Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kostaq Duka: Përjetësisht borxhli

| E diele, 23.06.2013, 07:14 PM |


Kostaq Duka

 

Përjetësisht borxhli

-Triptik-

-Gruas në 60-të vjetorin e ditëlindjes-

 

Edhe pse hapat u bënë të ngadaltë

 

Të gjeta unë

a më gjete ti

kjo s’ka rëndësi.

Di që

çasti i takimit s’ish veçse magji.

 

Të gjeta unë

a më gjete ti

kjo s’ka rëndësi.

Di që asnjëherë s’e humbëm njëri tjetrin

në udhëtimin e gjatë.

Kurrë s’rreshtëm së zbuluari vlera

edhe pse hapat u bënë të ngadaltë.

 

Hiret

 

Hiret e bukurisë

vijnë e ikin me rininë.

Sikur vetëm ato të më falje

sot pa hiret e shpirtit

mjerisht do ndjeja vetminë.

 

Borxhli

 

Borxhin e kam urryer

se borxhi skllav të bën

e të detyron përuljen.

Ndaj e dashur

përpiqem e përpiqem të shlyhem.

Por as vetë nuk e di

si ndodh nga fati të dënohem

të mbetem para teje përjetësisht borxhli.

 

Qershor 2013.