| E hene, 10.06.2013, 07:32 PM |
POLICËT E
MORALIT
Nga Imer Mushkolaj, Express
Të
pretendosh se po bën punën e një mbrojtësi të moralit, duke propaganduar
urrejtje e denigruar të tjerë që nuk mendojnë si ti, është e pamoralshme dhe
s’ka lidhje me fe. Është e rrezikshme.
Ka kohë
që imami i një xhamie në Prizren fyen e shan njerëz në ligjëratat e tij, por
vetëm së fundi shkaktoi reagime fort të ashpra dhe plotësisht të arsyeshme nga
shoqëria kosovare.
Ka kohë
që me diskursin e tij publik, të mbushur plot vrer e urrejtje për të gjithë ata
që nuk mendojnë e nuk sillen siç thotë ai, hoxha luan rolin e një gardiani, një
polici të “moralit shqiptar”. I ka vënë vetes detyrë që të gjithë, ama të
gjithë ata që nuk duan të jetojnë sipas normave islamike fundamentaliste, t’i
shajë e fyejë me fjalët më të ndyta, më të ulëta e më vulgare që mund të dalin
nga goja e një njeriu.
Para më
shumë se një viti, po në këtë gazetë, pata shkruar për gjuhën e këtij hoxhe, i
cili i quante “pise” të gjitha femrat që nuk vishen sipas rregullave islame dhe
“rrospi” të tjera që zgjedhin të jetojnë sipas vullnetit të tyre.
Pak muaj
më vonë u vura në shënjestër të mbështetësve dhe bashkëmendimtarëve të tij, të
cilët nuk kursyen sharje, fyerje e kërcënime vetëm pse në shkrimin “Dhunshëm
dhe rrezikshëm” isha shprehur se nuk ka patriotizëm më të madh se të luftohen
radikalët islamikë në Kosovë - ata që dhunshëm po përpiqen t’i mveshin vendit
identitet fetar.
Pas kaq
kohe, unë vazhdoj të qëndroj fort pas atyre që kam thënë atëherë, por jam shumë
më i shqetësuar pse askush nuk ka ndërmarrë asgjë ndaj atyre që ligjërimet - jo
vetëm përpara xhematit i kanë të mbushura plot jotolerancë, mllef e fyerje ndaj
feve të tjera, plot thirrje për dhunë ndaj të tjerëve që nuk janë si ata. Ndaj
atyre që predikojnë islamin si fe të paqes dhe tolerancës, por që shfaqen
jotolerantë e racistë. Ndaj atyre që dinë të jenë të rrezikshëm dhe të
dhunshëm.
Hoxha i
Prizrenit dhe të tjerë që mendojnë si ai, e që janë edhe pjesë e organizatave
politike dhe institucioneve të vendit, po e shfrytëzojnë rastin që në një
shoqëri e shtet të rraskapitur varfërie e mjerimi të animojnë sa më shumë
ithtarë që i ndjekin pas në agjendat e veta, në rrugën drejt kthimit të
shoqërisë dhe shtetit në “identitet”, siç e mendojnë ata Kosovën - të
talibanizuar e të sheriatizuar.
Nuk ka
faj hoxha, por institucioni që e ka zgjedhur t’i shërbejë xhematit, e jo ta
helmojë shoqërinë.
Nuk ka
faj aq hoxha dhe radikalët e tij, sa kanë faj institucionet shtetërore e
udhëheqës të tyre të cilët, me mënyrën e qeverisjes dhe qasjes ndaj problemeve,
e kanë futur vendin në një krizë të thellë, të të gjitha aspektet. E kanë
kthyer vendin në një pre të lehtë për të gjithë ata që duan t’i përmbushin
planet e tyre të arabizimit të vendit. Për këtë shkak, pastaj, reagimet ndaj
hoxhallarëve radikalë dhe diskursit të tyre publik duken si furtunë në një gotë
uji.
* * *
Hoxha i
Prizrenit është njëri ndër ata që nuk pajtohen me faktin se shqiptarët e kanë
mënyrën e vet të praktikimit të islamit.
Përveç
ndaj femrave, ligjëratat e hoxhës janë plot vrer e mllef edhe ndaj meshkujve.
Ndaj të gjithë atyre të rinjve që shpojnë veshët, bëjnë tatuazhe, kujdesen për
trupin e vet, e të cilët hoxha i quan “kafshë”, “hajvanë”, “magarë”,
“Millorad”. Ndaj rinisë së “çoroditur” që humb kohë në “telefona të mençur”.
Por,
ligjëratat e hoxhës duken pakgjë, kur krahasohen me veprime të dhunshme të
radikalëve islamikë, që pretendojnë të na tregojnë se cili është islami i
vërtetë.
Ata kanë
rrahur hoxhallarë që nuk e pranojnë mënyrën e tyre të praktikimit të fesë,
ndërkaq në ligjëratat e veta bëjnë thirrje për luftë ndaj “të pafeve”.
Vazhdojnë t’i luftojnë të gjithë ata që mendojnë ndryshe dhe që nuk e pranojnë
“kodin” e tyre të të jetuarit. Nuk japin mesazhe paqeje e tolerance, por bëjnë
propagandë denigruese. Duan që Kosovën ta largojnë nga praktikimi i islamit
tradicional dhe të sjellin një frymë dhe mënyrë jetese që s’është parë
ndonjëherë këndejpari.
Ata kanë
sulmuar njerëz në aktivitete publike, kanë sulmuar imamë që kanë këmbëngulur të
ruhen dhe kultivohen vlerat fetare, të cilat janë trashëguar nga të parët. Dhe,
gjithçka e kanë bërë me mbështetjen e heshtur të Bashkësisë Islame të Kosovës.
Rastet e
dhunës, bashkë me diskursin radikal (që në gojën e ndonjë hoxhe mund të duket
cinik e qesharak për ata që e dëgjojnë, por është shumë tragjik), duhet të jenë
alarm për të gjithë - për shoqërinë e institucionet, se sa të rrezikshëm mund
të jenë ata që nuk zgjedhin mjete e as mënyra për t’i arritur qëllimet e tyre.
Të
pretendosh se po bën punën e një gardiani të moralit, duke propaganduar
urrejtjen ndaj të tjerëve që nuk mendojnë si ti, është e pamoralshme dhe s’ka
lidhje me fe. Është e rrezikshme.