| E diele, 07.07.2013, 03:00 PM |
Flet
shkrimtari i librave për fëmijë Gaqo Bushaka: Krijuesve u jepej 3 muaj leje
krijimtarie dhe më pas dalje në krijimtari të lirë
Ne bënim vjersha për Enverin, ndërsa poetët kosovarë detyroheshin të himnizonin Titon, ja kujt i dha të drejtë historia
Nga Albert ZHOLI
Ka lindur
në një fshat të Lunxhërisë që quhet Selckë, që është edhe vendlindja e Pandeli
Sotirit. Në vitin 1946 babai e tërhoqi familjen nga fshati në Tiranë dhe këtu
ka bërë shkollën fillore, të mesme dhe atë të lartë. Kur erdhën në Tiranë, ende
nuk kishte mbushur tre vjeç ndaj ju ka borxh popullit të Tiranës mikpritjen dhe
ngrohtësinë e madhe që i kanë bërë familjarisht. Për arsye ekonomike nuk e
mbaroi gjimnazin ditën, por në fillim mbaroi një shkollë për elektricist dhe
punoi si fillim në Uzinën Partizani dhe në PTT. Gaqo Bushaka është një nga
autorët më të suksesshëm në Shqipëri. Ka kontribuar në lëvrimin e një lloj
përralle "të re" për fëmijët që e bën të pëlqyeshme dhe tepër
interesante. Ka lëvruar prozën e gjatë, dhe sidomos romanin për fëmijë. Ka shkruar
përmbledhjet me përralla: “Arushi që kërkonte babanë”, “Në ishullin e
dallëndysheve”, “Amaneti i dhelprës”, “Përralla u la për nesër”. Vepra që e
bëri tepër të njohur ishte trilogjia “Aventurat e Çufos”, pjesë përbërëse e së
cilës janë përrallat: “Çufoja dhe Bubi kaçurrel”, “Pushimet e Çufos”, “Çufoja
në shtëpinë e çudirave”.
Cila ka
qenë krijimtaria juaj para suksesit?
Unë jam
lindur në një fshat të Lunxhërisë që quhet Selckë, besoj se është një fshat i
njohur pasi aty ka lindur dhe Pandeli Sotiri, drejtor i Shkollës së Parë Shqipe
në Korçë. Në vitin 1946 babai e tërhoqi familjen nga fshati në Tiranë dhe këtu
kam bërë shkollën fillore të mesme dhe atë të lartë. Unë kur erdhëm në Tiranë,
ende nuk kisha mbushur tre vjeç ndaj ju kam borxh popullit të Tiranës
mikpritjen dhe ngrohtësinë e madhe që na kanë dhënë familjarisht. Për arsye
ekonomike nuk e mbarova gjimnazin ditën, por në fillim mbarova një shkollë për
elektricist dhe punova si fillim në Uzinën Partizani dhe në PTT. Gjatë kësaj kohe mbarova gjimnazin e natës dhe duke qenë
se mbarova me mesatare shumë të lartë më doli e drejta e studimit për mjekësi.
Fillova për mjekësi, por e lashë pasi më binte të fikët nga gjaku. Kërkova
sërishmi dhe më doli e drejta për Gjuhë- Letërsi dhe mbarova në këtë degë, ku
njëkohësisht mbarova dhe për gazetari mbasdite.
Kur u hap
shkolla e Gazetarisë?
Ishte
viti 1964 kur u hap kjo shkollë për gazetari. Kjo shkollë u bë me konkurs, ku
nga Gjuhë-Letërsia do të konkurronin 60-vetë, ku fituam tre vetë. Xhevahir
Spahiu, Spiro Dede dhe unë.
Shumë
emra të dëgjuar?
Ishte
koha si duket, pasi atë kohë ne kishim në shkollë Sulejman Krasniqin, (që është
quajtur Balzaku shqiptar), ishte Hiqmet Meçaj, mjaft i mirë. Një vit mbi ne
ishte Kiço Blushi, etj..
Atë kohë
këta emra ishin evidentuar në letërsi dhe gazetari?
Ata po,
por unë jo, unë vija nga klasa punëtore. Ata kishin botuar në disa organe
shtypi si “Zëri rinisë”, etj.. Ndërsa unë vija nga një familje shumë e varfër,
ku as babai, as nëna nuk dinin të vinin firmën. Mbaruam shkollën në vitin 1968.
Ku shkuat
pas shkollës?
Unë Spiro
Dede dhe Xhevahir Spahiu me kërkesën e Dritëro Agollit na morën gazetarë tek
gazeta “Zëri i Popullit”. Dritëroi në atë kohë na jepte mësim në gazetari dhe u
tha atyre të “Zërit” që nëse do merrni gazetarë do merrni këta të tre. Për këta
e vë unë dorën në zjarr, për të tjerët veproni si keni normat tuaja. U desh një
lloj lufte, pasi ne të tre s’ishim anëtarë partie, dhe në fund firmosi vetë
Hysni Kapo. Ai mori mendimin e Dritëroit dhe firmosi i bindur për ne.
“Zëri i
Popullit” në atë kohë nuk kishte asnjë punonjës që të mos ishte anëtar partie.
Më vonë mua më çuan në Skrapar, Xhevahirin në Sarandë dhe Spiron në Tropojë.
Lëvizje kuadri.
Krijimtaria
juaj kur fillon?
Kur isha
student unë fillova të shkruaj në gazetën “Zëri i Rinisë”. Ishte viti 1967. Në
atë kohë botova dhe një libër me tregime për fëmijë “Peshqit e Janit”. Por si
fillesë më ka shërbyer “Zëri i Rinisë”, ku kryeredaktor ka qenë një shkrimtar
dhe njeri shumë i mirë Vath Koreshi, i cili më ka ndihmuar shumë. Më para tij
ka qenë dhe Jakov Xoxe, por unë nuk e arrita. Në këtë kohë botonte përkthime
Faik Ballanca, të cilin e kisha në një bankë. Për më tej kujtoj dhe botimet e
gjuhëtarit të talentuar Seit Mancaku.
Si u prit
libri i parë?
Atëherë
kishte diçka të veçantë që askush nuk merrej me librin. Pra, shteti e botonte,
shteti e shpërndante. Ishte shpërndarje e mirë. Libri nuk merr vlerë kur rri në
depo, por kur shihet në librari. Njeriu duhet të bjerë në kontakt me librin
D.m.th
sot libri ka probleme?
Po, shumë
probleme, së pari që nuk funksionin sistemi i mirë i shpërndarjes dhe çmimi i
tyre është shumë i kripur, sidomos për pensionistët. Libri nuk është i shtrenjtë në krahasim me botën,
por në krahasim me rrogat që marrim ne.
Kush
ishte Kryeredaktor i “Zërit të Popullit” në atë kohë?
Ishte
Todi Lubonja. Të ishe ahere Kryeredaktor i “Zërit” ishte peshë e madhe, por
akoma më e madhe ishte përgjegjësia.
Përse?
Por, sado
i zgjuar të ishe, sado korrekt dhe punëtor, aty për një pikë të ikte koka.
Ahere s’të falte askush gabimin. Ndaj dua të them se Todi kishte një
përgjegjësi të madhe mbi shpatulla. Mbas Todit erdhi Dashnor Mamaqi. Unë në
“Zërin e Popullit” nuk ndenja shumë pasi kërkova të shkoja tek revista
“Fatosi”. Të gjithë u çuditën të kërkoje të ikje nga “Zëri” për të shkuar tek
“Fatosi”. Zëri ahere ishte pushtet. Ishte gazeta me tirazh më të madh, më e
lexuara në vend, kishte mbledhur penat më të mira shqiptare. Por unë e ndjeja
se aty mund të jepja më shumë. Dhe nga redaktor tek “Zëri” shkova redaktor tek
“Fatosi”. Pra më aprovuan të shkoja tek “Fatosi” se ahere nuk mund të bëje
kryengritje, paçka si thonë sot. Po të mos aprovohej askush nuk lëvizte dhe
nënshtrohej.
Ke bërë
disa lëvizje në këto organe...?
Po. Unë
isha përkushtuar në letërsinë për fëmijë. Më vonë kalova nga revista “Fatosi”,
tek revista “Pionieri” dhe më vonë në Shtëpinë botuese “Naim Frashëri”.
Cilat
kanë qenë revistat më të shitura?
“Pionieri”
ka qenë më e shitura. Kur isha unë kryeredaktor ajo shkoi deri në 30 mijë
kopje. S’është pak. “Fatosi” kishte arritur deri në 20 mijë kopje.
Si ka
qenë krijimtaria për fëmijë më atë sistem?
Krijimtaria
për fëmijë në regjimin komunist ka qenë
cilësore si në sasi dhe në nivel, përse?
Ka diçka
që shkrimtarët dalin në momente të caktuara, pra lindin të tillë. Nuk bëhesh
dot piktor nëse s’ke talent. Pas talentit më shumë duhet punë. Pra pas talentit
mund ta zhvillosh më tej profesionin. Qëllon ndonjëherë që vjen një brez që do
kohë të vijë më vonë. Atë kohë qëlloi të dalin shkrimtarë si: Ismail Kadareja,
Jakov Xoxa, Dritëro Agolli, Fatmir Gjata, Vath Koreshi. Të gjithë këta janë dhe
mbeten krenaria e letrave tona. Romani
“Lumi i vdekur” i Xoxes është një monument, që sot nuk shkruhet dot. Janë ca gjëra që natyra ua jep disa njerëzve në
kohë të caktuara. Por ahere kishte dhe një stimul apo diçka të mirë, që
krijuesve u jepej 3 muaj leje krijimtarie dhe më pas disa dolën dhe në krijimtari të lirë. Por
kjo, në të gjitha fushat, në pikturë, në muzikë, në letërsi, në skulpturë.
A ka
pasur peshë në atë kohë Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve?
Ka pasur
shumë peshë. Madje, do të them se ishte një institucion shumë i
respektuar. Aty ishte Drago Siliqi dhe
burra të tjerë me mend. Ata u interesuan për Lidhjen. Ata kishin një zë që
dëgjoheshin. Atëherë ishte shumë e vështirë ti ktheje fjalën Çabejt, apo
akademikëve të tjerë që nuk
ngatërroheshin me politikë. Ata ishin akademikë. Ishin shumë të dhënë pas artit
dhe shkencës që dhe vetë politika nuk i bezdiste shumë.
Po për
gjuhën letrare shqipe a ka patur shumë diskutime...?
Po. Ke të
drejtë. Atë gjuhë letrare nuk e vendosi Enver Hoxha, atë e menduan shkencëtarët, gjuhëtarët, që
menduan se gjuha toske dhe më shumë ajo e Elbasanit, i shkon më shumë për shtat
gjuhës letrare. Dhe koha ka vërtetuar se ajo gjuhë nuk është keq, përkundrazi i
ka rezistuar kohës dhe është shumë afër gjuhës së njehsuar. Mbase duhej vënë
dhe dialekti i veriut, gegë, por ata që e kanë vënë, kanë qenë të mençur, kanë
qenë me një ide të qartë dhe e vendosën këtë gjuhë për shumë arsye dhe këto
arsye janë justifikuar me kohën.
Letërsia
shqiptare e asaj kohe thonë që ka pasur rezultate që sot nuk mund të arrihen,
përse?
Talentet
e asaj kohe kanë qenë të natyrshme. Talentet nuk i ndalon askush të shkruajnë
si në atë kohë dhe në këtë kohë. Pra kush do të japë letërsi është i lirë të
shkruajë, ndërsa sistemi, koha ose i gjykon për keq ose i vlerëson për mirë. Në
të gjitha regjimet apo sistemet askush nuk të ndalon të shkruash vetëm se, koha
të gjykon. Nuk është e drejtë që thonë Enveri apo Saliu të ndalon për këtë apo
atë. Këtë s’e pranoj. Unë p.sh. romanin për Çufon nuk e kaloj dot më. Ai roman
ngelet kryevepra ime, pavarësisht se në çfarë sistemi është shkruar. S’e bëj
dot më një të tillë. Krijimtaria ka dhe një moshë që nuk mendon shumë. Sot
mendohet shumë për të shkruar një vepër. Kjo ul cilësinë, sepse sa më shumë të
mendosh ta bëj apo jo duket sikur ke frikë.
Sot për shembull diskutohet shumë për Ismail Kadarenë. Për mendimin tim
asnjë roman i tij nuk është më i mirë se “Kronikë në gur”. Ju keni mendimin
tuaj për “Gjenerali i ushtrisë së
vdekur” apo “Gjenerali i ëndrrave” apo ku di unë” apo “Darka e gabuar”, por po
të shikosh letërsinë klasike ruse, nuk mund të ndodh sot të vijnë ata
shkrimtarë në Rusi. Mbase koha. Mbase mendimi im, mbase, se është gjykim i
njëanshëm, por kështu mendoj. Talentet
me sa di unë janë apo vijnë në një moment të caktuar historik dhe më
vonë kalon një periudhë heshtjeje...
Kishte
ndonjë orientim të asaj kohe nga partia për krijimtarinë për kufizime, apo
ndonjë lloj të veçantë krijimtarie?
Ahere çdo
gjë ishte hapur. Pa asnjë mëdyshje. Ishte në gazetë. N.q.s ti bën agjitacion
dhe propagandë kundër meje unë të dënoj. Pra ishte e ligjëruar, nuk ishte e
fshehtë. Dënoheshe me 15 vjet burg. Lind
pyetja me gjithë këtë kufizim, a pati vepra të bukura? Unë them pati, madje,
dhe shumë të bukura. Shkrimtarët në atë kohë gjetën hapësira, gjetën boshllëqe
që t’i shpëtonin dhe diktaturës.
Ju keni
pasur ndonjë vepër që është kritikuar në atë kohë?
Po. Kam
pasur një vepër “Ariu artist”, u kritikua sepse në këtë libër ka marrëdhënie
njeriu me kafshën, por nuk duhet të ketë marrëdhënie kafsha me njeriun. Kjo
punë u bë shumë e trashë. Por nuk dua ta zgjas, pasi u shqetësova pasi çdo
kritikë ahere të kushtonte. Deri në atë kohë unë kisha bërë tre romane
historikë, si “Guna e zezë” , “Kalorësi Skënderbeut” dhe “Djaloshi nga
Dyrrahu”. Të tre për fëmijë. “Guna e zezë” u fut në sistemin e shkollave ahere.
Ai libër u botua deri në 75 mijë kopje. Më pas unë shkrova një libër me novela
me temën e sotme. Ne shkruanim, por edhe frikë, edhe ndërgjegje kishim. Unë u
thinja që 30 vjeç, por le ç’thonë, që isha trim, isha krenar. Ai sistem kishte
ligje strikte, kush shkel këtë apo atë ligj futet në burg, kaq.
Po
Ismailin përse e kritikuan në atë kohë?
E
kritikuan përse nuk trajtoi temën e kohës, njeriun e brumosur me idealet
socialiste. Ai shkroi libra me shumë vlerë dhe pse deri diku kishte edhe lavde
ndaj sistemit. Ju thoni letërsi e sistemit socialist, për mua tingëllon diçka
ndryshe. Ç’do të thotë kjo? Ti ke romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, si
do ta shkruante këtë më bukur një francez? Çfarë lidhje ka ajo me këtë apo me
këtë letërsi? Ajo është letërsi e mirëfilltë, kaq. Hiq vetëm ndonjë emër Enver
Hoxha që mund të jetë përmendur ndonjëherë ajo është vepër e mirëfilltë,
letrare.
Kur keni
shkuar për herë të parë në Kosovë?
Unë
shkova në vitin 1976 në Kosovë në takimet letrare të Deçanit. Aty fola me shumë
krijues kosovarë. Në shumë pyetje që unë i pyesja pse shkruani për Titon, ata
më thonin pasi e kishin si pasaportë për të shkruar për gjëra të tjera. Ata e
dinin se çfarë hiqnin nën regjimin e Titos, pra ata shkruanin diçka të bukur
për të dhe më tej punonin dhe për gjuhën shqipe. Ata e dinin se çfarë hiqnin në
atë regjim.
Përse bëhet lufta ndaj letërsisë së realizimit
socialist?
Është një
xhelozi asgjë tjetër. Është një lloj inati ndaj atyre arritjeve të një periudhe
të caktuar. Unë them për librat e mia, por them edhe për librat e shkrimtarëve
të tjerë. Hajde bë një “Zylo” si të Dritëroit ti sot. As vetë Dritëroi nuk bën
dot një roman të tillë. Shkruaj poemën
“Nënë Shqipëri” të Dritëroit, shkruaj tregimet e Mitrush Kutelit. Një
gjuhë brilante.
A
njiheshin librat e tu në 1976-n, kur shkuat në Kosovë?
Po
njiheshin dhe ishin dhe në librat shkollorë. Mund të them se dhe në abetare
kishin shumë krijime të mijat. Në takimet letrare të Dreçanit më kanë ftuar dy
herë. Edhe në librat me tregime më kanë futur.Një nga autorët Vehbi Kiko që
tashmë ka ndërruar jetë ishte një lloj Lasgushi në letërsinë për fëmijë. Ai dhe
Xhevat Beqari mbeten për mua si Lasgushi
në letërsinë për fëmijë, megjithëse, askush nuk i ka vlerësuar. Kohët e fundit
shtëpia botuese OMBRA ka nxjerrë një libër të Xhevat Beqarit, merre dhe lexoje.
Ai tashmë është 75 vjeç dhe është lënë në hije. Në kohën e regjimit kur ishte
tek revista “Pioneri” u përndoq ca kohë,
pasi babanë ja shpallën kulak. Ndaj dua të them se nuk ka vepër të realizmit socialist,
apo vepra të demokracisë, vepra ngelet vepër e mirë apo pa vlerë. “Kronikë në
gur” e Ismail Kadaresë si mund të shkruhej ndryshe sot. Atë mund ta ndryshonte
Isamili, por ka parë se si dje edhe sot s’mund t’i heqë një presje. Pra si në
Kosovë edhe në Shqipëri disa herë një vepër shkruhej për të pasur një pasaportë
për të kaluar apo për të bërë disa vepra të tjera. Kritika franceze të qe ashtu nuk do t’i
pranonte këto vepra, por ka parë aty, letërsi, realizëm. Ka parë krijimtari të
mirëfilltë ndaj i ka pranuar. Ku të falin kritikët francezë. Por këtu duhet të themi edhe për përkthyesin Vrioni, i cili nuk mund të
arrihet sot. Përkthyes të tillë janë të rrallë. Një njeri i shkëlqyer .
Sot nuk
kemi sektorë të mirëfilltë për përkthimin e veprave shqipe si në akademi po
ashtu dhe në universitet, pse ndodh kjo?
Kjo ka të
bëjë me anën ekonomike. Pra pa para s’ka se çfarë bëhet. Por nga ana tjetër
edhe Akademia e Shkencave po e humb rëndësinë e vetë. Madje dhe pesha e fjalës
Akademik sikur po bie pak. Kur thua akademik Çabej dhe nga ana tjetër Fatos
Kongoli. Shkrimtar i mirë është Fatosi, por shkrimtar, por nuk ka peshën e
Çabejt, Aleks Budës, etj... Shoh se sot
Akademia merret me gjëra të vogla. Mund të them se u bë një Konferencë
Gjuhësore, para disa kohësh. Më pyetën disa gazetarë se ku bëhet kjo
Konferencë, unë u thashë tek Akademia, por doli se s’ishte ashtu. Kjo
konferencë bëhej diku nga spitali në një hotel. Pse nuk u bë në Akademi? Nuk donin të merrte vesh shtypi. Dakord u bë
një seancë të mbyllur nga shtypi. Akademia të jep më shumë prezencë se çdo
institucion tjetër.
Kush nga
udhëheqësit e asaj kohe ishte më shumë i lidhur me shkrimtarët dhe që lexonte
më shumë?
Ishte
Mehmet Shehu. Ishte lexues i kualifikuar. Mua dikur më kanë vënë një epitet
sikur Çmimin e Republikës që kam marrë dikur, ma ka dhënë Mehmet Shehu. S’është
e vërtetë. Por ka dhe të vërtetën e saj brenda. Unë punoja me Bashkim Shehun
djalin e Mehmetit dhe me Bujar Kapexhiun për filmat vizatimorë. Kam bërë disa
filma vizatimorë, disa herë Bashkim Shehu na merrte dhe na jepte kafe tek 15
-katshi. Madje na merrte tek salla mbrapa ku shkonin të huajt. Edhe kur merrja
honorare, Bashkimi më jepte maksimalen, pasi unë isha shumë ngushtë
ekonomikisht. Madje, thoshte që Gaqos jepni shpërblimin më të lartë. Në këtë
kohë unë botova “Çufon” dhe i dhashë një kopje Bujarit dhe një kopje Bashkim
Shehut. Dy ditë më vonë, kishte shkuar Anastas Kondo tek Mehmet Shehu me listën
e çmimeve të Republikës tek Mehmeti. Pa listën dhe i thotë Anastasit. Më dha
para dy ditësh Bashkimi një libër për fëmijë të Gaqo Bushakës. E di që kam
qeshur me atë libër. Unë qesh rrallë por
me atë libër kam qeshur si fëmijë. Por shoh që Gaqo nuk është në këto Çmimet e
Republikës. Por ne nuk e vumë Gaqon se është shumë i ri. Po pse atë gjetët të
hiqni ju nga çmimet, aq më mirë që është i ri. Menjëherë Anastasi vuri emrin
tim. Pra nuk ishte se unë e njihja Mehmetin, nuk është se ai ndikoi për çmimin,
por i pëlqeu libri, se po të mos i kishte pëlqyer nuk do ta thoshte atë fjalë.
Në shumë raste kjo lloj njohjeje nëpërmjet veprës dhe jo ndërmjetësisë, jep
efekte.
Sa libra
tuajat janë bërë filma vizatimorë?
Janë disa
libra, mbi 7 libra. Por libra të mijë janë bërë dhe filma artistikë si p.sh
“Këmisha me dyllë”, sigurisht për fëmijë. Për kaçakët, një film interesant me
regji të Besim Kurtit. Film tjetër është “Mondi dhe Diana”. Filmi i parë u bë
në bazë të romanit “Guna e zezë”. Pra kam realizuar dy filma artistikë.
Filmat
vizatimorë a kishin audiencë dhe a vlerësoheshin nga regjimi?
Shumë,
shumë. Partia e kohës investonte shumë për edukimin e fëmijëve me normat e
moralit komunist. Por ishte një e keqe që gjithë vlerësimet i merrnin piktorët,
ata që ilustronin fotot dhe që kishin përkrahje. Ne si ideatorë dhe udhërrëfyes
të librit vlerësoheshim shumë pak. Kjo pasi ahere prerja e pikturave bëhej me
dorë. Kishte shumë punë. Ahere priteshin kartonë me copë sa që o Zot. Sot ka
ndryshuar teknika. Lad Drubovniku, ka bërë ilustrimin e “Çufos” dhe ajo pjesë
jepet kudo pasi ka shuamë kërkesa dhe ka
ngelur një ndër librat më të shitur për fëmijë të të gjitha kohërave.
Aktualisht
me çfarë po merreni?
Unë
tashmë kam bërë gati dy libra, një roman “Dhe thonë se fajin e ka përralla”.
Është një libër që e kam çuar për ta botuar në shtëpinë Botuese “Toena”. Personazhet janë njerëz, ku të
gjitha janë gjyshi gjyshja dhe nipër dhe mbesa. Pra në këtë libër kam hequr
brezin e mesëm, nënën dhe babën. I çoj në një Ambasadë në Kinë. Ndërsa libri
tjetër titullohet “Aventura në pyllin e majmunëve”. Ky roman është me kafshë
komplet, ndërsa i pari me njerëz. Janë të dy romane dhe shoh që shtëpitë
botuese kanë pasur interes.
Përse sot
ka pak botime për fëmijët/
Kjo sepse
sot jemi në ekonominë e tregut dhe si shkrimtari dhe shtëpitë botuese si qëllim
kanë fitimin. Pra e parë në këtë këndvështrim, si shtëpitë botuese ashtu dhe
shkrimtarët s’ja kanë parë hajrin kësaj pune. Një libër do më shumë se 3 vjet
punë dhe aq sa fiton një shkrimtar nuk i intereson që të bëjë diçka për aq pak
lekë. Pra paguhesh 300 mijë lekë për një libër.
Por e them me bindje se vitet e fundit është rritur interesi i botimeve
të librave për fëmijë. Deri dje pak libra shiteshin, sot ka diçka që lëviz.
Disa herë para disa viteve ndonjë mik më
ka thënë po pse o Gaqo u mundove 3 vjet për 400 mijë lekë, ti falja unë. Ka të
drejtë. Por ç’t’i bëj unë pasionit tim?!
A i ke
lidhjet e mëparshme me Dritëroin dhe me Ismail Kadarenë?
I mbaj
normale, pasi ata mbeten shkrimtarë të mëdhenj, ngelen ndër njerëzit më të
respektuar të librave shqip.
Edhe ju
jeni në dijeni, ka më shumë se 20 vjet që Ismail Kadaresë megjithëse ka qenë
pretedent, nuk i është dhënë ende çmimi “Nobel”?
Mendimi
juaj përse nuk i është dhënë?
Ne
nuk e dimë se në çfarë këndvështrimi e
shohin krijimtarinë e Ismail Kadaresë akademikët që drejtojnë “Nobel”-in në
Suedi. Kjo do të dalë pasi të nxjerrin në pah arkivat për këtë problem. Por unë
e di se këto arkiva hapen njëherë në 100 vjet, ndaj mendoj se nuk do të kemi
sigurinë e plotë kohën që mund të mësojmë të vërtetën. Por ka shumë
thashetheme, ka shumë mendime, ka shumë diskutime në Shqipëri përse nuk e ka
marrë çmimin “Nobel”. Por unë po jap mendimin tim. Unë mendoj, por janë
hamendje, pasi unë shikoj në krijimtarinë e Ismailit, se Ismaili nuk ka
asnjëherë keqardhje për asnjë personazh. P.sh unë të kam ndjekur krijimtarinë
tuaj dhe kam parë se, ti ke shumë keqardhje për personazhet e tu, se të qënit
emigrant detyrimisht e çon në këtë pikë personazhin. Por Ismaili kam vënë re se
vetëm në dy momente apo në dy personazhe ka ndjerë keqardhje. Në një personazh
të një vajze të vogël 15-vjeçare, që vdiq nga kanceri, një tregim shumë të
shkurtër. Tjetra flitet për një mësuese në fshat që rri në anë të rrugës deri
në madhështi. Pra tërë krijimtaria e Ismailit është pak inerte, pak e ftohtë,
ka personazhe filozofikë, ndrysa çmimet i kanë marrë ata që kanë kontribuar për
paqen. P.sh mori çmimin “Nobel” për paqen Obama, por ai tha se mua ma dhanë
çmimin “Nobel për Paqen” për atë që do bëj për paqen dhe jo për atë që kam
bërë. Pra komisioni e ka parë që ai po lufton për paqen. Ose ndoshta ata kanë
parë që deri diku ka shkruar për diktatorin, por ata duhet ta kuptojnë që ashtu
ishin kushtet, në atë terren vepronte dhe Kadareja ka qenë shumë i kufizuar në
këtë drejtim megjithëse nuk mund ta anashkaloje këtë aspekt, sepse ashtu ishte
koha. Ata që drejtojnë “Nobel”-in duhet ta kuptojnë se në çfarë kushtesh ka
qenë Shqipëria dhe si ka vepruar Kadareja në atë regjim që s’të falte as
gramin.
Bashkim
Shehu që ju dikur e keni pasur mik, së fundmi ka bërë disa romane, cili është
mendimi juaj për krijimtarinë e tij?
Unë kam lexuar dy romane të tij. Them se për çdo vepër kërkon më shumë. Ka ngjitje. Nuk jam thelluar shumë në veprën e tij. E kam takuar disa herë rastësisht. Është punëtor dhe si njeri është shumë i mirë. Është shumë korrekt. Por unë dua të them se jam tërhequr paksa nga takimet e shpeshta me shkrimtarët dhe me promovimet. Më vjen mirë që Bashkimi ngulmon dhe shkruan paçka se është në Spanjë.