| E diele, 02.06.2013, 05:47 PM |
NJË VIT
PËR TË KUJTUAR PRESIDENTIN JOHN KENNEDY
Nga Frank Shkreli
Xhon F.
Kennedy u betua në detyrën e presidentit të Shteteve të Bashkuara më 20 Janar,
1961. Fjalimi i tij me atë rast mbahet mendë si një prej fjalimeve më të
rëndësishme dhe më të cituar, në të cilin ai u bëri thirrje amerikanëve që të
aktivizohen, duke thënë: "Mos pyet
se çfarë mund të bëjë vendi yt për ty, por pyet se çka mund të bëjsh ti për
atdheun tënd.'' Duke iu drejtuar
vendeve të botës, ai u bëri thirrje që
ato të bashkohen në luftën kundër atyre që ai i cilësoi, si
"armiqtë e përbashkët të njeriut: tiranisë, varfërisë, sëmundjeve dhe
luftës."
Viti 2013
shënon 50-vjetorin e vitit të fundit të jetës së ish-Presidentit të ri
amerikan, dhe kalendari i këtij viti është i mbushur me aktivitete përkujtimore
nga jeta dhe veprimtaria e presidentit më të ri amerikan i cili u vra në Dallas
të shtetit Teksas, 50-vjetë më parë.
Janë planifikuar një numër përkujtimesh me rastin e 50-vjetorit të vdekjes
së njërit prej udhëheqsve më të admiruar jo vetëm në Amerikë por edhe në botë,
si përkrahës i lirisë dhe i demokracisë.
Presidenti Barak Obama, do të vizitojë Berlinin në Qershor për të
kujtuar 50-vjetorin e fjalimit të
famshëm anti- komunist të presidentit Kennedy, "Ich Bin Ein Berliner",
kur u ka thënë berlinasve të izoluar e të bllokuar nga komunistët, se unë jam
me ju, ndonëse edhe "unë jam një berlinas". Qyteti Dallas ku është vrarë Presidenti
Kennedy do të kujtoj 50-vjetorin e vrasjes dhe është në plan të botohen një
numër librash të reja mbi jetën dhe veprimtarinë e John F Kennedy.
Përveç
shqetësimeve të tij të mbrendshme të Amerikës në atë kohë, Xhon Kennedy ishte posaçërisht i shqetësuar
mbi mundësinë e shpërthimit të një lufte bërthamore midis kampit komunist të
kryesuar nga Bashkimi Sovjetik dhe botës përendimore, të udhëhequr nga Shtetet
e Bashkuara, luftë nga e cila miliona
veta mund të kishin vdekur. Lufta e
Ftohët, megjithëse nuk kishte rezultuar në ndonjë përleshje të armatosur midis
dy kampeve, ishte diçka ndryshe. Përveç
tjerash, ishte një luftë midis sistemit diktatorial komunist sovjetik dhe
sistemit demokratik amerikan të qeverisjes.
Ishte një luftë që shpesh i çoi të dy palët në prag të luftës
bërthamore, siç ndodhi me krizën e lindur nga vendosja e raketave bërthamore
sovjetike në Kubë, në vitin 1962 dhe me
krizën në qytetin e ndarë të Berlinit.
Presidenti
Kenndy mbahet mendë, megjithëse me një mandat të shkurtuar nga plumbat e një
vrasësi, si një president që donte që Shtetet e Bashkuara të shkonin përpara drejtë
së ardhmes, me zbulime të reja në shkencë e teknologji, me përmirësime në
fushën e arsimit, punësimit e të tjera.
Por mbi të gjitha, ai donte demokracinë dhe lirinë për të gjithë
njerëzit në botë.
Në këtë
drejtim, ai themeloi, Korpusin e Paqës, një program ky i cili edhe sot bën të
mundur që amerikanët të shkojnë si vullnetarë për të punuar kudo në botë, ku
ndihet nevoja dhe në fusha të ndryshme,
si për shembëll në arsim, bujqësi, përkujdesje shëndetsore, ndërtimtari, e
tjera. Presidenti Kennedy mbetet në
histori gjithashtu si presidenti amerikan i cili bëri të mundur që Shtetet e
Bashkuara të ishin vendi numër një në eksplorimin e hapësirës. "Asnjë
vend, që pret të udhëheq vendet e tjera, nuk mundë të mbetet mbrapa në garën
për eksplorimin e hapësirës", ka thënë Xhon Kenned. Si përfundim i përkushtimit të tij në këtë
fushë, Shtetet e Bashkuara qenë të parat që dërguan astronautët në Hënë.
Presidenti
Kennedy, gjatë mandatit të shkurtë të tij u përball me një seri problemesh të
mbrendshme këtu në Shtetet Bashkuara, mbi të gjitha me problemin e
diskriminimit racial të asaj kohe.
Ndasia raciale ishte tepër e theksuar, megjithëse Gjykata e Lartë kishte
vendosur se ishte kundër kushtetutës, disa shtete jugore praktikonin gjithnjë
diskriminimin kundër zezakëve.
Vdekja e
Presidentit Kennedy pat shkaktuar dhëmbje të madhe në radhët e amerikanëve dhe
anë e mbanë botës. Megjithë mandatin e
shkurtër të presidentit John Kennedy, ai gjithnjë konsiderohet si një ndër
presidentët më të mirë të Amerikës dhe mbahet mend për një trashëgimi si
udhëheqës i fortë me një personalitet dhe realizime dhe suksese të dukshme, kur
të merret parasyshë periudha e shkurtër që ai ka shërbyer në Shtëpinë e
Bardhë. Ai mbahet mend për gjakftohësinë
përballë marrjes së vendimeve shumë të vështira, siç ishte vendimi se ç'duhej
bërë në lidhje me raketat bërthamore që komunistët sovjetikë kishin vendosur në
Kubën e Fidel Kastros në vitin 1962. Ai
njihej gjithashtu si një orator elokuent, fjalimet e të cilit ishin shumë
frymëzuese dhe konsiderohen gjithnjë aktuale edhe sot pas 50 vjetësh. Megjithëse ai vetë vinte nga një familje e
pasur, John Kennedy kujtohet për
programet qeveritare dhe legjislacionin në mbështetje të të varfërve, dhe të
moshuarve. Presidenti Kennedy, si çdo
udhëheqës tjetër ka bërë gabime, por gjithmonë shprehte një entuziazëm të madh
për të ardhmen, duke besuar se çdo problem mund të zgjidhet me bashkpunim me
njëri tjetrin, për derisa interesat e vendit janë mbi të gjitha interesat e
tjera.
Ndonëse
njëri me mendime liberale dhe tjetri
konservator, në krahasim me presidentë të tjerë, biografi i Presidentit
Kennedy, Robert Dallek i tha gazetës USA Today se, "Presidenti Kennedy dhe Presdienti Reagan i dhanë këtij vendi një
frymë optimizmi dhe shprese. Ata
përfaqësonin vlerat më të mira të këtij vendi." Si Presidenti Kennedy ashtu edhe Presidenti
Reagan besonin fuqimisht në lirinë dhe demokracinë jo vetëm për amerikanët, por
për të gjithë popujt e botës -- ata besonin në shkëmbimin e lirë të informacionit
dhe në të drejtat e njeriut. Pasi ky
vit shënon gjithashtu edhe 70-vjetorin e Zërit të Amerikës, ia vlenë të
përmendet vizita dhe fjalimi i Presidentit John Kennedy me rastin e 20-vjetorit
të Zërit të Amerikës me ç'rast ai ka thënë se, "liria e informacionit
është një e drejtë themelore e njeriut", dhe shtoi se, "Ky është kodi
i Zërit të Amerikës. Ne mirëpresim
mendimet e të tjerëve. Ne kërkojmë
shkëmbimin e lirë të informacionit matanë kufijve, oqeaneve dhe perdeve të
hekurta dhe murve prej guri. Ne nuk kemi frikë t'i paraqesim popullit
amerikan të vërtetën mbi të mirat dhe të këqiat, as nuk kemi frikë nga idetë
dhe fillozofitë e huaja dhe as nga vlerat konkuruese. Një komb i cili ka frikë të lejojë popullin
e vet të gjykojë dhe të vendosë vet, për
të vërtetën dhe gënjeshtrat në një treg të lirë të ideve, ai është një komb i
cili ka frikë nga populli i vet.
Prandaj Zëri i Amerikës mban një përgjegjësi të madhe, pasi barra e së
vërtetës nuk është e lehtë." Në
atë fjalim tek Zëri i Amerikës, 50-vjetë më parë, presidenti Kennedy parashikoi
revolucionin dhe modernizimin e teknologjisë së medias dhe të shpërndarjes së
informacionit nepërmjet internetit, duke thënë se 20-vjetët e ardhëshme do të
paraqisnin mundësi jashtzakonisht të
mëdha por edhe sfida të ndërlikuara në fushën e teknologjisë së informacionit.
Nepërmjet
Zërit të Amerikës, që në atë kohë ishte i vetmi mjet komunikimi me popujt e
botës, John Kennedy, në fjalimin e tij
me rastin e betimit si president i ri i Amerikës, lajmëroi botën se Shtetet e
Bashkuara kishin një udhëheqës të ri, i
cili e konsideronte përhapjen e
komunizmit si një plagë për njerëzimin që vetëm me përdorimin e forcës
detyronte zbatimin e një ideologjie kundër vullnetit të popujve të robëruar,
një ideologjie që ai e konsideronte si e kundërta e lirisë dhe
demokracisë. Qëndrimin e tij të
vendosur në lidhje me komunizmin
ndërkombëtar të kohës, John Kennedy e bëri shumë të qartë kur tha këto me
rastin e betimit si president: “Le ta marrë vesh çdo komb, pa marrë parasyshë
nëse na e don të mirën ose të keqen, se ne do të paguajmë çdo çmim, do të
durojmë çfardo barre dhe do të
përballemi me të gjitha vështirsitë, se ne do të përkrahim çdo mik, do të
kundërshtojmë çdo armik, me qëllim për të siguruar mbijetesën dhe suksesin e
lirisë në botë”. Më tej, John Kennedy
vazhdoi paralajmërimin e tij në mbrojtje të lirisë dhe demokracisë, duke shtuar
se, “në historinë e gjatë të botës, vetëm disa brezave u ka takuar të luajnë
rolin e mbrojtësit të lirisë në kohën e rrezikut më të madh ndaj saj. Unë nuk tërhiqem nga këjo përgjegjësi,
përkundrazi unë e mirpres atë. Unë nuk
besoj se ndonjëri prej nesh do të ndërronte vendin me ndonjë popull tjetër ose brez
tjetër. Energjia, besimi dhe devocioni që ne sjellim drejtë
këtij qëllimi, do të shëndrisë vendin tonë dhe të gjithë ata që i shërbejnë
atij dhe – drita nga ky zjarr, me të vërtetë, do të ndriçojë mbarë botën.”
Fjalimet
e John Kennedy janë të llojit që frymëzojnë gjeneratat e të gjitha
kohërave, kur thonte se, “nuk duhet të
mbyllim sytë ndaj ndryshimeve që ekzistojnë midis nesh, por le të vlerësojmë
interesat e përbashkëta dhe mënyrat me të cilat mund të zgjidhen ndryshimet
midis nesh. Dhe nëqoftse nuk mund t’i
zgjidhim tani ndryshimet që ekzistojnë
midis nesh, atëherë të pakën të përpiqemi që të bëjmë këtë botë më të durueshme
dhe më të pajtueshme ndaj ndryshimeve që ekzistojnë midis njerëzve. Sepse, më në fund, janë lidhjet bazë dhe gjërat e përbashkëta
mes njëri tjetërit si banorë të këtij planeti të vogël, ato që kanë
rëndësi. Ne, të gjithë marrim frymë nga
i njëjti ajër. Të gjithë ne punojmë dhe
shpresojmë për një të ardhme më të mirë për fëmijtë tanë. Dhe të gjithë ne jemi të vdekshëm.”
Paqëja në
botë ishte për te një vizion i realizueshëm.
“Paqëja në botë”, ka thënë John Kennedy, “sikurë dhe paqëja në
komunitete, nuk nevojitë që çdo njeri ta duaj të afërmin e vet, por kërkon
vetëm që ata të jetojnë së bashku duke toleruar njëri tjetrin, duke u përpjekur
që mosmarveshjet të zgjidhen në mënyrë paqësore.”
Siç
thuhet edhe në portalin e përkujtimit të 50-vjetorit të vdekjes së John
Kennedy, “le të shërbejë ky përvjetor për të celebruar të kaluarën, duke zgjuar
të ardhmen”, dhe të nxjerren mësime dhe
shpresa për të ardhmen e njerëzimit nga
një udhëheqës i ri amerikan me kurajo dhe vizion, nga një moment tepër
kritik në historinë e Shteteve të Bashkuara dhe të botës – jeta e të cilit u
ndërpre para kohe nga plumbi i një vrasësi.
Presidenti
John Kennedy duke i folur popullit të Berlinit, më 26 Qershor, 1963