Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ramiz Selimi: Kualiteti është në perëndim!

| E hene, 24.06.2013, 08:05 PM |


Kualiteti është në perëndim! Atje janë Xherdan-at e politikës!

Të kalojmë nga amatorizmi politik në politik profesioniste

Shkruan Ramiz Selimi

Situata e tanishme ekonomike dhe politike ju jep të drejtë të gjithë kritikëve që thonë se shkollimi jo cilësorë i viteve të 90-ta dhe i pasluftës gjerë me tani është një nga shkaktarët kryesorë  të kësaj mizërie që kemi tani. Shumica e politikanëve që kanë marr përgjegjësi për ti shërbyer qytetarëve kanë një përfundim shkollor të dobët apo jocilësorë ose kanë marr diploma në forma të ndryshme, diku duke blerë, diku duke kërcënuar dhe diku duke manipuluar.

Ky numër i të diplomuarve është bukur i madh, si i atyre të viteve të 90-ta, ku shkollimi i tyre u bë në mënyrën më të egër dhe nën çdo standard të mundshëm, si edhe i këtyre të pasluftës. Pikërisht , tani kur kërkohet zhvillim dhe hapje të vendeve të reja të punës, ata manifestojnë dhe demonstrojnë aftësinë e tyre reale që kanë. Ata nuk e kuptojnë punën si përgjegjësi morale, etike, ligjore dhe njerëzore në shërbim të kolektivit dhe vetëm të kolektivit. Është logjike dhe në natyrën e njeriut tek ata njerëz që nuk e kryen punën me nder, tu shkaktojnë dëme pikërisht qytetarëve, atyre nga të cilët janë zgjedhur. Po ashtu edhe pas lufte vazhdoi ky avaz por tani edhe më ashpër, duke u ndihmuar edhe nga shteti që në mes të rrugës të ofrohet mundësia për të blerë një diplomë.

Të bëhet testimi i të diplomuarve!

Këtu nuk ka pardon, populli do vende pune, ai do zhvillim dhe prosperitet me perspektivë të qartë, ai do që shteti i së drejtës të forcohet, që gjyqësori me në fund të funksionojë dhe me këto probleme duhet të merret dikush. Shtrohet pyetja, kush mund të merret me to, kur këtyre që kanë kapur shtetin në dorë ju mungon perceptimi i drejt mbi shtetin? Unë ju them se gjenerata e dytë e mërgimtarëve, e rritur dhe diplomuar në perëndim do ta këndellë Kosovën.

Shteti duhet të krijoj një mekanizëm të fort inspektimit të pavarur në mënyrë që këto dukuri negative të fillojnë të pastrohen ngadalë. Nuk duhet të ketë mëshirë,( aty ku është interes i kolektivit, nuk duhet të funksionojë fjalia e njohur tani në Kosovë, sidomos nga të korruptuarit: „ I gjori me këto të ardhura mban familjen“),të fillohet me largimin e menjëhershëm te të gjithë të paditurve, më mirë tu paguhet atyre paga në shtëpi se sa të mbajnë përgjegjësi shtetërore duke mbajtur peng të gjithë zhvillimin e vendit.

Secili të marr punën që meriton, të filloj testimi profesional një nga një, përgjegjësia dhe vendim marrja tu besohet atyre që tregojnë dituri, pjesa tjetër të zëvendësohet me të diplomuar nga diaspora. Këtu dua të jem edhe njëherë i qartë, e kam fjalën për student të rritur dhe të diplomuar në perëndim dhe jo të atyre që janë rritur në Kosovë, sepse vendi ynë ka nevojë për mentalitet perëndimorë. Ky do të ishte një revolucion për shtetin tonë, por i domosdoshëm të zbatohet nëse duam zhvillim dhe prosperitet, nëse duam që vendi ynë të fitoj vlerë dhe peshë. Shteti jonë ka nevojë për ndihmë në kuadro kualitative, marrja e një hapi të tillë do të ishte ndihma më e madhe.

Gjenerata e dytë në perëndim ka persona me vlerë

Shpesh thuhet nga politika e tanishme se këta njerëz nuk i kemi, ku ti marrim thonë ata? Për tu ngritur kërkohet kualitet, kualiteti është në perëndim. Edhe pse në numër jo të madh, gjenerata e dytë ka persona të diplomuar dhe atyre që janë duke studiuar. Do të jetë e vështirë të fitohen këta persona, pasi vendet e lindjes do të bëjnë të pamundurën që njohurit e fituara ti tregojnë aty.

Nuk kërkon kombëtarja shqiptare me kot lojtarë kualitativ në gjithë Europën, pasi që mungon kualiteti në futbollin vendës. Por, politika në Kosovë besa edhe në Shqipëri nuk bënë përjashtim, ajo është e një kualiteti shumë më të dobët se sa futbollistët vendas, në krahasim me futbollistët në Europë. Sa herë që ata vizitojnë Europën duken inferiorë dhe të turpëruar, karshi politikanëve  evropianë,  natyrisht për shkak të nivelit të dijes dhe atyre që prezantojnë apo ofrojnë.

Është shumë më e dobishme për shtetin e Kosovës që personat kualitativ, të rritur, të shkolluar dhe të diplomuar në diasporë të ofrohen në vendet kyçe të përgjegjësisë, jam i bindur se pas një periudhe të shkurtër gjerat do të lëvizin në drejtimin e dëshiruar nga shqiptarët. Ja vlen gjithsesi të investohet në këta persona edhe me një kosto me të lart, kemi mundësi të kursejmë në shumë pika, për të financuar këta persona. Nuk është e lehtë të fillohet me një reformë të tillë, i kuptojë ata që e kanë ndërtuar sistemin me personat aktual, është shumë e sigurt se personat e tanishëm nuk mund të bëjnë më shumë, ky është maksimumi i tyre, situata dhe mirëqenia e tanishme kërkon ndërrimin urgjent të tyre.

Me gjithë respektin për shumë individë që punojnë aty, marrja e individëve të kualifikuar në perëndim, e shpëton shtetin e Kosovës nga fundosja e mëtejme. Shumica e këtyre njerëzve në vendet kyçe me përgjegjësi në sektorin publik e kanë kuptuar(por ketë duhet ta kuptojë edhe populli i Kosovës), jo vetëm nga vizitat e perëndimorëve, kur janë dukur shumë qesharak,(tani flitet edhe hapur në të gjitha kancelarit evropiane, se elita kosovare është e pashkolluar), por edhe në sukseset zhvillimore  të vendit, që ata posedojnë një cilësi shumë te dobët, të  themi diletante dhe të pamjaftueshme për ti shërbyer shtetit. Shumë nga ata pranojnë se do të largoheshin sikur të kishin të ardhura mujore për mbajtjen e familjes, këtu kërkohet ndërhyrja e shtetit, pasi shteti është i mbushur me këta persona nuk do të ketë ndërhyje, gradualisht hap pas hapi duhet të ketë prurje të reja nga perëndimi, për të marr hapat e duhur në zgjidhjen e problemeve.

Mërgimtarët kërkojnë të marrin përgjegjësi

Shteti do të duhej të impononte kritere të larta shkollimi për të gjitha vendet me përgjegjësi, të cilat janë kyçe në funksionimin dhe zhvillimin e një shteti të mirëfilltë demokratikë. Në këto pozita të pranojë vetëm kandidat me shkollim cilësor, për x vend pune të pranohet vetëm personi me diplomë nga perëndimi, dituria e tij të provohet dhe testohet, pastaj të merret definitiv. Të kërkohen kandidat që kanë ushtruar profesionin e caktuar minimumi 5 vjet në perëndim, pra të ri-definohen kriteret, sepse situata ekonomike vetëm sa po  acarohet edhe më shumë.

Nuk guxojmë më të tolerojmë që një „këngëtar“ të bëhet diplomat, as një profesor të ketë 5 vende pune, por as një bukëpjekës të luaj rrolin e profesorit, të sanksionohen  me ligj honorarët për personat politik, kur kemi një numër të madh papunësie, mjaft më, me këto marrëzira, këto i eliminojnë vetëm personat e lindur, rritur dhe të diplomuar në perëndim.

Në institucionet e shtetit, e sidomos ato me përgjegjësi, të gjitha partitë duhet të luajnë një rrol fleksibil në vijim. Ato nuk guxojnë të emërojnë si gjerë me tani persona nga rruga, vetëm pse kanë vendosur postera gjatë fushatës zgjedhore, por të vrapojnë në perëndim për të gjetur “Xherdan Shaqira”, për të ju dhënë përgjegjësi edhe në parti, për ta bërë hapin e madh , për të kaluar nga amatorizmi politik në politik profesioniste, mos të harrojmë tani kërkohet zhvillim urgjent, atë e bëjnë vetëm njerëzit me mendje të pastër, e profesionalisht të përgatitur. Këta njerëz nesër dinë edhe të përgjigjen për mospunën apo keq-menaxhimin e përgjegjësive të pranuara. Pra,politikës i them, shpejt në perëndim për të gjetur njerëzit që zhvillojnë Kosovën.