| E shtune, 22.06.2013, 07:30 PM |
Shkrim
për premierë teatri
DRAMA “PUSHKATIMI”, DËSHMI E LUFTËS SË DREJTË TË UÇK-së
Ekrem Kryeziu: “Pushkatimi”, dramë, me regji të Ekrem Kryeziut, interpretoi trupa e Teatrit Publik “Istref Begolli” Pejë
NGA HALIL HAXHOSAJ
Teatri Publik “Istref Begolli” i Pejës e shfaqi premierën e dramës “Pushkatimi” të Ekrem Kryeziut, i cili është edhe autor dhe regjisor e me asistente regjisore Rudina Zhara. Këtë rol të dyfishtë ky krijues, shkrimtar, regjisor dhe njeri i denjë i kulturës shqiptare e arsyetoi shumë herë, jo vetëm me regjit e veta, por edhe me krijimtari artistike, sidomos të gjinisë së dramës, të filmit edhe të tjera. Madje, ky autor e regjisor është dëshmi se nuk mungon, aq sa thonë disa regjisorë këtu në Kosovë dhe më gjerë, drama origjinale. Kjo u dëshmua edhe me rastin e premierës së shfaqjes “Pushkatimi”, interpretuar nga trupa e Teatrit Publik “Istref Begolli” të Pejës.
“Pushkatimi”, dramë me tematikë lufte të UÇK-së
Në qendër
të kësaj drame të Ekrem Kryeziut është lufta e UÇK-së, por e paraqitur nga një
këndvështrim disi tjetër dhe pak i njohur nga realiteti. Për luftën, trimëritë,
betejat, heroizmat, rënien, sakrificat dhe në fund fitoren e luftëtarëve të
UÇK-së janë shkruar disa vepra të zhanreve të ndryshme letrare, publicistike,
fejtonistike, monografi, ditar lufte, por edhe romane, drama, madje edhe janë
xhiruar e shfaqur filma të ndryshëm. Secila prej këtyre veprave ka shpërfaqur
elemente të caktuara, por drama “Pushkatimi” e Ekrem Kryeziut është një
veçanti, është një dëshmi, është një shprehje dhe kundrim nga një kënd specifik,
por edhe krejtësisht tjetër. Dhe kështu, autori Ekrem Kryeziu në njërën anë,
por edhe regjisori i shfaqjes, po Ekrem Kryeziu, në anën tjetër, patën mu këtë
qëllim. Dhe kësaj ia arritën mirë ai dhe aktorët e angazhuar në natën e
premierës të shfaqjes së kësaj drame.
Në
qendrën fabulative e dramatike të dramës “Pushkatimi” është një situatë tejet e
konfliktuar, madje edhe e paparashikuar në një tog të luftëtarëve të UÇK-së. Ky
konflikt duket se depërton shumë shpejt tek të pranishmit me një ngurrje, por habi
se si mund të ketë ndodhur kjo ngjarje në mesin e ushtarëve të UÇK-së. Ushtar
Luani, që kishte ardhur nga diaspora ku jetonte e punonte, të luftojë bashkë me
të dashurën e tij Blerinën, për disa gabime që kishte bërë, u dënua me
pushkatim nga Gjykata ushtarake e UÇK-së. Luani është bir i prindërve
intelektualë, nënës profesoreshë e matematikës dhe babait jurist. Zhvillimi i
konfliktit dramatik i kësaj shfaqje, në natën e premierës, zhvillohet dhe merr
drejtim më të thellë me rastin e vizitës së Nënës në burgun e UÇK-së të djalit
të saj, Luanit. Dialogu në mes saj, Gjykatësit që njëherë është edhe komandant,
shtrihen në rrafshin e pasqyrimit të duhur artistik dhe funksional. Edhe takimi
i saj me Luanin ka shpalosë disa nuanca që në momente duken paksa të tjetërsuara,
mbase edhe pse shihen si të tilla për shprehjen e artistikes. Ballafaqimi i
Nënës me djalin luftëtar të dënuar me pushkatim, paraqitet në skenë disi i
ngurtë nga ana e djalit, gjegjësisht e Luanit. Por dhimbja e Nënës megjithatë
është e pranishme dhe dominuese në këtë ballafaqim, tash skenik.
Gjera të
tilla, madje edhe më me dramaticitet, shfaqen edhe në skenën e ballafaqimit të
Babait të Luanit me komandantin, pra Gjykatësin, sepse këta të dy dikur kishin
qenë shokë të një gjenerate në shkollë, madje edhe në studime. Dhe të gjitha
këto konflikte dramatike kurorëzohen me rrethimin e hekurt të ushtarëve të
këtij togu të UÇK-së nga ushtria armike. Gjykatësi komandant e gris vendimin e
dënimit dhe ushtarit të dënuar me pushkatim, Luanit, ia jep armën, automatikun,
për të hapur rrethimin. Dhe kjo ndodh sepse ai në fund jo vetëm që lufton me
trimëri e heroizëm, por shpëton dhe merr edhe gradën e komandantit të UÇK-së.
Mesazhi i shpërfaqur në këtë dramë të Ekrem Kryeziut është një dëshmi për gjykatat dhe hetuesit e EULEX-it që po ua bëjnë sot luftëtarëve të UÇK-së, duke i hetuar gjoja se për krimet e luftës që i kanë bërë. Kjo dramë dhe sidomos premiera e saj e shfaqur në skenën e Teatrit Publik “Istref Begolli” të Pejës, është përgjigja më adekuate se Ushtria Çlirimtare e Kosovës, ishte ushtri me të gjitha parimet, normat, etikën dhe veprimtarinë e ushtrisë së rregullt, heroike, humane dhe çlirimtare, andaj luftëtarët e saj as nuk ishin kriminelë dhe as që kanë bërë krime lufte. Këto krime dihet kush i ka bërë ngase dihet kush ishte okupatori.
Aktorët, rolet dhe interpretimi
Regjisori
Ekrem Kryeziu në dramën “Pushkatimi” i angazhoi aktorët: Nimon Muçaj-Gjykatësi,
Liridon Nikçi-Ushtari, Faik Zekaj-Luani, Rudina Zhara-Nëna, Herodita
Ramshaj-Blerina, Rrustem Latifaj-Baba dhe Luan Daci-Fatmiri. Siç shihet përvoja
e aktorëve të angazhuar për këtë projekt dramatik të Ekram Kryeziut shtrihet në
dy rrafshe. Në rrafshin e parë të përvojës së aktorë janë Nimon Muçaj, Rrustem
Latifaj dhe Rudina Zhara, ndërsa në grupin e aktorëve të rinj e pa përvojë
aktoreske janë: Faik Zekaj, Liridon Nikçi, Herodita Ramshaj dhe Luan Daci.
Gërshetimi i kësaj ane, fatmirësisht në natën e premierës nuk paraqiti ndonjë
barrierë të dallueshme, edhe pse ndonjëherë mundi të shpërfaqej sado pak.
Aktori
tashmë i talentuar dhe me përvojë të madhe, jo vetëm të teatrit, por edhe të
filmit, Nimon Muçaj, në natën e premierës qe në fahun e vet dhe në tërësi e
interpretoi dallueshëm, mirë dhe arsyeshëm rolin e Gjykatësit. Anët e
interpretimit nuk patën ndonjë dallim në rolin e tij, edhe pse në disa momente
arriti kulmin e vet prej aktori. Figura e tij ishte e kompletuar, e
konstruktuar mirë e pa teprime as rënie në lojën e vet. Dhe kjo kompletohej
edhe me gjuhën skenike, timbrin e zërit në dialogë me të tjerët, sa që shpesh
ishte edhe një figurë që dominonte në skenë. Nimon Muçaj bëri edhe një rol të
tij, i cili do të jetë i dalluar në fahun e tij prej aktori. Madje, në lëvizjet
skenike, qëndrimet dhe interpretimin në skenë kishte dhe shfaqte figurën që
dukej disi më e ngritur nga të tjerët. Ky aktor dita-ditës kështu po e pasuron
dhe po e shpreh edhe më tutje talentin e vet prej aktori të dalluar.
Edhe roli
i Rrustem Latifajt, pati nuancat e veta që e bën interpretimin solid, të
shtruar, në nivel artistik duke i përmbushur kërkesat e regjisorit, por edhe të
rolit të tij në premierën e sotshme. Njëri prej elementeve dalluese në
interpretimin e këtij aktori është zëri skenik, i cili përkundër peshës që
shfaq në shfaqje, ai e bën të shtruar, gjuhë të një intelektuali, të njeriut të
arsyeshëm e plot dituri dhe dashuri për atdheun e luftën. Dialogu skenik i
rolit të tij me atë të Gjykatësit të Nimon Muçajt, janë të shprehur bukur dhe
mirë skenikisht. Edhe ky aktor ishte në nivelin dhe përvojën e vet prej aktori
të suksesshëm dhe të dalluar.
Nëna e
interpretuar nga Rudina Zhara, doli si figurë me disa elemente disi plot
dhimbje e mall për Djalin e dënuar me pushkatim. Dialogu i saj me Gjykatësin
paraqet gjendjen e rëndë e të vështirë të të gjitha nënave tona në kohën e
luftës, por edhe gjendjen tragjike të popullit në atë kohë plot paramilitarë,
ushtarë e policë serbë me shumë postblloqe e kurthe të ndryshme. Dhe shpirti i
Nënës është i trazuar, por disi “çmallet” kur e sheh ende djalin e gjallë edhe
pse të dënuar. Kjo aktore ishte në fahun e saj prej aktoreje dhe ia doli mirë
paraqitjes së këtij roli.
Ndërkaq,
Faik Zekaj, në rolin e Luanit, ushtarit të dënuar me pushkatim, ishte në nivel,
edhe pse ndonjëherë u hetua ndonjë rënie. Por, kjo ndodh ngase përvoja e këtij
aktori është ende e pamjaftueshme për t’u përballuar me role të tilla të këtij
bagazhi dhe peshe. Por, megjithatë, ia doli që roli i Luanit i interpretuar nga
ky aktor të dallohet paksa nga kolegët e gjeneratës së tij.
Edhe
Liridon Nikçi në rolin e Ushtarit, Herodita Ramshaj të Blerinës dhe Luan Daci
të Fatmirit dhanë atë që kishin mundësi dhe që ua kërkoi koncepti i regjisorit
të shfaqjes, Ekrem Kryeziu. Por, siç u pa në premierën e sontme të kësaj drame,
të gjithë këta posedojnë talentin, por edhe shkollimin në këtë profesion, që në
të ardhmen do ta gërshetojnë dhe sendërtojnë ashtu siç duhet dhe siç kërkohet
në skenat e teatrove.
Kombinimi
i aktorëve të këtyre rangjeve të gjeneratave megjithatë funksionoi dhe u
koordinua mirë në interpretimin e roleve aq sa kishin mundësi dhe aftësi
kreativiteti.
Skenografia
e shfaqjes qe e lehtë dhe e pangarkuar edhe pse në mesin e skenës nga fillimi i
shfaqjes e deri në përfundimin e saj qëndroi “guri i xhenazes”, i cili aq sa
ishte funksional në fillim, po aq edhe shfaqte pengesë, madje, edhe për skenat
e tjera të shfaqjes. Ndërsa pjesa tjetër e skenës ishte e lehtë, e pangarkuar
dhe korrespondonte me zhvillimin dhe dramatiken e shfaqjes dhe me gardërobën e
punuar nga Melihate Kasapolli.
Edhe
muzika bëri efektin e saj dhe që u realizua nga Memli Kelmendi. Pikë paksa
tjetër ishin efektet e dritave apo ndriçimit i realizuar nga Ali Thaçi. Diçka
nuk funksiononte aq mirë dhe siç duhet sonte në këtë premierë të dramës, sepse
shpesh ndodhte që ndonjë pjesë e trupit të aktorëve mos të ndriçohej mirë dhe
mbetej në errësirë.
Premiera e dramës “Pushkatimi” e autorit dhe regjisorit Ekrem Kryeziu e shfaqur në skenën e Teatrit Publik “Istref Begolli” të Pejës edhe pse nuk shënoi ndonjë “befasi”, prapë se prapë dëshmoi se ky teatër po konsolidohet dhe po merr veten dita ditës.