| E marte, 11.06.2013, 05:09 PM |
Një
shkrimtar saudit: “Ngacmojini seksualisht gratë; ato s’duhet të dalin jashtë
shtëpisë”.
Abdullah Muhammad al-Daoud është një shkrimtar saudit. Nuk është i njohur në botë, por është i njohur në vendin e vet, e ndoshta në disa vende arabe. Por po bëhet më i njohur, dhe shkak është bërë një mesazh që ai ua ka dërguar 97 mijë ndjekësve të vet (followers) në twitter. Ndoshta nuk është motivuar nga qëllimi për t’u bërë i famshëm, por është bërë.
Ky shkrimtar nuk e duron dot idenë që një grua mund të dalë jashtë shtëpisë (shkrimtar i çuditshëm, apo jo?), dhe ka gjetur një metodë ‘eficiente’ për t’i shkurajuar ato sa herë që u shkon mendja të dalin jashtë shtëpisë, të kërkojnë një punë, apo të shkojnë në një veprimtari publike. “Hej meshkuj, ngacmojini seksualisht gratë në rrugë apo supermarkete; nxijuani jetën në mënyrë që të mos u shkojë mendja ta kapërcejnë pragun e shtëpisë” – ky është në thelb mesazhi i tij, siç njofton siti online gulfnews.com. Sugjeron që si model të ndiqet një farë al-Zubair, një luftëtar islamik i shekullit të VII, i cili për ta bërë gruan e vet të mos dilte nga shtëpia, i doli një natë i maskuar në rrugë dhe e bezdisi seksualisht. Qysh prej asaj nate, e shoqja nuk e kaloi më pragun e derës. “Shtëpia është vendi më i sigurtë; bota jashtë e korruptuar”, citohet ajo të ketë thënë, teksa ka marrë vendimin që të mbetet përjetësisht në shtëpi.