| E shtune, 01.06.2013, 12:14 PM |
NJË FOTOGRAFI E VJETËR DHE QYTETARIA E NJË FSHATI
Nga Qerim
VRIONI
Para ca
kohësh, gjatë një fundjave në një qytet turistik në veri të Miçiganit (SHBA),
kam parë disa çifte që po fotografoheshin. Nuk ishin të sapomartuar që të
përjetësonin ditën më të shënuar të
jetës, jo, ishin rreth moshës kur mund të quheshin meso-burrë dhe meso-grua,
siç u themi në Shqipëri. Veshjet e tyre ishin thuajse ceremoniale, gjendja
ishte e gëzueshme, ndoshta i bashkonte ndonjë përvjetor mbresëlënës. Pas çdo shkrepje, shumica shkonin tek fotografi
të shihnin në ekranin e vogël të aparatit se si ishin fotografuar. Duke i
vërejtur një copë herë, m’u kujtua një fotografi e vitit të largët 1931, në të
cilën fotografi Thimi Raci, kishte paraqitur dhjetë çifte të martuarish të
fshatit Dardhë (Korçë). Këtë fotografi ma ka dhuruar koleksionisti dhe miku im,
Vangjo Ilo, i ndarë nga jeta një vit e gjysëm më parë. E botojmë me gjithë
shënimet e zakonshme për çdo foto të arkivit të tij, çka tregon edhe se sa i
kujdesshëm ishte ai me fotografitë që ruante, por në të dallohen edhe gjurmët e
gjithë këtyre viteve.
Nga
shënimet e dy pinjollëve dardharë (Vaskë Bruko e Adriana Stefani, që me këtë
rast i falenderoj) të cilët, ndonëse në kontinentin amerikan, mbajnë gjallë dhe
fortë lidhjet me fshatin e prejardhjes së tyre, mësohet diçka mbi historikun e
fotos. Burrat e fotos, të cilët kishin vite që jetonin e punonin si mërgimtarë
në Amerikë, ishin kthyer në dimrin 1930-31, përkohësisht në vendlindje për
arsye të ndryshme si malli për të afërmit, martesa, lindje fëmijësh, rikthim në
atdheun e ri së toku me gratë e tyre
(bashkim familjar, siç quhet sot) etj. Gjatë qëndrimit në fshat, kishin festuar
Krishtlindjet, Vitin e Ri dhe Ujin e Bekuar. Më pas, tetë syresh, nga dhjetë të
fotos, u kthyen rishtas në “Botën e Re”, bashkë me gratë. Brenda të dhënave të dy
miqëve të mij janë dhe emrat e pothuajse të gjithë pjesëmarrësve në foto, por
përmendja e tyre nuk hynë në objektivin e këtij shkrimi.
Fotoja të
“godit” qysh prej përballjes fillestare me të, mandej të mban para saj e fillon
të nxisi përfytyrime të shumta e të ndryshme. Është në natyrën e fotografisë që
përgjithësisht, ta cysë shikuesin të imagjinojë jo vetëm çastet e shkrepjes së
saj, por ndoca edhe para tyre e, më shumë të tjera, sidomos pas ngjizjes. Kjo
nuk lidhet veçmas me pritjen që do t’i bënin fotos “aktorët”, por edhe me
rrugëtimin e gjatë në kohë, kur ajo do qëndronte para dhjetra, qindra e ndoshta
mijra syve, një rrugëtim që ngërthen vlerat e vërteta të saj. Kështu, të nxitur
nga të veçantat e kësaj fotoje mbi 80-vjeçare, hodhëm në letër disa përsiatje
rreth saj të shkruar si me laps.
Gjithsesi,
ideja për t’u fotografuar bashkë me gratë e tyre, e hedhur nga njeri prej të
mërguarve (i pari që e ka shqiptuar mendimin) është pritur mirë nga të gjithë,
po dhe në mënyra të ndryshme. Në fund, të dhjetë (burrat vendosnin) janë
njëmendësuar për ta bërë fotografinë. Kjo tregonte se në SHBA, ata nuk kishin
fituar vetëm dollarë për vete e familjet, por dhe diç kishin përthithur nga
mendësia amerikane e jetës dhe në një farë mënyre po e praktikonin atë në
vendlindje. Ndoshta dhe mjeshtër Thimit i është dukur i veçantë propozimi dhe e
ka pranuar përnjëherë atë. Ai kish rreth njëzet vjet që fotografonte në fshat
ngjarje të ndryshme, lindje, martesa, funerale, pagëzime, “ditë të emrit”,
festa fetare, piknike, hyrje në shtëpi të reja, por kjo ishte disi e ndryshme.
Përveç përfitimit material nga që do bënte të paktën dhjetë copë, atij i është
ngacmuar disi përfytyrimi se ajo nuk do ishte një foto e rëndomtë (më vonë,
koha i dha të drejtë përfytyrimit të tij).
Usta Thimi, kishte bërë shumë foto të përbashkëta me burra dhe gra në
raste të ndryshme, ose grupe të ndara
sipas seksit, por “shkrepje” me kaq çifte së toku nuk i kishte ndodhur
ndonjëherë.
Më pas,
me gjasë, duhet të kenë nisur diskutimet e shumta e të zhurmshme
alla-shqiptarçe, të aktorëve (ata që fotografoheshin dhe mjeshtri) dhe
spektatorëve (të afërmë dhe të tjerë), mbi datën, orën, vendin, veshjet.
Ndonëse fotografimi në Dardhë ishte diçka mjaft e vjetër (fillimet prej gjysmës
së dytë të shekullit XIX), vetë tubimi i
dhjetë çifteve nuk mbahej mend të kish ndodhur më parë. Atje, kishte shumë mote
që fotografohej shumçka, pra prej kohësh dardharëve nuk u krijonte më ndjesi të
reja “dalja në fotografi” ose “nxjerrja në fotografi”, por kjo ishte e para e
llojit. Si në asnjë fshat tjetër në vend (edhe qytetet ishin më pak se gishtat
e një dore), aty kishte dhe një dyqan me fjalën “fotograf” në tabelën mbi
portën e hyrjes (“Thimi Raci-Teneqexhi dhe Fotograf”,viti 1911), përveç
lokaleve të tjera të shërbimeve si këpucar, rrobaqepës, berber etj. Pra, “dalja në fotografi” ishte kthyer në një
rutinë të rëndomtë. Çuditërisht, kjo shprehje me tri pjesë, që përfaqëson
procesin e fotografimit, në dukje allogjike, kishte shumë vite që dëgjohej dhe
sendërtohej në atë fshat të thellë malor (rreth 1300 metra mbi nivelin e
detit).
Le të
vazhdojmë me foton e Thimi Racit të vitit 1931. Pasi u vendos se do bëhej
fotoja, fjala do jetë hapur në fshat, së pari në bisedat familjare, në rrugicat
e, natyrisht në tavolinat e barit të “Hotel Dëfrimi” (emër i pahasur kurkund në
Shqipërinë e asaj kohe), ku dardharët rrëkëllenin ndonje gotë vere a rakije.
Bashkë me lajmin, filluan dhe pandehmat e hamendësimet e shumta, ku
përfshiheshin habija, kureshtja e mbase dhe pak zilija (që nuk është fare e
huaj për shqiptarët), si…po kjo do jetë ndryshe , të shohim si do dalin, si do
vishen etj etj. Edhe figura e fotografit Raci po ngrihej e po merrte një tis të
ri, disi më dinjitoz, se në fund të fundit, ata që do fotografoheshin, kishin
ardhur nga Amerika dhe kishin parë dhe
studio moderne të qyteteve të tij të mëdha. Më ndryshe, me të folmen e shtypit
të sotëm, fotografimi i dhjetë çifteve
po përbënte ngjarje në fshat. Në foto do përfshiheshin drejtëpërdrejtë pjestarë
nga rreth njëzetë familje, që me gjithë farefisin e krushqitë, mund të thuhej
se ndoshta i gjithë fshati ishte lidhur
me të e po priste me kërshëri ta shihte. Fotoja ato ditë ishte kthyer në
kryefjalën e shumë bisedave.
Pas
“prerjes së ditës”, bashkë me të e vendit dhe orës, mundet që caktimi i veshjes
të ketë hapur punë. “Ata të Amerikës”, kështu nisën të quheshin burrat,
këmbëngulën se do të mbanin kostume
europiane, edhe pse fshati i tyre kishte një veshje të tijën karakteristike për
meshkujt, që quhej mandio. Mosmarrëveshjet, mendojmë se do kenë filluar kur ka
ardhur fjala te paraqitja e grave. Ato ishin mësuar që për çdo të kremte të mbanin xibunin, veshjen tradicionale të
fshatit (dhe në pajë e mernin nga një të tillë, ndonëse ditën e martesës e nderonin me fustanin e
bardhë), që e përdornin në të gjitha rastet e veçanta gëzimi dhe hidhërimi,
natyrisht, jo vetëm familjare, që nuk ishin të rralla në Dardhë. Secila mund të
kishte dhe rroba të kohës që ja kishin prurë nga mërgimi (këto kanë përbërë
mallin kryesor që dhe shumë kohë pas
shkrepjes së fotos, shqiptarët sillnin në atdhe), por nën xibun ato, sikur e
ndjenin më mirë e më lehtë veten. Xibuni qepej atje, po përdorej ngapak edhe në
fshatrat fqinjë si Sinicë dhe Qytezë. Sipas dy dardharëve të vjetër e
koleksionistë, (Sotir Laço dhe Sotir Pani), xibuni njihej në fshat qysh prej
shekullit XIX. Edhe shumë e njohura në vend, “Vallja Dardhare”, në festivale
apo shfaqje të ndryshme, kërcehet
gjithmonë nga valltare të veshura me xibun. Me sa dijmë kulti i xibunit, përveç
fshatit mbahet disi gjallë edhe në disa vende ku jetojnë të prejardhur nga
Dardha. Kështu, para një muaji një qytetar amerikan me prindër dardharë
publikoi në rrjetin facebook, një foto të vajzës së tij 7 vjeçe veshur me… një
xibun të ri.
Pas diskutimeve të shumta, është pranuar që burrat të vishen si europianë, ndërsa gratë…me xibun. Tani fillonte puna e fotografit, vendosja së bashku, plani i parë, sfondi, kujdes, drita duhet t’u bjerë në fytyra, ndonëse nuk ka diell. Pasi i ka rreshtuar të dhjetë çiftet, dhe ka vendosur aparatin e madh mbi trekëmbëshin prej druri, disa metra larg mesit të rreshtit, vertikalisht me të, mjeshtri u ka kërkuar atyre të kthejnë pak kokën djathtas e të shikojnë në drejtim të tij. Pas shpatullave të mjeshtër Thimit, siç ndodh rëndomë në këto raste, njerëzit po shtoheshin, bashkë me ta dhe bisedat që ndoshta e kanë detyruar fotografin t’u kërkoj heshtje ose ulje zeri sa të mbaronin punë.
Më në
fund. mjeshtri filloi të fotografonte e prej këtij çasti puna mbetej vetëm e
tija. Natyrisht, mjeshtri nuk ka bërë vetëm një shkrepje. Kjo mbase dhe e ka
munduar, sepse zëvendësimi i pllakave (ende nuk i kishte rënë në dorë aparat me
film), në një kohë kur njëzetë vetë prisnin në dëborë, nuk ishte fare i lehtë.
Ndërkohë kish filluar dhe padurimi për ta shikuar fotografinë dhe ky tashmë ishte
i aktorëve, por jo vetëm i tyre, por pothuajse i të gjithë banorëve të Dardhës.
Por mosdurimi për foton, nuk ishte aq i besdisshëm, sepse të gjithë në fshat i
njihnin kushtet “laboratorike” të fotografit, një kthinë e vogël e dyqanit dhe
pa energji elektrike. Gjithsesi, fotoja përfundoi dhe filloi t’u binte nëpër
duar pjesëmarrësve të “njëzetëshes” e, këtu natyrisht mund të kenë lindur
diskutime, kënaqësi, por dhe ndopak hidhërim, dikush e ka dashur bardhë e zi,
një tjetër në sepje (ato kohra ishte si të thuash, një ngjyrë familjare), por
me shumë gjasë, të gjithë e kanë pëlqyer fotografinë dhe e kanë ruajtur gjatë
pa ja zbehur vlerën e ditës së parë kur u ngjiz. Dikush e zmadhoi dhe pasi e
rrethoi me kornizë, e vendosi në murin e dhomës më të mirë. E, këtyre fotove të
vjetra, dihet tanimë, se u rritet “karati” bashkë me moshën.
Duke e
shikuar me vëmendjen e duhur foton, vërejmë se pasi e lejmë mënjanë për një
çast, pas pak vetvetiu, ajo na detyron
ta vendosim rishtas para syve dhe të nisim sërish të lexojmë mbi të. Në
foto ka një farë solemntiteti që shpërfaqet nga qëndrimet e të gjithëve
(thuajse gati-tu), por sidomos nga fytyrat e tyre, ku nuk dallojmë gjurmë
buzëqeshjeje. Pikasim, me aq sa na lejon pastërtia e fotos, se gratë,
përgjithësisht, janë femra të hijshme, të krehura me kujdes dhe me një tualet
të lehtë në fytyrë. Burrat, po si burrat shqiptarë, të vetëdijshëm pak si me
tepri për rolin e tyre.
Fotografi mund t’a kish përngrirë pamjen edhe ndryshe, veç burrat, e veç gratë, të bashkuar në mesin e fotos. Ai, zgjodhi këtë, ndoshta për disa arsye. Mbase nuk i pëlqente simetria (jo shumë e këndshme në fotografi) që mund ta thyente dhe me sfondin, por ndoshta më tepër me synimin që çdo “qelizë familjare“, burrë-grua, të paraqitej më vete. Kështu, edhe pse ka një farë simetrie brenda rreshtit ajo “hollohet” mjaft nga ndërtesat e sfondit që janë shfrytëzuar me shumë intuitë nga fotografi ynë. Po ashtu, zgjedhja e pikës së fotografimit, në mënyrë që vija që formojnë çiftet të mos jetë paralele me horizontin, nuk flet për qetësi a prehje. Koha (moti) gjatë fotografimit ka qenë e vërejtur (diellin e kishin fshehur retë) dhe në foto nuk dallohen fare hije, gjë që flet për ndriçim të butë e të shpërndarë. Gjithsesi, ndriçimin e gjithë të rreshtuarve e ka ndihmuar mjaft edhe reflektimi i bardhësisë së dëborës, që ka ndikuar për të arritur pasqyrimin pastër në letrën fotografike të fytyrave të çifteve.
Kjo fotografi është e veçantë, përveç atyre ndjesive që krijon, edhe për faktin se dhe sot e kësaj dite me gjithë mundësitë dhe lehtësitë e fotografimit, vështirë të gjesh shumë “shkrepje” të tilla, aq më tepër në fshat. Ajo, përveç aftësisë si fotograf të Thimi Racit, tregon edhe shkallën e qytetarisë së mënjanëshme që kishte arritur Dardha, kjo edhe në sajë të lëvizjeve të shumta të banorëve të saj jashtë vendit, sidomos deri në Amerikë. Me këtë foto, të vendosur në mur apo në albume familjare, lidhen shpirtërisht mjaft pasardhës të atyre njëzetëve, të shpërndarë në mjaft vende, të cilët ndërkohë ndjejnë një krenari të natyrshme. Gjithashtu, kjo “shkrepje” mund të mbajë para saj gjatë dhe shikimet e mjaft njerëzve të tjerë pa asnjëfarë lidhje dhe njohje me të njëzetë fotografuarit dhe fshatin malor. Nga ana tjetër, fotoja mendojmë se mund të zejë vend edhe në Historinë e Fotografisë Shqiptare. Nga ç’u shkrua më sipër, fotografia e dhjetë çifteve dardhare në dimrin e vitit 1931, përbën si të thuash, një përmendore qytetarije, e mund të shërbejë edhe si një “gur kilometrik” për të treguar rrugën nëpër të cilën ka kaluar një pjesë e shoqërisë shqiptare. Madje, kjo jo në një qytet, por në Dardhë, një fshat malor të cilit njëkohësisht, i takon një vend nderi në Historinë e Fotografisë Shqiptare.