Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Cikël poetik nga Neki Lulaj

| E premte, 21.06.2013, 08:54 PM |


Neki Lulaj

 

ZJARRI MËMËDHETAR

 

Më dukej se isha si në ëndërr

I kërrusur nga pesha e idealizmit kombëtar

Mjegulla mbi Oqean që moti na ndanë

Ngarkuar nëpër vite si një barrë

Me historinë e lavdinë për vatranë

 

Bulevardet e qytetit i lashë në zhurmë

Erdha që t’i takoj  mëndjedriturit e Vatrës

Themeluesit e Diellit të parë

Konicën e Ibrik Tepenë fatbardhë

Këtu mbi një shekull fotonë në prushnajë

 

Mërgimtarët me shkrumb mbi buzë

Të degdisur me hartën e leckosur

Në zemër atdheun plot varrë

Eshkë e djegur valë, Konica e Noli

Vravashka të dritës për mërgimtarë

 

Legjendat nuk i ndryshk moti i shtrëngatave

As shevari i kënetave e i likenëve lulëbardhë

Ata i bënë ballë si shkëmbi furtunës

Ata qe i kishin ndezur ëndërrat

Për mëvetësinë e Shqipërisë nanë

Në damarët e tyre qarkulloi gjaku i freskët atdhetar

 

Në prushnajën e ngrohtë të vatranëve

Ishin shuguruar shpirtërat e engjëjve shqiptarë

Buçaj  i Vatrës dhe Greca i Diellit

I ruanin me xhelozi traditat e interesit kombëtar

 

 

NJË DITË PRANË JUSH

 

Me hapa të lehtë

Eca

Nëpër koridorin e katedralës

Mes freskave të ikonave

M’u duk se e pashë

Hijen tënde lëvizëse

Imzot Nol

Me veladonin e priftit

Të buzëqeshur

 

Ti shtegtoje

Dritës së mekur të diellit

E mallin e atdheut samar ngarkuar

Në thellësinë e mjegullave

Të kohës fatkeqe

Për fatet e shqiptarisë

U shkritë duke punuar

 

Në Katedrale

Çdo freskë njëmijë mendime

Çdo psalm njëmijë kuptime

Çdo kënd njëmijë ndjenja

Çdo libër njëmijë rrjeshta

Çdo altar njëmijë shpresa

 

E sa ngrohet kjo sallë

Kjo pritje ky koridor

Kjo dhomë pune

Kjo karrikë Imzot

Këto freska kjo orë

Kjo faltore e kjo foltore

Kjo pasuri bibliotekare

Këto foto kjo tokë

Që frymoka e flitka shqip

 

Edhe kjo lagje

Në Forest Hills Boston

Kjo rrugë Redvooo Ave 36 e 23

Pushon Noli me mall për Atdhe

Konicës Epitafi

E eshtrat në Atdhe

Në parkun e përjetsisë

Me Frashërlinjtë tanë

Çmallet shqiptaro/amerikani atje

 

 

E KOHËRAT

 

Ecën kohërat ikën

Si metamorfozë

Mbi parmakët e dritares

Magmë plotë djersë

Bekim e përmallim

 

Si ujë lumi nën urë

Thupra shelgjesh

Me rrahje zemrash

Të miliona dëshirash

Njerëzore

Duke kërkuar blerim

 

E retë

Puthin majat e lisave

Kleçkat i pehat era

Grykave të bjeshkës

Fantazmat

I vjelin gështenjat

 

 

ROZAFA

 

Mbi kalldërmin e reve

Shëtit hëna

Me qerren e hekurit vallë

 

Rozafa i bën roje liqenit

Sonte valët nuk fjetën

As perlat në gojën e guacave

 

Ato po përkunden

Si barkat e pritjes

Në takimin e udhëtimit të fundit

 

Të degdisur

Me Uliksin e Trojës

Ai që katallanit i bëri ballë

 

E sonte ai vjen

Me valët e Drinit

Për ta puthur Bunën

Besën don ta lidhë

Në brigjet e pritjes

Si në festën e moteve

 

Me Teutën e Agronin

Për të lundruar

Me kalin e Skënderbeut

Trojeve te Atdheut të parë

 

 

KU MBET

 

Ku na mbeti kërruta prej druri

Cigarallëkun kush e fshehu

Orën me xhamadan shajaku

Unazën kujtim nga Sylejmani

Kah na iku gjyshi mjekërr bardhë

Shqetsimin nën mustaqe shpesh e fshehu

 

Shqiptari u lind t’i shkundë shekujt

Kujt ia dhuroi fjalët e mençura

Që i pat mehlem për plagë

Cilit ia la testament

Atë kuti me plotë duhan

Lumin e shpirtit gurrë e artë

 

Nëpër shtresat e harresës

Oso Kuka ma bën me sy

Më thot kujtesa gërmo dhe tejmatanë

Që t’i zbulosh margaritarët

E gjyshërvet Pëllazgë që na i lanë