| E marte, 18.06.2013, 07:50 PM |
Brikena Qama - ''Pëshpërimat brenda meje''
Parathënia e librit
Nga: Armela Hysi
Poezia,
shprehet nobelisti grek Odisea Eliti, është fytyra tjetër e krenarisë; ndërsa
miku im fisnik, poeti madh shqiptar Ndoc Gjetja, përmend, duke e paralelizuar
me poetët se zogjtë këndojnë nga që iu këndohet, jo pra për t’i dëgjuar
njerëzit, paçka se na pëlqejnë aq shumë zërat e këngët e tyre. Dy shprehjet e
mësipërme më erdhën në mend këto ditë që mora në duar materialet e librit të
parë të poetes së re Brikena Qama, ndaj dhe vendosa të hap me to këtë prezantim
modest, për vëllimin “Pëshpërimat brenda meje”, që vetë, nga ana e tij është mjaftë më tepër se një botim
modest. Poezi të ndryshme të autores, shumë nga të cilat të përfshira tashmë në
këtë botim, i kemi hasur në faqet e shtypit letrar të emigracionit dhe jo
vetëm. I kemi dëgjuar të vlerësohen me çmime nderi në konkurse të ndryshme
letrare, të organizuar nga klubi i shkrimtarëve shqiptarë “Drita”, Gazeta e
Athinës; gazeta TRIBUNA; klubi i shkrimtarëve e artistëve shqiptarë në Selanik
e të tjerë për të rinj, për deri sa Brikena shkruan që nga adoleshenca. Luan me
talentin, me vargun, me dëshirën e çdo të pasionuari pas fjalës së bukur, për
të patur mik të veçantë bllokun e xhepit të mbarsur me të gjitha ato puhiza
frymëzimesh, që derdh nga shpirti, por që deri tani nuk u ngut, as i dha ndonjë
rëndësi të tepruar botimit të librave. Si për të na treguar kështu të gjithëve,
se edhe ajo, një poete-zog, këndon se i këndohet; dhe vetëm tani që është e
bindur, koshiente se poezia e saj është “rritur” të fluturoi e vetme dhe
origjinale, na bënë qefin të gjithëve ne lexuesve të poezisë, me vëllimin e saj
të parë, të freskët dhe me plotë nga shija e temperamentit të saj energjik. Në
poezitë e Brikena Qamas vihet re më tepër se çdo gjë, ndjenja, që ajo di ta
përcjelli bukur tek lexuesi, si do që të jetë, madje akoma edhe kur edhe për të
vetë, ëshë ende e pa përcaktuar në kategori, tabela a kutiza. Sinqeriteti;
revolta e momentit, apo e akumuluar; përballja me fatin dhe pesha e ëndrrave,
zbërthejnë shpirtin e saj nga zinxhirët e monotones, e shablloneve të vendosur
nga frika e veçimit, nga psikoza e moralit të pakuptimtë që nuk përfshin
njerëzoren, por të përgjithëshmet fikse, të sajuar përherë nga të tjerët, për
të tjerët. Të gjitha këto me nuanca feminile, që i njeh, i pëlqen, por dhe nuk
druhet t’i dëshmoi.
Vargu dhe metafora e Brikenës duket që ngrihet dhe forcohet nga poezitë e saj të para, në vazhdim, duke na bërë të kuptojmë se nga kjo poete do të presim edhe më shumë, në të ardhmen. Si fillim le të rradhisim librin e saj në biblotekat tona dhe emrin e saj tek krijuesit e rinjë simpatikë e të veçantë, të ndjejmë me kënaqësi atë që ka për të na thënë në këtë vëllim, “pëshpërimat brenda saj”, dëshmuar kaq natyrshëm dhe me mënyrën më të mirë që mund të bëhet një dëshmi, poezinë.