Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ukshin Zajmi: Ngulime dardane në Evropë

| E shtune, 01.06.2013, 01:40 PM |


Ngulime dardane në Evropë

Ekskluzive nga Ukshin Zajmi

Në vitin 28 para epokës së re, romakët Mbretërinë e Dardanisë e lidhen me provincën romake të Mezisë dhe kështu, ky fis ilir, tërësisht u pushtua nga romakët. Romakët të etur për pushtime të reja, ata filluan më të madhe të rekturojnë ushtarë nga vendet e pushtuara, dhe kështu edhe Dardanët u rreshtuan në ushtrinë romake, e shumë syresh u shquan edhe për udhëheqës të reparteve ushtarake. Me avansimin e tyre, ata u dërguan edhe në rajone tjera, qoftë për të pushtuar territore apo për të ruajtur rendin dhe qetësinë në vend. Ushtarak të tillë u dërguan edhe në viset evropiane, të cilët, madje edhe zunë vend në këto territore duke krijuar familje, e disa prej tyre edhe lanë gjurmë që edhe sot e kësaj dite janë evidente. Sipas evidentimit të Eqrem Çabej-it  dhe S. Matos, vetëm në rrethinën e Gjenevës, në Zvicër, janë gjetur më tepër se 50 toponime që kanë kuptim vetëm në gjuhen shqipe, këtë e citon Agim Shehu  në librin “Te princesha e Evropës” 1998 faqe 24.

Një vend të tillë e vizitova në muajin prill të këtij viti, për të cilin me njoftoi miku Musah Drainca, i cili në këtë vend kishte punuar gjatë një vikendi, disa vite më parë. Fjala është për fshatin e dikurshën, e komunën e tashme, Dardani, në Kantonin përkatësisht Republikën e Gjenevës në Zvicër. Kur e vizituam këtë vend, u ulëm për një kafe në Hanin e Dardanisë (Auberge de Dardagny).

Mësuam se historia e këtij vendi daton që nga  neoliti, sepse gjatë punimeve është gjetur një sëpatë e asaj kohe, ndërsa objekti i parë që është ngritur këtu është kisha e Shën Pjetrit në qendër të vendbanimit, kurse si pronar qendror i këtij vendi  në vitin 1280 përmendet Amioni  i Dardanisë (Amyon de Dardagny), i cili këtë vend e kishte marrë si trashëgim për 30 libra. Përndryshe ky vendbanim në vitin 1093 kishte emrin Dardaniacum.

Pos Amionit, që përmendët si kalorës i këtij vendi dhe bashkëpuntor me Kontët e Gjenevës, pronar në jug ishte Andre de la Corbiere ndërsa në veri Michaud Livron, andaj edhe sot stema e kësaj komune është me tri kala, nga se pronari qendror në mes te vendbanimit kishte ndërtuar një kala, e cila, me disa renovime edhe sot ruhet dhe shërben si objekt komunal dhe shkollë e Dardanisë.

Prej kohësh, kjo anë pitoreske e rrjedhës së djathtë të Ronës e në rrënzë të maleve të Juras, e shtrirë në kodrina jo të larta valore e kultivon rrushin dhe prej tij prodhon verën, ndërsa në vitin 1321 përmendet edhe si pjesë ku ka rrjet të madh të mullinjve, prej të cilëve, sot, rrallë ruhet ndonjë, sepse teknologjia e re i ka lënë në harresë. Në territorin e kësaj komune pos Dardanisë, gravitojnë edhe fshatrat: La Plaine, Malva, Esertines La Tuiliere dhe Les Granges.

Fshati përkatësisht komuna Dardani e Zvicrës, si territori më perendimor i Zvicrës, e që është në kufi me Francën, njihet edhe për kuriozitetet: Kalanë e ndërtuar në stilin barok më e madhja dhe më e bukura në rrethinën e Gjenevës; kishën me këmbonare në mes, rast tepër i rallë në këtë anë, shtëpinë e piktorit Aleksandar Armand-Leleux dhe luginën pitoreske Allondon. Përndryshe Dardania njihet edhe për laryshinë e kostumeve popullore, të ruajtura brez pas brezi, andaj me 2 shtator të vitit 2012, këtu është mbajtur  festivali foklorik e etnologjik "Rousseau Dardagny 2012".

Përmes këtij shkrimi, dëshiroi të zgjoi kërshërinë e studiusve shqiptarë që jetojnë e veprojnë në Gjenevë e rreth saj e që e zotërojnë gjuhën frenge, që të angazhohen e të studiojnë për gjenealogjinë e familjes së Amionit të Dardanisë dhe të dëshmojnë se Amioni ka qenë me prejardhje nga Dardania dhe i përket fisit ilir Dardan, e jo siç thonë pleqt e këtij vendi, se, këtë vend e ka themeluar kalorsi romak me emrin Dardan.

Literatura:

1.Agim Shehu:”Te princesha e Evropes” 1998,

2.Jacque Davierle:”Dictionnaire historique de la Suisse”, verzioni i 22 gushtit 2005.

3. Shkrime në internet