Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ramiz Selimi: Intervistë ekskluzive me drejtoreshën e kompanisë “REX” Rilinda Rexhepi

| E merkure, 26.06.2013, 06:00 PM |


Intervistë me drejtoreshën e kompanisë “REX” Rilinda Rexhepi

Femra që synon politikën pas sukseseve me kompaninë e saj

Ekskluzive nga Ramiz Selimi

Rilinda, Ina dhe Azam Rexhepi kanë  arritur suksese të lakmueshme në fushën e biznesit, duke krijuar emër dhe famë, që pasqyrohet jo vetëm në shtypin austriak, por edhe me gjerë. Ato me punën e tyre të përpiktë dhe me vullnet për të arritur synimet, po tregojnë se femrat janë të domosdoshme të marrin më shumë përgjegjësi, si në biznes ashtu edhe në politik. Inovacionet dhe idetë e reja që ofron kompania e tyre  “REX” në fushën e dizajnit dhe printerimit, ka zgjuar vëmendjen e gjithë opinionit biznesorë në Austri, e që është meritë e Rilindës, Inës dhe Azamit. Në zgjedhjet e ardhshme Rilinda Rexhepi do të garojë në politikë si kandidate e Partisë Popullore në Austri. Ne biseduan me drejtoreshën e REX-it Rilinda Rexhepi

Zemra Shqiptare: Ju lutem Rilinda na i tregoni pakëz lexuesit tonë biografinë tuaj, kush është Rilinda?

Rilinda Rexhepi: Ashtu sikurse një numër i madh shqiptarësh edhe ne nga Prizreni emigruam me 1989 në Austri. Ne kemi lindur në Kosovë, kisha vetëm 8 vjet kur emigruam. Në Eferding gjetëm strehimin, babai im u punësua dhe ne fëmijët filluam shkollimin. Unë arrita të maturojë në HBLA dhe të punësohem në një kompani të profilit të kompanisë sonë. Tani jam e martuar dhe nënë e dy fëmijëve.

Zemra Shqiptare: Si arrini që të jeni të suksesshëm në profesion duke rritur edhe fëmijë të vegjël?

Rilinda Rexhepi: Për të qenë e suksesshme në biznes ke nevojë mbështetje nga partneri, kjo mbështetje mua dhe Inës nuk na mungon. Partneri im ka mirëkuptim për udhëtimet e mia, për seminaret dhe të gjitha ato që unë kam nevojë në biznes. Ai përkujdesët për fëmijët dhe punët shtëpiake kur gjendem në punë, edhe prindërit e mi i kam dorë të djathtë, me ndihmojnë shumë, kurse gjatë kohës tjetër përkujdesemi së bashku. Kemi mirëkuptim të plotë me njeri-tjetrin.

Zemra Shqiptare: Kur dhe si e themeluat kompaninë tuaj dhe na tregoni profilin e saj?

Rilinda Rexhepi: Themelimi i një kompanie nuk është ndonjë problem, por mbarëvajtja dhe suksesi i një kompanie janë ato që i kërkon secili drejtor.  Iniciativa erdhi nga Ina dhe Azami, ata duke punuar së bashku në një kompani dizajnuese bartnin barrën kryesore të sukseseve të saj. Pasi që kishim përvojë në fushën e dizajnit dhe kontaktet e duhura, para tri viteve vendosem që familjarisht të themelojmë një kompani. Jemi të specializuar në dizajnim dhe printerim, ky është profili i kompanisë.

Zemra Shqiptare: Si i keni të ndara punët, dhe a keni punë të mjaftueshme?

Rilinda Rexhepi: Azami pas përfundimit të shkollimit në Austri, ka vazhduar me disa kurse dhe specializime kompjuterike në Angli. Punët kreative si dizajnimi online, marketingu online, apo printerimi i prospekteve të ndryshme janë përgjegjësi e Inës dhe Azamit, kurse punët organizative i mbaj unë mbi supe, si fitimi i klientëve të rinj, apo mbajtja e të tanishmeve. Klientët tonë janë shumë të lumtur me kualitetin që ju ofrojmë, kompani të njohura janë klient tanë, kemi punë jashtëzakonisht shumë, sa që nga ky vit mendojmë të rritim numrin e punëtorëve. Kompania “Bilfinger” e njohur në Austri ka nënshkruar kontrata më ne edhe për vitet e ardhshme, kështu që ne jemi të detyruar ta rritim numrin e punëtorëve. Ne punojmë së bashku, ndihemi shumë të lumtura që dy motrat së bashku kemi përgjegjësi, i kooperojmë punët ashtu që secili të ndihet i lumtur. Dëshirojmë që punën tonë edhe fëmijët tanë ta vazhdojnë me tutje së bashku.

Zemra Shqiptare: Flitet nga emigrantët se ka dallime akoma në shumë sfera për shkak të prejardhjes posa  kalon nga puna fizike në sektorë tjerë. A është pengesë prejardhja e juve nga jashtë për fitimin e punëve apo projekteve të ndryshme.

Rilinda Rexhepi: Përkundrazi, ne kemi pasur mbështetje nga të gjitha organet shtetërore dhe nga oda ekonomike. Sinqerisht ju them se ne jemi pranuar plotësisht nga vendasit, jemi plotësisht të integruar. Nuk kam vërejtur as njëherë që të ketë dallime pse ne kemi prejardhje tjetër. Unë me sekretarin për integrim Sebastian Kurz po vizitojmë shumë shkolla të mesme, për të ju treguar atyre sukseset e kompanisë sonë REX, për të ju dhënë kurajë në themelimin e kompanive tjera, për tu integruar mirë në shoqërinë austriake, qe edhe ata të kontribuojnë me idetë e tyre.

Zemra Shqiptare: Keni takuar në shkolla të mesme nxënës me prejardhje shqiptare?

Rilinda Rexhepi: Për çudi, kam vizituar shumë shkolla të mesme, por, nuk me ka ra rasti të kontaktojë asnjë nxënës me prejardhje shqiptare, edhe pse kam pyetur vazhdimisht për prejardhjen e tyre, nxënësit vinin nga vendet tjera si Turqia, Bosnja, Polonia, etj., por jo nga trojet shqiptare. Fëmijët shqiptarë më shumë i kam takuar në shkollat fillore.

Zemra Shqiptare: Sekretari shtetërorë Kurz tha se ju do të kyçeni aktiv në politik, çka dëshironi të arrini me ketë?

Rilinda Rexhepi: Po unë kamë vendosur që në zgjedhjet e ardhshme të kandidojë për Partinë Popullore Austriake. Programi i kësaj partie me përshtatet më shumë, do të kandidojë në Linz, këtu është një numër i madh i shqiptarëve. Ata kanë nevojë që dikush të ngrit zërin për të drejtat e tyre, këtu mendoj se do ta kem hapësirën e mjaftueshme për të treguar vlerat e mia në politik. Ne zgjedhjet e ardhshme shpresojë të kem mbështetjen e nevojshme nga komuniteti ynë.

Zemra Shqiptare: Me siguri ju e vizitoni vendlindjen, keni të afërm, farefis dhe keni dashuri akoma për Kosovën. Duke e ditur situatën e vështirë ekonomike, vendi ka nevojë investime nga jashtë. A keni menduar të investoni në vendlindje, për të hapur ndonjë filial në partneritet apo diçka të ngjashme.

Rilinda Rexhepi: Ne e vizitojmë rregullisht dhe më shumë dëshirë vendlindjen. Ne shikim të parë  posa të futesh, bie në sy neglizhenca shtetërore për mënjanimin e mbeturinave pa prekur funksionimin e sistemit atje. Disa kompani të miqve austriak kanë patur përvoja të hidhura në Kosovë. Për momentin nuk mendojmë, pasi që funksionimi i sistemit, sidomos atij të drejtësisë ka pengesa serioze, do te ishte një rrezik shumë i lart për kompaninë tonë të re të futemi në ujëra të tilla. Kur të marrim sinjalin e gjelbër nga shteti austriak, pse jo, është vendi ynë dhe atë duhet ndërtuar të gjithë së bashku.

Zemra Shqiptare: A mendoni që një ditë përfundimisht do të ktheheni për të jetuar në Kosovë?

Rilinda Rexhepi: Para disa viteve kam menduar me shpesh në kthim , kurse tani më është zbehur disi, ndoshta për shkak te stagnimit që kemi. Tani për tani as që e mendoj kthimin. Ta them të drejtën unë e shoh të ardhmen e fëmijëve të mi këtu në Austri, këtu kanë një jetë të sigurt, kanë një perspektivë të sigurt, janë të barabartë dhe mund të shpalosin vlerat e tyre. Dëshira ime është që fëmijët të mos e humbin identitetin kombëtar, këtu do të mundohemi të vizitojmë sa me shpesh vendlindjen në mënyrë që kontaktet të mos ndërpriten.

Zemra Shqiptare: Çfarë mesazhi dëshironi ti transmetoni shqiptarëve?

Rilinda Rexhepi: Shqiptarëve në Austri ju them, ti marrin ofertat e shtetit për integrim sepse janë në dobi të tyre, mos të hezitojnë ne marrjen e profesioneve të deshiruara, të punojnë më shumë në respekt të ndërsjellët, të kenë guximin për të startuar me biznese private, sepse përkrahja shtetërore nuk do të mungojë.

Zemra Shqiptare: Faleminderit Rilinda që ndatë kohen për neve!

Rilinda Rexhepi: Kënaqësia ishte e imja