| E diele, 02.06.2013, 11:00 AM |
HASAN
YELMENI, MËHALLËT DHE SHEHLERËT PRESHEVËS
Shkruan:
Xhemaledin SALIHU
Presheva
i takon kohës Antike, fisit Dardan dhe bënte pjesë në Mbretërinë e Dardanisë.
Ajo i ruajti Mëhallët si rrallë ndonjë qytet në trevat shqiptare.
Mëhallë
sipas fjalorit të gjuhës shqipe është lagje, grumbull i madh njerëzish,
shumicë. Kishte një mëhallë fëmijë. U bënë një mëhallë njerëzish, pa përcaktim
lidhjeje të gjakut , gjinie, racore, fisnore, fetare. Ndërsa tek fjalor fjalësh
dhe shprehjesh të huaja, fjalë turke, lagje, pjesë e qytetit apo e katundit.
Lidhur me
Preshevën dhe Mëhallët e saja shkruan shumë autorë, por do t’i veçoja vetëm
disa prej tyre.
J.F.
Trifunoski në librin e tij “Presheva” të botuar më 1951 shkruan mbi Preshevën
dhe mëhallët e saja.
Sipas
Trifunoskit, Presheva përbëhet prej shumë pjesëve, mëhallëve, të cilat dallohen
sipas vjetërsisë.Mëhalla më e vjetër është Mëhalla e Rekës(Lumit), e cila
shtrihet në anën e djathtë të lumit, menjëherë pas daljes së lumit nga mali.E
dyta sipas vjetërsisë radhitet Mëhalla e
Xhamisë së Vjetër, apo Atik-Xhamisë, e cila shtrihet në anën e majtë të lumit,
menjëherë pas daljes së tij nga mali. Mëhalla ka marrë emërtimin sipas Atik –
Xhamisë, e ndërtuar më 1856. E treta, sipas vjetërsisë radhitet Mëhalla e
Xhamisë së re, apo Xhemit-Xhamisë, e ndërtuar në shekullin 19.
Sipas
autorit, Shehët janë familja më e vjetër
në qytet, pastaj Ali-Metët dhe
Sheh-Halilët, të cilët janë të fisit, Sop.Familjet e Kajallarëve,
Mulla-Beqirëve, Çollakëve, Mutishëve,Gollomehëve janë Kelmend, ndërsa Kamberët,
Karavelitë, Hilët, Bardhiqët të fisit Thaç.Familjet të tjera, sipas autorit
janë të ardhura më vonë.
T.P.
Vukanoviq, poashtu shkruan për Mëhallët e Preshevës në librin : Presheva,
botuar më 1966. Ai Mëhallët kështu i radhitë : Ali Metët, Berajt, Berberët,
Binajt, Boshnjakët, Dodollarët, Gjorgovcët, Kamberët, Kuklarët, Majanca, Paxhik
Mëhalla, e njohur si Mëhalla Hamidije, Mëhalla e Zallit, Rrahmonët, Mëhalla e
Spahillarëve, Mëhalla e Hanucëve, Mëhalla e Atik Xhamisë dhe Shehët.
Sipas autorit J. Haxhi-Vasileviq, Presheva ndahet në 4 Mëhallë : Mëhalla e Mutishëve, Mëhalla Paxhik, Mëhalla e Ali-Metëve dhe Mëhalla e Amedive. Dy të parat shtrihen në të djathtë të lumit, ndërsa dy të tjerët në të majtë të lumit. Sipas Haxhi-Vasileviqit, Mëhalla më e vjetër është Mëhalla Paxhik, pastaj radhitet ajo e Amedive. Kështu shkruan autori në librin e tij :Serbia e Vjetër Jugore, Rajoni i Preshevës, e botuar më 1913.
Ibrahim
Kelmendi në librin e tij : “Një shtyllë e Kosovës quhet Preshevë”, botuar më
2006, shkruan : “Shqiptarët e Preshevës
ndahen në mahallë : Murtishtët, Kajajt, Mullabeqirët, Nezajt, Derrajt, Berajt,
Rahmanët, Golomeshët, Ali-Metajt, Hodajt, Budumtë, Sheh-Halilët, Kamberët, Dodajt,
Bajraktarët dhe të tjerë. Çdo mahallë asht gjini në vete. Disa prej gjinivet i
përkasin fisevet : Sopë, Kelmendë, Thaç dhe Krasniq.. Një numër i Qytetarëvet
nuk kanë fise fare.
Bisedat
që i zhvillova me disa pleqë të Preshevës erdha në përfundim se Mëhallët më të
vjetra të Preshevës janë : MËHALLA E
DOGANËVE , e cila shtrihet në të djathtë të lumit dhe i përketë fisit Kelmend,
MËHALLA E KUKLARËVE, e cila shtrihet në anën e majtë të lumit dhe i përketë
kryesisht fisit Thaç dhe MËHALA E SHEH-HALILËVE DHE E ALI-METËVE, që shtrihen
në anën e majtë të lumit dhe i përkasin fisit Sop.Këto dy mëhalla janë të një
gjaku. Pra, Presheva mbështetet në 4 Mëhallë dhe kë to janë 4 shtylla dhe 4
pjesë kryesore të Preshevës.
Mëhalla e
Doganëve i përket një gjinie/loze), sipas lidhjes së gjakut dhe aty kryesisht
bëjnë pjesë : Doganët, Kajallarët, Berberët, Mutishët, Hanucët, Haxhi-Beqirët,
Mulla-Ademët, Pamukët, Qutët.
Në
Mëhallën e Sheh-Halilëve dhe Ali-Metëve
kryesisht bëjnë pjesë : Alimetët, Sheh-Halilët,Shehlerët, Agallarët dhe
Hoxhët apo Efendilerët.
Në Mëhallën
e Kuklarëve kryesisht bëjnë pjesë : Dodajt, Begajt, Majanca, Baballukët,
Malokët, Mulla-Abazët, Napranët, Karavelitë, Zengulët, Zelçët, Bixhallarët,
Derrajt, Kamberët, Qorvelitë, Hallaçët.
Me këtë
rast po mundohem t’ i përmendi të gjitha Mëhallët e Preshevës : Doganët,
Sheh-_Halilët, Kajallarët, Berberët, Hodajt, Karaponxhët, Mutishët, Hanucët,
Salimusët, Hamishët, Haxhi-Beqirët, Mulla-Ademët, Qutët, Pamukët, Kekincët,
Harunët/kanë ardhur më vonë, aty kah viti 1912/, Liçajt, Kurbalitë, Nurojt, Hysenët
/të ardhur më vonë/, Nezajt, Berajt, Rrahmonët, Bugarinët/të ardhur më vonë/,
Dodajt, Begajt, Zelçajt, Majancalitë, Bixhallarët, Baballukët, Bilalqaushët,
Horosanët, Malokët, Mulla-Abazët, Napranët, Kamberajt, Qorvelitë, Derrajt,
Shehlerët, Ali-Metët, Budumët, Gollomehët, Binajt, Tërnavalitë/të ardhur më
vonë, aty kah viti 1912/, Karavelitë, Hallaçët, Zengulët, Hamaçët, Çukarkalitë
/ të ardhur më vonë/.
Presheva i ka katër shtylla kryesore që e kanë bartur historinë e Preshevës : Mëhalla e Kuklarëve, Mëhalla e Doganëve, Mëhalla e Ali-Metëve dhe Mëhalla e Sheh-Halilëve. /Për Mëhallët shiko:Xhemaledin Salihu, Mëhallët e Preshevës, Presheva.com, 2009/
Shehlerët
e Hasan Yelmenit
Sipas
Preshevarit Hasan Yelmen Shehlerët dhe paraardhësit e tij nga Vranja janë
shpërngul në Kazanë e Preshevës dhe në këtë rajon kanë jetuar 400 vjetë.
Hasan
Yelmen vërteton se Shehlerët ndahen në tri grupe: Shehlerët/Shehët/,
Hoxhaefendilerët dhe Agallarët.
Hasan
Yelmen shkruan: “ Në fillim të njohurive të këtij paragrafi të bazuara nga
pasardhësit Haxhi sheh Maksudi “shehlerët”, pasardhësit Vejsel Agës
“Agallarët”, familjes sonë pasardhësit Abdylkerimit “Efendilerët” apo
“Hoxhallarët”. Duke përfshi Shehlerët lidhjet që janë krijuar në mes akrabave
deri më sot kanë vazhduar të ruhen, por lidhjet në mes Agallarëve dhe
Hoxhallarëve kanë mbetur të shkëputura/është fjala për familjet në Turqi,
autori i shkrimit/. Shehlerët janë marrë vesh që këto lidhje dhe takime t’i
vazhdojnë.
Pas sheh
Maksudit, Sheh Omerit dhe nga Sheh Haxhi Maksudi, Agallarët dhe Hoxhallarët
fillojnë të ndahen. Pas Sheh Haxhi Maksudit, Sheh Saliu, Sheh Hyseini, Sheh
Salimi dhe Sheh Akifi me pasardhësit tonë shtatë sheh kanë ardhur dhe shkuar.
Sa i përket kësaj në mbishkrimin osmanishte siç lenë të nënkuptohet, Sheh Saliu, Sheh Omeri brenda Tyrbesë dhe Sheh Haxhi Maksudi jashta Tyrbesë janë varrosë. Tyrbeja dhe Teqeja janë në Preshevë. Pasardhësit tanë, Kazanë e Preshevës e kishin pranuar qendër. Për këtë arsye veten e quajmë Preshevarë. E fundit vajza e Shehlerëve, Sheh Akif Efendiut, nga e afërmja jonë zonja Ilfete ka qenë mbikqyrëse dhe drejtuese e Preshevës. Ajo ka ndërruar jetë në Stamboll”./Hasan Yelmen, Bir omru deriyorum/Jeta e dëshiruar/, Stamboll, Derimod/
Në skicën
e poshtëshënuar të Hasan Yelmenit janë paraqitur vetëm loza e Shehlerëve, jo
edhe e Agallarëve dhe Hoxhallarëve.
Hasan
Yelmeni vazhdon:” Në dokumentet që i kam shfaqur nënkuptohet se në pjesën e
paraardhësve të Shehëve zenë vend edhe gjyshja ime Zymryte. Sipas kësaj të
vërtete kam konstatuar se paraardhësit tonë i takojnë pjesës së Shehlerëve. Kur
të shqyrtohet tabela e pedigrit, në këtë pjesë gjenden shtatë Sheh. Në Kasabanë
e Preshevës, në varrezat e Teqesë që i kanë ngritur kuptohet se janë varrosur.
Kam zbuluar se Qendra e Efendive të Shehëve është bërë anëtare e
Tarikatit/sektit të Halvetit.
Baba i
babës tim, Haxhi Omer Beu dhe gjithashtu nëna e tij zonja Zynryte se i takojnë
pedigrit tonë. Nuk munda ta njoh gjyshin tim Hazhi Omer Beun. Por kujtojë se
jam rritur në prehër të gjyshës sime, zonjës Zymryte…Çdo pjesë e jetës sime,
del qartë në pah se nga burimet i takojë përkatësisë së gjenezës që i takon
Shehëve”, përfundon Hasan Yelmeni. ”./Hasan Yelmen, Bir omru deriyorum/Jeta e
dëshiruar/, Stamboll, Derimod/
Hasan Yelmeni trungun familjar e nxorri më vitin 2002, për të cilin thotë se ende jeton, të cilin e kam publikuar dhe e kam miratimin e të mëdhenjve të familjes së Shehëve
Trungu
familjar i Shehëve
Shehlerët
dhe familjet e tyre kanë pasur pasuri dhe pronësi në Preshevë, në Tabanoc,
katund ndërmjet Preshevës dhe Kumanovës, në Mateç dhe Llojan, katunde të
Kumanovës.
Jovan
Hadzi-Vasiljevic, Juzna Stara srbija, Kumanovska oblast, knj, I, Beograd 1909,
f. 141 shkruan: “Në Tabanoc, në këtë fshat, para 80 vjetëve ekzistone Çiflluku
i Madh i Pashës dhe Çiflluku i familjes së Vjetër dhe të Madhe të Preshevës,
Shehëve. Njerëzit e vjetër e kujtojnë shumë mirë kur ky Çiflluk ishte i vogël
dhe duke uzurpuar u bë shumë i madh,
deri në 2.000 shinik tokë të punuar. Poashtu edhe në Mateç kanë
Çifllukun Shehët e Preshevës, të cilin këta e morën me dhunë dhe diçka duke e
blerë tokën nga të krishterët.”përfundon Haxhi-Vasileviqi.
Haxhi-Vasileviqi vazhdon në faqen 198, po të njëjtën vepër të cekur: “Arnautë/Shqiptarë/ kishte në Tabanoc/1909/, të cilët aty jetojnë me familje, por ka edhe Arnautë që vetëm punojnë tokën e uzurpuar ose tokën e vet, ndërsa me familje jetojnë në Preshevë… Më së shumti tokë të Serbëve e kanë uzurpuar Arnautët e njohur nga Presheva, Shehët. Këta edhe nga Turqit dhe nga Çiflluku i Pashës kanë uzurpuar tokë. Kjo ishte familja më e madhe dhe më arnautja në Kazanë e Preshevës dhe të Kumanovës. Shehët janë të njohur si të tillë edhe para 150 vjetëve. Shehët asnjëherë nuk u gjykuan…” përfundon Haxhi-Vasileviqi.
Biografi
e shkurtër e H. Yelmenit
Hasan
Yelmeni është preshevar, lindi dhe jetoi
me familje një kohë në Shkup dhe gjatë kohës së Mbretërisë Serbe, Kroate
dhe Sllovene me familje qe I detyruar të shpërngulet në Turqi.
Në
Stamboll kreu fakultetin, dega e kimisë. U bë biznesmen dhe në një fakultet
privat të Stambollit, ligjëron teknologjinë e lëkurave, e cila është edhe
biznesi I tij.
Jeton dhe vepron në moshën 92 vjeçare në Stamboll.
REFERENCAT
1.Xhemaledin
Salihu, Mëhallët e Preshevës, Presheva.com, më 11 korrik 2009
2.Xhemaledin
Salihu, Mëhallët e Preshevës, Perspektiva, nr. 143/144, 2009, f. 14-15
3.Jovan
F. Trifunoski, Presevo, Beograd, 1951
4. Jovan
F. Trifunoski, Kumanovsko-presevska Crna Gora, Beograd, 1951
5. T. P.
Vukanovic, Presevo, Vranje, Vranjski glasnik, knj. 2, 1966
6.Jovan
Hadzi-Vasiljevic, Juzna Stara Srbija, Presevska oblast, Beograd, 1913
7.
Ibrahim Kelmendi, Një shtyllë e Kosovës quhet Preshevë, Preshevë, 2006
8.Bisedë
me Agim Kadriun, banor I Mëhallës së Kuklarëve, më 5 qershor 2011
9.Bisedë
me Haxhi Isa Latifi, I Mëhallës së Kuklarëve, më 24.04.2009
10.Bisedë
me Rexhep Kadri Salihu, I Mëhallës së Ali-Metëve, më 25.04.2009
11.Bisedë
me Musa Kakdriu, I Mëhallës së Kuklarëve, më 28.04.2009
12. Hasan
Yelmen, Bir omru deriyorum/Jeta e dëshiruar/, Stamboll, Derimod/
13. Jovan Hadzi-Vasiljevic, Juzna Stara srbija, Kumanovska oblast, knj, I, Beograd 1909