhën angleze dhe shumë gjuhë tjera të botës, shqiptarët njihen si
Alban, emër që ka rrjedhur nga një fis i ilirëve me po këtë emër – albanët.
Emrin ndërkombëtar Albanian do ta marrin të gjithë ata që flisnin gjuhën
shqipe, pavarësisht se shumica ishin te fiseve tjera. Kjo është normale sikur
me shumë kombe tjera kur e kanë marrë emrin e përgjithshëm nga një fis i vetëm,
si për shembull, Gjermanisë në gjuhën arabe, turke, frënge, spanjolle i thonë
Almania/Alemania, emër që ka rrjedhë nga një fis i gjermanëve alemanët
në jug të Gjermanisë së sotme, Zvicrës dhe Austrisë, të cilët ishin një prej
fiseve si saksonët në veri, thuringët dhe frankët në mes,
dhe analët fare në veri të Gjermanisë së sotme, gjatë shekullit V të
erës së re.
Sikurse ilirët nuk e njihnin veten si ilirë, pra nuk kishin emër me të
cilët e identifikonin veten, edhe shqiptarët deri para 500 viteve nuk kishin
ndonjë emër të unifikuar. Një pjesë e pasardhësve të ilirëve u quajt arbër/eshë.
Fillimisht ata quheshin arbën, që nuk ka ndonjë kuptim dhe nuk dihet se
çka do të thotë, pos që rrjedh nga varianti i emrit të gjuhës ilire gjarpër/eshë.
Në dialektin Toskë të gjuhës shqipe, arbën shkruhet arbër, dhe
gjarpën si gjarpër. Siç e thamë më herët,
bota perëndimore kah shekulli 15-16 filloj t’a njoh popullin e tillë
kolektivisht si Albanët, në bazë të një fisi që jetonte në Albanopolis. Emri
Alba mendohet se rrjedh nga gjuha gale e skocezëve që do të thotë “i bardhë”,
dhe me të është quajtur Skocia ose Mbretëria e Albës (900-1286). Në greqisht,
ata që flisnin në gjuhën e arbërve quheshin arvanitas, një variant i
emrit arbanitas. Me ardhjen e osmanëve në shekullin XIV-XV, popullsinë e
tillë do ta emërtojnë duke e modifikuar emrin grek arvanitas në arnavut/as.
Ishte e qartë se për cilin popull bëhej fjalë, por nuk u kuptua etimologjia e
emrit arban, alban, arbën/r, arbanitas, arnaut. Thuajse të gjitha këto
emërtime e kanë bazën nga gjarpri. Për emrin arban/bën, mund të përdorim
metodologji të njëjtë deshifruese për interpretim nga gjuha e sotme shqipe, dhe
këtu na dalin dy kuptime. I pari, ar-bën, që do të thotë dikush që
bënë arë ose punon arën. I dyti, do të thotë ai që punon me ari,
bënë ari, ose në gjuhën e sotme arpunues. Kuptimet janë shumë të
logjikshme, por nuk mund ta zëvendësojnë kuptimin origjinal (gj)arbër.
Shqiptarët
braktisin origjinën e vet: tradhtojnë gjarprin autokton të tyre dhe huazojnë
shqiponjën dykrenare
Termin shqiptar e kanë futur në përdorim për vetveten rilindësit
shqiptarë, si krejtësisht të pandërlidhur nga emërtimet e paraardhësve të tyre,
arbrit dhe ilirët. Nuk dihet pse ndodhi ky transformim i emrit
për ilirit dhe gjarprit në shqiptar, por arsyen e emrit shqiptar tani e gjejmë
të ndërlidhur me shqiponjën, prej nga ka rrjedhë edhe gjuha shqipe dhe emërtimi
shqiptar. Kështu nga etimologjia
e gjarprit si zvarranik i mallkuar në librin e parë të Dhiatës së Re në Bibël
(Zanafillës), shqiptarët filluan ta quajnë veten si bijtë që janë të lidhur me
totemin e shqiponjës. Shqiponja dykrenare që e përdorin sot në flamurin e tyre
kombëtar, është huazuar nga Bizanti. Atë sot e përdorin në stemën shtetërore
edhe Serbia, Mali i Zi, Rusia. Por, origjina e shqiponjës dykrenare vjen nga
civilizimi hitit në gadishullin e Azisë së Vogël (Anadollit) para nja 20
shekujsh. Pas Bizantit atë e kishin përdorur edhe selxhukët. Sidoqoftë,
adaptimi i shqiponjës dykrenare nga arbrit gjatë kryengritjes së Skënderbeut
(1443-1468), ishte vazhdimësi e mbetjes nga Bizantit. Flamuri i sotëm kuq e zi
i shqiptarëve me shqiponjën dykrenare ishte zhdukur pas rënies së Skënderbeut,
dhe nuk dihej se çfarë kishte qenë në atë kohë po të mos e zbulonte këtë Faik
Konica në muzeun e Londrës dikur në fillim të shekullit XX, pak para shpalljes
së pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912. Pavarësisht transformimit
radikal të simbolit nga gjarpri në shqiponjë, shumë simbole zyrtare që i
përdorin sot shqiptarët e Kosovës me origjinë ilire, faktikisht e kanë
domethënien e gjarprit.
Mentaliteti dhe
sjellja e shqiptarëve të sotëm është sikur i Ilirit (Hundrakut)
Nga shqyrtimet e mësipërme vërejtëm se hundraku si gjarpër për kah
sjellja dhe lëvizshmëria është ndër gjarpërinjtë më të ngathtë, duket i urtë
dhe si engjëll, por në kokë ka helmin më të rrezikshëm se të gjithë. Si
zvarranik grabitqar, parapëlqen t’i ha gjallesat tjera që i has në largësi të
vogël nga ai. Nuk brengoset fare për rreziqet e jashtme sepse në këtë nuk
llogaritë truri i tij i pazhvilluar. Të tillë e kanë sjelljen shumica e
shqiptarëve sot. Çfarëdo që bëjnë njerëzit (sidomos të huajt dhe politikanët
kosovarë) me vendin, qëndrimi dhe reagimi i popullit është identik me hundrakun
– nuk u han palla fare. Populli letargjik si hundraku, nuk është aq pasiv si
mendojmë për hundrakun. Në afërsi ose përreth tij, populli është po aq helmues
dhe i rrezikshëm sikur hundraku. Filloni dhe testojeni këtë fakt kudo nëpër
Kosovë: njerëzit që shpifin më së shumti, që ua duan të keqen, që mendojnë se
si t’u hanë, i keni pikërisht nga rajoni, e ndoshta edhe nga farefisi i juaj.
Po e lëmë njëherë popullin dhe po kalojmë në politikë. Nga cili armik pësojnë
më së shumti bizneset në Rrafshin e Dukagjinit përmes haraçeve, dhe kush i vë
këto haraçe? Askush nga Rusia e Serbia pos atyre që e kanë trurin dhe helmin e
hundrakut, pra dikush aty afër. Kush i bënë tradhtitë më të mëdha kundër
Kosovës? Askush pos hundrakëve në qeveri dhe partitë politike si PDK, LDK, AAK,
AKR. A më shumë u pengojnë dhe dëmtojnë serbët në Beograd, apo këta që i keni
afër? A më gjarpër janë serbët në Veri të Kosovës për juve në Prishtinë, apo
drenicakët e PDK-së që thonë se këtu (në Prishtinë) është Drenicë? Kalojmë
prapë te populli. Po që se i bëni një kërkim fjalëve “injorant”, “budallë”, “i
çmendur”, “psikopat” nëpër shumicën e gjuhëve të botës, jam i bindur se
përdorimi i këtyre shprehjeve nga shqiptarët ndaj bashkëkombësve të vet, do
t’ua kaloj dukshëm kinezëve dhe indianëve së bashku, edhe pse shqiptarët në
numrin më të madh nuk janë më shumë se 10 milionë, e kinezët dhe indianët mbi
2,5 miliardë banorë. Mirëpo, nëse tani i kërkoni botës të bëjë vlerësimin se
kush janë injorantët dhe psikopatët, sipas të gjitha gjasave do ta nxjerrin
këtë vlerësim: “Te ai populli që i përdor më së shpeshti këto shprehje”, për të
mos thënë se më së shumti të tillë i gjeni në mesin e atyre që ishin ushtarë të
UÇK-së. Pse nuk i bëni publike veprimet prej hundrakut të shumë ushtarëve të
UÇK-së? Çka po pritni? Mos po pritni vetëm prej meje? A e dini sa hundraku i
UÇK-së prej ditës së parë të luftës e ka pas mendjen vetëm si ta shfrytëzoj
situatën për oportunizëm, tradhti dhe hajni, e tash po kërkojnë pension si
veteranë? Lista është shumë e gjatë. Nisuni nga të afërmit e juaj dhe rajoni
prej nga vini. Ja shembuj real të mentalitet hundrak: Beka i Emshirit (emri dhe
mbiemri i tij Bekim Kçiku), ka qenë ushtar i UÇK-së. Ai më akuzonte për
budallaki pse e kam paditur USAID-in dhe kam shkruar shumë kundër korrupsionit
dhe krimit të ambasadorit Dell, sepse, siç thoshte ai, “Amelika na ka çlilu”!
Kështu (ish)ushtari i cili për kah funksioni dhe doktrina e ka çlirimin e
vendit, ndihet krenar pse Delli bënte ç’të donte me vendin e tij dhe timin.
Ndërkohë, kur unë i ankohem se ç’po ndodhë me komandantët tuaj, si për shembull
Fatmir Limajn, dhe çka je t’u ba ti për me i dalë në mbështetje, ai reagon:
- Çka breeee!
- Nimeeee! U knaq edhe ai, po! Prej një burgu
n’tjetrin, prej arrestit në paraburgim, prej paraburgimeve në burgje, prej
burgjeve në seanca gjyqësore, e prej seancave të shumta gjyqësore në arreste
shtëpiake, dhe anasjelltas! Shetite Rasim shumë shetite! E ti bon hajgare e
tallu me luftëtarin ton!
-
- Kujna more po i ecë biznisi n’Amerikë?
- Na shoqi i jem kemi luftu kur u dasht.
- Çka t’intereson ty ku jam kanë. Sigurisht
t’u kqyr qysh me vjedh popullin masi t’hyn NATO, jo. Ku je ti tash që ta kalbin
shokun nëpër burgje, plus pajtohesh me këtë realitet. Tash është koha shumë më
e përshtatshme për luftë se atëherë, jo kundër shkive, por kundër shkive tonë.
Unë bile po boj diçka, s’paku po mundohem me i’u çliru prej Amerike....
- Hahahahaha, ia plasin gazin të gjithë të
pranishmit.
- Mundohesh, po t’mysin krejt!
-
Më intereson shumë të di se kush është në komisionin për vlerësimin e
konkurseve për statusin e veteranit të UÇK-së, dhe cilat kritere i përdorin për
dhënien e statuseve të tilla. Edhe secilit prej juve gjithsesi duhet t’i
interesoj kjo punë. Sigurisht se edhe ju i dini shumë raste të keqpërdorimit
dhe tradhtisë në luftë për interesa të ngushta personale në kurriz të
bashkëluftëtarëve tjerë. Duhet t’i bëni publike të gjitha, sepse pos në luftë,
këta janë duke u bërë gjithnjë e më të dëmshëm në paqe, ku po bëjnë edhe
amnistinë e krimeve serbe, e pse jo, nëse munden, edhe t’iu hyjnë në b***
kriminelëve serbë po që se janë të bindur se do të jenë të mbrojtur nga ta! Nuk
është larg mendsh se shumica e këtyre ish-ushtarëve do t’i ofroheshin edhe
Millosheviqit për qëllime biznesi kriminal, por si duket ai ka qenë i moralshëm
dhe i dhunshëm ndaj këtyre. Në mungesë
të Millosheviqit, shumica dërmuese e deputetëve në Kuvendin e Kosovës,
komandantë të UÇK-së, dhe votues të partive politike si PDK, LDK, AAK, AKR janë
turr në dashni me zëvendësin e Millosheviqit, Ivica Daçiq. Çka i duhet Serbisë
të bëjë krime tjera në Kosovë kur për këtë mision i ka zagarët e tyre në
politikën e Kosovës që veprojnë si i përshtatet Daçiqit? Do t’u sjelli edhe një
dëshmi për hajnat, tradhtarët dhe dezertorët e UÇK-së.
Fadilin e kam djalë të hallës dhe e dua shumë. Në banesën e hallës, ku
tani jeton Fadili në Dardani në adresën Su 2/2 numër 16, kam banuar katër vite
gjatë studimeve në fakultetin ekonomik. Fadili kishte shkuar të ma “ngushëlloj”
nënën e sëmurë dhe motrën gjatë arrestit dhe burgosjes sime se “Ai [unë] nuk ka
pasë nevojë me u kap me amerikanë”. Motra i tregon: “Ai nuk ka vjedh diçka”,
duke ia përkujtuar pak se çka i kishte ndodhur vëllait të tij (nipit tonë,
Hakiut, i cili tash është burrë i mirë dhe punëtor) kur policia e KSAK-së e
kanë pas dërmuar dru për shkak të vjedhjeve të arit në Prishtinë. Asnjëra palë
nuk e dinin se puna ime qëndronte krejt kundër – isha unë që e kam paditur
USAID-in për shantazh dhe vjedhje kundër meje, dhe nuk kam pranuar as atëherë,
e nuk pranoj as sot ta tërheq padinë kundër tij. Pas luftës Fadili ishte
punësuar me të njohshëm në PTK me bashkëshorten e tij, ku është edhe sot. Në
banesë të cilën e ka trashëguar nga halla (halla ka vdekur, ndjesë pastë, gjatë
kohës sa unë isha në Amerikë më 2001), e mban një fotografi të tij me uniformë
të UÇK-së, për t’iu treguar të tjerëve se ka qenë pjesëtar i saj diku në Zonën
Operative të Drenicës, në fshatin e tij Padalishtë (tani Pemishte), gjysma e të
cilit është me komunë të Istogut, e gjysma tjetër me Skënderaj. Gjatë një nate
vere më 1998, Fadili me disa shokë të UÇK-së qëndronin duke pi çaj rusi në një
shtëpi në Padalishtë. Ndërkohë, i rrethojnë policia serbe. Fadili me shokët e
Padalishtës kërcejnë nga dritaret dhe ikin. Dikush nga para se të ikte, e
lajmëron edhe Isufin (Isuf Sadikaj nga Shushica e Epërme) që ishte duke fjetur
në katin e poshtëm të shtëpisë që të ikë. Ky ashtu i përgjumshëm, edhe koxha i
trullavt, thotë: “Jo s’ni unë hiq”; merr automatikun dhe mësyn kah dera e
hyrjes së shtëpisë. Sapo e hap derën, policia ia lëshon batare dhe e vret.
Kufoma e tij mbetet aty dhe bashkëluftëtarët e tij drenicakë nuk duken andej
pari edhe pse policia ishte tërhequr. E lënë të kalbet aty dhe fillojnë ta
shqyejnë qentë. Në fund, një fshatar i Padalishtës e kompozon disi trupin e tij
dhe e varros për shkak të rrezikut nga era e keqe që shkakton tifon. Fadili
vendoset në banesën e Prishtinës dhe jeton aty gjatë luftës. Gjatë bombardimeve
të NATO’s deportohet nga aty prej forcave serbe dhe arrin të vendoset
familjarisht në Bilisht të Korçës. Pa therrë n’kamë! Pas luftës, Isufin e
zhvarrosin dhe e rivarrosin në varrezat e vendlindjes së tij në Shushicë të
Epërme. Në epitafin e tij shkruan: “Ra heroikisht në fshatin Padalishtë”,
pavarësisht se ka shkuar për asgjë pa e shkrepur asnjë kapsoll. Pyetja për
UÇK-në, Fadilin, dhe juve që keni arritur ta lexoni këtë shkrim deri këtu,
është: A ka pasë nevojë Fadili dhe drenicakët ta lënë Isufin me shku si qeni
n’rrush? Nëse paskan qenë në rrezik atë natë, a kanë pasë nevojë të ikin dhe të
vijnë në Prishtinë e të pijaven, e ta lënë kufomën e bashkëluftëtarit ta
shqyejnë qentë? Nuk është ky rast individual sikur i imi me Amerikën, sepse
lufta dhe rënia në të bëhet në emër të popullit, e jo me qëllim për ta grabitur
ndonjë vend pune pa meritë në KEK, Aeroport, PTK, dhe institucione tjera
publike e shtetërore. Fadili nuk e din, por shumica prej jush gjithsesi e dini,
se ndoshta unë kam qenë më i zëshmi në mbrojtjen e shumë të punësuarve nëpër
ndërmarrje publike të Kosovës kundër ofensivës korruptuese të ambasadorit
amerikan në Kosovë, Christopher Dell, sidomos në PTK për t’ua dhënë këtë
ndërmarrje ku punon Fadili grupeve të dyshimta serbe dhe austriake. Ndoshta për
këtë Fadili ma ka “ngushëlluar” nënën e sëmurë se unë nuk paskam pasur nevojë
të bëjë kështu, duke mos llogaritur se kjo nevojë ishte edhe për interesin e
tij. Ju e dini se edhe për rastin e Aeroportit “nuk kam pasur nevojë”. Por
shikoni se çfarë po ndodh tani aty; menaxherët e huaj të Limak Kosovo, kanë
filluar të ushtrojnë dhunë fizike kundër të punësuarve shqiptar aty, dhe duket
se mirë po ua bëjnë. Drejtori i administratës i kësaj kompanie Fatos Xhelili
(çka dreqin e ka ky Fatmir Xhelilin, ish-ministrin e punëve të brendshme të
Kosovës, dhe si është futur ky në pozitat e Aeroportit?), njofton përmes
e-mailave se e kanë shkarkuar nga puna, dhe se gjatë punës e kanë gjuajtur me
taketuke (shpuzore të duhanit) dhe telefona. Për dhunë psikike nuk po flasim,
sepse këta e durojnë dhe nuk u bënë përshtypje – e kanë mentalitetin e
hundrakut – vetëm kur t’u shkoj thika deri në asht ndiejnë dhimbje dhe
reagojnë. Paska shpëtuar lehtë Fatos Xhelili nga gjuajtjet me taketuke e telefona,
sepse në radhë mund të ketë qenë topuzi për t’ia shtypur kokën. Si duket,
turqit e kanë kuptuar se shqiptarët e tillë marrin vesh vetëm nëse i goditni
fizikisht në kokë, sepse gjarpri duhet goditur në kokë. Gjuajtja me telefona
kundër shqiptarëve më shumë do të përshtatej në PTK. Dikush do të thoshte:
kundër nipit tënd Fadilit! Por Fadili punon në mirëmbajtjen e ambientit përreth
PTK-së (te posta e madhe e zezë në Dardani) dhe ka punë me shati, lopatë,
grabuja, terrnakop, gërshërë për krasitje, e vegla të ngjashme. Nuk e llogaritë
se menaxheri i ri amerikan, austriak, turk, serb, apo çfarëdoqoftë, kur ta merr
PTK-në në tërësi, mund ta gjuaj me këto vegla të punës që janë më të rrezikshme
se taketuket dhe telefonat në Aeroport. Dhe fajet për këtë, i ka, kush tjetër,
pos dajës Isë që u kap me ambasadorin Dell rreth privatizimit korruptues të
këtyre ndërmarrjeve për të mos ua përplasur në të ardhmen punëtorëve shqiptarë
taketuket, telefonat, lopatën, dhe qykën e sakicës n’rrapot t’kresë! Kanë
ardhur të huajt t’ua shtypin kokën këtyre shqiptarëve, e këta e mbrojnë
agresorin e tyre dhe më sulmojnë mua. A kanë nevojë këta për këtë?
Sigurisht se i dëgjoni shumë shqiptarë duke iu treguar se si shqiptarët kanë shërbyer, bashkë-qeverisur dhe udhëhequr me perandori më të njohura, por kurrsesi nuk kanë qenë në gjendje ta udhëheqin si duhet popullin e vetë. I kemi pasur nja 8 papa, mbi 30 perandorë romakë, afër 40 kryeministra të perandorisë osmane, kemi sunduar Ballkanin, Egjiptin, Sirinë, Tunizinë, Algjerinë, por gjithmonë kanë qenë tradhtarë dhe e kanë shitur vendin dhe popullin e tyre. Askush nuk po mund t’i bie në fije këtij kontrasti dhe paradoksi. Sqarimi më i pranueshëm është: shumica e shqiptarëve i kanë vetitë e trashëguara nga hundraku. Pa ua shtypur kokën këtyre, nuk ka dinjitet të kombit shqiptar, përndryshe, të huajt ashtu e kështu po ua shtypin dhe vazhdimisht do t’ua shtypin. A do të na respektonin neve sikur bëjnë me sunduesit e huaj, po që së ne do t’ua shtypnim kokën si gjarprit me taketuke dhe topuz?
Isa Mulaj, maqedonas antik.
Korrik 2013.