| E hene, 01.07.2013, 07:55 PM |
Letër e
hapur drejtuar Shpend Ahmetit, nënkryetar i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) nga
Kushtrim Sheremeti, anëtar i kryesisë së Lëvizjes për Bashkim (LB)
KU MBETI FRYMA?!!
I nderuari
Shpend,
Si një mik dhe ish-përkrahës yti në kohën kur ke vendosur
të hysh në politikë (koha e para-themelimit dhe udhëheqjes së FER-it), kam
vendosur të ta shkruaj këtë letër.
Në kohën kur së bashku me miqtë tu tjerë e themelonit
FER-in, mbaj mend disa biseda tona të përbashkëta (në Filikaqa, u knaqaaaa :-), ku diskutonim për nevojën e angazhimit të
njerëzve aktivë në proceset të ndryshimeve politike në këtë vend, si dhe për
tregimet tua se si ti dhe FER-i gëzoni përkrahjen ndërkombëtare, për dallim
prej disa forcave tjera politike që paralelisht themeloheshin asokohe. Mbaj
mend shumë mirë edhe përkrahjen time për ty dhe miqtë tjerë si Fisin apo
Puhien, dhe aso kohe isha i lumtur, sepse besoja që njerëz aktivë do të
mundoheshin të punonin për të mirën e këtij vendi, që nënkuptonte edhe për të
mirën time si pjesë aktive e qytetarëve të Kosovës.
Asokohe kur ti ishe me Frymën e Re (FER), në Prishtinë
ishte themeluar edhe një koalicion parazgjedhor në mes të Lëvizjes
“Vetëvendosje!” dhe Lëvizjes për Bashkim, e quajtur “Iniciativa Qytetare Lëvizja Vetëvendosje!” . Pas zgjedhjeve
ata (LB dhe VV) bënë edhe marrëveshje për grup të përbashkët parlamentar (dhe
si grup parlamentar me 14 ulëse në parlament nënkuptonte edhe një vend të nënkryetarit
të parlamentit, që LVV edhe sot e gëzon këtë privilegj pikërisht falë kësaj
marrëveshjeje). Pas një kohe kjo marrëveshje u prish për shkak të mungesës së
gatishmërisë së LVV-së për t’i ndarë financat që i takojnë LB-së për deputetët
e vet, edhe pse ligji dhe marrëveshja e parashikon një gjë të tillë.
Shpend,
Pas gjithë kësaj situate që e përshkrova më lart, ti së
bashku me Fisin e Puhien dhe disa miq tjerë u shkritë në LVV, edhe pse nuk
përkonit me politika të njëjta parazgjedhore. Kjo u reflektua edhe në vendimin
e bashkëthemeluesve tjerë të FER-it, si Ilir Deda e Qëndrim Gashi, për të mos
vepruar njëjtë si ti. Megjithatë, një pjesë e opinionit më optimist menduan se
ju do të sillni frymë të re në LVV, edhe për shkak se, siç thoshe edhe ti, ju
keni përkrahje të madhe ndërkombëtare, për dallim prej forcave tjera që atë
kohë organizoheshin paralelisht me FER-in për të hyrë në zgjedhje! Ndër ato që
premtove kur u shkritë në LVV, ishin vlerat e luftës së pakompromis kundër
padrejtësive dhe manipulimeve të ndryshme. Përndryshe, pikërisht këto vlera më
shtynë mua që të jem sot pjesë e Lëvizjes për Bashkim.
Por sot, rreth 3 vite pas kësaj kohe, dëshiroj të të pyes
ty: ku mbetën ato ideale, ku mbetën ato vlera me të cilat hyre në politikë?!!
Cili është ndikimi yt në LVV, si nënkryetar që je?!! Si ndodhi që të
tjetërsoheni të gjithë dhe të bëheni edhe ju vetëm edhe një organizatë më shumë
në skenën politike në Kosovë?!! Me
logjikë të bashkimit të forcave për t’i luftuar padrejtësitë ke thënë se jeni
bërë pjesë e LVV-së!!! Fatkeqësisht, e gjitha që unë po shoh është vetëm
përshtatja e veprimeve manipuluese, sidomos ndaj atyre që LVV mund t’i kishte
pranë, e kjo mënyrë nuk është asgjë tjetër veçse “copy-paste”, ose edhe tejkalim për së keqi, i partive të vjetra që
janë në pushtet, por edhe ne opozitë, e të cilat ju me shumë “dashuri” i
kritikoni edhe sot e kësaj dite! Sot, edhe pas një kohe të gjatë të hyrjes
tënde në LVV, prapë vazhdon keqpërdorimi nga ana e LVV-së i parave që i takojnë
LB-së, prapë vazhdon manipulimi me deklarata se vetëm LVV e ka kundërshtuar
marrëveshjen mes Thaçit e Daçiqit etj. (Po shpresoj se një ditë nuk do të thoni
se vetëm LVV ka për qëllim bashkimin kombëtar, edhe pse në programin tuaj
politik nuk shkruan askund që ju angazhoheni për bashkim, por vetëm se lini të
nënkuptohet se bashkimi është i dëshirueshëm për ju). E në këtë pikë dëshiroj
të të pyes: çka ke bërë ti si nënkryetar i LVV-së që këto veprime të mos
ndodhin dhe të mos vazhdojnë?!!
Me uzurpimin e mjeteve financiare që LVV me vetëdije po ia
bën LB-së (dhjetra mijëra euro në vit, për katër vite me radhë) Lëvizja Vetëvendosje! po tregon se nuk
është aspak e ndryshme nga grupet tjera kur vjen puna te përvetësimi i
paligjshëm i financave! “Me hajna, me hajna, nuk ka shtet!”, - tingëllon bukur,
apo jo?!! Por sa e besueshme është LVV me këtë sllogan, kur ndërkohë që me
shumë zhurmë po vazhdoni t’i “proklamoni” këto “vlera”, paralelisht shpërdorohen mjete financiare ende
pa ardhur në pushtet...
Nënkryetari tjetër i LVV-së para ratifikimit të
marrëveshjes në Kuvend deklaroi se i keni publikuar numrat e telefonit të
deputetëve që kanë votuar PRO Marrëveshjes (e aty i keni përfshirë
padrejtësisht deputetët e LB-së, ndërsa nuk i keni përfshirë edhe deputetët e
LVV) duke bërë manipulimin e radhës ndaj ish-partnerit (LB), për shkak se siç e
di ti dhe të gjithë tjerët në LVV, por edhe opinion publik, deputetët e LB-së
kanë votuar KUNDËR marrëveshjes së tillë me Serbinë, për dallim prej deputetëve
të LVV-së që nuk kanë votuar fare, as PRO, as KUNDËR! Pra, keni kërkuar nga
qytetarët t’i “bindin” edhe deputetët që kanë votuar KUNDËR, ndërsa nuk keni
kërkuar që t’i “bindin” edhe ata që nuk kanë votuar fare. Se vetëm LVV-ja e paska
kundërshtuar këtë marrëveshje dhe askush tjetër, - ke deklaruar edhe TI, miku
im, para disa ditësh në lajmet e VOA, dhe kjo është edhe një prej arsyeve pse
kam vendosur të të shkruaj dhe të të pyes: a ke harruar për KUNDËRSHTIMIN e
Lëvizjes për Bashkim, nuk e ke përcjellë fare Parlamentin atë natë të vonë, apo
qëllimi i kësaj deklarate ishte diku tjetër?!! Madje nuk mjaftuan këto
manipulime, por në ditën e ratifikimit të marrëveshjes shumë të dëmshme për
Kosovën dhe popullin tonë, LVV përpos të tjerëve nuk e lejoi as deputetin e LB-së
të futet në Parlament dhe të mbajë fjalim e të votojë KUNDËR, me arsyetimin se
“kush futet në parlament është kundër kombit shqiptar”! Por pas nja dy orësh
deputetët e LVV-së vetë u futën në Parlament pa i penguar askush dhe mbajtën
fjalime!!!
Shpend,
Lufta kundër korrupsionit dhe padrejtësive tjera që
ndodhin në Kosovë duhet të jetë e pakompromis. Gjithashtu, siç e di mirë edhe
ti, Lëvizja për Bashkim edhe me Program angazhohet për bashkim kombëtar, ide të
cilën edhe VV të paktën deklarativisht e përkrah. Prandaj besoj se kemi shumë pika me të cilat ti dhe
unë vazhdojmë të pajtohemi plotësisht edhe sot kur gjendemi në forca të
ndryshme politike, të cilat marrëdhëniet i kanë të ngrira pikërisht për arsyet
që i përmenda më lart! Prandaj, po të lutem të ndryshoni qasje dhe t’i
përshtatni edhe me vepra deklaratat tuaja për luftë kundër padrejtësive dhe
keqpërdorimeve. Këtë lutje e bëj jo vetëm si anëtar i kryesisë së LB-së
drejtuar nënkryetarit të LVV-së, por si një mik i cili dëshiron të besojë në
ato bisedat me ty, por edhe me miqtë tjerë si Fisi apo Puhia, rreth tre vite më
herët, në rrethanat që i përmenda në fillim të kësaj letre.
Dhe për fund, dëshiroj të ta bëj edhe një pyetje: Cila
është fryma që ti dhe miqtë tjerë e dërguat në LVV? Apo ju kaploi edhe ju
ndonjë frymë tjetër?!!
Gjithë të mirat,
Kushtrimi