| E marte, 09.07.2013, 06:10 PM |
UDHËTIM
NËPËR VISARET E SULOVËS
Udhpërshkrim
EKSKLUZIVE NGA PËLLUMB GORICA
Mirseardhjen këtu ta uron dielli me reflekset e rrezeve, ajri, gjelbërimi, konturet e thepisura të malit të perëndive, Tomorrit me kurorën e zbardhur në majë. Madhështia e tij është bukuri dhe krenari. Ndjen një ngacmim për t’u endur më tej këtyre pamjeve.
PAMJE QË KËRKON T’I SHIJOSH THELLË
Një
udhëtim drejt Sulovës së Sipërme të Gramshit është një mundësi për ta njohur më
mire. Edhe nëse udhëton për herë të parë drejt saj. Ajo shtrihet në të majtë të
rrjedhës së mesme të lumit Devoll, nën këmbët e malit Tomorr. Reliev i copëtuar
me ulje ngritje, lugina, kodra, lartësi, brigje, përrenj, fshatra, peizazhe
magjepëse me ngrohtësinë e stinës e blerimit të harlisur. Është një përvilegj për çdokush që i viziton. Lumi
Devoll rrjedh ndërmjet brigjeve diku rrëmbyer, diku pa u ngutur, diku kumbon
mbi zajet. Kjo është ajo çka përbën mbresën e parë sapo shkel këtu dhe të godet
bukurisht, por kur krahasohet me pasuritë e tjera atëherë në të vërtetë mund të
kuptohet Sulova, e cila mban në gjirin e saj thesare të shumta, histori të
lakmueshme dhe dëshmi antike të kulturës së lashtë. Njihet më shumë për
traditat, bujarinë dhe mikpritjen. E përmendim këtë fakt si një krenari të tyre
se mikpritja, bujaria në sofrat nuk u ka shterur kurrë. Zemrat e tyre si
dielli, shëndritin e gufojnë nga respekti për mikun, udhëtarin me muhabetin,
këngët e rakinë e fortë.
Do të
duhej miku im e i të gjithë sulovarëve, studiuesi Petrit Basha që më bëri të
realizueshme këtë udhëtim. Me ne është edhe djali i tij, Isai, që është drejtor
i kulturës në bashkinë e Gramshit, Shefit Hysa dhe Hysen Zani. Jemi bashkëudhëtarë në lartësitë e Sulovës së
Sipërme me qetësinë, freskinë, aromat, bisedat, këngët dhe bashkë me shumë foto
artistike.
Duke ndaluar herë në një peizazh e herë në tjetër sytë prekin gjelbërimin frymëzues. Një mjegull resh të brishta dhe të praruara notojnë qiellit. Pak nga pak një diell i vakët ngrihej lart në hapësirë. Tutje në faqe të një kodre të veshur me bar e lule, një tufë dele kullosin. Tingëllojnë këmborët si melodi plot emocion. Makina ecën në rrugën plot kthesa që le për të dëshiruar, duke gjarpëruar në peizazhin ngjyra-ngjyra. Ruga herë ngjitet e herë i le fshatrat në krahë e herë kalon afër tyre. Secili paraqitet me karakteristika të veçanta. Është krejt e natyrshme se natyra u ka falur këto vende për të jetuar e zhvilluar jetën. Shëmriza, Ostenthi, Duzha, Lubinja… . Emra vendbanimesh që përqasin idenë e origjinës së tyre të vjetër. Duzha e zhytur mes gjelbërimit. Në një hapësirë tjetër përballë nesh Lubinja me shtëpitë çatikuqe rrethuar nga gjelbërimi, të cilat ja shtojnë më shumë hijeshinë e pamjen tërheqëse. Tokat e parceluara, të mbjella me rreshta të drejta e të ndara nga njëra - tjetra me pemë frutore degërënduara nga prodhimet si: arra, dardhë, qershi, mollë, kumbulla. Pak më tej vreshta të sistemuara. Si një lidhje me natyrën e freskët spikat dora e mëndja e banorëve që e duan punën, përpjekjet e tyre për të përballuar jetën, për të punuar e gëzuar frutet e prodhimit.
IMAZHE TRISHTUESE
Teksa i përjeton mrekullisht peizazhet, të diktohet
vetvetiu paqe e kënaqësi në shpirt dhe të gërshetuara me ato historike, që të
preken e të shijohen nga adhuruesit, vizitorët
Këtu ndihet
edhe vlaga e dhimbjes, e braktisjes. Siç ndodhi me shumë fshatra malorë në
Shqipëri edhe në këto anë është përhapur sidroma e hemoragjisë për të zbritur
qendrave të urbanizuara, duke lënë pas natyrën e bukur, ajrin, kujtimet, ca
gjurëm të jetës, varret e të parëve. Të pikëllon shpërngulja e fshatit Irmaj.
Heshtja e madhe i ka mbuluar shtëpitë, arat, pylli e ato e ndjejnë më shumë,
braktisjen e vendbanimit të vjetër, diçka të mjerueshme në kufijtë e
zbrastësisë.
HAP PAS HAPI NË GJURMËT E TOPONIMEVE
Dhe,
përkundrejt bukurive natyrore, rruga kalon nëpër një truall të braktisur me
gjurmë të lashta. Kohërat me luftrat rrënuese, largimet, ndryshimet sociale i
kanë fshirë shumë prej tyre. E ç’duan të thonë ato pak gjurmë në këtë territor
të braktisur? Petriti i lindur dhe rritur në Sulovë, në rolin e ciceronit
ligjëron, për vendet ku kalonim, për fshatrat anës rrugës e për çdo gjë tjetër
me një ndjenjë krenarie e një frymë gati mistike të thjeshtësisë dhe aftësisë
treguese. -Ajo që të bën përshtypje -të thotë Petriti -është dendësia e
toponimeve të shumta, që tregojnë ekzistencën e vjetër të banimit në këto
troje. Na e sjell në memorjen tonë, si një një dritare dijesh për këto
toponime emërtimet dhe histori të tyre.
Si njohës i mirë i trevës dhe këmbënguljes e pasionit për të evokuar historinë,
traditat ka mbledhur një pjesë të kësaj trashëgimie, në një tufë librash për
Sulovën, për vlerat e saj, për njerëzit, për virtytet e sulovarit ndër breza.
Çdo toponim ka një histori. Liqedhi,
Çuka e Salos, Shëmitra, Qafa e Liqedhit, Çuka e Daulles,… Pa u marrë me
etimiologjinë e tyre, kemi të bëjmë me fjalë shqipe të vjetra. Liqelli.
Mendohet se në këtë vend ka qenë një liqen i vogël, në pjesën juglindore të
arës së sotme. Ky liqen duhet të jetë formuar nga marrja e baltës (Dheut) që
përdorej për punishtet e qeramikës në kalanë e Irmajit, (Kodrioni). Me kalimin
e kohëve liqeni është tharë dhe mbushur me dhera. Edhe sot në këtë vend ruhet
forma në tri anët kryesore të një gropë të stërmadhe.
Le ti lemë këto hulumtime e t’i kthehemi udhëtimit tonë. Një gjurmë rrugë krejtësisht e përpjetë të çon drejt kalasë antike të Irmajt, nëpër një peisazh gjelbërimi të harlisur, si tunel për të arritur në majën e kodrës. Bukuri të tilla të mbërthejnë me pamjet, zhurmat e pyllit, ujrat që rrjedhin. Ndalemi në një burim i cili na freskon shumë, ashtu si ajri i ngarkuar me aromën e pyllit, luleve. Çifte zogjsh ngrihen me rrapëllimë nga korijet dhe japin koncert me cicërimat e tyre. Kodrat dhe pyjet e Sulovës me shumëllojshmëri drurësh, kanë favorizuar rritjen e shumë shpendëve dhe kafshëve të egra.
SHEKUJT, ARKIVË E HISTORISË SË KËTYRE TROJEVE
Çdo kush
përhumbet me ato ç’ka kjo hapsirë me një reliev mahnitës të shfaqet para syve.
Nga këtu me vështrimin tënd e rrok Sulovën e Sipërme, Nahijen e Beratit,
Vërçën, Shpatin, Tomorricën, shpatet veriore të malit Tomorr. Pamje që të
mbeten gjatë në kujtesë. Përtej një kodre shtrihej Tunja me lagjet e saj. Diku
më tutje Prrenjasi, Grekani, Saraseli, Lumasi i Beratit.
Në shesh
pushimin e kodrës syri të ze fragmente muresh e tjengullash e diku të mbuluara nga dherat e e ferrat. Këmbët
shkelin mbi historinë e me gjurma, që edhe pse janë të pakta tregojnë lashtësi,
por që nënkuptojnë ekzistencën e një vendbanimi të dikurshëm, të Dasaretëve të
lashtësisë, një vendbanim ilir i identifikuar si qyteti i Kodrionit. Sipas dëshmive të autorëve antikë, Dasaretët
banonin në një trevë të gjërë dhe ishin të përmendur si bujk e blektorë. I
shkatërruar, i braktisur në kohëra deri zbrazjen totale nga rrethanat
tronditëse të shekujve, Kodrioni ishte
rrethuar me mure dhe i shtrirë në një sipërfaqe të madhe. Petriti
Kemi
arritur në majën e kodrës. Ajo çka të mahnit është forma e saj dhe në krye,
kalaja e Irmajt, që shëndrit me sytë e qiellit. Fragmentet e mureve qëndrojnë
në këmbë, duke sfiduar rrjedhat e kohës, të rrethuar nga gjelbërimi i thellë i
drurëve të lartë e të dendur, që shpojnë qiellin e s’të lenë të shohësh më tej
tyre. Prekim lehtë muret e veshur me myshk dhe sikur nuk duam të largohemi nga
këtu. Historia e saj humbet në mjegullnajën e kohërave, rrethuar nga pëshpërima
historish gojore e legjendash, të cilat janë të shumta. Kalaja e Irmajt ndodhet
Kalaja e
Irmajt po shkon drejt shkatërrimit. Të shkatërrosh do të thotë të zhdukësh një
vlerë të kohës së largët, një thesar të saj. Dhe nuk ka si të mos indinjohesh,
ashtu siç indinjohet çdokush ku gjithnjë e më shumë e mira dhe e drejta po
humbasin terren. Ne duhet të jemi krenar
për të kaluarën e lashtë dhe duhet të punojmë për ruajtjen e këtyre gjurmëve të
historisë për ta kthyer në një pikë historike e turistike, që harresa historike
të mos i mbulojë me pluhurin e saj.
Diku në
hapsirën e një sheshi, nën hijen e lisave të moçëm, të joshur nga pamjet,
mrekullia e saj, kënaqësia e një dite të kaluar këndshëm, drekuam. Si një provë
e bujarisë, gëzimit, kënaqësisë me miq dhe mikpritjes e respektit ndaj tyre
edhe kënga krijoi emocionin që rrallë provon. Këto mrekulli të natyrës, muret
antike, folëse të gjalla e dëshmisë autentike të historisë së lashtë, që i kanë
rezistuar kohës dhe bashkë me këta njerëz të sinqertë e mikëpritjen e tyre
proverbiale, Sulova paraqet një vend me një sharm të veçantë.
Ndërsa zbresim nga këto lartësi e ndjejmë se jemi të pushtuar nga mbresa të këndëshme me ngjyrat, simfoninë e zërave të natyrës, shpirtin bujar sulovar, dashurinë e mikpritësve, tokën që ka histori pa mbarim, që të deh me gjurmët e saj, me krenarinë dhe dëshirën të puthësh çdo grimcë dheu e të mbash sadopak çdo peshë të rëndë. Të bukur. Të fortë. Jetëgjatë. Të lashtësisë sonë!
Autori i shkrimit pranë murit të kalasë
Fragmente e murit të kalasë së Qafës, të stilit cikllopik
Fshati Lubinjë
Kunjëza e Madhe në majën e së vilës gjendet Kalaja e Iramajt
Lubinja e me tutje qyteti i Gramshit
Me studiuesin Petrit Basha dhe djalin e tij Isain
Me studiuesin Petrit Basha
Një pjesë
e territorit ku shtrihej qyteti i Kodrionit
Stivat e
drureve të prerë
Toponimi Mullezë