| E premte, 31.05.2013, 09:27 PM |
E VËRTETA
DHE GËNJESHTRA
Nga Adnan Abrashi
Këtë
artikull do t’ia nisi me një tregim metaforik, mesele, përrallë, apo si të doni
quajani. Nëse veç do të merret si e tillë, atëherë është rendi që fillin e
ligjërimit të saj t’ia nisim me atë
çelës standard popullor me të cilin zakonisht fillojnë meseletë e kësaj
natyre: “na ishte, seç na ishte”!
Pra, na
ishte seç na ishte! Na ishte një herë “e
vërteta” dhe “gënjeshtra”. Rrugës gjatë
një udhëtimi, ato ishin takuar rastësisht. Meqë caku i arritjes së tyre ishte i
njëjtë, ato vendosën që të udhëtojnë së bashku. Çdo kund ku njerëzit i shihnin
bashkërisht, brohoritën nga befasia: "Shikoni, shikoni çudinë! “E vërteta”
dhe “gënjeshtra” po shoqërohen së bashku!". Ata, pra, nga të tjerët
dalloheshin sipas rrobave që kishin: “e vërteta” ishte veshur me rroba të së
vërtetës, ndërsa “gënjeshtra” me rrobat e gënjeshtrës. Para se të arrinin në
qytet ku kishin planifikuar të shkonin, rrugës panë një liqe. Meqë moti ishte i
ngrohtë dhe atë ditë bënte vapë, vendosën të freskohen pak duke u larë. U
deshën dhe ashtu lakuriq hyjnë me not në liqe. Pas larjes freskuese dhe notimit
relaksues, “gënjeshtra” doli e para nga uji. Në të vërtetë, ajo veproi ashtu,
sepse në kokë bluante një plan djallëzor: Me qëllim që, kur të hynë në qytet,
njerëzit të kujtonin se ajo është “e vërteta”, në vend të rrobave të veta, “gënjeshtra”
veshi rrobat “e vërtetës” duke ikur me
vrap prej saj. Më vonë, kur “e vërteta” doli nga liqeni, vërejti se
bashkudhëtarja e saj ja kishte hedhur keq. Jo vetëm se kishte ikur tinëzisht
por edhe ia kishte veshur rrobat e saja, duke ia lënë si zëvendësim të
veta. “E vërteta”, edhe pse e gjetur në
këtë situatë të palakmueshme, assesi nuk donte t’ia veshte rrobat e
“gënjeshtrës” sepse e dinte se po
shihnin njerëzit me ato rroba do të kujtonin se është “gënjeshtra”. Vendosi të
mbetet lakuriqe. U nis. Kur hyri në qytet, në sheshin kryesor pa se si shumë
njerëz ishin grumbulluar për ta dëgjua fjalimin përplot patos të “gënjeshtrës”.
Kuptohet, tashti ajo ishte kamufluar me rroba të saja. Menjëherë reagoi,
protestoi, por kot. Njerëzit në shesh, jo vetëm se nuk i besonin, por edhe
iknin prej saj. Pas shumë tentimeve të pasuksesshme, ashtu e dëshpëruar, “e
vërteta” u ul në një stol tek parku i qytetit dhe filloj të mahnitet në vete:
“Sa të çuditshëm janë këta njerëz!? Shumë më lehtë e pranojnë gënjeshtrën e veshur
me rrobat e mija, se sa mua si të “VËRTETË LAKURIQE”!!
Besoj se,
për ta kuptuar thelbin e porosisë së këtij tregimi të mësipërm metaforik, në
vazhdim, nuk do të ketë nevojë për ndonjë interpretim të veçantë konkretizues.
Thjeshtë, “gënjeshtra” dhe “e vërteta”
si vlera morale, kurrë nuk shkojnë së bashku, por, në jetën e përditshme,
shumica nesh, në vend se arsyeshëm t’i besojmë të së “vërtetës lakuriqe”, më tepër pretendojmë t’i besojmë gënjeshtrës
së kamufluar me teshat e grabitura të së vërtetës.
Fatkeqësisht,
sot, shoqëria e jonë kosovare është mbushur me gënjeshtra dhe atë mund ta
hasësh kudo dhe në çdo pore të jetës sonë shoqërore, e veçanërisht në politikë.
Andaj, jorastësisht, profesioni më i kërkuar, më i preferuar dhe më profitabil
te ne, pa dyshim se duhet të jetë ai i politikanit. Pse jo? Këtu mund të bëhesh
politikan i karrierës edhe nëse nuk ke aq shumë dije dhe nivel të lartë
intelektual. Mjafton të jesh i dëgjueshëm dhe gjithmonë servil; të kesh prirje
t’i trillosh mirë gënjeshtrat dhe ato t’u përshtatësh nevojave ditore duke
besuar edhe vetë në vërtetësinë e tyre (vetë të gënjesh dhe vetë kujtosh se është përnjëmend). Më
pas, edhe kur gënjeshtra të zbulohet, e që dikur patjetër do të zbulohet, nuk
ka problem. E aplikon teknikën e largimit të vëmendjes së opinionit kah diçka
tjetër e parëndësishme. Në këtë drejtim të shërbejnë mirë edhe mediat tona në
dispozicion, e posaçërisht ato elektronike, të cilat pandërprerë do të
transmetojnë lajme optimiste se kinse gjendja te ne është shumë e mirë, prandaj
aspak nuk ka vend për panik dhe shqetësim (gënjeshtra të veshura me teshat e së
vërtetës). Ato aq e paraqesin realitetin tonë “lule – dritë”, saqë,
automatikisht të gjithë fillojmë t’ju
besojmë. Pastaj, mos të harrojmë se aty kemi edhe muzikë, sport, filma,
telenovela... që me dashje, apo pa dashje, na përqendron kahen e vëmendjes sonë
kah bota e iluzioneve të pafundme të fantazisë kreative joreale.
Po bëhen
më se 14 vite që këta politikanë po na gënjejnë. Premtojnë gjoja një të ardhme
më të mirë, zgjedhje, pavarësi, njohje të reja nga bota që do të vijnë... Na
thonë se tani kemi shtetin tonë “sovran” dhe institucionet të “pavarura”; janë
bërë më se 100 njohje (as vetë nuk e dinë saktë sa janë) nga shtetet tjera... nuk ndërtohet shteti aq
lehtë... duhet durim... etj., etj. Pa
reshtur na flasin për multietnicitet, disa standarde që duhet t’i përmbushim si
parakushte për integrime evropiane dhe ndërkombëtare; për një shoqëri
demokratike të mirëfilltë që me mund të madh po e ndërtojmë. E, meqë, ne si
popull, ende nuk jem pjekur sa duhet si mentalitet shtetformues, ata na thonë
se nevojitet të mbikëqyremi nga të tjerët - “miqtë tanë ndërkombëtar”.
Ata, çdo
herë po na flasin njësoj në cilësi, por me ambalazh të ri. E, në fakt, si nga
aspekti politik, ashtu edhe shoqëror- ekonomik, gjendja e popullit tonë
dita-ditës po bëhet keç e më keç. Ne si shoqëri jemi në një gjendje shumë të
vështirë. Apo, edhe më saktë, jemi në një gjendje ALARMANTE! Mjafton vetëm një
çikëz ta kthejmë kokën përreth, dhe, çka do të vërejmë? Kudo papunësi dhe
skamje; një përqindje e madhe e familjeve tona jetojnë në varfëri të skajshme;
dita ditës prindërit më nuk mund t’i shkollojnë as fëmijët e tyre; e tërë
shoqëria është e kapluar nga një degradimi moral; injoranca, hajnia, mashtrimi,
gënjeshtra, korrupsioni, bizneset informate... të gjitha këto na janë
familjarizuar si dukuri normale; krimi dhe kriminaliteti për shumë kë janë bërë
një strehë shpresëdhënëse ekzistenciale.
A thua, kurë do ta mësojmë një ditë, o popull, se nuk është aspak turp t’i besojmë të “vërtetës lakuriqe”, të cilës, kaherë “gënjeshtra” ia ka grabitur dhe veshur teshat për mashtrimin tonë?!!