| E merkure, 19.06.2013, 07:06 PM |
A ËSHTË
23 QERSHORI ZGJIDHJA?
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ
Të dyja
palët që mëtojnë se marrin pjesë si kundërshtarë në gjoja garën konkurruese të
23 qershorit e shpallin këtë datë të së njëjtës rëndësi me 22 Marsin 1992,
datën kur pritej rrëzimi i komunizimit dhe kur filloi tranzicioni postkomunist
i Republikës së Shqipërisë, mirëfilli tranzicioni që ia zgjati jetën komunizmit
në këtë vend.
Nga njëra
palë 22 Marsi 1992 trumbetohet si precedent i triumfit të qeverisjes aktuale,
nga tjetra palë trumbetohet si precedent i përmbysjes së sistemit farsë
tranzicionist 23 vjeçar.
Ndryshimi
midis 22 Marsit 1992 dhe datave pasuese të zgjedhjeve të mbajtura në Republikën
e Shqipërisë, në nivel qendror apo lokal, si dhe i dy referendumeve që janë
zhvilluar gjatë kësaj periudhe është se 22 Marsi 1992, pavarësisht frytit që
dha, ishte zgjedhje, ndërsa të gjitha datat pasardhëse ishin farsë.
Pa
zgjedhje, nuk ka zgjidhje. Farsat nuk janë zgjidhje, nuk janë pjesë e
zgjidhjes. Farsat janë problemi, janë pjesa e problemit. Edhe për 23 qershorin
gjasat më të mëdha, pritjet më të mëdha, parashikimet e vëzhguesve dhe
interpretuesve më seriozë të realitetit të fushatës shumëmujore që i paraprin
kësaj date, janë se kjo datë do të jetë pjesë e problemit dhe nuk do të jetë
pjesë e zgjidhjes.
Dukuria
më masive e ditës në Republikën e Shqipërisë është tashmë shitblerja e votave.
Ky është alarmi kryesor që japin faktorët perëndimorë të interesuar për
mbarëvajtën e fushatës dhe për integrimin e këtij vendi në Bashkimin Evropian.
Njerëz me përparëset me xhepa të fryrë si ato të fatorinove iu shfaqen tek
dyert qytetarëve të varfër, për t'ua blerë votën. Edhe vetë palët pjesëmarrëse
në fushatë e akuzojnë njëra-tjetrën për këtë dukuri.
Është e
ditur se terreni është ai që e vendos fitimtarin. Në një kuptim, kënaqësia ose
pakënaqësia e qytetarëve, familjeve, si rezultat i përmbushjes së projekteve të
tyre ose rrënimit të këtyre projekteve, është faktori që vendos se kujt t'ia
japë votën qytetari i Republikës së Shqipërisë. Turmat që e vllaçitin vendin,
buja mediatike nuk i hyjnë në vesh as në sy askujt. As interpretimet e
opinionisëve, të cilëve iu mungojnë vetëm lahutat, çiftelitë, klarinetat, gajdet,
zurnatë dhe tupanat në krahasim me trupat e këngëtarëve dhe kërcimtarëve që i
shoqërojnë ekipet e shtabeve të panumërta zgjedhore.
Luksi i
fushatës është marramendës dhe lëbyrës, tejet në kontrast me realitetin në
terren. Duke qenë të gjithë bashkëpërgjegjës, askush, si deri më sot, nuk do të
japë llogari për këtë shfrenim të tërbuar.
Fushatat
zgjedhore, në çfarëdo niveli, në vendet demokratike janë fushata të premtimeve,
të platformave, të projekteve të mëdha e të vogla për të ardhmen, por janë, para
së gjithash, fushata të dhënies llogari për dështimet, për mospërmbushjet.
Dhënia llogari fillon tek strukturat e partive në bazë, tek simpatizanti më i
largët e më i rëndomtë, deri tek kreu i një force politike. Kur partitë hyjnë
në fushatë, ato e kanë shkundur veten prej të gjitha dobësive dhe mangësive të
një mandati dhe i paraqiten zgjedhësit të vet e popullit të vet me një frymë sa
më të re. Pa ndryshuar veten, një forcë politike nuk mund ta ndryshojë vendin
dhe shoqërinë. Pa e ndryshuar veten, një klasë politike nuk ka se si të
ndryshojë vendin dhe shoqërinë. Për më tepër, kur ndryshimet në kreun, në
forcat politike, në klasën politike, janë vetëm në drejtim negativ, është e
ditur se çka mund të pritet prej tyre nga vendi dhe shoqëria.
Duke u rikthyer tek fillimi i këtij shkrimi, sa reale apo sa e gabuar është qasja e 23 Qershorit 2013 me 22 Marsin 1993, kjo do të merret vesh si gjatë së dielës së ardhshme, pra ditës së votimeve, por sidomos të nesërmen e kësaj date, më 24 qershor 2013.
Ne
protagonistët e 22 Marsit 1992 e mbajmë mend këtë datë të zgjedhjeve të ketë
qenë shumë më e ndryshme se 21 marsi i atij viti. Qytetarët kishin shkarkuar
tashmë makthin e muajve, javëve, ditëve, orëve, minutave, sekondave aq të
tensionuara paraprirëse dhe ishin të vendosur, të qartë, të kthjellët në
përcaktimin e tyre për dhënien e votës. Në një pjesëmarrje tejet masive, me
rreth tri të katërtat e votave të tij, populli, sovrani, jepte verdiktin për
përmbysjen e komunizmit. Verdikt tashmë përfundimisht i sabotuar.
Krejtësisht
ndryshe nga 22 Marsi 1992 ishte e nesërmja, 23 marsi 1992. Shpresa dhe besimi i
kishte përtërirë njerëzit që dilnin nga një dimër i gjatë parazgjedhor dhe
zgjedhor, pa drita, pa ngrohje, pa qetësi. I njihje dhe nuk i njihje dot
njerëzit e një dite më parë, të një jave më parë. E njihje dhe nuk e njihje dot
veten tënde të një dite më parë apo të një jave më parë.
Goditja
paraprake ndaj 23 qershorit 2013 është mospjesëmarrja e elitës shqiptare në
debatin zgjedhor. Elita shqiptare, ajo që është e distancuar nga partitë, do të
kishte fjalën kryesore llogarikërkuese ndaj çdo force politike, pushtetare apo
opozitare, ndaj atyre që ikin apo atyre që vijnë. Elita, ekspertët, ata që
bëjnë analiza dhe nxjerrin konkluzione, ata që nuk lëshojnë thjeshtë fjalë, por
argumente dhe vetëm argumente, janë njerëzit që mund të kërkojnë llogari jo
vetëm për të shkuarën e politikës në pushtet apo në opozitë, por edhe për të
ardhmen e premtuar nga politika. Këtu qëndron edhe ndryshimi thelbësor mes 23
qershorit 2013 dhe 22 Marsit 1992. Elita tashmë ose është bërë joekzistuese ose
është bërë vetëjoekzistuese.
Goditja
vendimtare ndaj 23 qershorit 2013 do të ishte mospjesëmarrja e qytetarëve në
votime. Në qoftë se qytetarët nuk do të marrin pjesë masivisht në votime,
atëherë politika do të jetë ajo që do të dalë pa u lagur si këto 21 vite që e
pasojnë 22 Marsin 1992, ndërsa populli do të mbetet në shiun, breshërin, borën
e 21 viteve të ardhshme, tashmë të post-tranzicionit.