| E premte, 31.05.2013, 09:28 PM |
SOLIDARËSIA
SERBO-MAQEDONASE KUNDËR SHQIPTARËVE
Nga Frank Shkreli*
Në fund
të kësaj jave në Ohër të Maqedonisë po mbahet mbledhja 16-të e nivelit të lartë
e kryetarëve të Shteteve të Procesit të Bashkpunimit të Evropës Jug-lindore
(SEECP). Konferenca me titull, “Solidarësi në Akcion” thuhet se do të trajtojë
zgjidhje të përbashkëta rajonale, por me rëndësi globale. Misjon i madh ky që
ka marrë përsipër këjo konferencë për rajonin, por pa pjesmarrjen e një pjese
të rajonit të rëndësishme të rajonit, pa pjesëmarrjen e Shqiptarëve.
Presidenti
maqedon Ivanov, si organizues i radhës i këtij takimi, ka refuzuar të ftojë në
këtë takim Presidenten e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, me
justifikimin se po të bënte një gjë të
tillë, disa shtete të rajonit nuk do të merrnin pjesë në takimin e organizuar
nga ai. Reagimet ndaj përjashtimit të
përfaqësimit të shtetit të Kosovës, në personin e Presidentes Jahjaga, ishin të
shpejta nga Tirana zyrtare dhe nga diaspora në Amerikë.
Këshilli
Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (KKSHA/NAAC) reagoi ashpër ndaj vendimit të Shkupit
për të mos ftuar Prishtinën zyrtare në mbledhjen e nivelit të lartë në
Ohër. KKSHA dënoi ashpër vendimin e
presidentit Ivanov si dhe prapaskenat e presioneve të qeverive së Serbisë dhe
të Bosnjës për të mos ftuar Kosovën në këtë takim rajonal, dhe njëkohësisht
dënon fuqishëm edhe autoritetet maqedonase që u përkulën para këtij
presioni. KKSHA, me të drejtë nënvijon
faktin se ky qendrim i Serbisë është në kundërshtim të plotë dhe njëherazi
shkelë edhe marrëveshjen e fundit midis
Beogradit dhe Prishtinës, ku Serbia angazhohet se nuk do të bllokojë procesin e
integrimit evropian të Kosovës. KKSHA, organizata lobiste shqiptaro-amerikane
me qëndër në Uashington -- e cila promovon të drejtat dhe interesat shqiptare
si dhe paqën dhe zhvillimin ekonomik në Ballkan -- kritikon udhëheqsin maqedon,
Ivanov duke thënë se “ai humbi një rast të volitshëm për të treguar
vendosmërinë e tij si udhëheqës, dhe për të venë në dukje frymën e bashkpunimit
rajonal si dhe angazhimin e tij ndaj vlerave europiane.” Organizata shqiptaro-amerikane, në reagimin e
saj, thekson se nëqoftse SEECP, si organizatë do të ketë ndonjë rëndësi ose
efekt të dukshëm për zhvillimet pozitive në rajon, ajo duhet të zbatojë parimin
se “kur një vend përjashtohet nga pjesmarrja në konferencat e saj, atëherë të
gjitha vendet janë të përjashtuara.”
KKSHA
mirëpriti gjithashtu edhe vendimin e Shqipërisë për të mos marrë pjesë në
mbledhjen e nivelit të lartë në Ohër, pa pjesëmarrjen e përfqsuesve zyrtarë të
Kosovës.
Në një
deklaratë në portalin e Presidencës shqiptare thuhet se Presidenti i Republikës
së Shqipërisë nuk do të marrë pjesë në takimin e Ohrit të organizatës
SEECP. Ndër të tjera udhëheqsi shqiptar
thotë se orgnaizata SEECP, “duhet të mbetet forumi qendror dhe një nismë unike,
bazuar në vullnetin e vetë vendeve të rajonit. Ai duhet të jetë institucioni
gjithëpërfshirës, ku të gjithë vendet e rajonit të jenë të pranishme dhe të
unifikojnë qëndrimet e tyre për problemet e përbashkëta në procesin e
zhvillimit dhe integrimit në familjen evropiane. Jo izolimi dhe përjashtimi,
por bashkëpunimi dhe integrimi janë kushtet për suksesin e plotë të misionit të
tij”, thotë presidenti Nishani në sqarimin e tij për mos marrë pjesë në
mbledhjen rajonale të Ohrit, pa pjesmarrjen e Kosovës. Presidenti Nishani, pasi shpreh keqardhjen
për “thyerjen e atmosferës së mirëbesimit dhe të respektit reciprok”, njofton
se ai nuk do të shkojë në Ohër duke theksuar, “zhgënjimin (e tij) lidhur me
kushtëzimin destruktiv që i bëhet pjesëmarrjes dhe përfaqësimit të vendeve të
rajonit në Samitin e Ohrit”, përfundon udhëheqsi shqiptar, duke shpjeguar arsyen e refuzimit për të
marrë pjesë në takimin e SEECP-it në Ohër.
Edhe
Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Z. Jozefina Topalli njoftoi
mos pjesmarrjen e saj në takimin e kryetarëve të parlamenteve të vendeve të
procesit të Bashkpunimit në Evropën Juglindore, në kuadër të takimeve të
SEECP-it, “në shënjë proteste dhe pakënaqësie për shkak të mosftesës së
Prishtinës në takimin e nivelit të lartë të bashkpunimit rajonal.”
Duke
refuzuar pjesëmarrjen e Kosovës në mbledhjen e Ohrit, këjo konferencë e
organizuar nga maqedonët, do të ishte më mirë të kishte titullin, “Solidarësia
serbo-maqedonase kundër Shqiptarëve”, në vend të titullit, “Solidarësia në
Veprim” (“Solidarity in Action”). Fjala
është Solidarësia kundër kujt?
Hipokrizia e mosftesës së Prishtinës nga ana e Shkupit, nën presionet e
Serbisë dhe të Bosnje Hercegovinës, qendron në faktin se SEECP u themelua në
vitin 1966, me qëllim për të krijuar një atmosferë besimi, marrëdhënjesh së
fqinjësisë së mirë, të stabilitetit dhe paqës në rajon. Shkupi e ka dijtur mirë
se pa pjesmarrjen e Prishtinës, as Tirana nuk kishte si të merrte pjesë. Por maqedonëve u ka interesuar më shumë
pjesëmarrja e Serbisë se sa prania e Tiranës dhe Prishtinës zyrtare në
Ohër. Ka kaluar koha kur Shqipëria dhe
Shqiptarët injoroheshin. Mund të mbahen konferenca, madje edhe të nivelit të
lartë, si kjo në Ohër, por ato janë humbje kohe sepse pa pjesëmarrjen e shqiptarëve nuk as paqë as
stabilitet rajonal, dhe as përmërsim të fqinjësisë së mirë midis popujve të
Ballkanit. Duan e s’duan fqinjët e
Shqiptarëve, është mirë dhe në interesin e të gjithëve që tanimë të të njohin
realitetin në Ballkan. Shqiptarët kanë qenë dhe janë aty, që sipas At Gjergj
Fishtës, aty ku, “Ata u banë ballë me fuqi kurrë të përkulshme të shpirtit të
vet bujar, qoftë thellimeve të furive të shekujve, qoftë edhe padrejtësisë së
hipokrizisë njerëzore....ky popull ashtë bash ai popull i vogël shqiptar, aq
pak i njohun dhe aq zi i gjykuem në Europë.
I vjetër sa fosilet, sa stalaktikat e shpellave jehuese të maleve të
veta vigane, dhe i lindun të thuash prej vetë rranjëve të vjetra, ai ashtë sot
zot autokton i pakundërshtueshëm i tokave të veta.” (At Gjergj Fishta në
Konferencën e Paqës, 1919).
Mos të tradhëtohen organizuesit e mbledhjes së Ohrit dhe përkrahsit e tyre në Beograd se pa pa pjesëmarrjen e Shqiptarëve, nuk do të realizohen objektivat bazë të organizatës SEECP-it, për marrëdhënje të mira fqinjësore dhe transformim të rajonit të Ballkanit në një zonë paqeje dhe stabiliteti – që është një dëshirë e madhe e Shqiptaëve.
*Frank
Shkreli, ish-Drejtor i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan