| E marte, 25.06.2013, 07:22 PM |
“Devoll –
Pasthënie e librit, nga Kosta Nake
Kur i
propozova autorit për të bërë librin që shikoni në këtë faqe internet për
Devollin, kisha lexuar vetëm disa shkrime që m’i kishte dërguar për gazetën
“Bilishti”. Ajo që ndodhi më pas, jo vetëm më befasoi, por më vuri edhe përpara
një premtimi që duhej mbajtur. Një lumë shkrimesh vërshoi në adresën time
elektronike dhe ishte më shumë se trefishi i materialit që prisja. Kjo më bëri
njëkohësisht të ulem e të bisedoj me shumë shokë e të njohur të tij, pasi më
mungonte tërësisht njohja vetjake.
Kam
kënaqësinë t’ju njoh me Luan Kalanën, me jetën dhe veprën e tij, një adhurues i
njerëzve të thjeshtë, i vendlindjes, i shkollës, i nxënësve dhe i kolegëve, i
mjeshtrave bujq e amvisave duararta të Devollit. Si një mësues specialist,
artist, studjues e gazetar me talent, me botimin e këtyre shkrimeve besoj se do
t’ju sjellë kënaqësi duke zbuluar shumë nga vlerat që ka vendlindja jonë e më
gjerë. Pas një kalvari problemesh shëndetësore një talent shpërthen me
krijimtari publicistike: kujtime, mbresa reale, ndjesi njerëzore. Kujtesa e tij
është e çuditshme teksa sjell me emra dy-tre breza, dy botë, dy sisteme.
Ç’mësova
nga bisedat me njerëz që e kanë njohur? Luan Kalana Njeri human, me zemër të
madhe, vëlla, shok, mik, fshatar, prind i dashur dhe i sinqertë. Edukator i
urtë, mësues i dashur me nxënësit, i apasionuar, metodist i ciklit të ulët, me
përvojë të pasur pedagogjike e metodike; me mbarimin e shkollës së mesme
pedagogjike “Ndrec Ndue Gjoka” në Tiranë, doli vullnetar për të shkuar e punuar
atje ku kishte nevoje atdheu, rreth tridhjetë vjet punoi në disa fshatra të
Mokrës së Pogradecit e në Devoll; vazhdoi shkollat e larta dhe i mbaroi kur
ishte i martuar, filialin e mbrëmjes pranë Universitetit të Korçës dhe atë të
filozofisë në Tiranë.
Studjues
i gjuhës shqipe dhe bashkëpunëtor në proceset e konsolidimit të normës letrare
dhe të vetëdijes gjuhësore letrare shqipe; studime për gjuhën letrare shqipe,
fjalë të rralla shqipe, ndihmesë në hartimin e fjalorit të emrave shqip, një
studim për toponimet që ia dërgoi Akademisë së Shkencave, një studim folklorik
gjuhësor për Devollin e Sipërm dhe për fshatrat shqiptare që mbetën në shtetin
grek.
Aktivist
i shquar i rinisë dhe i aksioneve të saj në Devoll e në tërë Shqipërinë;
dallohej në të gjitha lëvizjet apo aksionet kulturore e shoqërore për afro
pesëmbëdhjetë vjet. Artist amator i teatrit të Vishocicës, regjizor i teatrit
të fëmijëve dhe skenarist.
Do të
veçoja shoqërinë e ngushtë me bashkëfshatarin e tij, poetin e madh të Korçës e
të Shqipërisë, Skënder Rusi, qysh në fëmini, më vonë kolegë të të njëjtit
profil, si mësues të gjuhës e të letërsisë por dhe si njerëz të letrave.
Lëvrues i
prozës poetike, publicist, bujar, i qeshur, shakator, i çiltër dhe i besës; por
talenti i tij mbeti i mbuluar nga gurët e drurët që e ngarkuan kur s’kishte
kohë as të hante bukë; shumë skeçe e parodi, fabula, anekdota e shkrime të
tjera humoristike; kur ishte në ushtri, me paroditë e skeçet e tij u bë skenari
i estradës së marinës së Durrësit, ishte regjisori i estradës amatore ku ishin
rezervistë aktorë e këngëtarë të estradës së Durrësit si Vangjel Heba,Spiro
Urumi, Luan Rama, Qemal Kërtusha, Zija Saraçi, Alida Hisku, etj.
Mërgimtar
i mallosur, aktivist i pakursyer në ndihmë të emigrantëve shqiptarë në SHBA,
vazhdon të punojë si mësues i gjuhës shqipe me abetaren shqipe në dorë me
nipërit e mbesat. Një i mbijetuar pas operacioneve të shumta në zemër,
mirënjohës ndaj mjekëve dhe shtetit amerikan. Kur familja Kalana arriti në
Amerikë, opinionet e Shqipërisë i ndoqën nga prapa me gjithë të këqiat dhe
injorancën. Sikur të mos mjaftonte kjo, Luani u sëmur rëndë që ditët e para,
ndoshta nga fluturimi me aeroplan.
U operua
përsëri, disa herë në zemër "by-pass", dhe tani është invalid nga shteti
amerikan dhe s’mund të punojë. Nuk e dinë të gjithë ç’do të thotë të jesh me
një rrogë më pak në Amerikë. Me paratë e kursyera të familjes, Familja e tij,
ka treguar gjeste humanitare duke u dërguar të holla në Shqipëri prindërve që ishin shumë të vjetër e të sëmurë, motrave
dhe nxënësve të klasës së tij të fundit, kolektivit të shkollës, xhamisë së
fshatit,Inonisht e te tjera.. Ai me të afërmit u përgatitën garanci për të
shkuar në Amerikë jo vetëm njerëzve të tyre, por edhe të tjerëve. Ai dhe familja
hapën shtëpinë për të pritur me javë e muaj deri sa stabilizoheshin të
porsaardhurit dhe, kur ia zinim në gojë, ata thoshin “Mbylleni këtë muhabet!”
Një familjeje kosovare ia lëshuan dhomat e gjumit e për vete flinin në
korridor.
Me
vendosjen në Florida, ka nisur të botojë shkrimet e tij ku shpërfaq pjekuri
artistike në BBC në shqip, në “Shekulli” e në gazeta të tjera shqiptare.
Familisht
gëzon një respekt te plotë jo vetëm nga
komuniteti i shqipatreve,por dhe nga autoritetet e miqtë e shumte amerikanë,flasin
me ndjenjë krenarie, për këta shqiptaro-amerikanë ,si qytetarë nderi. Në pragun
e botimit të këtij libri, kalvari i sëmundjeve e çoi drejt një operacioni
tjetër që mundi t’i mbijetojë me vullnetin dhe dëshirën e fuqishme për ta
jetuar ëndrrrën amerikane.
Është fat
për ty, lexues, që merr sot në dorë shkrimet e Luanit. Duke shkruar për
njerëzit e thjeshtë, ato mund të duken të rëndomta, por kur t’i mbarosh së
lexuari, do ndjesh kënaqësi shpirtërore sepse ai i lartëson ata duke ndjerë një
detyrim ndaj tyre. Le të shpresojmë që pena e tij të mos rreshtë, shkrimet që
dalin prej saj na shtojnë jetën dhe i frymëzojnë fëmijët tanë,gjeneratat e
ardhshme.
Kosta
NAKE
Redaktor
i librit
Devoll,22/6/2013