| E marte, 04.06.2013, 10:17 PM |
''Vëllazëria''
turke në Samitin e Ohrit!
Nga Arbana Xharra
Angazhimit
të shprehur të politikës së jashtme të Turqisë karshi politikave shqiptare e
sidomos atyre të Kosovës po i hapen dyert nga skena politike shqiptare secilën
herë e më tepër. Propagandat e shpeshta të “vëllazërisë” shqiptaro-turke janë
përafruar nga të dy kryeministrat Rexhep Taip Erdogan dhe Hashim Thaçi. Ato
janë mishëruar edhe më shumë me dhënien e aseteve kyçe që ua ka bërë
familjarëve të Erdoganit qeveria e Kosovës.
Derisa në
vitet e fundit, është duke u rritur tendenca me të madhe e Erdoganit për të
shtrirë ndikimin e tij politik përmes marrjes në duar të ekonomisë në shtetet e
Ballkanit, mentaliteti në Kosovë është duke e pranuar me lehtësi frymën
erdoganiane. Përpjekja e tij dinake, i cili bën gjëja në krah të politikave
shqiptare me deklarata qesharake kundër Serbisë, doli në pah ditë më parë, kur
u rreshtua krah shteteve të cilat nuk reaguan edhe pse ftesa nuk iu bë
presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga. Kjo ngjarje reflektoi qëndrimet
politike të 10 shteteve që ishin të ftuara për të marrë pjesë në këtë Samit në
mesin e të cilave ishte edhe Turqia. Anashkalimi i Kosovës në këtë Samit, nxiti
reagime të disa vendeve të cilat i dhanë mësim të mirë Maqedonisë, se Kosova
është faktor i rëndësishëm i marrëdhënieve politike rajonale.
Ishte
befasues refuzimi i pjesëmarrjes nga Kroacia, Sllovenia të cilat bashkë me
Shqipërinë e thanë qartë se nuk do të marrin pjesë për shkak se Kosova nuk
ishte ftuar.Ky reagim sidomos i Kroacisë e hodhi në ujë planin e presidentit të
Maqedonisë, George Ivanov, për të cilin ka mjaftuar të mos i prishet disponimi
i Serbisë me prezencën e Kosovës në Samitin e shefave të vendeve të përfshira
në procesin e bashkëpunimit të Evropës Juglindore, që ishte planifikuar të
mbahej në Ohër më 1 qershor.
Presidenti
i Kroacisë, Ivo Josipoviq, ua bëri më dije se Kroacia mbetet e përkushtuar ndaj
politikës së bashkëpunimit rajonal, solidarizimit dhe mbështetjen e plotë për
të gjitha vendet e rajonit. Në këtë Samit do të merrte pjesë edhe komisioneri
për Zgjerim i BE-së, Stefan Fule, por Samiti dështoi kur edhe refuzuan
pjesëmarrjen edhe Greqia me Bullgarinë. Në gjithë këto reagime të ashpra rreth
pjesëmarrjes në këtë Samit, nuk bëri zë Turqia. Përjashtimi degradues i Kosovës,
nuk pati rëndësi për Turqinë “vëllazërore” e cila nuk bëri përpjekje që t’i
japë mësim Maqedonisë së kush janë aleatët e Kosovës.
Kjo
ngjarje e para pak ditëve ishte vetëm një shembull i cili tregon politikën
reale të Turqisë ndaj Kosovës dhe zhvesh qasjen erdoganiane, ndërkohë që në
krah të Kosovës i dolën shtete tashmë anëtare të BE-së. Kjo ngjarje mori
vëmendjen e mosftesës së presidentes, derisa me dinakëri Turqia u përpoq që
fshehurazi të nxirret nga kjo situatë për të mos prishur “terezinë” e qëllimeve
të saj politiko-ekonomike.
Turqia
qysh vitin e kaluar propozoi që të krijohet asambleja parlamentare e shteteve
të Ballkanit e cila u pa në përpjekje për të krijuar ngrirje të proceseve
integruese të shteteve që janë në pritje të futjes në BE. Në të njëjtën kohë,
politikat e BE-së i kanë bërë me dije vendeve që duan të integrohen që të mos i
afrohen shumë Turqisë.
Por, politika shqiptare krahëhapur i ka mundësuar Turqisë që të pushtojë dalëngadalë ekonominë përmes tenderëve dhe projekteve të mëdha. Kryeministri Erdogan edhe më tej ka autoritet dhe shtrin me lehtësi ndikimin e tij në këto dy vende. Samiti i Ohrit duhet të jetë mësim për shqiptarët se strategjia gjeopolitike e Turqisë për Ballkanin ndryshon nga “vëllazëria” e Turqisë për shqiptarët.