| E shtune, 13.07.2013, 06:00 PM |
Provinca
dhe talenti nën këndvështrimin e poetit Bardhyl Londo.
Nga Kujtim Mateli
Londo
e ka krijimtarinë e vet në fund të periudhës së rregjimit komunist. Ai bën
pjesë në atë plejadë të shquar krijuesish që nuk u bë pjesë e rregjimeve të
tilla, aq më tepër që në ato vite ky regjim po tregonte se nuk kishte të
ardhme.
Një
shprehje e mençurisë popullore që përbënte dhe filozofinë e popullit tonë dhe
që përdorej vazhdimisht në bisedat e përditshme të asaj kohe ishte: “me zjarrin
dhe me qeverinë nuk luhet”. Ndoshta, në këtë mënyrë, ata shfajësoheshin për atë
që u kishte ndodhur duke treguar pafuqinë e individit dhe të shoqërisë përballë
makinës shtetërore që të shtypte pa pikë mëshire, nëse do t`i dilje përpara.
"Gjaku
që u derdh dhe s`kërkoi pasuri, grada,
Gjaku
që s`ëndërroi favore, lavdi". (Bardhyl Londo, Thirrjet e gjakut").
Londo
u ngrit kundër partisë-shtet që kishte projektuar rregjimi komunist, kundër
privilegjeve të tyre:
"C`je
ti vallë? Presidium, a pronë private?
Rrogë
e majme... Privilegje....Një tufë servilash te pragu ...
Pronë
absurde, pa investime nga xhepi
Dikush
tjetër investon për të : gjaku". (Bardhyl Londo, Thirrjet e
gjakut").
Kjo
është poezia e Bardhyl Londos e cila doli në pararojë të letërsisë shqiptare.
Ajo e dha qartë portretin e zyrtarit më të lartë të Shqipërisë, atij që
organizonte dhe zinte vend në presidiume. Cili ishte ky njeri që i kishte
kthyer institucionet në pronë private? Cili ishte ky njeri me rrogë të majme e
privilegje të vecanta? Cili ishte ky njeri që i rrinin një tufë servilash te
pragu? Kuptohet që Londo me vargjet e tij iu drejtua drejtpërdrejt piramidës
shtetërore.Po në periudha kritike, në të cilën gjendej Shqipëria në vitet
80-të, ajo u bë dhe alternativa politike e shqiptarëve. Kjo qeveri dhe kjo
klasë politike duhej përmbysur. Vite më vonë shqiptarët e përmbysën rregjimin
për të cilin Londo kishte bërë thirrje vite më parë
Duke
folur për letërsinë e kësaj periudhe shkrimtari Zija Cela do të shprehej:
" Më kujtohet se, ndërsa lart rrudheshin buzët, poemat e Londos
duartrokiteshin poshtë". (Zija Çela
" Për shkakt të cilësive të artit").
Nëse
do të ketë një vlerësim ndërkombëtar, siç janë dhe vlerësimet me çmimin Nobël,
këtë vlerësim e meriton letërsia që lindi në vitet 80-të.
"Bardhyl
Londo është një nga poetët më të mëdhenj bashkëkohorë dhe do të thoja nga më
modernët... Merita e Londos është shpalosja e forcës nëpërmjet fjalëve sa të
gjetura, aq edhe të brishta. Forca morale e një kulture letrare (dhe jo vetëm
letrare) e dhënë nëpërmjet mënyrave shprehëse me një semantikë tejet të
thjeshtë, si dhe aftësia për të bërë poetike shprehjen e thjeshtë, është
padyshim mjeshtëri e spikatur..." (Kostantino Marko, Itali)
****
Duke
parë frofilin poetik të Londos në vitet 80-të, do të kuptojmë më mirë rrëfimin
e Londos tek libri i tij i fundit "Jeta që na dhanë", Tiranë 2013.
Pjekuria artistike dhe guximi qyetar i Londos në vitet 80-të, i ka rrënjët në
vitet 70-të , rrënjë që ia gjejmë në atë qytetin jugor me emrin Përmet. Nuk
është një libër kujtimesh, është një dëshmi për vitet 70-të. Një dëshmi për atë
që ndodhi në këtë qytet në juglindje të Shqipërisë. Një dëshmi për
protagonistët e asaj ngjarjeje. Edhe lexuesi do të meditojë sipas mënyrës së
vet për ato që ndodhnin në Përmet në vitet 70-të.
Ishin vite kur gjithçka pritej sipas kallëpeve që koha e komunizmit kishte
caktuar. Prodhohej njeriu i ri sipas modelit që përcaktonte teoria e
marksizëm-leninzmit. E njënjta qethje, e njënjta veshje, e njënjta mënyrë e të
mbajturit të flokëve, e njënjta mënyrë jetese, e njënjta, njënjta, njënjta. Mendohej e flitej sipas
teorisë së maksizmit.
Londo na thotë se edhe prodhimet ishin modeluar në të njëtin kallëp, për t`i
thënë qënies njerëzore, se bota komuniste ka vetëm një model. Si shembull na
sjell fabrikën e sapunit në Rrogozhinë. Sapuni i saj shpërndahej në të njënjtin
model në të gjithë Shqipërinë. Këtë lloj sapuni kishte njohur gjatë gjithë
fëminisë atje në Përmet.
“ Më vonë sapuni na ndoqi edhe në jetën studentore. Ishin të njënjtët kallëpe
sapuni, me të njënjtën masë, ngjyrë, aromë dhe përbërje që përdornim në konvikt
për të larë corapet e djersitura nga hallakatjet djaloshare, e njënjta copë
sapuni që përdornim te godina e dusheve sa herë laheshim, e njënjta copë sapuni
që mbanim në komodinë dhe e merrnim me vete në mëngjes për të larë fytyrën.
Më vonë, po i njënjti sapun do të na ndiqte nëpër aksione, nëpër zbore apo në
zborin pesëmujor, kur mbaruam universitetin” (Bardhyl Londo, Jeta që na
dhanë, fq. 23, Tiranë 2013).
****
Londo kërkonte përtej këtij modeli. Pasi mbaroi studimet në Universitetin e
Tiranës sipas modelit që aplikohej, i njënjtë deri dhe tek sapuni, duhej të
kthehej në Përmet. Aty u ndesh me marrëzinë e parë ku duhej të kuptonte
mençurinë që prodhonte kjo marrëzi apo e thënë ndryshe mençuria njerëzore do të
klasifikohej sipas kallëpeve që prodhonte absurditeti i kohës.
E kishin thirrur në komitetin e partisë dhe i komunikuan:
“ Enver Hoxha i kishte dërguar një letër Laver Bariut, se e donte shumë Laver
Bariun dhe Përmetin, se letra do të dorëzohej me ceremoni në sallën e shfaqjeve
të shtëpisë së kulturës, se në fund duhej të falënderonte Laveri, por që të
dilte më bukur falënderimin duhej ta shkruaja unë, sepse unë isha nga të vetmit
shkrimtarë në atë qytet etj. etj”. (Bardhyl Londo, Jeta që na dhanë, fq.
27, Tiranë 2013).
Kuptohet. Kallëpit që vinte nga lart sipas modelit marksist-leninist duhet t`i
përgjigjej i njënjti kallëp edhe nga njeriu të cilit i adresohej letra. paparashikueshme: Laveri e refuzoi kartën që do t`i
hartonin.
Londo pa tek Laveri se shpirti njerëzor nuk ishte përthyer e deformuar
plotësisht. Shpesh, pa se nëpër koncertet zyrtare të 24 majit, Laveri e
injoronte këngën e parë që i kushtohej Partisë a të parit të saj. Pyeste se nga
ishte i pari që kishte ardhur për festë ( i deleguari nga qendra) dhe fuste një
këngë nga krahina nga ishte i deleguari. Megjithëse ishin koncerte zyrtare që hartoheshin sipas një programi të caktuar,
Laveri respektonte traditën. Për të zotin e shtëpisë, që në këtë rast ishte
Laveri, ai respektonte së pari mikun që e kishte nderuar me ardhjen e tij. Kjo
është një traditë e lashtë shqiptare dhe që respektohet në çdo familje
përmetare. Të tjerët, sado të rëndësishëm që të ishin, dhe në këtë rast bëhet
fjalë për njerëzit e kupolës së kuqe, do të respektoheshin pasi të nderohej
miku që nderonte të zotin e shtëpisë.
*****
Londo ka qenë i lidhur fort me Përmetin, me vendlindjen e vet. Këtë lidhje e
shihte dhe tek bashkëqytetarët e vet, që herë pas here ktheheshin në
vendlindje. Mentor Xhemali ishte i pranishëm në çdo koncert që zhvillohej çdo
vit në 24 maj. Njerëzit e këtij qyteti kishin një lidhje që donin ta mbanin dhe
të përjetshme. Kur dikush vdiste larg Përmetit, e linte amanet që ta varrosnin
në vendlindje. Diçka misterioze, gati e pashpjegueshme, i shoqëronte banorët e
kësaj treve. Londo vëzhgonte me kujdes si komunikonte shpirti i vjetër i
qytetit me banorët e vet. Ishin ngritur ndërtesa të reja pesëkatëshe, vepër e
epokës socialiste. Po Londo kishte me to një lidhje të ftohtë. Të gjitha
ndërtesat ishin sipas të njënjtit kallëp, brenda të cilit jetonte njeriu i
socializmit. Edhe njerëzit ishin formuar sipas të njënjtit kallëp. Kjo pjesë e
mërziste
****
Këngët përmetare ishin një tjetër oaz shpirtëror
ku Londo gjente pak qetësi, pas një propogande që i shurdhonte veshët për
krijimin e njeriut të ri sipas shabllonit marksist-leninist.Qetësohej teksa
murmuriste me vete vargje këngësh që i klasifikonte si brilante të folklorit
shqiptar.
“ Megjithëse mund t`i kishe dëgjuar vetëm një herë, melodia e tyre, teksti
krejt i veçantë dhe mënyra e pasioni si këndoheshin, të nguliteshin në mend dhe
udhëtonin gjithë jetën me ty:
O bandill, bandill
të paça sa malet,
pse s`më vjen një natë
që të qajmë hallet.
O bandill, bandill
më të rënçin mishrat,
unë jam sëmurë
ti më kërkon cicat
O
bandill, bandill
mor qen i tërbuar,
s`më le vend pa puthur
s`më le pa kafshuar. (Bardhyl Londo, Jeta që na dhanë, fq. 42, Tiranë
2013)
Këto këngë kaq të vjetra, nuk përputheshin
me mendësinë e njeriut të socializmit. Nëse nuk mund të ndryshoheshin, të mos
këndoheshin më. Londo tregon në librin e
vet “ Jeta që na dhanë” një episod tepër të çuditshëm që tregon marrëzinë e
kohës dhe mençurinë njerëzore për t`i bërë ballë kësaj marrëzie.
Kompozitorit
Aleksandër Peçi i ishte kërkuar që këngës “A kanë ujë ato burime” t`i
ndryshoheshin dy vargjet e fundit: “ Shihemi me gojë s`flasim/ si durojmë nuk
pëlcasim”.
Logjika? Në socializëm nuk kishte
brenga. Nuk mund të kishte ndarje, as fshehtësi. Dashuritë socialiste janë të
lumtura dhe të hapura.
Londo kujton se si i shtoi këngës dy vargje të reja që i qëndronin këngës si
mish i huaj. U ndryshua përmbajtja e saj nga dy vargjet e rinj të Londos:
“Duhemi të gjithë e dimë/ nuk e fshehim dashurinë”. Me gjithë talentin e Londos
dhe ambientit socialist që e kërkonte këngën të ndryshuar, ajo shumë shpejt
shkoi në rrjedhën e mëparshe duke u kënduar lirshëm ashtu siç ishte dhe krijuar
kohë më parë.
*****
Si
kudo, edhe Përmeti i provoi flakët e luftës së klasës. Dikë e dogjën më shumë e
dikë më pak. Pati kjo luftë anën tragjike dhe anën komike të saj. Tragjike se
nga ato flakë vuajti një shpirt njerëzor, plotësisht i pafajshëm. Komike se
akuza ndaj tyre ishte një gjykim foshnjor që mund të ketë pika takimi me
periudhat më të errëta të shoqërisë njerëzore. Këta shpirtra njerëzorë që
vuajnë, vendosen njëri pas tjetrit, deri sa arrijmë tek Zisoja i famshëm nga
Miçani.
Londo tregon se si në vendlindjen e tyre nuk i quanin më as shqiptarë, as
përmetarë, por francezë. Madje Zisoja u fut në burg se kishte krijuar një këngë
kundër rregjimit që ua kishte kënduar fëmijëve që të zbaviteshin. Zisoja vdiq
në burg, por kënga nuk u harrua:
Më s`pushonte shiu
atë ditë vjeshte,
u ngrit kocomiu
dhe kafenë deshte.
Një këngë e tillë bënte që të vdisje burgjeve, në rastin më të mirë të
tjetërsonte siç ishte rasti me Pilladhin e dhjetëra raste të tjera.
****
Në atë qytetin e tij të vendlindjes, Londo donte të shkruante. Ky ishte dhe
misioni i tij si poet.
Londo kujton se mjaft talente përmetare nuk e realizuan ëndrrën e tyre. Dhe
përmend disa prej tyre: Paskal Josifi, i talentuar, me ëndrrën se mund të
shkruante shumë libra, përfundoi disa herë në spitalet psikiatrike duke i dhënë
fund jetës në moshë fare të re.
Ivan Nikolla, piktor i talentuar dhe që në Institutin e Lartë të Arteve e
mbanin si një nga shpresat e pikturës shqiptare, pas ardhjes në Përmet, u mbyll
në vetvete. Kështu përfunduan dhe mjaft talente të tjera që nuk mundën të
realizoheshin, atje në Përmetin e largët.
“ dy miqtë e mi të mirë, Paskali dhe Ivani, patën pikërisht këtë fat tragjik.
Hijet e tyre tani bredhin natën në qytetin e vjetër dhe vetëm aty e ndiejnë
veten të lirë. Hijet e tyre janë bërë pjesë e pandarë e shpirtit të qytetit”. (Bardhyl
Londo, Jeta që na dhanë, fq. 88, Tiranë 2013)
Londo
mendon se treva e Përmetit, e ndodhur skajshmërisht nga kryeqyeti i vendit, nuk
krijonte kushte për zhvillimin e talenteve. Në këtë rast, Përmeti ishte një
provincë që talentet e kishin ndeshjen
të dyfishtë: me censurën që krijonte rregjimi dhe izolimin që krijonte pozicioni
gjeografik.
****
Londo jep me mjeshtëri sjelljet e sekretarit të parë në publik, për t`u dukur
se nuk donte të jetonte ndryshe nga populli, në kundërshtim me atë që ndodhte
në realitet.
Londo jetoi atje në Zhepën e largët pa i shkuar ndonjëherë mendja për një
veprim të tillë. Dy ishin karakteristikat e këtij fshati që tërhiqnin vëmendjen
e tij: kisha në qendër, e madhe gati sa një katedrale dhe kthyer në shtëpi
kulture dhe i ashtuquajturi brezi i butë, ku bëhej identifikimi i ndonjë
shkelësi të kufirit.
“ Megjithëse nuk shkrova asnjë varg në Zhepë, jam shumë i sigurtë se në rast se
nuk do të kisha jetuar atje dy vjet në moshën time më të bukur, unë nuk do t`i
shkruaja më vonë as “ Vdekja e vajzës së Naim Frashërit”, as “ Epitaf për
shtatë ëndrra” dhe as “Thirrjet e gjakut”.(Bardhyl Londo, Jeta që na
dhanë, fq. 140, Tiranë 2013).
****
Poezia e viteve 80-të që krijoi Londo, nuk mund të kuptohet pa jetën e
tij në vitet 70-të që i ndau midis qytetit të Përmetit dhe fshatit Zhepë. Duke
lexuar këtë libër e kupton, pse poezia e Londos doli nga rrjedhat normale të
realizmit socialist që krihohej kryesisht për njerëzit e kupolës së kuqe dhe iu
drejtua popullit. Londo iu shkëput grupit të poetëve që dinin të lustronin
realitetin. E gjithë krijimtaria e tij u bë një himn për njeriun e thjeshtë.
Mungonin ato tema që inkurajonte kupola kumuniste. Shqiponjat komuniste jo
vetëm që nuk fluturonin lart në poezinë e Londos, por ato as dukeshin gjëkundi
në hapësirën poetike të tij. Krijoi një realitet poetik, që ishte në
kundërshtim me realitetin poetik e politik që paraqitej në vitet 80-të.
Kjo poezi e re dhe e guximshme nuk ishte thjesht një rebelim që buronte nga
qëndrimi individual i poetit me realitetin. Londo pa, atje në vendlindjen e
tij, atë hendekun e thellë që ekzistonte midis popullit dhe atyre që ishin vënë
në krye për ta drejtuar atë. Pa hipokrizinë dhe falsitetin e rregjimit.
Atje, në Përmetin e largët, politika zyrtare e kohës, megjithëse me
institucione të rregullta si në cdo pjesë tjetër të Shqipërisë, kishte
dështuar. Përveç disa gjyqeve politike
të stisura, për të treguar se edhe në Përmet vepronte armiku i klasës, siç e
tregon dhe Londo për gjyqin e Zisos nga Miçani, në Përmet ishin gati
inekzistente gjyqet që preknin jetën shoqërore. Individi i shoqërisë përmetare,
nga një traditë kushedi sa mijëvjeçare mund të jetë, nuk dëshiron të prek
hapësirën e lirisë së tjetrit. Krijon harmoni me shoqërinë, pa prekur
integritetin e tjetrit. Individi përmetar di të respektojë ato tradita e ligje
të shkruara e të pashkruara që mbajnë në këmbë të shëndetshme një shoqëri
njerëzore. Kjo është një nga vlerat më të çmuara. Këtë vlerë nuk e prishi
përmetari edhe gjatë rregjimit komunist, e cila e donte shoqërinë të trazuar
nën petkun e luftës së klasave.
****
“Jeta që na dhanë” është një dëshmi e poetit Bardhyl Londo. Aty jepen ato
marrëdhënie që shteti komunist i viteve 70-të krijoi midis përfaqësuesve të
partisë-shtet dhe një pjese të shoqërisë përmetare që nuk mundi t`i nënshtrohej
asaj mënyre jetese dhe politikës zyrtare. Konflikti, midis dëshirës për ta
jetuar jetën ashtu siç e kishin jetuar paraardhësit e tyre dhe asaj mënyre
satandarte që u imponohej nga rregjimi komunist, pati viktimat e veta.
Pikërisht, këtyre viktimave, një pjese e të clëve i rrezituan kohës dhe pjesa
tjetër u vranë dhe u vetëvranë, u kushtohet ky libër. Këta janë heronjtë
përmetarë, që iu kundërvunë drejtpërdrejt një rregjimi-diktaturë duke bërë
jetën e tyre dhe jo atë mënyrë jetese që kërkonin t`u impononin. Në këtë shkrim
jam munduar të sjellë disa grimca dhe diku, ndonjë copëz nga mozaiku që ka
krijuar Londo për trevën e Përmetit.
Po Londo e gjeti të njënjtin realitet edhe kur erdhi në Tiranë, në fund të viteve 70-të, realitet që pasqyrohej dhe në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Edhe për jetën që jetoi në Tiranë, nga Londo kemi një dëshmi. Ndaj qëndrimi ndaj këtij libri-dëshmi do të jetë pro dhe kundër. Përtej qëndrimeve miratuese apo mosmiratuese të individëve të ndryshëm, ky libër është një faltore ku shenjtorë të saj janë të gjithë ata që u flijuan. Të parët që duhet të hyjnë në këtë faltore janë ata që duhet të kërkojnë ndjesë. Pastaj ata, që me indiferencën e tyre, i dhanë mundësi rregjimit të flijonte njerëz që të mbante në këmbë grehinën e vet.