| E enjte, 13.06.2013, 07:47 PM |
Përkujtohet 6 -mujori i ndarjes nga e jeta e poetit dhe përkthyesit Perikli Jorgoni
Jorgoni përkthyesi brilant dhe poeti bohem
Nga
Albert ZHOLI
Dje me nismën e bashkëshortes së përkthyesit dhe poetit Perikli Jorgoniu zonjës Lida Jorgoni, u përkujtua 6-mujori i ndarjes së tij nga jeta. Në këtë takim përkujtimor ishin mbledhur, shkrimtarë, poetë, piktorë, familjarë, kritikë arti, miq dhe të afërm të përkthyesit dhe poetit të madh. Kur nuk pritej, para 6 -muajsh Jorgoni humbi aksidentalisht jetën në Durrës, në kulmin e krijimtarisë dhe të përkthimeve të tij. Në këtë takim përkujtimor merrnin pjesë shkrimtarët dhe poetët, Bardhosh Gaçe, Qazim Sheme, Vasil Premçi, Bahri Myftari, Kujtim Dashi, Klara Kodra, Islam Spoahiu, Ndini Bardhi, Liden Spasse, Vasil Bozo, Marin Mema, vajza e poetit të madh Lasgush Poradeci, Marie Gusho, mbesa e Çerçiz dhe Bajo Topullit, Lumturi Topulli, etj… Në fjalën e hapjes së këtij takimi përkujtimor bashkëshortja e Perikli Jorgonit, Lida Jorgoni, falënderoi të gjithë të pranishmit, për nderin që i bënë për të ardhur në këtë takim dhe për të kujtuar 6- mujorin e ndarjes nga jeta të Perikliut. Ju jeni të gjithë miqtë e tij më të afërmit dhe ju falënderoj që gjetët kohën dhe erdhët në këtë takim përkujtimor. Unë kam shumë kujtime të bukura me të dhe sa më shumë ecën koha, aq më shumë ai më mungon me këshillat e tij, me punën e tij, me idetë e tij, me vizionin e tij. Unë atë e kisha shok, vëlla, burrë, prind, çdo gjë. Sa kohe jetova me të unë mësova aq shumë sa nuk mund t’i mësoja as në dy universitete. Gjatë gjithë jetës së tij, unë kam ndjekur disa këshilla që i kishte si orientuese: Ki kujdes nga makinat- Ha bukë mirë se ndryshe s’punon dot-Vishu mirë të mos kesh ftohtë. Dhe një nga këshillat kryesore të tij, ai nuk e zbatoi vetë dhe konkretisht makina i mori jetën. Mbas saj e mori fjalën shkrimtari Vasil Premçi, i cili e vlerësoi figurën e tij si të një përkthyesi të veçantë dhe të një poeti specifik. Sipas Premçit figura si të Jorgonit janë të rralla në lëmin e përkthyesve të rinj shqiptarë, duke e cilësuar atë një figurë të tillë që koha po ja lartëson vlerat. Poeti Qazim Sheme përcolli tek të pranishmit poezinë e Jorgonit, si një poezi me një timbër të veçantë, si një poezi që i reziston kohës dhe që është shembull për poetët e rinj. Shkrimtari Kujtim Dashi, e vlerësoi Jorgonin në dy plane në atë njerëzor dhe atë si krijues, ku secili plan ka rëndësinë e tij, por që në të dy rastet ai mbetet një njeri me vlera të papërsëritshme. Ndërsa Liden Spasse, miku i tij i punës, e quajti Jorgonin, një bohem të kohëve moderne, që asnjëherë nuk e ndali mendjen dhe punën për t’i shërbyer letërsisë dhe shoqërisë shqiptare në tërësi. Në këtë takim mbresëlënës e morën fjalën studiuesja Klara Kodra, Islam Spoahiu, piktori Ndini Bardhi, Vasil Bozo, Marin Mema, që sollën tek të pranishmit pjesë jetësore nga njohja e afërt me të. Gjithkush prej të pranishmëve kishte diçka të veçantë, ku tregohej më së miri karakteri, personaliteti, aftësia krijuese, atdhedashuria, vizioni i tij për krijimtarinë. Në fund të takimit përkujtimor të gjithë të pranishmit, ranë dakord që të përgatisin dokumentacionin e duhur, për t’i propozuar Presidentit që Perikli Jorgoni, për veprën e tij në fushën e përkthimeve dhe të poezisë t’i jepet Titulli “Mjeshtër i Madh i Punës”.