| E premte, 12.07.2013, 05:21 PM |
Thonë se
në Shkodër se ç’na pati fituar e majta (dhe ia mbysin kot) !
Nga Elvi Sidheri
Ka ditë
të tëra pas 23 qershorit që serbatori i pakonsumueshëm i shkollës së
“krijimtarisë” (rroma për toma, pra bjeri t’i biem me pallavra të shumta, se
diçka do mbetet) i qarqeve të majta shqiptare, i fryn erës së lumtur të
“Fitores historike në Shkodër” nga socialistët normalë, të integruar dhe të
ngjashëm të tjerë me idetë e tyre.
Tek i
dëgjon britmat e gëzimit “orgazmik” që buron nga thellësia e qënies së tyre
(një ngazëllim i rrallë ky, që nuk dihet mirë a e patën provuar edhe partizanët
“trima” që dikur hynë “paftuar” në atë qytet me datë 28, 29 apo 30 nëntor të
1944-ës), të bëhet se beteja më e madhe e së majtës tonë, na paskërka qenë jo
fitimi i zgjedhjeve në përgjithësi, por triumfi në Shkodër dhe asgjë më tepër
se aq!
Këtu e dy
javë e ca, nuk ka mbetur i majtë apo ithtar i së majtës në Shqipëri, pa
përjashtim feje, krahine dhe ideje (të majta edhe ato gjithmonë, nga vija e
partisë nuk lëvizet)...pa përsëritur gjersa të bëjnë të të përzihet stomaku, se
në Shkodër tashmë “de facto” na ka ndodhur ajo përmbysja e madhe që kurrë më
parë nuk qe bërë dot e mundur.
E thonë
dhe e rithonë aq shumë (si papagaj) këtë fjali “sublime” sikur mos të jetë se
po bëjnë kështu ndonjë pohim të rëndësishëm, sa edhe real, por në realitet të
jenë duke u përpjekur fuqimisht që t’i mbushin mendjen vetvetes se ky fakt ka
ngjarë me të vërtetë, pa qenë thjesht ëndërr!
Sepse që
në të majtë të mos e besojnë plotësisht një gjë të tillë, kjo nuk do shumë mend
dhe në këtë pikë, janë edhe për t’u mirëkuptuar “të mëngjërit” tanë, se “rrallë
e për mall” ndodh që t’iu vijë zogu “ciu-ciu” në duar dhe t’u ofrohet shansi më
unik sesa i rrallë, që në të ashtëquajturën Kryeqendër e Veriut ata të mund të
fitojnë.
Respekt
maksimal pra për përdëllimin entuziazmik të tyre gjithë këto ditë!
Le të
festojnë për këtë fitore...edhe më tepër sesa për faktin cazë më kapital, që në
realitet fitorja e tyre ka qenë e madhe, por ajo ka ndodhur tjetërkund nëpër
Shqipëri, ose rrotull qytetit në fjalë, por kurrësesi jo brenda në Shkodër!
Sepse
faktet, ato “me dhe mbi” të cilat ndërtohen përfundimet llogjike, tregojnë një
pasqyrë tjetër lidhur me këtë rast të veçantë.
Që PS, LSI
dhe ndoca aleatucë të tyre të veckël, kanë fitur globalisht zgjedhjet, këtë
vetëm ndonjë debil pa tru mund t’a vinte ndopak në dyshim.
Unë s’bëj
pjesë në ata që kontestojnë fitoren e së majtës, megjithë vota të blera apo
shitura (dikush i ka shitur, dikush tjetër djathtas që duhet t’i ruante nga
shitja, s’e ka bërë fare detyrën e tij
për shembull ), megjithë ndonjë manipulim me pasojë firon e ndonjë deputeti të
djathtë, por sidoqoftë fitorja e tillë është dhe të majtët poshtë 82-83
mandateve nuk është se bien në kuvend.
Pra një
fitore e njohur nga të gjithë, shqiptarë të majtë a të djathtë, bashkë me të
huajt...ka ndodhur dhe ajo i takon PS-së dhe LSI-së që rrjedhimisht do të
ngrenë edhe qeverinë e tyre mbi këto themele të shëndetshme numerike në
parlamentin e ardhshëm shqiptar.
Por
ndërsa qartësisht në Qarkun e Shkodrës, e majta ka fituar mbi të djathtën (për
herë të parë kjo), sido që të jetë brenda në qytetin e Shkodrës të majtët NUK
KANË FITUAR!
Qarku i
Shkodrës nuk përfaqëson qytetin e Shkodrës, por Shkodra përveçse i jep emrin
atij për shkak të peshës së saj specifike kulturore, historike dhe tradicionale,
në atë zonë të madhe zgjedhore bën pjesë bashkë me Pukën dhe Koplikun, pra
Malësinë e Madhe.
Qarku
Shkodër ka 250 mijë votues, gjysma e të cilëve votuan në këto zgjedhje.
Prej tyre
Bashkia Shkodër ka 88 mijë votues, nga të cilët 42 mijë e ca votuan kësaj
rradhe.
Pra si në
shifrën totale të votuesve të regjistruar në rang qarku, e si në atë efektive
të atyre që votuan, Bashkia Shkodër ka fiks 1/3-ën e votuesve të qarkut në
fjalë.
Kjo për
të treguar për ata që me emrin e Shkodrës po luajnë prej ditësh të tëra, duke e
“njollosur” atë me sajime “triumfesh” të majta, se ky qytet nuk përbën në
tërësi qarkun për të cilin kaq shumë po diskutohet këto kohë.
Atëherë
çfarë ka ndodhur realisht brenda në Bashkinë e Shkodrës?
Shifrat
edhe këtu na ndihmojnë që të mos bëjmë fare teori apo shpikje pa kripë e pa
asnjë kuptim.
Partia
Socialistë në Shkodër qytet, ka marrë sipas traditës së saj më të mirë
historike qysh nga 1991-shi e këtej, vetëm 27.98% të votave, përkthyer në 11
mijë e 788 vota.
LSI-ja që
është rritur tejmase, ka fituar 13.34%, ose thënë ndryshe 5620 vota në qytetin
e Shkodrës.
Kurse
Partia Demokratike ka marrë 40.88% të votave, pra 17 mijë e 225 vota, ose
ekzaktësisht 5437 vota dhe 14% më shumë se PS-ja.
Edhe së
bashku PS dhe LSI mezi sa e kalojnë me 0.3% PD-në të cilës po iu shtuan vetëm
votat e PR-së si aleate,
Pra pyes
veten, për çfarë arsye në botë po festohet aq shumë majtas, sidomos në rradhët
e PS-së shkodrane, kur gjenden si zakonisht aty ku ju takon me meritë të plotë,
domethënë 14% poshtë PD-së e cila në ndërkohë siç e treguan faktet, nuk ështe
se po kalon kohët e saj më të ndritura dhe në këto zgjedhje u shkërmoq ngado
nëpër Shqipëri?!
Por kjo
tërheqje, kjo rrudhje që i ngjau në çdo cep elektoratit të partisë më të madhe
të së djathtës, megjithëse ndodhi edhe brenda në Shkodër, sido që të jetë nuk
ishte a atillë sa t’a bënte PS-në të dilte e para, apo të majtët që të
kryesonin në atë qytet.
E vërtetë
është që gjithësesi të majtët kanë patur ngritje të fortë edhe brenda Shkodrës
si qytet dhe kjo duket e s’mund të mohohet aspak.
Por për
të fituar, jo pra jo, fituar nuk kanë sadoqë t’a përhapin lajmin fals të kësaj
ndodhie të paqenë, nga të katër anët derisa dikush edhe t’a besojë këtë kumt
fiktiv dhe të pandodhur në realitet.
Aq më
tepër është interesante të vëresh sesi mbi të gjitha PS shkodrane feston e
hidhet pupthi sikur a thua ti çfarë të kishin bërë, ndërkohë që maksimumi që
kanë realizuar, është që të mos bien poshtë 27%-shit të tyre të traditës së
mbështetjes në popull.
Nëse ka
nga ata që duhet të gëzohen majtas, janë padyshim LSI-tët të cilët kanë brofur
përpjetë dhe i janë afruar 14%-shes së votave.
Por
njëkohësisht edhe korja e vjetër e djathtë shkodrane, qoftë ajo e tillë
mirëfilli pavarësisht kujt partie të djathtë i beson votën e saj, apo thjesht
simpatizante dhe votuese e PD-së, duhet të jetë krenare që edhe në një palë
zgjedhje të tilla “futje në ujë” të së djathtës shqiptare, sërish ia arriti që
mos t’a lejojë të majtën që t’a marri “demokratikisht” qytetin e Shkodrës.
Kështu
pra të dashur lexues, në Shqipëri jemi mësuar t’a shesim dhe shpesh t’a hamë
“me ndërgjegje” të plotë sapunin për djathë, pra ndoshta edhe të pohojmë se
fluturojnë të lumtur në qiejt e kaltërt gomerët, por ndërsa të tilla fenomene
sadoqë nuk i kam hasur personalisht, sërish ia lë shkencës t’i studiojë, ndërkohë
faktet që derivojnë nga vota e qytetarëve shkodranë, nuk ka kush t’i mohojë, sajojë,
stisë apo të luajë me to ashtu si t’ia ketë më mirë ënda!
Por
ndërsa për shembull tek publiciteti i ndonjë pijeje energjitike si “Demi i Kuq”,
gomerët çoku edhe flutorojnë qiejve të lirë, në Shkodër sidoqoftë nuk ka asnjë
mundësi që të majtët dhe aq më pak PS-ja që më tepër po gërthet lart e poshtë
sikur të ketë “pushtuar Rajshtagun” (strofka e fundit e “armikut të kllasës”
ajo medoemos, e morën me armë në 1944-ën, s’i pyeti kush për 45 vjet aty dhe 23
vjet demokraci s’i honepsi fare qyteti i lartpërmendur)...të kenë ndonjë shkak
real për të qenë aq entuziastë lokalisht lidhur me zgjedhjet e atjeshme.
E djathta
në Shkodër pra përfundimisht ka fituar edhe duke qenë në “pikë të hallit” siç u
pa të ishte në këto zgjedhje rreth e përqark vendit.
PD-ja ka
rënë në qytet, por mbetët bindshëm parti e parë, PR-ja është fryrë mjaft dhe
partitë e tjera të djathta sërish vota mbledhin për në trastën e përbashkët.
Për këtë
arsye kënga dhe disku i prishur që s’di të ndalet me temën e preferuar të
qarqeve të majta partiake, shoqërore dhe mediatike...se “edhe në Shkodër kemi
fituar”, është një pjellje e bukur për t’u dëgjuar dhe mikluar ndoca veshë
socialistë, por kurrësesi e vërtetë apo e faktueshme duke lexuar numrat e
votave në terren.
Qarku i
Shkodrës ka rënë demokratikisht për mjaft arsye në duar të majta, Puka, Kopliku
e deri tek Postriba antikomuniste janë tashmë të majta gjer në zgjedhjet më të
afërta, por Shkodra si qytet edhe kësaj rradhe, megjithë mundësinë e madhe që
patën të majtët për të bërë të shumëpriturën (për ta) rrokadë, majtas nuk u
kthye, por mbeti djathtas!
Çdo pohim
tjetër është trillim dhe asgjë më tepër!
Në PS
duke qenë se po vjen koha e ardhjes në detyrë të qeverisë së re, ku ata do të
kenë peshën më të madhe (se kryesore nuk mund të thuhet, për shkak të faktorit
vendimtar LSI), bëjnë mirë që të pushojnë së festuari, t’a besojnë njëherë e
mirë se në Shqipëri (jo në Shkodër), ata dhe aleatët kanë fituar dhe të nisin
të vënë në jetë ato çfarë kanë premtuar për (sipas tyre) të mirën e këtij
vendi.
Përrallat
me mbret që kanë fituar në Shkodër, le t’i ëndërrojnë gjatë ndonjë nate dimri, sepse
realiteti është sërish, edhe kësaj rradhe i ndryshëm nga dëshira e tyre
legjitime për të qenë njëherë fitues edhe aty.
Ndërkohë
andej nga partia më e madhe e vendit, ajo që do na qeverisi për katër vjet, të
kenë po aq parasysh se idetë e para 23 qershorit, për një “popull opozitar” dhe
ato të tashmet për “1 milionë vota”, nuk duken edhe shumë normale në një
demokraci, si kjo që supozohet të kemi ne.
Kryeministri
i ardhshëm dhe partia e tij, si dhe gjithë aleatët e tyre, duam apo s’duam, kanë
ardhur në pushtet ligjërisht dhe po aq në mënyrë legjitime do të na qeverisin
të tërëve ne shtetasve të Republikës së Shqipërisë.
Kryeministri
i zgjedhur, i tillë është për çdo banor të këtij vendi dhe jo vetëm për ata që
e kanë votuar pra!
Ne të
tjerët që nuk qemë (me vullnet të plotë) pjesë e “popullit opozitar” para 23
qershorit dhe të atij “milionshit” ditën e votimeve, çfarë qenkemi atëherë?