| E diele, 23.06.2013, 07:41 PM |
Ardhje
serioze në poezinë e sotme
Kritikë letrare nga Migena Arllati për vëllimin “Lotët e ashtit” të autorit Shefqet Dinaj
Vëllimi i
parë me poezi i profesorit dhe studiuesit Shefqet Dinaj ishte më shumë se një
surprizë. Autori deri tani na ka mësuar që ta lexojmë, ta ndjekim në botime të
ndryshme me studime në të cilat ai i qaset me seriozitetin maksimal temave e
çështjeve me rëndësi në letërsi, histori por edhe arealin tonë. Ndërsa tek
“Lotët e ashtit” shohim poetin i cili nuk qëndron indiferent as ndaj vargjeve,
duke e transformuar përjetimin e tij herë në epik e herë në liriko-epik. Ky
vëllim mban në vetvete përpjekjen dhe ambicien e autorit për t’u bërë pjesë e
pasurisë poetike sepse poezia si gjini është e tillë që lakmohet nga shumëkush,
dhe atë s’mund ta zëvendësojë askush. Poezia e Dinajt vjen si një poezi
simbolike. Ajo bëhet shoqëruese e autorit në fragmente të shumta të mendësisë
dhe aktivitetit të tij. Ajo ndonjëherë kthehet në një hije që e ndjek atë nga
pas duke mos iu shqitur, derisa të arrijë misionin e saj. Megjithatë ai është
një poet që e mban kokën lart, edhe pse rreth tij nuk mungojnë njerëzit e
ligj(lexo: Hija dhe poeti, Unë dhe hija). Kështu ai
Tek cikli
i dytë, “Dy sytë”, poezia bëhet më prekëse, më sociale, më e shqetësuar për
disa prej brengave të vërteta të shoqërisë sonë, siç është gjakmarrja. “Gropë e
errët, varr, morde, dhimbje,trishtim. Mbyllje, kullë ngujimi, frikë, ankth
vdekjeje. Mbyllje për së vdekuri, mbyllje për së gjalli. Tragjedi e dyfishtë”.
Autori e di se gjakmarrja ka qenë dhe mbetet një prej copëzave kanceroze të
shoqërisë shqiptare ndaj e etiketon atë me fjalët më të errëta të fjalorit të
shqipes.
Si një
poet, sepse vetëm poetët dijnë të komunikojnë me të pashikueshmen, të padukshmen,
të pazëshmen, ai komunikon me nocione të shenjta jo vetëm në planin personal
por edhe në atë të përgjithshëm kombëtar. Ai pyet gurin, pyet Bjeshkët e
Nemuna, pyet diellin për agimet e verdha dhe mbrëmjet e frikshme në trungun e
tij. Është kjo poezia “Në pritje” ku të gjitha hamendësimeve të njëpasnjëshme
iu përgjigjet vetëm njëri: poeti. Krijimi në fjalë sjell një qasje interesante
edhe në aspektin gjuhësor, sepse autori rendit në vargje shumësi emrash të
cilëve iu jep rol prioritar, për të emërtuar më shumë se sa për të tipizuar e
vepruar. Tek krijimi “Dy sytë” ai sikur trembet dhe alarmohet për mbylljen e
syve të të vjetrit, të plakut që i lodhur nga vitet, ka arritur deri në
epilogun e jetës. Nuk bëhet fjalë për vetëm frikën nga largimi fizik por për
ikjen e gjithë memories kolektive që ai mban në vetvete, ngaqë ka qenë
dëshmitar i epokave ndaj të cilave brezat e rinj nuk duhet të bëhen harrimtarë.
Dhe vjen
cikli i tretë: “Shqipe e plagosur”. Në këtë pjesëz rrugëtimi poetik, autori
paraqet në nëntë tituj të gjithë backgraundin historik të shqiptarëve, si
populli më i vjetër por pse jo, historikisht më fatkeq i Ballkanit. Udhëtimin e
tij në këtë udhërrëfim, atij i pëlqen ta quajë jo shqiptar por arbdhetar. Dhe
si në një revy imagjinare paraqet para nesh pellazgët, ilirët, dardanët,
arbërit, për të arritur deri tek shqiptarët, duke mos fshehur aspak krenarinë e
të qënit pjesëtar i këtij trualli mbushur me legjenda e mite trimërie. Në fakt
në këto poezi unë vërej jo vetëm poetin por edhe historianin Shefqet Dinaj pasi
këtu siç duket shkrihen në një, dy trasetë e tij profesionale: letërsia e
historia. Sa simbolik po aq metaforik na vjen ai në krijimin “Kosova shqipe e
plagosur” ku poeti na e paraqet Kosovën si balli, gjuha, gjumi, drita, varri,
ashti, vullkani, dielli, ajri, për ta sublimuar së fundi me: Kosovë, shqipe e
plagosur. Diku tjetër atë do ta shohë si flamur të qëndisur me shqirtëra
engjëllorë. Një tjetër kulminacion përshfaqet tek ai në poezitë e kushtimit të
cilat jo rastësisht i kushtohen: dëshmorit A.D, dëshmores Yllka Domi dhe
mërgimtarit V.D. Janë ata, përfaqësuesit e popullit të tokës së djegur, në të
cilën gëlonin zvarranikë, bolla, gjarpërinj e demonë vrastarë. Por: ofshamën e
dëgjoi qielli/ hapi derën e parajsës/ mbylli derën e ferrit.
Dhe cikli
i fundit, i katërti, është pikërisht ai që i ka dhënë titullin gjithë vëllimit.
Këtu simbolika fiton kuptimin e saj më të lartë, duke dhënë para nesh në
variante të ndryshme atë më të pandryshueshmen, të pazhdukshmen, atë që mbetet
e tillë vite, dekada e shekuj pas ikjes fizike të njeriut. Janë ashti, eshtrat
që na përcjellin në secilën prej pesë poezive të këtij cikli, teksa poeti
ndërton muranë eshtrash me to. Ata janë të shenjtë, janë gjeneza dhe AND-ja
jonë, të pandashme nga dheu e toka, nga balta e ëmbël prej ku mbinë dhe u
rikthyen sërish. Autori kërkon drejtësi edhe për eshtrat, kur thotë: “Të
kthehet eshtrat/ në tokë të vet/ nuk ndërrojnë formë/ janë të shenjtë”. Në një
lexim vertikal të poezisë “Ashti dhe toka e tij”, ja se si e përshkruan autori
mes foljesh rrugëtimin nga zanafilla deri tek ikja prej kësaj jete: lindët, u
edukuat, u rritët, luftuat, u flijuat, prehuni, mbini, shkruani histori,
mbillni liri. Dhe së fundi autori e quan Kosovën tokë varresh, jo pse është
pesimist, jo pse është fatalist, por sepse çdo pëllëmbë e këtij trualli është
mbushur me nga një varr të luftëtarëve të rënë në mbrojtje të tij. Prandaj
poezia e Shefqet Dinajt është poezi me vulën e vërtetësisë, me vulën e
patriotizmit dhe krenarisë, me vulën e së djeshmes dhe të sotmes. Poeti në këtë
vëllim na paraqitet me lirikë të kursyer në tema, por jo në vargje. Edhe pse
temat e krijimeve janë krejtësisht epike, realizimi i tyre variantizohet në
epiko-lirik, duke bërë që të gjitha krijimet të jenë të lidhura me njëra-tjetrën
si degët e një trungu. Vëllimin ‘Lotët e
ashtit’ dua ta shoh si një ardhje serioze në poezinë e sotme, për të cilën
pres, jo vetëm unë por edhe lexuesit, që autori të na konfirmojë në vazhdimësi
në botimet e ardhshme. S’më mbetet tjetër veçse t’i uroj autorit udhë të mbarë
në krijime të tjera poetike, të cilat do t’i plotësojnë atij dimensionin e
lëvruesit të vargjeve.