| E shtune, 08.06.2013, 09:31 PM |
OPINIONISTËT
E TIRANËS, BINJAKËZUAR ME POLITIKËN DHE
Nga ELIDA BUÇPAPAJ
Shtypi
dhe mediat e shumta të Tiranës vendosin në fokus të tyre dizinformacionin. Kjo
sindromë, ky morbus duhet të shërohet me çdo kusht. Ti e kupton se noton total
në dizinformacion, kur kërkon që ta krahasosh të njëjtin lajm në gazeta apo
televizione të ndryshme. Dhe përfundimi është se do të mbetesh me gojë hapur,
pasi do të konstatosh se nga lajmi, që ka kaluar në guzhinat e redaksive, ku
kryeshefi është pronari apo oligarku i tranzicionit, nuk ka mbetur më asnjë
shenjë.
Abuzimi
me lajmin në Tiranë është i frikshëm, në kuptimin se si keqpërdoret ai. Është e
kuptueshme që çdo gazetë apo televizion të ketë politikën e vet redaksionale,
të zgjedhë prej lajmit, të nënvizojë dhe ta kthejë në kryetitull atë që i shkon
për shtat, por pa guxuar t’i ndryshojë as edhe një presje.
Kulmi i
rrezikut është se politikat redaksionale të gazetave apo televizioneve nuk
përputhen dhe nuk kanë asnjë pikë të përbashkët me interesat kombëtare të
vendit. Si ndodh rëndom në një demokraci Perëndimore, ku duke anuar majtas apo
djathtas, kritikat janë në shërbim të zgjidhjeve më të mira për vendin dhe në
të mirë të opinionit publik. Në Tiranë shtypi dhe mediat kanë politika
imponuese, pra diktojnë atë që duan ata, kë duan ata, si duan ata për interesa
të tyre dhe assesi të vendit. Diçka që rrezikon integritetin e vendit.
Abuzimi
me lajmin në Shqipëri është profesional që nga era e diktaturës dhe kryhet
mjerisht nga ata që duhet të jenë zëdhënësit, besnikët dhe përcjellësit e tij,
por që kanë dalë totalisht nga roli. Sepse opinionistët e Tiranës janë
binjakëzuar dhe trinjakëzuar me politikën dhe oligarkët, pra ia kanë shitur
shpirtin djallit.
Lajmin në
Shqipëri e veshin, e zhveshin, i bëjnë make up, e përçudnonjë, e zbukurojnë, e
lajlulosin, e lenë pa frymë, pa organe, pa asgjë, e kalojnë në gijotinë dhe
pastaj e krijojnë sipas gustove dhe shijeve të tyre. Dhe kur vjen puna tek
gustot, atëhere ata krekosen e dalin me maksimën latine që thotë « De gustibus
non est disputandum », se gustot dhe shijet nuk vihen në diskutim. Dhe kur ke
parasysh shijet e pronarëve dhe botuesve të Tiranës, asnjëri prej tyre nuk
është as vegjetarian apo vegan, të gjithë janë carnivorë, mishëngrënës. Kështu
bëjnë edhe me lajmin, ia rrjepin mishin, deri palcën.
Ju duket
makabre, kjo që po ju them. Mos do të më thoni: uff, çfarë sensi antinjerëzor
keni kur përshkruani këtë fenomen; zonjë kujdes se keni shkelur etikën
profesionale me këtë gjuhë të helmatisur! Por kështu është e vërteta, e hidhur,
e helmatisur, pelin, të cilën gazetarët e Tiranës, shërbëtorët e aq shumë
zotërinjve e kthejnë me kokë përmbys.
Lajmin
nuk mund ta transformojë askush, qoftë ky kush të dojë, qoftë ky të ketë lidhje
me kë të dojë, qoftë me kryeministrin apo me liderin e opozitës, apo qoftë i
punësuar nga pronarë me lidhje me qeverinë apo me grupet e interesit pranë
opozitës, lajmi është kokëfortë, është ky që është dhe si i tillë duhet
respektuar.
Në Tiranë
lajmi masakrohet. Sikur të mos mjaftonte censura. Të gjithë opinionistët që
dalin nëpër ekranët e televizioneve të Tiranës me flokë të sapolyera dhe
krehura nga parukieret më në modë të metropolit ballkanas, me kostume shik
firmato dhe me këpucë me çmim sa pensionet e dhjetë shqiptarëve, unë i
përfytyroj gjithnjë me zinxhirë me dryna, sepse burgosin lajmin. Pastaj kur
duan të hiqen elokuentë, për të evidentuar gradat e tyre shkencore, atëhere
janë zero me xhufkë, sepse gënjejnë, pasi flasin dhe llapin sikur të kenë adn të
përbashkët me të pronarëve. Ndërsa me publikun nuk kanë asnjë lidhje dhe
publiku i njeh ata si zëdhënës të politikës dhe oligarkisë tranzicioniste,
sepse me urdhërin e tyre lajmi përçundohet, transformohet sipas interesave të
partive, partiakëve, oligarkëve, pra lajmi zhvishet nga të qëni lajm dhe
kthehet në agjitpropagandë, diçka e ngjashme me kohën e diktaturës.
Këta
faqezinj shkelin të drejtën e opinionit për informim sepse lajmi është e drejtë
dhe pronë e opinionit publik. Jo vetëm në rang kombëtar dhe rang vendi, por në
rang global. Ne e shohim në çdo sekondë se ndodh diçka, kudo që të ndodhë,
opinioni informohet menjëherë, ne e marrim lajmin menjëherë dhe gazetarët
pastaj bëjnë updated, përditësimin, për ta saktësuar, për t’i shkuar tek e
vërteta që është vetë lajmi.
Në Tiranë
ndodh e kundërta, në Tiranë gazetarët marrin rroga marramendëse, pushtojnë
hapësirat që duhet të jenë pronë legjitime e opinionit publik, për ta
çorientuar opinionin publik, për ta larguar nga e vërteta, nga lajmi, për t’ia
bërë mendjen dhallë, çorap si thotë populli. Me këtë strategji gazetarët
orintohen nga politika, nga botuesit dhe pronarët, të cilët midis tyre kanë
lidhje të forta interesi ekzistencial, sepse mbijetojnë falë abuzimit, falë
shkeljeve të ligjit të konkurencës, tregut të lirë, i cili vendos kufij dhe nuk
lejon të abuzosh as me të drejtat dhe as me pushtetet. Këto të drejta
sanksionohen në kushtetutën e një vendi demokratik, ku shteti i së drejtës
përjashton çdo lloj abuzimi dhe ku fjala e lirë, e vërteta dhe lajmi janë
sovrane. Nëse shkelet sovraniteti i lajmit dhe i të vërtetës, si veprohet në
Shqipëri, është shkelur edhe sovraniteti i shtetit, qytetarit dhe opinionit
publik.