Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Fabula nga Nebi Dragoti

| E premte, 21.06.2013, 07:32 PM |


NEBI DRAGOTI

 

Fabula

 

 

ZËNKA

 

Po çuditet e gjithë Bota:

-Na çanë tra… me këto vota!

 

Një gomare e një pulisht

shkëmbenin fjalë solemnisht.

 

-Na çanë tra…këta legenë,

çoç janë…zihen si qenë…

 

 

TA THOTË DHELPRA

 

Ty ta thotë dhelpra,motra jote:

Popull,ti mbush sheshet në tubime,

ata hanë e pinë qoshe më qoshe,

flasin të dehur nëpër mitingje.

 

Ty ta thotë dhelpra,motra jote:

mos u lësho shumë besime;

tringalinga edhe tringalinga,

mendja dhelpre ka politika…

 

 

ART NEUTRAL

 

“Gzhzh,gzhzh,kam melodi,

punën time gjithkush e di,

për mua kjo është goxha art;

gzhzh,gzhzh këndoj normal.

 

Nuk vjedh nota dhe kadencë,

nuk luftoj për në Parlament;

me të tjerë s’bëj konkurime:

gzhzh, gzhzh është kënga ime.

 

Kurrkujt,jo, s’i bie më qafë,

ky arti im është neutral…

 

 

DIALOG

 

Duke u mburrur ujku ngeli:

-Na kanë ardhë kohë moderne,

me dylbi e shikoj zabelin,

me celular e gjejë një dele…

 

Lepuri tha:-I varfër jam,

gjithë frikë e ngrys ditën,

salltanete jete,jo,nuk kam

sa për celular kam opingën.

 

 

ÇUDIA E PULISHTIT

 

Kulloste pulishti në livadh

e s’e linin mizat nën bisht,

e pickonin mizat nën bark,

thumbin ia ngulnin si shtizë.

 

-Mirë,kur ngordh një gomar,

ato s’e lënë rehat aspak,

po si i thonë ,mik,kësaj,

kur unë ende jam gjallë?!

 

 

BRESHKA NË PLAZH

 

Zbret tatpjetës me ngadalë,

do dhe breshka të bëjë plazh

me rrobe banje për bukuri,

por ç’e do ,s’e kanë zili?!

 

Pa shih,madama gjithfarësoj,

-Pse qeshin me mua s’e kuptoj?

Po kthehem,kam vendin në mal,

shoqeve u them:kish deti dallgë…

 

 

BETIM DHELPRE

 

-A besoni,a s’besoni,

ka ndryshuar dhe zakoni.

Dhe mëlçitë i mbaj në qafë,

nuk i ha ,kjo qoftë larg!...

Varmini që ta provoni (…)

Nuk ha më mish gjitoni!

 

Thoshte dhelpra një ndajnatë,

kur ia plasi çiftja bam e bam…

 

 

DY GJELAT

 

“Në majë të plehut këndon një gjel”…

Kjo dihet:e thotë thënia e lashtë,

se nga të dy njëri duhet të jetë

a mbi një hu,a mbi një gardh…

 

Po gjelat,ama, janë gjela,

s’i lëshojnë njëri-tjetrit pe

edhe sikur të bëhen thela-thela,

secili do që të këndojë mbi pleh.

 

Nuk u mbushet mendja e shkretë

edhe t’u mbash leksione shpesh.

Njëri thotë:-Jam unë gjel!

-Jo,jam unë!-tjetri ia pret.

 

 

IRIQI NË POZITË

 

Pa pasë suksese në politikë,

e hipën iriqin në pozitë

dhe veç dështime ka në punë:

-Bobo,ç’më gjeti,i shkreti unë!

 

Qeshte breshka në një ferrë:

-Harrove folenë ,o byrazer,

soji ynë nuk drejton vend,

të thonë iriq e mua-breshkë!

 

 

FODULLËK SKIFTERI

 

-Kam bërë shkollë për politikë,

ligjëronte skifteri lart në lis.

 

Mëllenja e dëgjonte dhe u çudit:

-Ç’lloj shkolle u bëka për armik?!

 

Mburrej e mbahej skifteri për fis…

Mëllenja në gëmushë rrinte me frikë.

 

Hajde gjeja kësaj jete virane,

Ç’ligësi fshihet dhe pas një fjale…

2013.