| E hene, 03.06.2013, 07:53 PM |
PO
NGA ELIDA BUÇPAPAJ
Kavaja
është simbol i demokracisë në Shqipëri, e njohur si bastion antikomunist.
Gjithmonë e deklaruar djathtas me votën e sovranit. Në zgjedhjet lokale të
fundit në bashki fitoi përfaqësuesi i PS, Elvis Roshi, i cili u bë i njohur si
personazh i kronikës rozë nga një dramë sentimentale të përdorur asaj kohe
politikisht.
Sot
shtypi i Tiranës e kishte futur prapë në kronikë Elvis Roshin, jo në atë të
gossipeve rozë, por në gossipet e fushatës ku kryebashkiaku i Kavajës
pretendoka që, në rast fitoreje të PS, ndër prioritetet e tij të jetë heqja nga
qendra e qytetit të monumentit simbol të dy gishtave kushtuar lëvizjes së parë
demokratike në Shqipëri, që mori pikënisje në Kavajë. Kjo lëvizje do t’i
paraprinte lëvizjes së studentëve ende pa dalë në skenë Berisha apo Rama.
Revolta e parë antikomuniste në Shqipëri daton pikërisht më 25 mars 1990, kur
në stadiumin e Kavajës, gjatë ndeshjes Besa-Partizani, gjithë stadiumi u ngrit
në këmbë me parrullat „poshtë diktatura“, „liri-demokraci“ dhe qyteti pati
reprezalje nga regjimi. Elvis Roshit si qytetari nr. një i qytetit i bie të
kujdeset për këtë monument dhe jo ashtu si ka ndërmend të veprojë.
Gazeta
Panorama pas deklarimeve të liderit socialist Edi Rama, në një vizitë
elektorale në Kavajë, se ky bust do t’i sillet Kryeministrit në Tiranë, sjell
konfirmimin e vetë kryebashkiakut të qytetit Elvis Roshi, i cili paska thënë
tekstualisht se “Monumentin e dy gishtave do ta heq me helikopter, e pastaj do
t’ia çoj kryeministrit Berisha dhe do t’ia lë para derës së Partisë
Demokratike”. Vulgaritet.
Po përse,
kjo do të jetë rruga e reformave, që të çrrënjosin simbolet antikomuniste? Kur
PS do t’i duhet që rrugën e reformave ta nisë duke u pastruar tërësisht nga
simbolet komuniste! Po me çfarë simboli do ta këmbejë Elvis Roshi monumentin e
dy gishtave? Me kazmën e çekanin apo me grushtin e diktaturës së proletariatit!
Simboli i
dy gishtave është një simbol paqësor, simbol i fitores. I përdorur nga Berisha
që më 1992, kur u rrëzua sistemi diktatorial, si gjest i huazuar dhe i
shfrytëzuar gjatë përmbysjeve të regjimeve totalitariste asaj kohe.
Përse nuk
e përdor Rama simbolin e dy gishtave, çfarë të keqe ka ky simbol? Simboli
„Victory“. « The V sign is the symbol of unconquerable will! » «Simboli V i dy
gishtave është simbol i vullnetit të pamposhtur! » Thënie e njohur e Uinston
Çurçillit (Winston Churchill) gjatë luftës të Dytë Botërore. Gishtat e fitores
i ka përdorur ai dhe Dwight Eisenhower. Edhe Nixon, dhe do të vazhdojnë t’i
përdorin. Kush është fans i Beatlesave, duhet ta ketë parasysh një foto të John
Lennon me Yoko Onon me gishtat e fitores si protestë kundër Luftës në Vietnam.
„V“e fitores e ka përdorur po ashtu Lech Walesa, edhe Presidenti George Bush
senior.
Dy
gishtat e fitores janë ngritur lart edhe gjatë Pranverës Arabe në Libi nga ata
që rrëzuan Gadafin. E do të vazhdojnë e ta përdorin në vijimësi, si simbol i
paqes, pa pyetur aspak për „idetë gjeniale“ të Elvis Roshit, apo shefit të tij.
Është një simbol që nuk konsumohet. Që ka mbijetuar. Është një simbol
entuziast, edhe populist.
Pra ta fokusosh fushatën tek heqja e simbolit të dy gishtave, simbolit të fitores të së mirës kundër të keqes, të demokracisë mbi tiraninë, është mjerim i madh. Nonsens i mirëfilltë politik.