| E diele, 09.06.2013, 05:40 PM |
POEZITË E
KALOSH ÇELIKUT NË VENDIN E HOMERIT
(Kalosh Çeliku: Plaga e dhjetë me Hënën, poezi – përzgjedhje, 2013) të rikënduara në gjuhën greke nga Iliaz Bobaj).
NGA ILIAZ BOBAJ
Shkrimtari
i mirënjohur shqiptar, Kalosh Çeliku, ka një cilësi të veçantë. Ai ngjan vetëm
me vetveten. Në gjithshka: në pamje, në krijimtari, në urtësi, në sjellje.
Ai mban
me vete tri armë: gratë, verën dhe poezinë. Këto tri armë i ka mbajtur përherë,
pa pyetur për asnjë ligj. Dhe, do t’i mbajë përherë, pa marrë leje nga askush.
Ky
shkrimtar i çuditshëm, ka ligjet e tij dhe nuk do t’ia dijë për ligjet e të
tjerëve. Qëkurse ka vendosur selinë e vet në Bit-Pazar të Shkupit, tek Rrapi,
pranë përmendores së Skënderbeut mbi kalë, ai ka ngritur aty edhe një shtatore.
Edhe shtatorja e ngritur prej tij, është krejt e veçantë. Si mjeshtri që e ka
ngritur. E ka titulluar: Shtatorja e Letërsisë. E ka kalëruar këtë shtatore dhe
nuk do t’ia dijë për gjë tjetër.
Kalimtarët
e shumtë, të cilët i shpie rruga andej, rrinë dhe e kundrojnë me kërshëri të
ndezur. E adhurojnë atë shtatore të ëndërrt, e cila rrezaton në çdo anë
dritëzime hënore. E së bashku me të, adhurojnë edhe kalorësin e saj mjekërgjatë
e mendjendritur, që buzëqesh si një profet.
Dhe,
bëjnë tutje me një buzëqeshje të ëmbël në fytyrë. Tek-tuk, ndonjë mjeran, që e
shpie rruga andej, e kritikon se i varen këmbët në kalërimin e tij mbi
shtatoren e ëndërrt.
Dhe, bën
tutje, duke mbledhur buzët. Ndërsa, Kaloshi vazhdon të krijojë. Aty mbi
shtatoren e vet. Poezi, satira, tregime, poema, novela, romane, drama…
Një
pasuri e tërë, e cila shtohet dita-ditës. Si një gurrë, prej së cilës buron ujë
i pastër dhe nis rrugimin e tij me këngëzim në buzë. Për vete mban kënaqësinë
dhe shpresën. Të tjerat ua dhuron njerëzve. Dashamirëve të tij të shumtë. Jo
vetëm aty, pranë shtatores së tij. Por edhe atyre që janë larg dhe i presin me
kënaqësi të veçantë krijimet e tij letrare.
Është
shumë i njohur edhe jashtë kufijve të vendit të tij shkrimtari Kalosh Çeliku.
Lexuesit e veprës së tij letrare, ndjejnë gjithë kënaqësinë estetike, që të jep
vepra e tij e gjerë dhe shumëplanëshe.
Në këtë
vepër të mirënjohur, poezia e tij zë një vend të nderuar. Të pazëvendësueshëm.
Të veçantë. I thellë në mendim, i freskët në paraqitje, i këndshëm në lexim, ai
e gatuan poezinë sipas mënyrës së vet. Ka një stil, të cilin, pa asnjë
mëdyshje, mund ta quajmë: stili Kaloshian. E ka krijuar dhe e përsos vetë.
Ndërsa brenda këtij stili, poezia e tij vlon nga forca artistike, gjallëria,
hijeshia, freskia, ndjeshmëria, ironia, sarkazma, dhimbja, profecia, dashuria,
urrejtja, stresi…
Secila e
vendosur me mjeshtëri në vendin e vet. Por përherë e fuqishme, hapësirore,
zotëruese. E shtrydhur deri në pikën e fundit të parfumit poetik dhe e kursyer
si pakkush në fjalë. Kalosh Çeliku, është poeti, i cili nuk e njeh inflacionin
e fjalës.
Këtë herë
poezitë e tij i nis për në vendin e Homerit. Për t’i lexuar fqinjët tanë të
jugut në gjuhën e tyre të lashtë.
Jam i
sigurt se ai do të pritet prej tyre ashtu siç i takon.
Kopertina
e librit me poezi: Plaga e dhjetë me Hënën, që e pa dritën në Greqi.