| E hene, 01.07.2013, 07:50 PM |
GENTJAN,
ENDRIT, JU LUTEM MOS
NGA ELIDA BUÇPAPAJ
Kryeministri
në largim i Shqipërisë Sali Berisha i ka dërguar një letër Gentjanit 16 vjeçar,
të cilën e ka publikuar në rrjetin social të Facebook-ut.
E mësova
këtë lajm nga gazetat, sepse faqen e kryeministrit nuk e vizitoj. As letrën që
i ka drejtuar Gentjanit nuk e lexoj. Gentjani ka moshën e djalit tonë të vogël,
Endritit.
Më
kujtohet kur Endriti posa kishte filluar të shqiptonte fjalët e para, meqë
dëgjonte diskutimet tonë të zjarrta për politikën, mes meje, Skënderit dhe
babushit të tij, kështu e thërrisnin nipat gjyshin e tyre, kishte mësuar
përmendësh emrat Sali Berisha, Fatos Nano etj. Sepse atëherë ishte viti 1998
dhe duket këto emra ne i shqiptonim më dëndur. Pas ngjarjeve të 1997-1998 ne i
kishim dhënë përsëri besimin Berishës, megjithë krizën e piramidave, të cilat u
ngritën nën hijen e pushtetit të tij. E besuam Berishën edhe një herë dhe
menduam se ai do të ngrihej përsëri duke njohur gabimet dhe fajet, duke i
tejkaluar ato, duke mos i përsëritur kurrë më. Gjithnjë mendonim se duke qënë
mjek gjatë sistemit diktatorial, duke mos u përfshirë në bëmat e nomenklaturës
kriminale, do ta kishte shumë të lehtë të shihte përpara për të ndërtuar një
demokraci me integritet, e cila e ngre në piedestal shtetin e së drejtës dhe e
hedh në koshin e mbeturinave kultin e individit.
Unë dje
Endritin e ftova të lexonte letrën që Lincolni i ka shkruar mësuesit të djalit
të tij, por nuk i jap assesi të lexojë letrën që Sali Berisha i ka dërguar
Gentjanit. Sepse nuk dua ta indoktrinoj. „Mundohuni t`i mësoni fëmijës tim
forcën për mos të ndjekur turmën edhe pse të gjithë hidhen mbi qerren e
fituesit. Mësojeni që të dëgjojë me vëmendje çdo njeri, por gjithashtu të
shoshisë atë që dëgjon me shoshën e të vërtetës dhe të marrë veç të mirën.“,
kështu i shkruante mësuesit të të birit Abraham Lincolni.
Më duket
se kemi bërë gabim të rëndë kur për vite të tëra u kemi thënë fëmijëve tanë se
Sali Berisha do ta çojë Shqipërinë përpara, e do ta bëjë Shqipërinë si Zvicra.
E dini se përse është Zvicra Zvicër? Sepse këtu funksionon shteti i së drejtës.
Këtu asgjë nuk të jepet në tabaka. Njeriu gjithçka e fiton vetë, por shtetin e
ka aleatin e tij, e ka në krah, sepse shteti e mbron, i krijon shanse dhe
mundësi, ndërsa qytetari e respekton.
Nuk e
lexoj letrën që Sali Berisha i ka dërguar Gentjanit. Sepse mbështetet në
hipokrizi. Lexova letrën e ish-ambasadorit Withers. U ndala tek paragrafi ku
Withers shkruan: „Zgjedhjet e përgjithshme të 23 qershorit rigraduan busullën e
historisë suaj kombëtare. Mbetjet e së shkuarës komuniste u larguan dhe
demokracia u rivendos.“ Nuk ndaj plotësisht mendimin me ish-Ambasadorin
Withers. Zgjedhjet ishin mësim për klasën politike, po, por nuk mendoj se
„mbetjet e të shkuarës komuniste“ u larguan me një të rënë të lapsit. Këtu
është problemi. Duhen reforma për ta bërë këtë. Ato që premtoi Berisha dhe nuk
i mbajti. Aq më tepër për një formacion politik si PS që vazhdon të ketë busull
propagande gazetën Zëri i Popullit, botues i parë i të cilit ishte diktatori
Hoxha. Por e rëndësishme është se Sovrani mësoi të votojë kundër rrjedhës,
kundër opinistëve puthadorë që kërkojnë të klonojnë opinionin publik, kundër
reklamave të mediumeve proqeveritare, kundër pseudofitimtarëve.
Prandaj
as që më shkon mendja të lexoj letrën që Sali Berisha i dërgon Gentjanit. Edhe
Gentjanit si Endritit i them të lexojë letrën që Lincolni i dërgon mësuesit të
djalit të tij. Sepse është esenca e një mënyre për të jetuar i shëndetshëm dhe
për t'u bërë qytetar i përgjegjshëm.
Letra që
Sali Berisha dërgon për Gentjanin është hipokrizi e rradhës. I kam dërguar
mesazh Sali Berishës në WhatsApp dhe nuk më ka kthyer përgjigje. E kam
mbështetur dy dekada të jetës time dhe sot ndihem thellësisht e zhgënjyer, por
e çliruar prej miteve të rremë!
Kur ky
zotëri që nuk e njeh fare nocionin e komunikimit me mbështetësit e tij, kur ky
njeri që nuk e njeh fare komunikimin ndërnjerëzor, ndërsa thotë se si mjek ka
qënë i lirë të mjekojë e shërojë edhe diktatorët më barbarë të Europës, e si
mund t'iu shkruajë letra premtimi adoleshentëve! E si tenton të turbullojë me
iluzione brezin e ri, të pastër si drita e Zotit!
Prandaj
ju lutem, Gentjan, Endrit mos e lexoni letrën e Sali Berishës!