Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Fatmir Minguli: Patricia Lidia në brigjet e kohës

| E merkure, 29.05.2013, 06:42 PM |


Patricia Lidia në brigjet e kohës

(Shënime mbi librin poetik “Në brigjet e kohës” të poetes rumune Patricia Lidia)

Nga Fatmir Minguli

Primum vivere! Përpara të jetojmë! Poetja rumune Patricia Lidia paraqet   poezitë nga më të fundit të saj në librin  dygjuhësh    titulluar “Në brigjet e kohës”–“La margine de timp” (Amanda Edit, Bukuresht 2012).

Këtë libër,  disa kritikë me të drejtë e kanë quajtur  si “një zemër që pulson  nga malli i dashurisë”, e ku ajo vjen si “misionare e dashurisë”. Por libri i Patricia Lidias nuk është vetëm kaq . Ai, ndonëse dashurinë e prek ngado, në të vërtetë zbulon një të fshehtë delikate të vetë poetes, atë të ndjenjës ekzistencialiste, e ku tema e dashurisë është një bashkëshoqëruese në kohë, veprime, mendime e gjithçka tjetër që jeta ofron.

Poetja ka zgjedhur kohën si aleate të saj në luftë për të spjeguar fenomenet e jetës, të mira e të këqia. Koha, është mbretëresha e poezive të saj, ku dhe finesa dhe ndjenja e ndrojtjes marrin kuptimin e tyre filozofik duke ju përqasur mbretëreshës “kohë”. Poezitë e saj i kalojnë caqet e  paraqitjeve aq të bukura dhe të ndjera të dashurisë njerëzore, ndërkohë që ajo di  t’i ekuilbrojë ato ,e mundohet të  sjellë para nesh  konceptualitetin e kohës, të kohës si një mendim mundues, që ikën si ujët e lumit e nuk e kthen mbrapsh shallin e bukur me ngjyra të fëmijërisë.

Si e tillë nuk stepet e nuk rri në brigjet thjeshtë të dashurisë, as në ato të problemeve rinore dhe as ato të drithërimave të hershme. Ajo mëton të qëndrojë në brigjet e kohës ashtu sikur ndodhet në brigjet e detit të pafund, ku horizontet herë kthjellohen e herë shfaqen dukshëm e herë të tjera zhduken krejt.Nuk është se pret , ajo thjeshtë filozofon me faktet e thjeshta, shumë më të thjeshta se horizontet e detit. Në poezinë transparente “Citadine”, poetja shkruan: “Zëri im/ Dhe zemra yte më pëshpërisin/ “Puthmë”/Dhe si në një fluturim zogjsh/Koha m’i hap/ krejt fshehtësitë…/.

Pra, Patricia e rikënduar në gjuhën shqipe nga Baki Ymeri, depërton në grupin e filozofisë ku koha predominon si zgjidhëse problemesh, sado që konceptet për të janë po aq të vjetra sa dhe të reja. Koha i hap mundësinë për t’u njohur me fshehtësitë e shpirtit e jo vetëm ato. Patricia e përdor pasqyrën e kohës si në historitë mitologjike ku e ardhmja shihej lehtë  nga poetët dhe filozofët. Në një ndryshim esencial nga disa poetë të tjerë Patricia Lidia me koracën e gjykimit teknicist, pasojë e profesionit  dhe arsimit të saj si inxhiniere, din të rrotullohet në problemet e vështira të koncepteve që ndajnë fenomenin kohë me atë të dashurisë. Ajo e “shalon kohën  dhe mbi një shtrat ere niset drejt të dashurit”. Krejt si në poezitë e poetëve persianë  me qilimat fluturues!

Kështu ndërtohen poezitë e këtij libri ku fluturimet, zogjtë, qielli dhe engjëjt  janë  dëshmues të  ekzistencës së një “udhëtari të çuditshëm” , që për poeten është vetë koha, koha në brendësi të poetes, kohë që ka ikur dhe kohë që vjen . Pikërisht këtu ngërthehen  dhe pikë takimet me ekzistencializmin të cilat duken haptazi në poezinë “Psherëtimë mendimi e kënge”. Në këtë poezi në dukje pezimiste, nëpërmjet një konfigurimi të  inspirimit popullor, Patricia sjell vargje të dhimbshme, por që në fund të fundit janë jetësore, por edhe pse në poezinë “Jehona e hijes” ajo kthehet ndryshe: “Hija ime nuk zvarritet/ Trotuareve prej katrani  e boshllëku/ Ngase naivisht ajo ec/ Qiellit tim përpara kohës.”

Prap është koha ajo që ia zgjidh problemin, sado ekzistencialist të jetë. Kësisoj poetja shfaqet plotësisht një poete urbane ,moderne por që nuk harron skenat e natyrës si të qiellit dhe ato të tokës. Ja një alternim i tillë në  “Flatra në fluturim”: “Thuajse na pëlqen të jemi pemë/ Në rrahje të erës-/ Nga të njejtat pafillime/ Tërhiqemi–/ Flatra lejlekësh flatrojnë drejt hiçit/ Dhe erëtimë pranvere/ Në buzët tona duke u prekur-/ Nga një pike vese/ E ngjeshim me flatrën e zënë mes reve!”

Në një vështrim vicioz mbi këtë libër poezish dallohet edhe poezia “ Kalime absolute” që për mendimin tim është poezia personalizuese e vetë librit por edhe e konceptualitetit të poetes për kohën. Tek e lexon këtë poezi të bukur ndjen tranzitin e stinëve të cilat pështjellohen me mendimet e njeriut dhe kalohet përsëri në optimizmin e vecantë të poetes Patricia Lidia. Ndonëse poezitë e saj janë të ndryshme njera nga tjetra, ndonëse rima nuk duket shpesh, brënda poezisë ka një ritëm nën një harmoni më se të dukshme, një muzikalitet që ta pëlqen veshi dhe mëndja. Vëllimi “Në brigjet e kohës” është padyshim një ekstrakt i dukshëm i forcës poetike të poetes Patricia Lidia. (Durrës, Albania, 20 maj 2013)