| E merkure, 05.06.2013, 09:05 PM |
Të shuajm
mallin për Ndoc Gjetjën me poezitë e tij
- 3 vjetë pa Ndocin -
Nga Armela Hysi
Nga të
gjitha shprehjet, epitetet, titujt a nderimet që i janë bërë gjatë tërë jetës
së tij poetit të madh shqiptar Ndoc Gjetja, për mua më i dashuri dhe që më
pëlqen ta përdor më shpesh, për z. Gjetja është Krishti i Poezisë Shqiptare.
Nuk e di, veç se me hamëndësi, si filloi të përdoret ky paralelizëm. As se si
mund ta përdor gjithsecili, disi për pamjen, për karakterin e përulur me gjithë
barrën e mençurisë dhe talentit që mbarte aq natyrshëm, për vetë njehsimin
biblik që bënte me jetën e tij, vetë Ndoci, për poezinë e tij aq shpirtërore,
për vargun e poetit njerëzit i doja si krisht, e të tjera të ngjashme; por kush e
ka njohur poetin dhe njeriun tejet të
madh nuk mund të mos e kuptoje se është kaq i përshtatshëm, kaq i drejt
ky epitet hyjnor. Ndoc Gjetja është një nga njerzit më fisnik që kam patur
nderin dhe fatin të njoh në jetën time dhe këtë fisnikëri e jepte kaq me bujari
tek të gjithë, sa që të bënte përshtypje kjo madhështi thjeshtësie – po huazoj një nga shprehjet më të bukura që
ka përdorur miku i tij i ngusht dhe i dashur, letrari dhe intelektuali i njohur
z. Kujtim Dashi në librin e tij Thellësia e Madhështisë, Poetit dhe Njeriut
NDOC GJETJA (Tiranë 2004). Por atë që të bënte vërtetë më shumë përshtypje se
të takosh një njeri kaq të paqtë, fisnikë e të thjeshtë, në një kohë kaq të
çartur, është se ai këtë e kishte natyrën e tij të vetë-pavetëdijëshme. Ishte i
tillë dhe vazhdonte të ishte i tillë, pa sforco dhe padashur të ndryshojë. I
ngjante Sokratit grek të Epokës së Artë në të gjithë atë mençuri që mbarte dhe
jepte kudo, nga ana njerëzore, nga ana poetike, filozofike e shpirtërore; por
dhe naivitetit në lidhje me interesat personale, sepse mendonte se njeriu duhet
t’ja kushtoi jetën të mirës së përgjithëshme dhe vepronte pa hezitim, por ajo
që e lidhte kaq shumë me figurën hyjnore të Krishtit, qe dashuria e sinqert e
njeriut Ndoc, për njerëzit e tjerë, për bashkëqytetarët, për shpirtrat.
Për
Ndocin poet, padyshim që është shkruar mjaft, s’kishte se si të ndodhte e
kundërta, megjithëse jam sigurisht e mendimit se jo mjaftueshëm, por duke mos
dashur të zgjatem në këtë shënim që është vetëm për të përkujtuar poezitë që na
shoqërojnë këto tre vjetë që vetë Ndoci gjendet në Olimpin qiellor të poezisë -
ndoshta bashkë me Podrimjën e madh, po shtoj se vetëm tek gjenijtë e çdo zhanri
vihet re një njehsim kaq i madh i asaj çka bëjnë, me atë çka janë. E gjithë kjo
fisnikëri dhe dashuri hyjnore dhe e qetë dhe e sinqertë, përcillet kaq
vërtetësisht në poezinë e Gjetjës, me shije të papërsëritshme artistike, jo
vetëm si mjeshtër i vargut dhe gjetjes, apo bërjes së fjalës, por edhe me një
ritëm poetik të mirfilltë që e transmeton tek lexuesit thjesht magjishëm dhe
është sikur sheh vetë poetin, prandaj dhe Visar Zhiti poeti i njohur dhe i
vlerësuar, shpreh aq bukur, atë që e mendojmë kështu të gjithë “Unë te poezia e
Ndocit e te njeriu Ndoc Gjetja nuk gjej asnjë ndryshim, përkundrazi. Te Ndoci
shoh poezinë, te poezia shoh Ndocin”. Aty ku e shohim ne të gjithë, e do e shohin
brezat.
Qershor
2013
AUTOPORTRET
Vendbanimi:
Në Lezhë
me trup dhe mendjen emigrante në yje.
Profesioni:
Thurës
ëndrrash dhe mbrojtës besnik i tyre
Gjendja sociale:
Mbetje
teknologjike e administratës shtetërore
se nuk
diti t’u japë përkuljet e duhura eprorëve.
Gjatësia:
E
mjaftueshme për të arritur një ditë mollën e ndaluar
Pesha:
Sa vetja,
sa ëndrra, sa fjala e thënë dhe e shkruar.
Shenja të veçanta:
Një
pentagram rrudhash me nota trishtimi në ballë
dhe një
mjekër e thinjur nga moslejimi kaq vite i saj.
Sytë:
Kafe me
nuanca të turbullta pasionesh të djegura.
Ngjyra:
E errët
për fshehjen e skuqjes nga faje të lehta.
Titujt:
I
dekoruar Njeri qysh në ditën e lindjes nga Nëna.
Bindjet:
Njeriun
në jetë e bën të lumtur vetëm Njeriu.
Antipatitë:
Burrat me
grada, gratë me shumë tule dhe miu
Simpatitë:
Jezusi
nga Nazareti, Don Kishoti i Mançes dhe Buda.
Frikërat:
Shëndoshja
e trurit, uji, zjarri dhe turma.
Besimi:
Në kryqin
e tij që e mban përditë në shpinë.
Pasuria:
Drita e
mendjes me të cilën fitoi varfërinë.
YLLI IM NUK NDIZET MË
O vajzë
që të njoha në jetë kaq vonë!
Ti gjithë
qenien time e bëre lëmsh,
ti më
ktheve shumë prapa në kohë
ti më
zbrite një tridhjetëvjetsh.
Në vitin
kur ti ke ardhur në jetë
në botën
time sapo hynte femra,
e sheh
ç’hon kohe kemi ndërmjet
vogëlushja
ime e madhe sa ëndrra?
Më kot
shpenzova pas një Dulqinje
gjithë
jetën time si Don Kishoti,
dhe tash
më shfaqesh krejt papritur
si një
tallje nga vetë Zoti.
Sa herë
ta ndiej frymëmarrjen afër,
humbas në
qiellin magjik të syve
dhe befas
përmendem e bie ashpër
te
rëndomësitë e jetës sime.
Ti vjen
dhe ikën dhe mbetesh ëndërr
se ylli
im nuk ndizet më
me muzgun
e moshës jam mbështjellë
dhe
ndihem i lodhur e dua... të flë.
PLEQËRISHTE
Më në
fund u plakëm grua,
siç e
sheh dhe vetë
me thinja
të bardha e rrudha
na mbushi
kohë e sertë.
Dhe
shëtitjet i rralluam
nëpër
dhomë vijmë përqark,
dhe në
vend të tyre shtuam
kollën
dhe kafenë me pak.
Sa më ka
marrë malli, grua
të
zemërohem qoftë dhe kot,
si dikur
atje tek udha
kur të
shihja me një shok.
Ne kemi
vite që pasqyrën
e
përdorim shumë rrallë
se kemi
sytë e njëri-tjetrit
fytyrat
tona për t’i parë.
KUR FILLOVA NGA PAK TË VDISJA
Kur
fillova nga pak të vdisja
mbaj mend,
ka qenë e enjte
vetëm ty
pranë të kisha
rrije në
këmbë dhe heshtje.
Në sytë e
tu binte borë,
në fytyrë
të fryu Veriu,
unë te
brinjët vura dorën
ndjeva
zemrën që mërdhiu.
Mbaj mend
si e hape derën
si e
tërhoqe pas dhe ike,
në palcë
të ëndrrës ndjeva therrje
që më
vonë m’u bë kronike.
Që ta
marr pakëz veten,
vazhdimisht
më sjellin njerëzit
reçel të
ëmbël buzëqeshjesh
dhe ca
pako me ngushëllime.
Përherë i
lë në tryezë pa hapur
kompostot
me lëng entusiazmi,
e nuk i
prek me dorë fare
pjatat
plot me optimizëm.
Ah, e
humba krejt oreksin
nga ky
virus shpirtëror i dhembjes,
me zor
flas e me zor qeshi
më kot
rri në tryezë të jetës.
PUTHJA
Sa gjëra
të shëmtuara si grindja dhe sharja
Ndodhin
në mesin e rrugëssë madhe
Po ajo më
njerëzorja
Më e
madhërishmja, më hyjnorja
Puthja
Ka mbetur
ilegale.
FUNDI I PRITJES
Të shtunë
piva shtatë kokrra valium
që të
zgjohem vetëm të hënë,
se desha
të dielën pa ty ta humb
për ta
kaluar sikur s’ka qenë.
Po, ja, e
hëna e shumëpritur erdhi
e vonoi
të ikë gati një shekull.
Si të
shpëtoj tani i shkreti
nga kjo
torturë që quhet Nesër?
Dhe
gjithë e marta u shtri mbi mua
si
oktapod me këmbë të ngrira
ah, pres
të më vijë e mërkura
të më
clirohet pakëz fryma.
E mërkura
më erdhi e iku
më gjeti
e më la pa ty,
e enjtja
zvarritej porsi kërmilli
e premtja
më solli vetëm shi.
Edhe e
shtuna m’u var në shpirt
si një
kornizë pa pikturë,
shpresës
që ti do vish një ditë
tani po i
vë përsipër një gur.
KATËR QIRINJ
Një
dhembshuri e thellë e një mall i heshtur
për
ëndrrat e mërdhira nën pelerinë vetmie
më shtynë
sonte të ndez katër qirinj të vegjël
përpara
altarit të shenjtë të zemrës sime.
Të parin
e ndeza për takimin tonë të parë,
të dytin
e ndeza për të papërsëritshmen puthje,
të tretin
e ndeza për çastet e paharruara të prehjes
në
parajsën tënde të gjirit dhe të supeve.
Të
katëritn e ndeza gabimisht e dashur
sepse
ndoshta gabimisht u deshëm
ose
ndoshta gabimisht u ndamë
pa e
ditur përse nuk do të vdesim bashkë.
NJËSHIT
Në rendin
e pafund të numrave të plotë
matematikisht
ti je më i vogli në botë
por
papritur u bëre kaq tepër i madh
në sajë
të zerove që të shkojnë pas.
POETI
Në çastin
kur fjalën e zuri nën vete numri
Shpirtin
filloi të mos e nxinte trupi,
Dhe plasi
palca e jetës me një klithje të fortë
Dhe doli
nga e çara poeti i parë në botë.
Ai
gabimisht nuk lindi që të lëpijë me vargje
Çizmet e
të mëdhenjve e copëzat e mecenatëve,
Dhe
gabimisht nuk rron e gabimisht s’do të vdesë
Me
prapanicën mbi karrigen e karrierës.
Ai erdhi
që të kryejë porosinë e madhe të shpirtit
Me
alkiminë e fjalës të shkrijë gurët e Sizifit,
Ai është
heshtja e rëndë që do të mbytet me fjalë,
Ai është
lufta e dritës me të kundërtën e saj.
Ai është
boshti i Qenies që kërkon të mbushet,
Ai është
faqja e virgjër që dëshiron të puthet,
Ai është
çasti i ri që nuk përsëritet kurrë,
Ai është
plak, fëmijë, grua, djalë dhe burrë.
Ai është
shurdhëria e verbër që kërkon veshë dhe sy
Ai është
malli yt për mua dhe malli im për ty,
Ai është
vera në dimër dhe pranvera në vjeshtë,
Ai është
ai që s’e dimë kush është.
DIALOG
- Vogëlush ,
Më duket
sikur ti më ikën larg
Kur të
kam në gjumë.
- Babi, dhe ti mua më lë
Dhe më
ikën larg
Megjithëse
je këtu
Kur
shkruan.
SHKALLËT
O
ç’mrekulli
Do të
ishte ngjitja
Po të mos
përdoreshin
Shkallët!
EPITAF
Këtu
prehet ai që quhej Ndoc Gjetja
i cili
pati ardhur gabimisht në botë,
ai nga
vetja e tepruar nxirrte vjersha
dhe
gjithë njerëzit i quante shokë.
Kur pa që
ëndrra kalkulohej në kompjuter,
kur pa që
idealet rrëzoheshin në kolltuqe,
kur jepte
buzëqeshje e merrte skërmitje,
zuri sytë
me dorë dhe vendosi të ikte.
Dhe shkoi
e hyri në Manastirin e Unit
të
shpëtonte shpirtin nga gjuhëligat e Lehjes
...
Pastaj e përcollën te banesa e fundit
te vila
dymetërshe e ullishtes së Grykëzezës.*
Në çastin
e mbramë një hënë e përgjakur
e puthi
në ballë dhe thirri “Nënë”...
Mos
kërkoni të dini për të më tepër
se iku
sikur të mos kishte qenë.
*me
shpenzimet gratis nga Bashkia e Lezhës në varjant të mëparshëm(shën. im)
poezitë e
këtij cikli janë shkëputur nga librat e Ndoc Gjetjas
1- RREZATIM (1971)
2- SHQIPONJA
RREH KRAHËT (1975)
3- QËNDRESA (1977)
4- E
PËRDITSHME (1982)
5- ÇASTE (1984)
6- POEZIA
SHQIPE – 35 – KOLANA (1987)
7- KTHIMET (1991)
8- DHJATA
IME (1998)
9- BIRI
I NJERIUT (2004)