| E shtune, 22.06.2013, 08:03 PM |
Lasgush Poradeci i frymëzuar prej Azem Galicës
Pushim, argëtim e këndellje
Nga Bedri TAHIRI
Gjimnazi
ynë, “Eqrem Çabej” i Vushtrrisë, gati që nga paslufta jonë çlirimtare, e ka bër traditë
që, fill pas mbarimit të mësimit, kolektivisht, të vete tri- katër ditë në
pushim në bregdetin e mrekullueshëm shqiptar. Edhe sivjet vepruam ashtu. Vajtëm
në Golemin e bukur dhe u çlodhëm për shtatë palë qejfe.
Thënë të
drejtën, unë atje shkoj shpesh, sepse kam zënë shumë miq të idealit e të penës.
Nuk mund ta marrë me mend të kalojnë tre muaj të plotë e të mos takohem me
vëllezërit Kapiti, ku ndjehem si në shtëpinë time. Dy javë më parë isha në
përurimin e librit të Skënder Kapitit “Triumfi i Kombit” që qe
madhështor. Diçka e paparë kohëve të fundit. Salla e madhe e Pallatit të
Kulturës “Aleksandër Moisiu” në Durrës nuk e përpiu dot gjithë
lumin e të interesuarve. Një organizim i mire që mblidhte krijuesit
mbarëkomëtarë. Në ballë të tyre edhe dy udhëheqësit e tyre, z. Nikolla Spathari
e znj. Flora Brovina. Me mua ishte edhe kryesuesi i KK të Vushtrrisë, z. Habib
Mustafa.
Mirëpo,
sidoqoftë, ndeja dhe pushimi me anëtarët e familjes sate, me kolegët e nderuar
të punës, krijojnë ndjenja të veçanta, aty çdo gjë ka shije dhe kënaqësi...
Megjithatë,
kurrësesi nuk mund ta fsheh dobësinë që kam për Shqipërinë e ëndrrave,
mbase të idealizuar nga librat e
lexuar. Ajo kërshëri e ai mall nuk po shuhen dot as sot, kur Udha e Kombit
na bëri NJË.
Dhe, edhe
ditën e diel, të 9 qershorit 2013, nisesha andej me ndjenjën e njëjtë. Madje,
kësaj radhe edhe me një merak që më kishte zgjuar një mik imi nga Londra, krijues i pasionuar, z. Xhemail Peci. Ai,
ditë më pare, më kishte folur për diçka që unë, sado që e mbaja veten lexues të
madh, nuk e kisha hasur askund. Qe fjala për poetin tonë të madh, Lasgush
Poradecin, i cili paskësh shkruar për kryetrimin e Drenicës e të shqiptarisë,
Azem Galica. Kjo më nuk më është shqitur fare nga mendja. Edhe pse e kam
besuar, e vërtetova se rasti është mbret i botës.
Ditën e fundit zu të binte shi. Meqë për plazh nuk bënte, u nisëm për në Tiranë. Ca kolegë propozuan ta vizitonim një qendër të madhe tregtare në rrugën e Elbasanit. U pajtuam të gjithë. Dhe, nuk gabuam. Kishte e ç’nuk kishte. Dihet, ku dhemb dhembi vete gjuha. Unë, turr e vrap në katin e dytë, në një librari të madhe e të pasur.
Pasi ua
hodhi një sy fund e krye rafteve të stërmbushura me libra, e pyeta edhe
shitësin, por nuk e gjeja dot atë që kërkoja. Mora ca libra të tjerë, por
këmbët disi nuk më bënin të ecja përtej pragut të saj. E dija që autor ishte
Nasho Jorgaqi. Dhe, rikthehem. Në qoshen e një stede shoh një libër të
tij me titull “Udhëtime letrare”. E mora, pa pasur kohë ta
shfletoja fare. Në autobus humba nëpër
faqet e librit të lezetshëm e joshës “Haxhiu i Frakullës“ të Vath
Koreshit.
Që thua
ti, pas dy- tri ditësh, e mora ta lexoja atë libër mbresëlënës, me ato
udhëpërshkrime interesante, që të lënin pa gjumë. Dhe, kah fundi, si papritur,
më del titulli: Lasgushi, si e njoha unë. Obobo! Sakaq, mbylla
librin! Nuk më besohej. Atë që me ngulm e kisha kërkuar, e paskësha gjetur, ore
vëllaçko. Nuk më pritej ta lexoja të tërin. E shfletova nxitimthi, gjeta ato që
kërkoja prej kohësh dhe paskëtaj iu qasa
leximit e studimit me laps në dorë, siç i thonë një fjale...
Gjysma e
Shqipërisë përtej Drinit plak...
Studjuesi
dhe letrari i shquar, Nasho Jorgaqi, në librin e tij me udhëpërshkrime “Udhëtime
letrare”, botuar në Tiranë, më 2001, krahas shkrimeve të
mrekullueshme, mbushur me informacione
për Naimin, Varibobën, De Radën, Balën, Seremben, Nolin, Migjenin,
Asllanin, ka shkruar edhe për poetin e paarritshëm të letrave tona, poetin që
për të gjallë ishte thuajse i vdekur dhe i harruar, për të madhin, Lasgush
Poradecin.
Përbrenda
këtij shkrimi, hartuar me akribi fanatiku, zë vend edhe takimi i përzemërt i
poetëve nga Kosova me prijetarin e modernizmit shqiptar në kafen “Tirana”
në Tiranë...Me emocione të veçanta është dhënë
takimi i Lasgush Poradecit me poetët nga Kosova:
“-Domethënë
qenkish poetë!? Të gjithë, ë? Dhe nga Kosova? Nga Shqipëria e jashtme, ë? Se e
brendshmja është kjo që gjendemi ne, kurse e jashtmja është ajo që mbeti jashtë
kufijve të 13- ës...
Sytë plot
dritë të Lasgushit lëviznin sa të njëri
te tjetri. Ishte vërtet i gëzuar, por brenda natyrës së tij të
përmbajtur.
…Sepse ta
dini ju- vazhdoi poeti duke e ngritur zërin,- një kritik më kritikoi njëherë,
se kritikët këtë punë kanë. Tha se unë nuk e njohkam gjeografinë e Shqipërisë.
Bobo, ç’më dëgjua veshët. Sepse në vjershën “Poradeci” kam shkruar vargjet:“Duke nisur
udhëtimin mes përmes për Shqipëri, Drini plak e i përrallshëm po mburon prej
Shëndnaumi…”. More, i paditur, t’í thuash. Lasgushi e di gjeografinë, ti nuk e
di. Ti nuk e di se gjysma e Shqipërisë është përtej dhe Drini është kufiri i
përrallshëm i dy pjesëve të trojeve tona stërgjyshore. Apo s’është kështu?
Të gjithë
miratuan me gaz, ndërsa poeti mbante kokën lart. Lasgushi që kësi rastesh fliste pak, i prekur
nga takimi jo i zakontë mori të flasë prapë, i gjallëruar e i gëzuar:
-Domethënë-
pyeti rishtazi Lasgushi- qenkëshit të gjithë poetë? Shumë poetë paska
Kosova? Ah, Kosovë, Kosovë, Kosovë, ti që ke nxjerrë njëherë trima, tashi
nxjerr poetë!
Dhe me
kokën lart, zuri përsëri t’i vështrojë të ardhurit një nga një, me dashamirësi dhe kureshtje si prej
fëmije. Askush nuk fliste. Vetëm dëgjonin. Në mesin e tyre ishte edhe poeti
Latif Berisha...
Jeni poetë
e profesorë, po Azema, jeni ndopak?
Dhe,
biseda vazhdonte...
-Më vjen
mirë që Kosova ka sot poetë. Një herë e një kohë kishte vetëm trima, që
mbushnin me zulmë jo vetëm Kosovën por gjithë Shqipërinë. Hajde, hajde,
gjeneral Isa Boletini, trimi me fletë Idriz Seferi…Kur suleshin ata mbi armiqtë
ndizej qielli dhe toka.
Po Azem
Galica?
Nuk gjej
fjalë ta tregoj. Ai binte si rrufeja, kur serbit s’ia priste mendja. S’ia
priste mendja, sepse Azemi jo vetëm që ishte i mençur sa s’ka, por edhe
luftonte në tokën e tij dhe për tokën e tij, luftonte tok me kaçakët dhe s’i
linte naçallnikët e Beogradit t’ia merrnin Arbaninë e vogël!”. Hajde,
hajde Azem Galica. Kur ia donte puna, një tren të tërë ndalonte. E kam parë
vetë me sytë e mi. Ka qenë behar í 1921, kur shkoja për herë të parë në Rumani.
Vajta me kalë deri në Ohër dhe pastaj me tren mes përmes Kosovës. Atij treni
kokën ia shihja, po bishtin jo, aq i madh ishte. Me të udhëtonte Lasgushi, kur
papritur ai, fap, ndaloi dhe u dëgjuan të shtëna. Sapo dolëm në penxhere, kur
ç’të shihje, nga të dy krahët plisabardhët mizëri, me pushkë në krah. Ishin
trimat e Azemit. Erdhën dhe në vagonin tonë. Ca burra si të përrallave, të
gjatë e të pashëm, gjallë Gjergj Elez Alia. Isha gati t’u hidhesha në qafë. Kur
më pyetën se ç’je e thashë gjithë mburrje se jam shqiptar, u ndritën sytë e
mustaqet. E gjithë kjo zgjati sa një ëndërr. Erdhën e ikën si era. Kapet era ë?
Po për Lasgushin kjo mbeti një erë skënderbejane. Këta trima s’donin t’ia dinin
se ç’kish vendosur Evropa, donin Kosovën e lirë dhe s’e kishin për gjë vdekjen.
Lasgushi shkonte në bankat e universitetit, me një mësim të madh që ia jepte
Azem Galica me kaçakët e tij. Kështu jeni ju kosovarët, trima përmbi trima…Tani
shoh që jeni dhe poetë e profesorë, po Azema jeni ndopak?
Miqtë sa u
ngazëlluan nga këto fjalë, aq u vunë edhe në pozitë të vështirë. Nuk shikonin
njëri- tjetrin në sy. Poeti thoshte me zë të lartë gjëra që ata i kishin për
zemër, por për kushtet në të cilat gjendeshin s’i shprehnin dot qoftë edhe në
një bisedë.
Poeti u
ngrit në këmbë pa marrë përgjigje dhe u zgjati dorën me një përzemërsi që
s’ishte e zakontë për të. Asnjëherë s’e kisha parë të bisedonte aq gjatë me
njerëz të saponjohur. Por në këtë rast ishte në mes Kosova...
Tek e mbyllja librin e Nasho Jorgaqit, sërish
mendja më vete tek Lasgushi ynë mendjehollë. Ah, i uruari, në të ngrysur të
jetës do të shkruaj një si testament:
“Do të vijë një kohë,
kur do vemi në dasmë e do të urojmë: Mos e pifshim këtë gotë, po të mos
bashkohemi me Kosovën! Dhe do të vemi në vdekje e do të ngushëllojmë: Mos e
pifshim këtë gotë në mos u bashkofshim me Kosovën!...Do të vijë një kohë kur
dollia do të fillojë me këto fjalë: Mos e pifshim këtë gotë në mos u
bashkofshim me Kosovën!
Sa bukur!
E mrekullueshme!
Profetike!
Atë natë të bukur, derisa drekonim në Prizren, ne mësimdhënësit e Gjimnazit të Vushtrrisë, ngremë gotat me urimin: Gëzuar Bashkimin Kombëtar!
Autori me Xhemail Pecin para Kullës së Azem Galicës (Galicë, qershor 2013)