| E hene, 17.06.2013, 08:03 PM |
Kulturë, -libri i Ri
SHPËRNDARJA E MJEGULLAVE MBI NJË DERË TË MADHE BAJRAKTARËSH
“Yjet nuk janë të kuq” i Albana Melyshit – Lifschin –
Nga NDUE LAZRI
Një grua,
një gazetare, e vendosur në qendër të një libri, që shkruan sagën e një dere të
madhe bajraktarësh, mbi të cilën koha dhe politika kanë hedhur mjegulla të
shumta. Kjo grua intelektuale vjen që nga Amerika. E ka menduar gjatë
sipërmarrjen e saj aspak të lehtë: Të shpërndajë mjegullat e të sqarojë dritë –
hijet mbi njërën nga familjet më në zë e dyert më të mëdhae më fisnike të
Mirditës, atë të bajraktarëve të Kthellës, me emrin e shumëlakuar: Melyshajt.
Sipërmarrja
është e komplikuar edhe për një arsye tjetër: Bajraktarët e derës Melyshaj
ishin burra që kanë folur dhe e kanë shkruar historinë e tyre me pushkë. Ndërsa
autorja, një ndër pasardhëset e kësaj dere të madhe, është grua e do të flasë
me penën e saj. E për të qenë e besueshme, duhet të jetë plotësisht e paanshme,
e pandikuar nga emocionet e fjala t’i peshojë siç u kishte hije burrave të një
dere të madhe. Gati si të thërrasësh një grua në shkoqitjen e ngjarjeve
kanunore…
Për ta
bërë sa më mirë këtë, autorja merr rugën nga Amerika për të shkelur me këmbë
ato treva e troje që u kthyen në amfiteatër ngjarjesh e luftrash heroike që e
lartësuan emrin e derës së Melyshajve, por edhe ngjarjesh tragjike që hodhën
mjegulla e hije të errëta dhe i gremisën kullat e bajraktarëve. Në misionin e
saj jo të lehtë, Albana na kujton deri diku shtegëtimet e studiueses e
gazetares Edith Durham, në kohën kur shkruante librin “Njëzet vjet ngatërresa
ballkanike”. Kjo përqasje bëhet edhe më e madhe po të kujtojmë që Albana ka
qenë me mision në kohën e luftës në Kosovë e ka shkruar edhe një libër mbi
fëmijët kosovarë.
Por le të
kthehemi tek Saga e Melyshajve, që tani e kemi në dorë. Nuk do të ndalem në
subjektin e librit, sepse do të doja që lexuesi ta zbulonte vetë e ta shijonte
ashtu siç e kam shijuar edhe unë. Dua të jap disa mendime si lexues.
Më ka
bërë përshtypje që në fillim mënyra e thjeshtë që ka zgjedhur autorja për të na
sjellë në dritë të diellit një histori të komplikuar të një familjeje të madhe.
Autorja e tërheq lexuesin me vehte, e bën pjesë të atyre kërkimeve për të
zbuluar të vërtetën. Ajo nuk është një hetuese librash policeskë, por është
rrëfimtare, që di të takojë njerëzit e duhur, të cilët me ato çka tregojnë
plotësojnë pak nga pak atë mozaik që e bën të plotë e të ndritshme sagën e
Melyshajve.
Koha dhe
politika e kishin vënë opinionin shqiptar përballë një familjeje të ndarë në dy
pjesë: Njëra, e përbërë nga reaksionarë, tradhëtarë, armiq të popullit, të
internuar e të burgosur me gjithë familjet e tyre. Me përfaqësues kryesor
Nikollë Melyshin. Tjetra, e dalë po nga kjo familje tradhëtarësh, por që ka në
epiqendër një personazh misterioz që pas damkës së tradhëtarit dhe të
arratisurit në bandat reaksionare, merr papritur titullin Hero i Popullit,
shtatë vjet pas një vrasjeje të dyshimtë, që mbeti e tillë edhe 60 vjet më
vonë. E ky ishte Pal Melyshi, djali i Nikollës. Një familje, ku sipas
ideologjisë komuniste njëra palë duhej të ishte armike deri në vdekje ndaj
palës tjetër. E që, për ironi të fatit, ky konfrontim ideologjik mbetet edhe
sot, pas 23 vjet demokracie, por e kthyer në invers, tashmë me biografi të keqe
konsiderohet Heroi i Popullit. Surrealizma që ndodhin vetëm në një vend si
Shqipëria,ku ideologjizmat vazhdojnë të sundojnë mbi logjikën e faktet
historike.
Kur i
shkon në fund librit kupton se me sa mjeshtëri, thjeshtësi e mençuri autorja ka
arritur ta sqarojë përfundimisht që familja Melyshi ishte një, integrale, me
brumë thellësisht patriotik, me një ideal të vetëm: lirinë e vërtetë të
Shqipërisë. Edhe pse në dy binarë paralele, Nikollë Melyshi e Pal Melyshi, kanë
një ideal lirinë e Shqipërisë. Është ky ideal që përbën shtyllën kurrizore të
kësaj familjeje të madhe, që i ka ringritur kullat e bajraktarëve Melyshaj edhe
kur i kanë djegur turqit, kolaboracionistët apo komunistët .
Albana e ka
arritur këtë duke lënë personazhet e shumtë të flasin, pa rënë vetë ne kurthin
e komenteve e opinioneve të saj personale. Si një dirigjente e mirë ajo ka
ditur të lerë secilin të flasë me tingullin e zërin e vet deri në plotësimin
harmonik të asaj kolone zanore që përbën sagën e vërtetë të Melyshajve.
Mençuria
e derës së Melyshajve është trashëguar natyrshëm deri tek pasardhësja e saj,
autore e librit. Gjatë leximit më bëri përshtypje në dy paragrafe qetësia e
Nikollë Melyshit. E para, kur merr vesh se i biri është bërë komunist. Ai u
thotë të tjerëve ta lënë djalin në punën e vet, se ai e di çka bën. Dhe kur e
merr vesh se djali u vra, duke qenë si “i arratisur” në radhën e bandave
reaksionare, ai e kupton menjëherë që kjo ishte një lojë e ndyrë e komunistëve
me qëllime të largëta. Në rastin e dytë, kur Nikollë Melyshi arrin të marrë një
vizë për t’u kthyer nga Amerika që të vdesë në vendin e tij dhe shteti shqiptar
i thotë se është bërë një gabim e duhet të kthehet mbrapsht, ai përgjigjet:
“ani, ani, edhe gabime bahen”. Ai edhe nga larg e njeh egërsinë e pushtetit
komunist, e edhe pse ka ardhur me vizë si shtetas amerikan dhe gëzon mbrojtjen
e atij shteti, ikën pa fjalë, për të mos u bërë dëm atyre që tashmë i përkisnin
një familjeje heroi e që ishte gjithnjë i biri. Babain e heroit e përzënë edhe
njëherë nga toka e vet, e ky ishte pushkatimi që nuk mundën t’ia bënin kurrë me
armë. Por ai kishte jetuar në Amerikë e ishte mësuar me demokracinë e vërtetë
amerikane, ndaj dinte të sillej si xhentelmen edhe përpara një “pushkatimi” si
ky.
E, meqë
jemi tek mençuria e Melyshajve le të ndalemi edhe në paragrafin e fundit të
librit. Heroina që na ka marrë përdore në tërë ngjarjet e që është autorja,
punon në një studio avokatie në Nju Jork e ndihmon shumë nga ata që kërkojnë
azil politik. Sidomos shqiptarë. Një ditë aty paraqitet një djalë i ri nga
Shqipëria, që kërkon të fitojë azilin politik, duke përdorur si dokument të
rëndësishëm filmin “Operazioni Zjarri” që i kushtohet Pal Melyshit. Ai e kthen
në invers përmbajtjen e thotë që filmi i kushtohet gjyshit të tij Prengë Dodë
Gjin Keçi që ka vrarë komunistin Pal Melyshi. Gazetarja nuk flet asnjë fjalë,
shikon me dhimbje që nga kaseta është fshirë vërtet fakti që filmi i kushtohet
dajës së saj, Heroit të Popullit, Pal Melyshi. Përkundrazi, me qetësinë e
gjyshit të saj, ajo e merr kasetën për t’ja përkthyer avokatit dhe e ndihmon
nipin e vrasësit të dajës që të marrë azil politik.
Sepse,
edhe ajo jeton prej më shumë se 20 vjetësh në Amerikë, sepse ka fituar nga
mentaliteti i hapur e demokracia e amerikanëve, sepse e urren luftën e klasave
që e ka vuajtur dikur mbi kurrizin e saj, sepse është pasardhëse e Melyshajve.
E vetëm një pasardhëse me një mentalitet të tillë mundi ta shpërndajë mjegullën e të na dhurojë sagën e ndritshme të Melyshajve.