Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Sami Islami: Propaganda fetare dhe xhamiat (e reja) në trevat shqiptare

| E merkure, 29.05.2013, 06:00 PM |


PROPAGANDA FETARE DHE XHAMIAT (E REJA) NË TREVAT SHQIPTARE

Nga Sami ISLAMI

Disa vjet  më parë mu në mes të Prishtinës u ndërtua një kishë katolike. Kjo kishë, nuk besoj se ishte një nevojë aq e shqiptarëve të besimit  katolik, sa qe , në njëfarë mënyre një simbol se  shqiptarët ishin më shumë të orientuar nga Perëndimi, si një mirënjohje  ndaj misionarës sonë të madhe  Nënës  Terezë, që populli ynë ia dha njerëzimit.  Kjo mendoj se ishte arsyeja e kësaj kishe. Tjetër është çështja  se kjo kishë u ndërtua në një vend të ngushtë,  duke e ngulfatur kështu frymëmarrjen e qytetit.

Nejse.

Si për çudi, tani , kjo kishë, kam përshtypjen, se u bë nxitje për  shqiptarët  myslimanë që, edhe ata të kërkojnë  të ndërtojnë  një xhami. Kërkesa e BIK-ut, komunës së Prishtinës,  me në krye  Tërnavën ishte  që të sigurohej trualli sa më shpejt që të ishte e mundur (!) dhe kërkesa ishte që trualli të caktohej mu në oborrin e Fakultetit  Filizofik të Prishtinës ( ta sfidonte kishën, e cila është përballë) (!),me arsyetimin se besimtarët myslimanë s’po kishin vend për t’u falur!  Një kërkesë e tillë e Bashkësisë Islame ishte  vërtetë absurd, sepse në Prishtinë ka aq shumë xhamia sa, pos  në ditë festash, kurrë nuk mbushen plot me besimtarë (vetëm në qendër të qytetit janë shtatë a tetë sish!). Megjithatë, nën këtë pretekst,  në emër të “mungesës së xhamiave” BIK- u nuk u ndal, por vazhdoi kërkesën duke organizuar  protesta,  duke  manipuluar, duke paguar ose duke i përdorë trushpërlarët për t’u falur edhe  në rrugë! Së fundi komuna ua caktoi vendin ku mund të ndërtohej xhamia. Jo aty ku kërkuan ata, por  edhe kjo mu në qendër të Prishtinës (vetëm nja 200-300 metra larg kishës!), duke e ngulfatur kështu qytetin edhe më shumë, edhe ashtu të mbindërtuar! Projekti i kësaj  xhamie u publikua. Është i njohur tani për të gjithë. Ishte një projekt, që vetëm në Arabi  mund ta shohësh. Vetëm xhamia e  Qabës në ia kaloftë! Stil tipik arab, me katër minaret, me nga tre  rrathë! Por nuk është vetëm kjo. Një kësi xhamie tanimë është në përfundim e sipër  në Mitrovicë. Një kësi xhamie, me përmasa  kolosale  u përurua tash vonë edhe në Tiranë. Atje  qeveria shqiptare i dha aq shumë publicitet, në përurimin e saj,  sikur ndërtimi i kësaj  xhamie të ishte  shpëtim i kombit!

Krejt kjo propagandë, që po bëhet , nuk po bëhet se shqiptarët e besimit islam  nuk po kanë se ku të falën, siç u tha më lart, por më shumë për shkak të propagandës  islamike që po bëhet në Kosovë e Shqipëri nga militantë islamikë të paguar mirë   nga qarqe  arabe apo turke, për të mbjellë ndikimin  arab në trevat  shqiptare. Fundja kjo është përpjekje e këtyre qarqeve ekstremiste për t’i dhënë një imazh tjetër Kosovës dhe  Shqipërisë, karshi botës perëndimore! Dhe paradoksi tjetër është se kjo po ndodh në kohën kur  politikat shqiptare të të dy shteteve si të Shqipërisë londineze, poashtu edhe të Kosovës, synojnë në një të ardhme të shpejtë të futën në familjen e gjerë evropiane.

Krahas ndërtimit të xhamive,  propaganda e  hoxhollarëve të modelit të Shefqet  Krasniqit, Irfan Salihut, e shumë e shumë të tjerëve si këta, krejt me mjekra e me  pantollona tre çerekësh, që s’ka qenë traditë për klerikët myslimanë në të kaluarën, ka ndikuar që, kohë më parë,  rreth 200 shqiptarë nga  Kosova  të “rekrutohen”   dhe të shkojnë  për të luftuar  në Siri! Nga mediat  u njohtuam  se nja dy-tre  prej tyre vdiqën “në luftën e shenjtë” atje. Pse? Ç’bëri bota arabe, në veçanti Siria,  për ne shqiptarët? Asgjë. Po kush  janë viktimat? Rinia jonë, e painformuar, pjesa më e  çmuar e kombit. Janë kryesisht fëmijë të  familjeve  të varfra. Këta hoxhallarë shpirtprishur u japin ndonjë lek dhe pastaj u shpërlajnë trurin me propaganda fetare. Raste të tilla në Kosovë dhe në  Shqipëri ka shumë, ku të rinjtë, të yshtur nga kjo propagandë vetëvriten siç qe rasti i një 17-vjeçari  në Prishtinë, i cili, vjet, u gjet i varur në shtëpi të vet. Se, këta hoxhollarë horra i “këshillojnë” këta fatkeq  se “nëse  njeriu vdes para moshës 17 vjeçare do të shkojë drejt në xhenet”!  Në vendin ku ndodhi tragjedia, më pastaj u gjet llap-topi me webfaqe të hapura dhe  pamflete islamike!

Një kontribut për të keq po japin  edhe mediat  tona, sidomos në Kosovë.  Klerikët myslimanë, poashtu edhe  katolikë dyert  e televizioneve i kanë të hapura. Mjafton të jetë një rast, ( ndonjë festë  fetare) dhe ata i ke në television. Dhe jo vetëm në një television , por gati në të gjithë televizionet e Kosovës. Pse gjithë ky publicitet? Pse gjithë kjo propagandë? Televizionet  tona janë bërë si  stacion autobusash! Nuk ka asnjë kriter  se kush duhet të ftohet në tv , e kush jo. Kush është në vijën kombëtare, e kush po u çon rrymave të errta ujë në mulli? Hyn kush të dojë! Del kush të dojë ! Bile vetë  televizionet, kam përshtypjen,  se po bëjnë gara se cili po i merr i pari këta faqezinj!  Në kohën e ramazanit  hoxhollarët, si Naim Tërnava, Bajgora etj.,  janë standard në RTK dhe pothuaj në të gjithë televizionet e Kosovës. Një herë thirren për fillimin e ramazanit, pastaj thirren për  Leile Kadër (tri ditë para Bajramit të Madh kur kurani ka “zbrit” në tokë!), pastaj natën e Bajramit, pastaj   për Bajram  të Vogël… Televizionet tona po u japin hapësirë sa të duash! Në disa televizione  lokale të Kosovës, që çuditërisht  pothuaj s’ka qytet  që nuk e ka një të tillë(!) Iftari bëhet me telvizion, syfyri me television, këndohen “lahi” poashtu në television… Në kohën e ramazanit  nuk e di njeriu se  a është  në Arabi, Pakistan, Afganistan, apo në Kosovë e Shqipëri!

Kreu i  Qendrës Islamike  të Kosovës Naim Tërnava, si duket është më i paguari nga këto organizata arabe. Ai, edhe kur është  diskutuar në qarqe fetare  se  vehabizmi  po  bën dëm në Kosovë, nuk ndërmori asgjë. Ama asgjë. Kjo le të kuptohet se  Tërnava është njësoj si ata! Tërnava  është i shitur. S’ka asnjë fije  patriotizmi në shpirt. Fjalët që flet për patriotizëm ai i ka vetëm farsë. Ai është i pari që punon për  Arabi. Atyre që e kanë parë një intervistë në RTK, kohë më parë, sigurisht se iu kujtohet deklarata e tij kur ky myfti matrapaz, pat thënë se  shqiptarët e besimit katolik dhe ortodoks e “përqafuan” fenë myslimane menjëherë pas Luftës së Kosovës , me 1389! Dokrra! Sipas tij del se  shqiptarët e të dy konfesioneve, mezi e paskan pritur të vijnë  turqit, të okupohen prej tyre  dhe t’i “falenderojnë”  që ua sollën këtë fe që qenka  fe e “vetme e pranuar te zoti”! Këto deklarata mund t’i thotë vetëm një njeri i shitur, si Tërnava! Kjo të  jep të kuptosh se si një hoxhë flet kuturu, vetëm sa per t’i “kënaq” me gënjeshtra   besimaterët e tij. Edhe  gazetari që e bëri intervistën, një ish koleg imi (që nuk dua t’ia përmend emrin) e lente  hoxhën të “kaluronte”, pa e kontrolluar se çfarë po thoshte. Dua t’i them myftiut , se shqiptarët katolikë  dhe  ortodoksë janë kthyer në islam jo menjëherë pas humbjes së luftës  së koalicionit ballkanik të udhëhequr nga  Car Llazari  serb me 1389, por vetëm pas 3 shekujsh, pra në shekullin e 18-të e më vonë. Dhe dihet se çfarë presioni ka pasur që ata të ktheheshin në islam.

Ka edhe hoxhollarë të  tjerë,  të po këtij niveli  të prirë të bëjnë kësi propagandash, që shkojnë në dëm të shqiptarëve në përgjithësi! Një rast , që më ka lënë përshtypje për të keq, një hoxhë  shqiptar  në Londër kur unë me disa miq kishim shkuar për ngushëllime tek një mik ( këtij mikut  i pat vdekur nëna), posa hyri në  dhomë, ku kishte plot mysafirë, hoxha tha” Të lumtë na qe jemi myslimanë”! Nuk di pse “te lumtë na” , po ata të tjerët , që nuk janë myslimanë , katolikët, ortodoksët, budistët, hindusët etj.qenkan “të mjerët ata”, apo jo? Pse gjithë kjo propagandë për islamin, duke i përjashtuar  religjionet e tjera? Çfarë fitimi kemi ne  shqiptaret për këtë shërbim që po i bëjmë ilamizmit?

Për mua të gjitha religjionet janë njësoj, në kuptimin e mesazheve që ato prcjellin te besimtarët e tyre. Po kjo që po ndodh me këta  propagandues të islamit, ma kujton kohën e inkuizicionit në fenë katolike të shekullit  13, kur kisha e ngulfaste mendimin e lirë njerëzor dhe i përniqte kush kishte guxim ta kundërshtonte.  Sikur këta të kishin pushtetin në dorë do të ndodhte e njëjta gjë edhe sot pas 7 shekujsh edhe tek ne!

Në këtë fushatë propagandistike një rol të vaçantë ka dhënë dhe po jep interneti. Ky medium i futur sot në çdo pore të shoqërisë, po u shërben mirë  hoxhollarëve hipokritë për të  mbjellë dhe propaganduar helm tek gjeneratat e reja. Shefqet Krasniqi dhe disa hoxhollarë të tjerë si ky  shfrytëzojnë internetin për të llomotitur gjithçka. Japin ligjërata për lindjen, vdekjen për  zotin… Iu flasin  njerëzve të shkretë, sigurisht nëpër xhamia, dhe incizimet i hedhin në internet, duke i treguar “xhematit”   edhe  atë se si qengji i pjekur ka folur  ( i ka thënë myslimanit të mos e hajë atë se e “kishte” helmuar jahudia!), duke futur kështu përçarje në mes feve dhe kombeve;  se  dhia para se të ngodhte nga uria (pas një duaje që  Muhamedi ia kishte bërë),   kishte qitur qumësht për një ushtri, për pronaren e dhisë, bile edhe kishte tepruar! E deri te ajo  e hoxhë maskarait Irfan Salihu, i cili  del në internet  dhe thotë se  “i vdekuri nuk dëgjon”. Kot i thua  se  kam marrë patentën e shoferit, kam mbaruar shkollën….ai nuk dëgjon. Po ai (pra i vdekuri) sipas këtij maskarai,  “dëgjon” vetëm kur të varroset. Ai po i dëgjoka  hapat e njerëzve kur largohen  pasi ta kenë  varrosur! E këta të shkretë, pasi që “profesorët” “doktorët” si  Shefqeti, Irfani  e ndonjë tjetër ua kanë  shpërlarë mirë trurin, besojnë!

Fatmirësisht  feja  tek ne nuk ka pushtet (dhe uroj që kurrë kjo të mos ndodhë!)  dhe si e tillë nuk ka atë fuqi që  njerëzit t’i sanksionojë nëse nuk bëjnë si thotë ajo. Se, duke e parë se çfarë janë duke bërë në këto kushte pa pushtet, po t’u vinte “koha “ e tyre  do ta kishin bërë Kosovën, ndoshta, edhe Shqipërinë një Iran (shtet tipik islamik), Pakistan, apo  Afganistan ballkanik!