| E merkure, 10.07.2013, 07:46 PM |
DY FJALË
PËR SHPIRTIN E BARDHË TË ANTHONY ATHANAS
NGA ELIDA BUÇPAPAJ
Ishte një
lajm i papritur dhe shumë i trishtuar mbyllja e restorantit të famshëm
Anthony's Pier 4 të cilit i kishte dhënë këtë emër, djersë e famë një
shqiptaro-amerikan me zemër patrioti. Ai që i mungon aq shumë diasporës
shqiptaro-amerikane. Anthony Athanas. Shkrimi i Frank Shkrelit është shumë i
plotë, në portretizimin e Anthony Athanas, për zemrën e tij të madhe,
patriotizmin dhe atdhedashurinë për Shqipërinë, Kosovën, që në Amerikë të
mbahej gjallë fryma e Konicës dhe Nolit.
Unë dua
t’i shkruaj këto rradhë sepse fati dhe rasti na e dha mundësinë për ta njohur
Anthony Athanas. Jemi takuar me të disa herë. Anthony Athanas ishte nga ata
njerëz që Zoti i lë të mbeten përherë të rinj. Kur e takoje, nuk mund të thoshe
kurrë se kishte përpara një të moshuar që i kishte kaluar të tetëdhjetë vitet e
jetës. Elegant, gjithë vitalitet, dinamizëm të merrte me vete me energjitë e
tij pozitive. Nga fytyra nuk i hiqej kurrë buzëqeshja e një xhentëllmeni të
vërtetë dhe e një shqiptari të madh nga ata që i sjell Zoti rrallë dhe që ne na
duhen aq shumë.
Ajo që
krijoi dhe që përfaqësoi Anthony Athanas është në një antitezë të plotë me
kapitalizmin e ri shqiptar, barbar dhe të pangopur, që ka si qëllim në vetvete
pasurimin individual me të gjitha mjetet, duke e zhvatur dhe rrjepur vendin
tonë të dashur. Anthony Athanas ishte kategori tjetër, kategori e asaj që
shpreh thelbin e shqiptarit, pa të cilin nuk do t’iu kishim rezistuar
harrikanëve të historisë e do të ishim asimiluar me kohë, pa lënë as gjurmë as
shenjë.
Njëherë
udhëtuam bashkë nga Tirana në Romë. Zoti deshi të na takonte.
U takuam
rishtas me Anthony Athanas me rastin e sjelljes së eshtrave të Faik Konicës në
Shqipëri. Ishte bashkë me çiftin e nderuar Bytyçi, Hatixhen dhe Sabitin, që
janë nga ato familje që përbëjnë ajkën e kombit dhe diasporës shqiptaro-amerikane.
Ndejtëm bashkë edhe në koktejlin e organizuar me këtë rast në Pallatin e
Kongreseve. Na pyeste si shkonin punët në Shqipëri. Nuk lodhej së pyeturi. E
kam parasysh si sot, me sytë e tij të qeshur. Ishte i kënaqur që u takuam. Ne
po ashtu. U ulëm të tre në bordurat e mermerta të hollit të madh të Pallatit të
Kongreseve. Ishte rasti për të folur për Konicën e madh. Ne i thamë me
çiltërsinë më të madhe se ai, Anthony Athanas ishte një xhentëllmen që mund të
qëndronte pa iu trembur syri në krah të Faik Konicës, për kontributin e tij
madhor si patriot. Ai qeshte, si gjithnjë me elegancën e tij si një xhentëllmen
i vërtetë, dhe askush nuk mund ta besonte se kishte përpara një zotëri të
moshuar, sepse puna e palodhur dhe shpirti i tij i bardhë kishte bërë që të
mbetej përherë një djalosh.
Dhe
kështu e kam parasysh, një njeri shpirtbardhë. Dhe u bëmë miq. Ka disa alkimi
që të bëjnë miq me takimin e parë, me shkëmbimin e parë të fjalëve, sepse
përshkoheshim nga e njëjta empathi. „Do t’ju ftoj në Pier 4 na tha, do t’ju
ftoj e pres si miqtë e mij. Do ta bëj ftesën sa të kthehem në shtëpi.“ Dhe
Anthony Athanas ishte nga ata burra që e mbante fjalën. Sa mbërriti në SHBA, na
e dërgoi menjëherë ftesën dhe biletat. Zot i madh, ku t’i gjejmë ata shqiptarë
të tillë si ai sot! Zot i madh kthejua shqiptarëve thelbin e tyre që do t’i
bëjë të kenë të njëjtin brumë si Anthony Athanas apo Nënë Tereza.
Natyrisht
që Anthony Athanasit nuk do t‘ia kishte marrë mendje kurrë që shqiptarët t‘ua
bënin ashtu shqiptarëve, t’ia bënin vetvetes së tyre dhe Shqipërisë t’i kthehej
si mallkim 1997. Kur do të niste një kalvar i ri dhe gjysmës së kombit do t’i
duhej të mblidhte laçkë e plaçkë e me fëmijët në krahë të merrte rrugën aq
dramatike të emigracionit. Ne u vendosëm në Zvicër dhe nuk u pamë më bashkë me
Anthoni Athanasin. Kur morëm vesh për vdekjen, e qamë me lot, ashtu si qajmë
për ata që na dhemb shpirti. Qamë për shpirtin e bardhë të Anthony Athanas.
Dhe lajmi
për mbylljen e Anthony Pier 4 na mbushi plot trishtim. Pier 4 ishte një pikë
referimi si për Amerikanët, ashtu edhe shqiptaro-amerikanët. Ishte një Shqipëri
e vogël në zemrën e madhe të Amerikës. Ishte vetë zemra e bukur e Anthony
Athanas. Edhe kur ai iku nga kjo botë. Pier 4 e tij mbeti. Pier 4 mund të
kthehej në Muze, mund të vazhdonte të priste e të përcillte miq, por assesi të
mbyllej.