| E hene, 03.06.2013, 08:52 PM |
RRETH
IDENTITETIT TË GJINISË ASNJANËSE NË SHQIPE
Nga Dr. Nuhi Veselaj
VIII. Anashkalimi i vlerave reale
të asnjanësit
në shqipen e sotme letrare pasojë e
veprimeve të nxituara,
Arritëm në kreun e gjashtë të këtij punimi dhe nuk
dimë se e kemi gjetur apo jo, përgjigjen e plotë dhe të duhur në pyetjen pse
lindi ky farë keqkuptimi ndaj asnjanësve të paranyjëzuar që nga vitet e ’50
deri nga vitet e ’90-a të shekullit të kaluar dhe që në njëfarë mënyre pasojat
e një veprimi të tillë ndihen edhe sot?
Ne, siç po shihet nga titulli i këtij kreu, kemi
bindjen personale se një dukuri e tillë e anashkalimit të vlerave të
asnjanësit, është shfaqur, si të thuash, subjektivisht dhe ishte kryesisht
pasojë e konstatimeve të nxituara të standardologëve tanë të kohës Po si dhe pse ndodhi kështu? Si u formëzua
dhe si u sendërtua një qëndrim i tillë? Mos vallë, atëbotë, nuk njiheshin
mirë vlerat reale të emrave të kësaj
gjinie apo jo?
Sidoqoftë, pyetjeve të saposhtruara lidhur me këtë
mbase më mirë mund t’i përgjigjeshin standardistët e atyre viteve dhe pasuesit
e tyre sot, nëse mendojnë esëll megjithatë, neve situata e trajtimit të temës
ose vetë përmbajtja e titullit që u vumë këtij kreu na imponon që të shprehim
mendimin tonë rreth kësaj çështjeje, ashtu siç na merr mendja, madje qoftë edhe
guximtarisht.
Natyrisht, e do puna, të tregojmë se ku e mbështesin
mendimin tonë, në cilat fakte?
Këtu, pra, pa hyrë thellë në pyllin ende të
pashkelur mirë të çështjes përkatëse në shqyrtim, ne përgjigjen tonë e mbështesim në këta tre faktorë:
së pari, në reagimin e E. Xhuvanit, të viteve të
’50-a;
së dyti, në zëvendësimi i asnjanësit prejpjesor të paranyjëzuar me trajta foljore
në fjalorin tonë shpjegues FGJSSH të vitit 1980 dhe
së treti, do të ndalemi rreth një konstatimi të
nxituar, paksa kundërthënës të prof A. Kostallarit.
Të shohim tani radhazi pak më në hollësi rreth
përmbajtjeve të fakteve të sapocekura prej nesh lidhur me temën në shqyrtim
1) Çka
mësojmë nga reagimi i prof. A. Xhuvanit
Prof. Aleksandër Xhuvani, nga fundi i viteve ‘50 të
shekullit të kaluar, duke mos e pëlqyer zëvendësimin e trajtave të asnjanësve
si: të ecurit, të ngrënët, të qepurit, të ngrirët, të priturit, të fjeturit që
bëheshin me emrat e prejardhur me -je: ecje, ngrënie, qepje, ngrirje,
pritje, fjetje, pati reaguar, mjaft fuqishëm, ku veç tjerash pati theksuar
si vijon:
“Duket faqezi se asht ba nji përdorim i tepërm i
emnavet abstraktë me prapashtesa e sidomos me prapashtesën -je, tue nxjerrë
jashtë emrat prejpjesorë të gjinisë asnjanëse“ dhe më
tej konstatonte se kjo dukuri kishte ardhur ”nga gjuha e shkrimit e më fort
ajo e shtypit të përditshëm, e cila ka marrë nji tendencë theksuese në të
përdorunit e emrave abstraktë me -je dhe kjo vjen jo nga shtjellimi historik i
gjuhës sesa nga influenca e gjuhëve të hueja neolatine ose sllave, qofshin këto
nga të cilat përkthejnë e në të cilat zotëron ky proces i konstruktit sintetik
të frazës me emra sufiksorë”. (Shih: Aleksandër Xhuvani, Vepra I,
Tiranë
Kështu nga ky reagim shpjegues meditues, kuptojmë
faktin se dukuria e zëvendësimit të asnjanësve të paranyjëzuar me emra
prapashtesorë nuk ishte pasojë e “shtjellimit historik”, d.m.th.
nga evoluimi i brendshëm i gjuhës sonë, po vinte nga ndikimi i jashtëm, d,m,th,
nga ndikimi i gjuhëve të huaja në gjuhën e shtypit, (pra nga gjuha e
përkthimit), ndikim ky formal subjektiv i gazetarëve pa përgatitje të duhur
gjuhësore ose siç del nga shpjegimi i tij, se përkthyesit e gazetarët nuk e
njihnin aq mirë natyrën e gjuhës popullore dhe kështu të ndikuar nga gjuhët e
huaja përkatëse dhënëse këta fusnin në përdorim pa kriter emrat sintetikë, me
prapashtesim, ndërsa asnjanësit (prejpjesorë e prejmbiemërorë) i anashkalonin,
vetëm pse ata ishin analitikë, d.m.th. të parashoqëruar me nyjën e përparme që
nuk i kishin ashtu barasvlerësit përkatës gjuhët e huaja, sllave e neolatine.
Pra, mendimi i prof. A. Xhuvanit nënkuptohet se
anashkalimi me tepri i asnjanësve të paranyjëzuar bëhej, ngase nuk njihej sa
duhej vlera e asnjanësve dhe për këtë shkak në gjuhën e gazetave e të
përkthimit nuk përfillej natyra e gjuhës shqipe.
Si duket reagimi i prof, A. Xhuvanit nuk e pati
ndikim e jehonë të duhur në atë kohë, jo vetëm te gazetarët e përkthyesit, por
as tek standardologët e kohës, sepse anashkalimi i trajtave të asnjanësve, jo
vetëm nuk u frenua, por përkundrazi, ndërkohë u përkrah, jo vetëm nga masmedia,
por edhe nga njerëzit autoritarë të institucioneve shoqërore-shtetërore të
kohës, përkatësisht nuk u mbështet kërkesa e prof. A. Xhuvanit as nga kuadrat
gjuhësorë që aktivisht punonin ose që kryesonin a udhëheqnin veprime lidhur me
procesin e konsolidimit, më drejt të njëzimit të normës së shqipes letrare në
atë periudhë me plot sfida. Kur themi kështu kemi parasysh hartimin e teksteve
shkollore e shkencore të asaj periudhe e më vonë që ndërlidhet me periudhën
organizuese të ngutshme dirigjuese para e pas Kongresit të Drejtshkrimit
(1972), kur prof. A. Xhuvani fizikisht nuk ishte më.
2) Pasojat nga zëvendësimi i asnjanësit
prejpjesor me trajta
foljore
në FGjSSh (1980)
Si fakt a veprim tjetër me rëndësi me të cilin për
pasojë u degraduan nga përdorimi
asnjanësit e paranyjëzuar, sidomos ata prejpjesorë, përveç zëvendësimit me
trajta të emrave të prejardhur me prapashtesim asnjanësit prejpjesorë me -im,
-je, ku duhej e ku nuk duhej, po përmendim edhe faktin se në Fjalorin e
gjuhës së sotme shqipe (1980), në vend të asnjanësit që praktikohej në
Fjalorin e gjuhës shqipe (1954) në mbi 1000 raste për shpjegimin e kuptimit të
prejpjesorëve edhe të emrave përgjithësisht, tashti në fjalorin shpjegues
normativ (1980), nuk përdorej më, sepse
në vend të tij futet në përdorim një shprehje tjetër me folje.
Konkretisht në këtë formulim të ri. prejpjesori përkatës me prapashtesën -im
ose -je shpjegohet jo me sinonimin në trajtën përkatëse të asnjanësit,
po me tekstin sqarues: kuptimi sipas + folja përkatëse (nga e cila shënohet veta I njëjës e dëftores (veprore dhe pësore).
Në mënyrë që lexuesi ta ketë më lehtë me e kuptue
këtë ndryshim formulimi dhe veprimi, po japim në vijim 5-6 shembuj nga të dy
burimet, për të njëjtën fjalë, ku shihet se si është bërë konkretisht
zëvendësimi i asnjanësit nga trajtat përkatëse foljore:
1 Në FGJSH 1954:
GUFIM – të gufuarit
ARNIM - t’arnuarit.
BLERJE -
veprimi i të blerit.
GDHENDJE -të gdhendurit.
MBYTJE - të mbyturit.
PRITJE- të priturit.
PËRMIRËSIM - të përmirësuarit, të sjellët në një gjendje më të
mirë.
2. Në
FGJSSH 1980:
GUFIM –
1. Veprimi sipas kuptimit të foljeve gufoj, gufohet.
2.
Pjesë e fryrë a e ngritur e diçkaje.
ARNIM - Veprimi sipas kuptimit të foljeve arnoj,
arnohem.
BLERJE - Veprimi sipas kuptimit të foljeve blej
blihem.
GDHENDJE - veprimi sipas kuptimit të foljeve gdhend
gdhendem
MBYTJE - Veprimi sipas kuptimit të foljeve mbyt
mbytem.
PRITJE - Veprimi sipas kuptimeve të foljeve pres II pritem II.
PËRMIRËSIM 1. Veprimi dhe gjendja sipas foljeve
përmirësoj
përmirësohem. 2. Tërësia e ndërtimeve,
ndreqjeve.
Për mendimin tonë formulimi në FGJSSH (1980, pa e
kontestuar zgjidhjen e tillë sinonimike ndoshta më atraktive, e cila nuk duket
se është aq shumë i qëlluar semantikisht sa ta zhvlerësonte a ta rrëzonte
tërësisht si të pa vlerë formulimin me asnjanësin nga FGJSH (1954). Sigurisht
zëvendësimi i tillë kërkon sqarim. Lidhur me këtë mund të shtrohet pyetja:
Është marrë parasysh fakti, apo jo, se nga veprimi i kuptimit të foljes nuk del vetëm kuptimi i veprimit a i gjendjes
së emrave me -im e -je,
por edhe ai i gjendjes në raste, por sidomos edhe i rezultatit të veprimit etj,
por edhe i prejfoljorëve të tjerë, siç janë prejpjesorët pandajshtesorë,
asnjanësi prejpjesorë e prejmbiemërorë me -esë, -si, shmëri etj., pastaj femërori me paranyjëzim, ai me
prapavajtje e të tjerë!? Madje, mund të kërkohet sqarim pse të dyja trajtat
diatezore (veprore e joveprore) emërtohen në shumës si me qenë dy folje?!
Krahaso tekstin: Veprimi sipas foljeve...(?)
Sidoqoftë, sigurisht pyetjet e tilla hapin
diskutim, por për mendimin tonë, assesi,
nuk insistojm; të vënët në dyshim ligjshmërinë e mënyrës së tillë të
formulimit. Madje as që mendojmë se gjithsesi duhet kërkuar rishikimi e një
përdorimi të tillë sinonimik. Qëllimi ynë është të konstatohet se edhe ky fakt,
përveç zëvendësimeve pjesërisht arbitrare, do të ketë ndikuar në një mase jo të
vogël në pasivizimin e emrave të paranyjëzuar të gjinisë asnjanëse. Pra,
zvogëlimi i numrit të asnjanësve në Fjalorin normativ (1980), do të ketë
ndikuar që edhe në kontekste të tjera asnjanësi në fjalë të mos e ketë
tretmanin e duhur. Për mendimin tonë lidhur me këtë rast-veprim është dashur të
jepet sqarimi i duhur, ngase mungesa e një shpjegimi a trajtimi të tillë
mendojmë se ka lënë pasoja të konsiderueshme që nuk janë të pavërejtshme edhe
sot.
Grizatje f.-
Veprimi sipas me grizatë me u grizatë
Të grizaturit as. Veprimi sipas me
grizatë, me u grizatë; grizatje
ose
Çermim m.
Veprimi sipas me çermue, me u çermue.
Të çermuarit as Veprimi sipas me çermue, me u çermue,
çermim.
Pra, M. Elezi, të dy prejpjesorët sinonimikë
abstraktë i shënon veç e veç. Asnjanësin dhe të prejardhurin me -im ose -je
i shpjegon njësoj me paskajore, por pas shpjegimit të kuptimit të asnjanësit e
shton sinonimin e prapashtesorit me -im ose -je, duke i dhënë
kështu njëfarë përparësie prejpjesorit përkatës prapashtesor, ndërsa dy trajtat
e foljes nuk i emërton në shumës dhe nuk e përmend fare fjalën folje në
togfjalësh: Pra jo Veprimi sipas
foljes a foljeve që praktikohet në Fjalorin e Akademisë
(FGjSSh 1980, përkatësisht FSHS (1984, 2006), por vetëm Veprimi sipas +
paskajorja e mirëfilltë.
Sidoqoftë, pa marrë parasysh faktin se nuk e
kontestojmë një zgjidhje tillë me trajtën a trajtat përkatës të foljes a të
foljeve, që praktikohet në fjalorin përshkrues normativ, mund të themi se një
dukuri e tillë nuk ka ngjarë nga evoluimi i brendshëm i formave të asnjanësit
të paranyjëzuar, por nga të shpikurit të një mënyre të re të të
shprehurit sinonimik, nga hartuesit fjalorit normativ shpjegues të gjuhës
shqipe, sigurisht me bindje se kjo mënyrë është zgjidhje më e mirë se shpjegimi
me asnjanës.
3) Rreth një
konstatimi të nxituar kundërthënës
të prof. A. Kostallarit
Arkitekti, i pari me emër e mbiemër, ndër hartuesit
e Fjalorit të gjuhës së sotme shqipe (1980), prof Androkli Kostallari,
pothuajse pas 20 vjet distance nga reagimi i prof. A. Xhuvanit, përkatësisht
pas afro 30 vjetësh pas botimit të FGjSh (1954), lidhur me asnjanësit riparaqet
mendimin e vet, duke parashtruar këtë rast edhe të dhëna me interes, të cilat
mund të shërbejnë e të shfrytëzohen edhe si përgjigje edhe për çështjen e
shtruar prej nesh, ndonëse ne, siç shihet nga formulimi i nëntitullit e quajtëm
konstatim të nxituar kundërthënës.
Në të vërtetë, paraqitja e diskutueshme e prof. A.
Kostallarit ka ndodhur më 1989, pothuajse 10 vjet pas botimit të FGjSSh (1980),
ku asnjanësi, vërtet, kishte përfaqësim jo të plotë, të diskutueshëm si nga
pikëpamja numerike ashtu edhe nga ajo përmbajtësore. Sido që të jetë, ja tani inserti integral
lidhur me çështjen e asnjanësve i nxjerrë nga
një punim mjaft i gjatë i prof. A.Kostallarit:
“Në shqipen e sotme letrare nuk mund të flitet më
për emra asnjanës të panyjshëm si kategori e gjallë leksiko-gramatikore.
Struktura morfologjike e gjuhës sonë letrare njeh vetëm tipin e paranyjëzuar
të emrave asnjanës si tip veprues (emrat prejpjesorë të tipit: të hyrët,
të ngrënët, të menduarit dhe emrat prejmbiemërorë të tipit: të bardhët,
të kuqtë, të zitë, të ftohtët. Kalimi i emrave asnjanës (të panyjshëm,
d.m.th. i emrave asnjanës të vjetër të mirëfilltë të shqipes) si ballë,
brumë, grurë, ujë etj. në njërën anë në klasat e emrave mashkullorë e ka
thjeshtëzuar më tej strukturën morfologjike të shqipes së sotme letrare.
Të vihet re se nga ky tekst i shkurtër i prof. A.
Kostallarit, i cili në shikim të parë sipërfaqësor të lë përshtypje se mund të
merret si shembull se si me pak fjalë mund të thuhet shumë, por kur hyn në
brendi të tij fiton bindjen se aty janë shprehur vërtet konstatime, si të
thuash, të përziera, disa të mbështetura mirë, por njëherazi edhe konstatime
disi të nxituara kundërthënëse dhe si të tilla dalin edhe të diskutueshme ose
jo aq të qëndrueshme.
Ne, pak si tërthorazi, por edhe drejtpërdrejt në
konstatimet e tij, shohim çështje kundërthënëse, prandaj kërkojmë nga lexuesi
që paraprakisht të përgatitet për t’i vlerësuar sa më drejt këto dy çështje të
diskutueshme:
e para, në këtë paraqitje të prof. A. Kostallarit
ka apo jo vërtet kundërthënie jo vetëm brenda këtij teksti, por edhe në
krahasim me konstatimet e mëparshme të parashtruara ose të miratuara prej tij
dhe
e dyta, një qëndrim i tillë, edhe pse paksa i
përmjegullt, sa ishte ndikues tek kuadrot pasues ose keqkuptues të mësimeve të
tij dhe ato pasoja rreth pasivizimi të asnjanësve a ndjehen ende sot, apo jo,
në shqipen e sotme letrare nga mbrojtësit fanatikë të normës së shqipes së
sotme letrare?
Në vazhdim, po shfaqim, pra, ndonjë vlerësim tonin,
siç thuhet: për e kundër.
Së pari po përmendim faktin se nga ai insert si anë
pozitive parimore që s’mund të mohohet dot, po theksojmë kërkesë-porosinë e
autorit, shumë me vend, që dukuritë rreth asnjanësve patjetër duhet t’i shtrohen një analize të
thellë shkencore. Me një kërkesë të tillë, si të thuash, ai e pranon se kjo
temë atbotë nuk dilte e trajtuar mirë, andaj lë vend të vëzhgohet me
qëndrim kritik ose të verifikohet edhe qëndrueshmëria e
konstatimeve të tij.
Së dyti, po shprehim rezervën tonë, në disa pika e
nënpika, rreth disa mendimeve të paraqitura në atë tekst:
E para, që në fillim po theksojmë se konstatimin e
tij se: “në gjuhën e sotme letrare nuk mund të flitet më për emra asnjanës
të panyjshëm si kategori e gjallë leksiko-gramatikore”, kemi vetëm
një dozë të vogël rezerve, sepse na duket se ai qëndrim mund të kuptohet si
fort kategorik, ngase edhe gjuha e sotme letrare, kuptohet në domen të
ngushtë ka emra asnjanës të ndërlidhur me fjalë e fraza të gjalla,
të cilat janë të pazëvendësueshmedhe si të tilla gjithsesi janë të pranueshme
edhe për standardin. Ne kemi e trajtuar sadopak këtë çështje, ndërsa këtu po e
shtojmë vetëm një rast. Bie fjala te kjo fjali – periudhë:
: Me e la kryet me ujët të ftohtë, mendja e
zemra të ndiejnë të ngrohtë(!).
Emrat kryet
dhe ujët janë asnjanës të paparanyjëzuar nga emrat e mirëfilltë,të
pranuar nga standardi, madje edhe fjala mendja mendtë mund të
konsiderohet se ende mund të ruajë ndonjë gjurmë a element të emrit asnjanës të
paparanyjëzuar dhe siç dihet këto fjalë, jo vetëm në këtë fjali, por edhe në të
tjera, janë të gjalla ashtu siç gjallërojnë edhe disa shprehje frazeologjike e
idioma me emra në gjininë asnjanëse që e kanë bekimin e standardit.
E dyta, te konstatimi tjetër, kur pranon autori se
“emrat asnjanës të paranyjëzuar nga pikëpamja morfosintaksore, sot paraqiten
jo me humbjen tërësisht të gjinisë, por si kategori gjysmasnjanëse
gjysmëmashkullore”, nuk mund të quhet mendim i pambështetur, madje nuk
mund të kundërshtohet as konstatimi tjetër kur kjo ndërlidhet jo me humbjen
pothuajse plotësisht të gjinisë asnjanëse të fjalëve përcaktuese
(mbiemrave e të përemrave dëftorë e pronorë), po ashtu nuk shprehim aq rezervë as me vetë rrudhjen, siç e
thotë autori, kur kemi të bëjmë me ndonjë nënfushë semantike, por
e quajmë konstatim shumë të diskutueshëm ose të pa menduar mirë kur shprehet en
bloc për shuarjen e kategorisë së asnjanësit tek emrat e shqipes. Pra, ky konstatim na duket i nxituar dhe
kundërthënës sepse këtu, thuajse harrohet ajo që është thënë dy tre
rreshta më sipër nga vetë autori se paranyjëzorët (prepjesorët e
prejmbiemërorët) quhen siç janë; në të vërtetë, dy tipa veprues.
Po këtë konstatim rreth tipave veprues e neutralizon edhe më keq në përfundim
të insertit, se “me shuarjen e asnjanësit në fushën e emrave të mirëfilltë
të shqipes është krijuar sot në gjuhën letrare një sistem i ri gjinisor me
ndarje pothuajse dihotimike, në emra mashkullorë e femërorë, duke
përjashtuar, apo jo, ose duke mos e përmendur fare lakimin IV, të emrave të
gjuhës shqipe, lakim ky që u kushtohet pikërisht dy tipave veprues të
asnjanësve të paranyjëzuar:
prejpjesorëve, tipi të folurit dhe prejmbiemërorëve, tipi të
ftohtët. (Shih Gramatikën e Akademisë – morfologjia f 117-118.)
Pra, kjo dihotimi si sistem a mund të quhet
si e tillë, si punë e mbaruar (!?), siç e thotë ai, “jo me zhdukjen” po “me
shuarjen e asnjanësit si kategori e gjallë”, apo jo, kur anashkalohen dy
tipat prodhues e veprues(?!).
Në kundërshtim me pjesën e mendimin kategorik të
prof. A. Kostallarit rreth shuarjes së asnjanësiit, sidomos atij prejpjesor në
shqipen standarde, shprehet edhe studiuesja Rosana Rushiti. Në të vërtetë, kjo
studiuese, ndonëse nuk e sheh problemin plotësisht me qartësinë e duhur, siç e
kemi interpretuar ne, megjithatë nuk bën keq, po bën shumë mirë, kur konstaton se “ka raste, që emri prejfoljor
(asnjanësi prejpjesor i paranyjëzuar n.v.) i cili e ka më të theksuar
kuptimin e procesit është i pazëvendësueshëm”, sepse, sipas saj, emrat
prejfoljorë prapashtesorë janë përgjithësuar me kuptimin e rezultatit të
veprimit. (Vepra e cit. f. 365.)
Pra, kur koncepti
E treta, kemi vërejtje edhe rreth shembullit
ilustrues të cekur aty: të ftohtë i madh ndaj të ftohtët të
madh, ku atakohet struktura vetëm një shembull nga tipi i asnjanësve
prejmbiemërorë e jo edhe ata prepjesorë, që profesori edhe këtu del
kundërthënës, sepse ai kur përmend shuarjen ose zhdukjen (!) ka parysh , apo jo, të
gjithë tipat e asnjanësve, andaj lidhur me këtë shembull vërejtjet tona po i
shprehim në vijim në këto katër nënpika:
1. Një shembull i vetëm, (një) të ftohtë i madh
ndaj (një) të ftohtë të madh, siç dihet nuk mjafton për t’u kualifikuar
një dukuri e tillë si përgjithësuese (së paku jo edhe për prejpjesorët) ose të
konsiderohet si një punë e thënë e bërë për
të gjithë asnjanësit prejmbiemërorë), përkatësisht, nuk mjafton që të
shpallet kategoria e asnjanësit si një kategori jo e gjallë, apo e shuar
menjëherë ose e dalë kohe evolucionisht, kur në shqipe ende gjallërojnë katër
tipa asnjanësish.
2. Ç’është e drejta, njëjësi i mbiemrit të emërzuar
mashkullor, siç e pamë më sipër, ndonëse i specifikuar a i rezervuar vetëm për
emërtimin e njerëzve ose të ndonjë dukurie a një gjësendi konkret mund të jetë
dëgjuar si e thënë spontanisht nga ndokush edhe në domen tjetër, si: njeri i
ftohtë / i ftohti (njeri), përkatësisht (na erdhi) dimni i ftohtë / i ftohti dimën
(na erdhi), i ftofti i madh na ngriu, por gjithnjë thuhet të ftohtët e dimnit
është i rrezikshëm. Pra nuk është
jashtë logjikes gjuhësore prirja që mund të dëgjohet e shprehur në të dyja
trajtat, si b.f. në fjalitë vijuese të tipit:
1) Nga të ftohtët e madh të dimrit qenë ngrirë edhe
njerëz rrugës(!).
2) I ftohti i madh i këtij dimri ka ngrirë edhe
njerëz rrugës(?).
Emri të
ftohtët i fjalisë së parë gjithsesi është emër asnjanës në numrin njëjës,,
shpreh kuptim të përgjithshëm të fushës abstrakte, gramatikisht e normativisht
është trajtë e rregullt, i takon lakimit të katërt. Ndërkaq, emri tjetër me të
njëjtën rrënjor, në trajtën i ftohti
(i këtij dimri) është emër i gjinisë mashkullore, po në numrin njëjës, po
shpreh një dukuri gjithsesi më konkrete dhe jo përgjithësuese abstrakte si
rasti i mëparshëm, normativisht ende, si me thënë, semantikisht nuk e ka
mbështetje të plotë normëzuese, ngase është krijim spontan.
Pra, shprehje të tilla mund të jenë dëgjuar edhe në
kohën e prof. Kostallarit, siç mund të dëgjohet edhe sot, po kjo nuk do të
thotë se rasti spontan me koncept konkret rrezikon zhdukjen e trajtës së asnjanësit me koncept abstrakt,
sepse sipas studimit që bëmë të dyja
rastet të ftohtët e madh, emër i gjinisë asnjanëse dhe i
ftohti i madh emër i gjinisë mashkullore, mund të bashkëjetojnë fare
natyrshëm në kontekste të caktuara, ngase i kanë të specifikuar nënfushat
semantike. Gjithsesi, ndërsa tofjalëshi i ftohti i këtij dimni,
mund të zëvendësohet me sinonimin: acari i këtij dimni, tofgalëshi të
ftohtët si dukuri nuk mund të
zëvendësohet dot, ngase nënfusha e asnjanësit si koncept abstrakt mbetet e
pambuluar, siç është argumentuar më përpara, po në këtë punim. Edhe këtë fakt
duhet ta ketë parasysh standardologu i sotëm. Pra standardologu, për të ruajtur
stukturën mozaike të gjallë, ngase ruajtja e tillë është me interes, duhet të
tërheq vërejtjen që trajta i ftohti mos të përdoret për
kuptime ideshë abstrakte, kur për atë nocion tashmë është e normëzuar trajta të
ftohtët, po nëse del e nevojshme edhe trajta i ftohti, nuk
përjashtohet të mos pëdoret për nënfusha të tjera semantike që karakterizohen
me elemente të qarta konkretësie.
Me fjalë të tjera, ne mendojmë se rastet e tillë
edhe në tregofshin prirje nuk duhet të na shqetësojnë fare, ngase edhe në këto
raste nuk duket se do të ketë zhdukje po bashkëjetesë trajtash, siç u cek më
sipër.
Së këtejme, trajta e asnjanësit, tipi: të
ftohtët, si koncept gjithsesi mbetet në nënfushë të përgjithshësuese
abstrakte, ndërsa trajta, ta quajmë të re, i ftohti i gjinisë
mashkullore shpreh një si koncept, pak a shumë insdividualizues, jo abstrakt,
po gjithsesi të ndërlidhur me konkretizim.. Pra dallimi i tillë nëse sqarohet
mirë gramatikisht raporti abstraktizim / konkretizim, atëherë me siguri,
nuk do të ketë zhdukje, po pasurim strukturash sinonmike gjuhësore.
Ne u ndalëm paksa më gjatë rrerth kësaj dukurie që
syri i mprehtë i profesor Kostallarit e ka hetuar mirë, por ai në paraqitje nuk
del fort i qartë. Themi kështu se pikëprisht ky shembull të ftohtët ,
siç u cek, është shënuar në Gramatikën e Akademisë (f. 160), si rast
përfaqësues që duhet ruajtur nga rreziku i zhdukjes nga ndonjë trajtë spontane
antinormë ose sinonimike, apo jo?!
Me fjalë të tjera më mirë do të ishte për
studiuesit të merrej ndonjë shembull tjetër i diskutueshëm që t’i përgjigjej më
mirë dukurisë së caktuar kundër normëzimit të sotëm, nëse vërtet ekziston, por
sidoqoftë raporti abstraksion/konkretizim duhet pasur parasysh edhe në
analiza të kësaj natyre.
3. Në të vërtetë, po në vazhdë të asaj që u cek më
sipër, po shtojmë paksa se mund të dëgjohet e të thuhet normalisht të ftohtët e
madh si dhe të ftohtit e madh, ashtu si të ecurit e drejtë dhe të ecurët e
drejtë, por për ne ka rëndësi se
masivisht nuk po thuhet i ftohtë i
madh a i ftohti i madh, përkatësisht i ecuri i drejtë ose e ecura
e drejtë, por po përdoret e po shqiptohet normalisht nyja e përparme, të
ecurit, të ftohtët, e cila (nyja e përparme) që është karakteristikë e parë
a pjesë e pandarë e asnjanësit në njëjësin
e pashquar e të shquar të emërores (e të kallëzore) po respektohet, pothuaj
denjësisht në vazhdimësi në kontekste përkatëse.
Siç dihet, nyja e përparme të në gjuhën tonë
kryen dy funksione edhe si formant fjalëformues edhe si element gramatikor, dhe
si e tillë (nyja e përparme) del e qëndrueshme, pikërisht si karakteristikë a
pjesë përbërëse e pandarë e asnjanësit të paranyjëzuar.
Ç’është e vërteta, në dobi të zgjidhjes së çështjes
së prekur nga prof. A. Kostallari, po sjellim disa shembuj nga gjuha e thjeshtë
popullore, ku të ftohtët del me nyjë-mbaresën shquese -it, por nyja e përparme
e emrit kryesisht del e qëndrueshme, siç janë këto shprehje popullore nga
trevat e Veriut:
“T’ftoftin kodra e përcjell e lugu e mbledh.
T’ftoftit e hjek t’ftoftin me t’ftoftë. T’ftoftit e ka fajin e brymës po i jet
dami. T’ftoftit edhe bryma e shkretë, s’i lenë laknat tona me rritë krye si
donë vetë. T’ftoftit t’nishkon, fjala t’shiton. (Shih: D. Bajraktari, Fjalë
të urta dhe thënie popullore shqipe, Prishtinë,
Të vihet re se te shembujt e tillë, sidoqoftë nyja
e përparme si karakteristikë e veçantë e asnjanësit të paranyjëzuar, është
stabile, pra edhe në viset veriore ashtu si edhe në ato jugore, andaj siç u
tha, përherë në të gjitha situatat ajo kryesisht po del e qëndrueshme.
Sidoqoftë, nëse spontanisht në të folur të shkujdesur nga individë të caktuar
mund të dalë edhe ndonjë fjalë a shprehje, kur nyja e përparme del e konvertuar
në i, ose përzihet ndonjë trajtë lakimi me paradigat e emrit në gjininë
mashkullore, kjo nuk mund të godasë rregullën gramatikore në fuqi, e cila e
mbron strukturën e asnjanësit me nyjën e
përparme të dhe me të prapmen -t(ë). Fundja, ky rast nuk
mund të krahasohet me dukurinë e rrudhjes, madje as me atë të
bashkëjetës, siç ka ngjarë me asnjanësit e mirëfilltë emëror si b.f. ujtë ndaj ujë-i
ujrat.
Në të vërtetë, edhe kjo dukuri lypset ndjekur, por
përgjithësimi prej një përftimi të rastit nuk është për me u pranue si fakt ose
për t’u përgjithësuar si prirje ose arsye për ndryshim rregullash
leksiko-gramatikore.
4. Edhe nga shembujt e tjerë që do t’i sjellim më
poshtë sa për ilustrim (prejmbiemërorë e prejpjesorë), një konvertim i tillë (të/i)
siç e kemi trajtuar edhe më përpara në këtë punim dhe siç do ta sprovojmë tani,
në dy versionet e mundshme rindërtuese,
del i pa qëndrueshëm, si p.sh.:
a) Ata
kishin një të bardhë (të ngrohtë, të ecur, të folur, të buzëqeshur
etj.) joshës ose Të bardhët (të ngrohtët
të ecurit, të folurit, të buzëqeshurit) e tyre ishte
joshës.. Pra jo i bardhë-i apo e
bardha e tyre po një të bardhë /të
bardhët.
b) E
kishte përvetësuar mirë artin e të shkruarit (të
folurit, të recituarit, të gatuarit etj.)
ose E kishte përvetësuar mirë të shkruarit (të folurit, të
ecurit, të recituarit, të gatuarit etj.
) si art. e kështu me radhë.
c)
Fenomeni i të ftohtit (të folurit, të aguarit, të dridhurit,
të kollituri etj.) është i njohur prej nesh ose Të
ftohtët (të folurit, të aguarit, të dridhurit, të kollituri etj.)
si fenomen është i njohur prej nesh.
ç) Mënyra e të
kënduarit (të vallezuarit, të
kërcyerit, të luhaturit, të kollituri etj.) ishte karakteristikë
e veçantë për ta ose Të kënduarit (të vallezuarit, të
kërcyerit, të luhaturit, të stolisurit etj) si mënyrë, ishte
karakteristikë e veçantë për ta.
Siç po shihet prof. Kostallari nuk e zë në gojë
fare asnjanësin e tipit ablatival, sepse atbotë e sot, ende nuk cilësohej qartë si tip i veçantë.
Pra, për të gjitha këto arsye të cekura në katër
pikat e nënpikat përkatëse konstatimi i prof. A. Kostallarit u quajt kundërthënës
ose paksa i nxituar.
Fundi i fundit, për ne nuk është aq kontestues
fakti nëse ndodh ndonjë rast që asnjanësi prembiemër të konvertohet në emër të
nyjshëm mashkullor ose nëse lakimi i katërt, ku përfshihen asnjanësit e nyjshëm
mund të inkorporohet brenda lakimit të emrave të gjinisë maashkullore me
vërejtje si rast i veçantë. Për ne e rëndëshme është se asnjanësit e
paranyjëzuar nuk i shtrohen as zhdukjes, as shuarjes, madje as rrudhjes,
sepse e kanë temën e qartë motivuese fjalëformuese, e kanë të specifikuar
nënfushën semantike që e mbulojnë dhe paraqiten aktivë e produktivë në jetën
gjuhësore, ashtu si edhe asnjanësi ablatival, të cilët paraqiten të motivuar
edhe nga mënyra fjalëndërtuese me së-në
dhe fundoren -i ose –u karakteristike të emrit të pashquar të rasës rrjedhore dhe si të
tillë, edhe pse në formën e ngurëzuar kanë mundësi shumimi për nënfushat e
caktuara gramatiko-semantike ku përdoren.
Sipërfundim
Nga sa u tha në këtë krye mund të nxjerrim si
përfundim se në realitetin tonë gjuhësor zëvendësimi me sinonimikë të tjerë nën
ndikimin e gjuhëve të huaja që ceket në reagimin e prof A. Xhuvanit, as
zëvendësimi i konceptit përkatës të
asnjanësit me forma të tjera, siç ishte rasti në fjalorin shpjegues të shqipes
letrare, madje as konvertimi i asnjanësve në gjini të tjera, nuk mund t’i kenë
dëmtuar asnjanësit e shqipes sa të përçmohet ose të tronditet ekzistenca e
tyre. Në të vërtetë, me tejkalimin e sprovave në fjalë asnjanësi tregoi forcën
e identitetit të vet, sepse përkundër të gjitha këtyre sfidave vitaliteti i
asnjanësve të paranyjëzuar assesi nuk ka shënuar jo vetëm zhdukje, po as
tkurrje, përkundrazi, kur kemi parasysh nënfushën e qartë semantike që e
mbulon, kemi rritje numri të asnjanësve
të tillë në standardin e sotëm gjuhësor.
Së këtejmi, po përsërisim, meqë asnjëra nga
tri-katër faktet e sipërpërmendura, as ndikimi i gjuhëve a i konstrukteve lë
huaja, as zëvendësimi me sinonimet përkatëse që nga Rilindja e këndej, as
zëvendësimi i koncepteve të asnjanësit me format foljore, madje as supozimi
i konvertimit në gjininë tjetër, nuk kishin mbështetje të forta e të
përligjura evolucionore, anashkalimi i emrave të gjinisë asnjanëse në burimet e
caktuara normëzuese mund të quhet si veprim arbitrar e me pasoja i shkaktuar
nga keqkuptimi normëvënësve përkatës.
Fundja, siç u cek më sipër, standardologët tanë të
sotëm nuk duhet të bien pre e prirjes së tejdukshme që treguesit anësorë të
asnjanësit pothuajse tërësisht janë shpërbërë, duke kaluar në gjininë
mashkullore (përemra, mbiemrat e numërorët) e vërtetë kjo e padiskutueshme, por
në radhë të parë duhet ta shikojnë interesin e shqipes si sistem, sidomos
përplotninë e strukturave të shqipes standarde, sistem ky i ravijëzuar sipas
stileve funksionale, jo vetëm për sot e për nesër, por edhe për pasnesër e deri
në pa kufi.
Të jemi më të qartë, duke pasur parasysh nyjën e
përparme të karakteristike të asnjanësit të paranyjëzuar si dhe
nënfushën e qartë semantike që mbulojnë emrat e tillë në kuadër të fushës së
gjerë të abstraksionit, atëherë kategoria e tillë emërore duhet ta merret, si
me thënë, në mbrojtje, në mënyrë që mos të ndodhin në të ardhshmen përçmime të trajtave të tilla, siç kanë
ndodhur në etapën nga vitet ’50 –’90 të shekullit të kaluar), periudhë kjo e
diskutueshme, pasojat e të cilave po ndihen ndjeshëm edhe aktualisht.
Në këtë kontekst po ripërmendim për të mirë hartuesit e Fjalorit të gjuhës shqipe 2006, të cilët kanë futur në standard numër të konsiderueshëm të asnjanësve dhe ky veprim i tyre le të shërbejë jo si gjest, po si shembull i mirë që edhe standardologët e tjerë të ndjekin të njëjtën rrugë, duke e vlerësuar drejt edhe rolin e emrave asnjanës dhe përdorimin e tyre në burimet përkatëse normative të gjuhës shqipe.