Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Hazir Mehmeti: Me papirusin e lashtë

| E enjte, 06.06.2013, 08:52 PM |


Me papirusin e lashtë 

tregim

Nga Hazir MEHMETI

Një kureshtje e heshtur që nga fëmijëria zgjohet sot në historinë e pa lexuar të këtij qyteti, dikur kryeqendër e perandorisë . Kudo që Lartmadhëria  kishte shkelur në vendet të cilat i quante të tija, kishte udhëzuar  të mblidheshin gjurmët e lashta  fosile, gurë, reliefë, mozaik, mumie, statuja të vogla e të mëdha.  Dhe, si të ishte ndryshe kur të gjitha ekspeditat e Globit e kishin emërues të njëjtë, kërkimin e thesarit.  Do thoshe,  se gjërat e rëndomta që ne i hedhim, dëmtojmë dhe sillemi ndaj tyre me përbuzje, në një kohë do jenë thesar me vlerë. “Nuk jam i pasur që të blej gjëra të vjetra” ,sot më bëhet kuptimplote.  Kur e kisha lexuar dikur në Enciklopedi Fjalësh Angleze, nuk mund ta kuptoja në përditshmërinë time të jetës së rrethuar nga skamja ku  nuk të bënte përshtypje diçka e vjetër. Të vjetër e kishim zgjedhën e robërisë rreth qafe me vrazhdësitë e përditshme të saj.

Para meje ishte ndërtesa katërkatëshe, dikur  Pallat Mbretëror e ndërtuar nga gurët e mermertë  të sjell nga vende të largëta i cili  mban brenda histori të shumë popujve. Porta e hekurt me gjysmën e saj të hapur  ndante korridorin e parë të pallatit para hyrjes  në sallën e shtruar me mozaik të lashtë. Në xhamat reflektohej nga jashtë pamja e kalorësit  me shtizën gati të godiste çdo njeri që guxonte të përdhoste kohën e tij. Të paktën kështu më dukej mua në matjen e kohës që ndante mjete e ngjarje. Nga të dy krahët, majtas e djathtas, luajt e gurtë me pamjen e egërsirës së frikshme qëndronin të gatshëm të shpërthenin drejtë vizitorëve që ecnin shkujdesur poshtë-lartë shkallëve të muzeut.  Për mua që vija nga provinca e cila i kishte takuar një perandorie tjetër, gjithçka ishte interesante  dhe tërheqëse. Nuk ishte e rrallë kur vija pranë luanëve,  u sillesha disa herë rreth e rrotull dhe mezi largohesha prej andej. Kali i gurtë i cili rrinte në dy këmbët e mbrëma në pozitën e gatishmërisë për të kërcyer mbi armikun e të zotit që mbante në shpinë, ishte një art kohe në vete.  Kjo më kujtonte kohen kur kënaqesha mbi shpinën e Këmbëbardhit në  kalërimin  Livadhit të Gatë derisa djersitej i tëri. Apo, vrapimi me te kur e solla lajmin e arritjes së krushqve.  E ngisja duke ia tërhequr frenin, ia - ia -ia  dhe shallin e bardhë  e valëvitja herë pas herë në ajër si  shenjën ogurbardhë, se nusja matanë kodre po vinte e sigurt në shtëpinë e ardhmërisë.

Ngjitëm ngadalë shkallëve  të Bibliotekës Nacionale e cila e ndanë ndërtesën e mrekullueshme me Muzeun e Arteve të Popujve. Jo larg djathtas në hyrje gjenden armët e kryetrimit shqiptarë, kurse hapësira mbi te ruante me xhelozi veglat muzikore, aty  piano e vjetër me të cilën  u luajt opera Skenderbeg e Vivaldit.  Derisa mendja shëtitej labirinteve trunorë , ciceronia e hapi fletën ku ishin emrat tonë të cilët e kishim lajmëruar vizitën direkt përmes internetit. Disa turistë të sapo ardhur me pamjen e tyre të verdhë, ashtu siç nuk mund të vëreja pamjet veçuese  mes tyre, nuk mund t’i dalloje nga cili shtet i asaj pjese të kontinentit vinin.

“Mirë se erdhët të na vizitoni. Unë quhem Eva Neubauer, flas pesë gjuhë. Në programin tonë të lajmëruar është gjuha vendore, por ndonjëherë mund të përkthejmë. Këtu jemi në Sallën e Pritjes e cila lidhet nga të katër anët me hapësirat tjera. Tani do ngjitemi në katin tjetër të bibliotekës.”

Krahu i portës së pallatit të dikurshëm mbretërore qëndronte i hapur. Në pamjen e parë  u shpalos statuja e mbretit me fytyrën drejt nesh duke na dëshiruar mirëseardhje. Shikimi i tij prej guri të ftonte për disiplinë kohe në ndjesinë e saj.

“Këtu jemi në sallën më të bukur në historinë e bibliotekave botërore dhe njëra nga më e vjetra në botë. Themeluesi i saj, mbreti, duket këtu në mesin e sallës. Arkitektët e kohës porosinë tij e kanë jetësuar në statujë e cila qëndron në mesin  simetrike, me pamje përshëndetëse  për popullin e tij që në hyrje. Më të respektuarit i kishte lexuesit pasi edhe vet kishte qenë lexues i pasionuar.”  Emri mbret në krahasimin kohor më kujtoj njërin nga  mbretërit  tanë kur ushtarët e kishin gjetur në vaskë të mbushur me verë, i rrethuar me gra haremi.” Le të presin, lufta pret kurse dehja e lezeti nuk presin”- u kishte thënë.

 

Librat e mëdhenj në raftet e poshtme mbanin sipër ato gjithnjë e më të vogla deri tepër të vogla sa maja e gishtit, shkronjat e flakëruara  nga anë shpina nuk dukeshin. Etiketat e bardha, të shpeshta të vendosura në hapësirën e librave që mungonin, tregonin leximin e tyre derisa ne ndienim kënaqësinë e një ambienti të rrallë e  madhështorë.

Lartësia e kupolës qendrore nën të cilën gjendej koka e statujës  gati e pa mundësonte shikimin e detajeve të pikturave afreske me ngjyrën dominuese të gjithësisë. Mbreti i rrethuar nga engjëj mëshirues e shijonte parajsën qiellore krahas kësaj në tokë, ku ne ishim vetëm vizitor. Treqind vjet flasin veprat, porosia e tyre e gjallë në kureshtjen e njerëzve nga e gjithë globi në hapat e dinjitetit të një kohe. Stili barok  tregonte majat e këtij arti ndërtues të kohës. Unë Fillova të besoj se nuk jemi në ambiente të një biblioteke ku lexohet. Dhe.

“Plisin e shtrëngova në gjoksin tim ...

Vizitori trupshkurtër me sy gati të mbyllur shfletonte shënime në një gjuhë shenjash që për mua ishte një pakuptim qesharak. Sikur krahasonte e mate diç në kohën e vendit të tij. Ora e tij kishte ngelur prapa në anën e kundërt të globit ku njerëzit tani flinin dhe nuk shqetësonin hapësirat e së kaluarës ashtu siç bënim ne.

Hijet e vizitorëve nga grupi i sapo ardhur u zgjatën  para nesh, kjo kërkonte shfrytëzim e  kujdes më racional të hapave tonë në shërbim të kureshtjes. Rrezet e diellit që vinin nga dritare e kupolës  njëzete e nëntë metra e dy decimetra thyheshin me dritat zbukuruese rreth rafteve të cilat krijonin diagrame dhe kënde të panumërta mbi kokën e të zotit. Shtyllat e larta mermeri të lidhura me traun  gotik i flakëruar në ar e argjend qe para tre shekujsh, e vërtetonin se Salla e Herkulesit, është një synonim mençurie e force në lashtësi. Ato e plotësonin hapësirën e rrethuar gjithandej me letër të lashtë shekullore ku ishte derdhur gjithë ai mund njerëzor anë e kënd botës.

Ishte hera e parë që isha në Sallën e Herkulesit edhe pse poshtë saj i kisha kaluar po thuaj të gjitha sallat e leximit. Bile edhe depot  e librave të vjetra ku hyrja ishte e rezervuar. Aty i preka librat e dhuruara nga babai i albanologjisë, Norbert Jockli, hebre,  i cili jetonte akoma në tremijë ekzemplarët e dhuruar shqiptarëve pak para deportimit  të tij në pa kthim.

Ecja e grupit tonë shkallëve të mermerta teposhtë e çrregulloi renditjen rreth cicerones së bukur e cila fliste rrjedhshëm, pa u ndal dhe me shije. Dukej se i kishte mësuar përmendësh fjalët dhe kohën e tyre si një paralajmërues stacionesh i Trenit Urith që  lëviz nën këmbët tona disa metra poshtë Pallatit.  Nuk kisha besuar që aq shumë kamera e përcjellin lëvizjen dhe sjelljen tonë.

“Tani jemi në katin e parë nën dhe. Këtu  do njiheni me papirusin më të vjetër në botë”- u dëgjua zëri i cicerones së re e specializuar për kohën e lashtë kur lavdia e letrës filloi rrugën. Përshëndetja e zyrtares që na priste, gati sa nuk u dëgjua nga ngutja e jonë për në hapësirën e lashtësisë  mijëravjeçare.  Nili i kaltër në hartë sikur filloi të rridhte duke lagur rrënjët e papirusit të sjell nga Kontinenti i Piramidave. Një bimë me kërcell karakteristik të përdredhur dhe me gjethe shpate të gjelbra qëndronin brenda xhamit të blinduar duke ndarë e matë kohë të papërsëritshme.

“Ky është papirusi më i vjetër në botë. Një rrugë mijëra vjeçare është gjithmonë e përcjellë me shumë mistere, ashtu edhe rruga e papirusit. Këtej janë shkrimet nga më të vjetra në botë.” Në të dy anën vazhdonin shkrimet e vjetra të përcjella me hieroglifët e lashta. Homeri me shkrimet e tij ngjallte  hipoteza që kisha lexuar lidhur me gjuhën e tij të vjetër  pellazge e cila mund të përkthej vetëm në gjuhën shqipe. Shkrepa aparatin dhe bëra disa fotografi pa vetëtimë, sipas rregullave. Do i përcjell në atdhe, mendova. E ndjeva si diçka të brendshme për të ndarë me atë që je i afërt dhe të ndien.

I  freskuar me njohuri të cilat kurrë nuk i kisha përjetuar, u nisa Sheshit Mbretëror ku mezi depërtoje nga turistët. Pamja e tyre tregonte spektrin e ylbertë të njerëzve nga të gjitha kontinentet.

Aty pranë këndit të sheshit nënë kupolën e hapët të Pallatit të Mretëreshës Sissi, si gjithnjë i veshur me pamje mocartiane rrinte studenti shqiptari me buletat në duar duke ua ofruar turistëve.  “Eugen Onegin nga Peter Tschaikowski, në Operën Shtetërore të Vjenës”, arrita ta lexoj në kalim e sipër. Kapela karakteristike dhe jaka e trashë e këmishës së veshjeve aristokrate e para disa shekujve i jepte djaloshit muskulor një pamje dyshuese në vërtetësinë e kohës së imituar.

Një ngulfatje vinte në mua bashkë me rikujtimin e fatit të dheut tim. Nisem.    Karroca e fryrë me akullore e struganit “Galeria Italiana” në qendrën e qytetit nuk do të mjaftonte sot për freskimin tim. Dhe.

Plisin e qortova në gjoksin tim duke  ndie nevojën e shpejtimit të hapave.

Dielli i fundprillit përkëdhelte ëmbël pullazet shekullore të qytetit. Thyerjet e tyre drejt nesh ishin të ftohta. Hapat krijoheshin vetë, kur mendja kishte çerdhen diku larg.

Vjenë, prill 2013