| E marte, 28.05.2013, 08:11 PM |
Nga cikli
“Koha e çudirave”
VEZA E ARTË
TREGIM
NGA RESMI OSMANI
Na ishte
mos na ishte…..
E bukura
e dheut, do të thoni ju. Jo.
Na ishte
një vashë e re e bukur si zanë, gazmore, e shkathët dhe e mençur që e quanin
Blerina. Motra e vetme kanakare e pesë vëllezërve. Halla e dashur dhe gazmore e
nipërve dhe mbesave. Ajo jetonte me familjen e saj në katundin e madh të
Petanit, rrëzë kodrës që kishte nën këmbë fushën e gjerë të luginës së
shkumbinit me toka të pasura e pjellore.
Pas
shirave, ditëve të ftohta, të zymta e me mjegull, dita e fundit e marsit, si
për t’i uruar mirseardhjen vëlla prillit, u gdhi me qiell të pastër plot dritë,
paçka se dielli ende s’kish ngrohtësi. Blerina u ndje e lehtë si pupël dhe e
nisi ditën e gëzuar, në kokë i buisnin dhe jehonin si të vinin nga larg, melodi
të bukura dhe ajo ia mori nën zë këngëve të saj të pëlqyera. Rinisë i këndon
zemra. Detyra e saj ishte të kujdesej për gjënë e gjallë dhe shpendët e
oborrit. E nisi me lopën, Larën: i gëzoi vithet. Lara u kënaq dhe e mbushi
kovën me qumësht. Balua, qeni i shtëpisë nuk u afrua me dëshirë që ajo ta
lidhte në koliben e tij, po iu bind të zonjës. E ndjente që ajo e donte dhe
kujdesej për të dhe i lëpiu dorën me gjuhën e ngrohtë e pak të ashpër. Me kovën
e mbushur me krunde dhe misër, u drejtua për nga qymezi t’u shtinte ushqimin
pulave dhe të mblidhte vezët. Me ta parë pulat rendën pas saj dhe ulën kokën
për të çukitur në koritën e drunjtë. Blerina hyri në qymez për të mbledhur
vezët, por u çudit nga ç’i panë sytë: Gjeli ishte ulur rehat rehat në furrikun
me kashtë, i kapaedisur e krekosur. Lafsha si flamur i skuqte si flakë, sytë e
vegjël si rruaza të zeza i ndrinin. Reth tij sillej duke kakarisur e zemëruar
pula Pikalore, por pa guxuar t’i afrohej.
-
Blerina
zgjati dorën ta nxirte nga furriku, por gjeli i dha një të gjuajtur me sqep.
-Uau, po
kjo ç’na qenka!- Ajo e zuri nga krahët dhe e flaku përjashta. Në furrik ishte
çudia: Një vezë e artë! Fërkoi sytë. Jo nuk ishte në ëndërr. Veza ishte aty dhe
ndrinte me reflekse drite. Gjeli kishte pjellë vezën e artë! U shtang nga
habia, por pula pikalore se la gjatë që të gabonte, ajo pushoi kakarisjet dhe u
ul në furrik duke e mbuluar me trupin e saj vezën. Blerina e mori vezën dhe e
mbajti në pëllëmbë të dorës. Ishte ende e vakët dhe ndrinte e llapste nën
dritëne diellit. Ishte një mrekulli, pa tjetër një mrekulli! Ajo rendi në
shtëpi.
-O nënë,
o vëllezër, o kunata, nipër e mbesa, ejani të shihni, se do tu rrëfej një gjë
të paparë e të padëgjuar!
-
E panë, e
prekën, e morën në dorë atë gjë të rrallë që ndrinte,xixëllonte dhe fekste dhe
u bindën. Në shtëpinë e tyre kishte ndodhur një mrekulli:
* *
*
Në lajmete
mbrëmjes, shikuesit panë në televizionin lokal “Alfa & Omega” një vajzë të
bukur fshatare, që në njerën dorë mbante një shportë në të cilën rrinte urt një
pulë pikalore dhe në tjetrën një vezë, që ishte “Veza e artë”. E pyetur nga
folësja simpatike, vajza dha shpjegimet që ju kërkuan. Sa për pulën që kishte
pjellë “Vezën e artë”, ajo tha se e kishin ndryrë në atë shportë dhe e mbanin
me vete, se mos ua grabisnin!
Lajmi
mori dhenë. Si ai topthi I vogël i borës, që shkëputet nga
Televizioni
“Alfa&Omega” nisi në terren gazetaren e talentuar Olta Fusha, e cila u vu
në kërkim të pleqve qindvjeçarë, për të thënë ç’dinin për raste të tilla. E
para u pyet plaka Qeriba. Ajo nuk e mbante mend sa vjeçe ishte, por tha se në
kohën e Sulltan Pekmezit, ajo lozte me nuse prej lecke. E pyetur për “Vezën e
artë”, ajo tha:
-Axheba,
moj bijë, pa thuaj nënës ti, kot ka dalë ai llafi ”Hë moj se nuk është ajo nga
ato pula që bën vezë të florinjtë!
U pyet
edhe plaku Ali Topalli, thoshin se atë e kishte harruar vdekja, nuk para shihte
mirë, por veshët i kishte pipëz. Ai u mendua gjatë. Kamera dha portretin e tij mjekërbardhë, tërë
rrudha, sytë të futur thellë në zgavra, dhe gojën e padhëmbë si shpellë.
-Vëri
veshin llafit bija e babait: Nastradin Efendiu, kur ishte kadi, gjykoi një
dava. Ankohej një fukara, që kishte çuar
në furrë për të pjekur patën. Kur shkoi, patën me gjithë tepsi, nuk e gjeti.
Furrtari i tha se pata e pjekur kishte fluturuar. Nastradin Efendiu, si kadi i
ditur që ishte e zgjidhi davanë: i tha fukarait, se një herë në njëqind vjet,
fluturon një patë e pjekur! Thonë që në Librazhd, polli edhe një mushkë. Që në
Bradashesh doli një gjel me tre këmbë dhe një kec me dy koka. A pjell mushka?
* *
*
Vëllai i
Blerinës, Seferi, që kishte ngrënë shumë kohë kurbetin, ngriti hundën lart dhe
nuhati ajrin. Binte era para. Iu bë sikur nga qielli në vend të fjollave të
borës, nga retë binin kartmonedha. Ai e nuhaste paranë që larg dhe s’mund ta
linte rastin e rrallë t’i dilte duarsh.
U hodh deri në qytet dhe pasdite u kthye
me një kuti të bukur, të veshur me pasqyra dhe shtruar me kadife ngjyrë
kërmëzi. Aty vendosën vezën. Ballina e xhamtë linte të dukej veza dhe mbyllej me një bravë të vogël. Kishte blerë
një shportë të re fringo, me një si kafaz përsipër. Aty vendosën Pikaloren.
Kishte porositur edhe blloqe biletash, ku shkruhej “Veza e artë” dhe vlera
njëqind lekë. Kush donte të shihte vezën dhe pulën duhet të paguante. “Sehir pa
para nuk ka, tha ai, si qejfi si halli duhen paguar. Ju mos u përzieni. Këtë ma
lini mua.” Kësisoj,ai mori përsipër marrdhëniet
me publikun.
Vizitorët
e parë që donin të shihnin këtë “Thagmë” nuk vonuan të vinë. Të nesërmen, para
portës qëndroi një furgon i bardhë. Prej aty zbriti profesori i dëgjuar i
biologjisë dhe gjenetikës në Universitetin
e Rrogozhinës, Sheme Sovjani, që
mjekrën e kishte më të gjatë nga shtati dhe gjysmen e fytyrës ia mbulonin syzet
xhamtrasha. E shoqëronin një grup studentësh. Pikalorja dhe veza ishin
ekspozuar mbi një tryezë pas rrjetës së telit të qymezit. Pula i shikonte me
ata sytë pa shprehje, teksa çukiste ushqimin, ndersa veza nën efektin e dritës
dhe pasqyrave, llapste e ndrinte. Te porta e avllisë, u habitën kur u thanë se
duhet të prisnin biletat, por paguan pa bërë fjalë. Profesori deshi t’ia jepnin
vezën që ta shihte, por nuk ishte e lejuar. Kërkoi që të merrte pak gjak për analiza
nga Pikalorja, Blerta e refuzoi, Pikalorja mund të merrte ndonjë infeksion.
Atëhere ai u lut ti jepnin një pupël për të bërë analizat e AND. Blerta i
shkuli Pikalores një pendë nga bishti. Profesori e mori atë relike të rrallë,
si një trofe të çmuar dhe e futi në një qeskë e pastaj në çantë. Do të bënte
një studim të hatashëm për kondicionin gjenetik të AND dhe korelacioni i
ngjizjes së vezës së artë. Ky studim i hatashëm , do të ishte kulmi I karrierës
së tij shkencore.
Për të
parë “ Vezën e artë” u sulën i madh e i vogël, nga jugu dhe veriu, nga lindja
dhe perëndimi i vendit. Radhët ishin të gjata. Seferi nuk lejonte të kalonin më
shumë se tri veta. Vizitorët lodheshin, ndonjeri donte të hynte pa radhë,
filluan zënkat, plasën sherret dhe zallahi e madhe, Fqinjët nisën të ankohen,
por Seferi ia gjeti dermanin, pajtoi policinë private për të mbajtur rregullin.
Ato ditë
nuk munguan edhe kërkesat për ta blerë Pikaloren. Ofertat vinin nga pulari të
fuqishme e prestigjioze. Seferi i priti të dy të dërguarit e pularive
”Boboshtica” dhe “Dumrea”, në lokalin e Selfo Qorrit. Ai propozoi një ankand të
vogël:
-Çfarë
çëmimi ofron “Dumrea”?
-Njëzet
euro.
-Po
“Boboshtica”?
-Njëqind!
-Njëqind
e pesëdhjet!
-Dyqind e
pesëdhjet!
-Treqind!
-Jo
treqind,
-Po sa?
-Pesëqind!
Oferta
shkoi deri në pesëqind euro,pastaj nuk pati më shtesë.
-Ankandi
mbyllet. Pikalorja nuk shitet, - tha Seferi.
Blerina
që kishte ndjekur në heshtje pazarin, nuk duroi pa shfryrë mllefin e saj:
- Vërtet
që pikalorja një shpend e aq ështe, por me ato që knë ngjarë, dhe që ishin një
mrekulli, ajo është bërë si pjestar i familjes. Më thoni ju: A mund të shitet
një pjestar i familjes?
* *
*
Në
qytetin e vogël, që s rreshtëte së përjetuari çudirat, “Veza e artë” ishte në
qendër të bisedave: në kafenetë, lokalet, rrugëve dhe në shtëpitë. Nuk shpëtuan
nga kjo as drejtuesit e dy partive të mëdha, ata deshën ta përdornin këtë
ndodhi për qëllimet e tyre politike. Drejtuesi i shumicës në pushtet tha se ky
ishte një paralajmërim për fitoren e zgjedhjeve. Ata që e kishin parë vezën me
kujdes kishin vënë re nëpër të disa pikëzime ngjyrë blu. Kjo fliste vetë, nuk
duheshin komente.
Nga ana
tjetër edhe drejtuesi i opozitës, nuk deshi të mbetej prapa kolegut të tij.
Vuri në dukje se pula Pikalore që kishte pjellë vezën nuk i kishte pendët ngjyrë blu, ishte e
kuqërremtë me pika të bardha dhe se veza në majë kishte mbi sfondin e artë ca
pikëzime të trëndafilta! Kjo mrekulli paralajmëronte fitoren e opozitës!
Nuk vonoi
dhe drejtuesi i shumicës, partisë së “Kaltër”, bashkë me një aktiviste të
thekur nga komuna, shkoi në Petanas. Seferi dhe Blerina e pritën te lokali I
Selfos, jashtë, nën kurorën e rrapit të madh.
Miku hyri
drejt e në temë, se nuk kishte kohë për të humbur, kohë fushate e prisnin shumë punë.
-Blerina,
je e hijshme, tërheqëse, e mençur apo si I thonë francezët sharmante dhe me
këtë rastin e vezës, u bëre e famshme. Kudo nuk flasin veçse për ty! Kam
dëshirë të të antarësoj në partine tonë.Teserën e kam sjellë me vete. Gati,me
vulë e me firmë, por ti duhet të na ndihmosh. Në qendër të komunës do të bëjmë
një miting të madh ku do të flasësh për zgjedhjet, që do t’i fitojmë. prej tyre
s’na ndajnë as tri muaj. Komuna juaj ka shumë vota dhe vendos fatin e
zgjedhjeve. Këtu del deputeti. Do të përgatisim një fjalim të bukur, që të
mbeten me gojë hapur kur të të dëgjojnë. Të bësh thirrje që të votojnë për ne.
Ty të besojnë dhe do të dëgjojnë se je bijë e tyre. Do t’a shpërblejmë aq mirë
si s’ta merr mendja: në zgjedhjet e ardhshme vendore do të propozojmë për kryetare
komune. Si thua?
-Kryetare
komune? Por zgjedhjet vendore janë larg or mik. Kësaj në fshatin tonë i thonë:
Prit gomar që të vijë maji e të mbijë bari!
Ja pat
Seferi,që nuk i la radhë Blerinës të përgjigjej.
-Të
lutem,unë pyeta Blerinën.
-Ne nuk
kemi gjë të ndarë. Doni votat ju?
-Po,pra,i
duam. E kush është ai që s’i do?
-Të
gjitha?
-Ah sikur
të ishte ashtu!
-Ua jep
Blerina me Seferin.
-Do t’u
jemi borxhlinj për jetë!
Seferi u
ngërdhesh. Pa shih, miku,i donte votat xhaba! Ngriti dorën e djathtë dhe para
fytyrës së mikut nisi të fërkojë gishtin e madh me numrusin.
-Hidhu!
Fyellit i bie kush paguan!
-Epo,
edhe pa gjë nuk do t’u lemë.
- Ç’pa
gjë mor zotëri. Fol mirë! E di sa e kanë harxhin ato vota?
-Hë?
Thuama.
-Fund
pazar dyzet mijë euro!
Mikut i
kërcyen sytë si koqe fiq dhe iu shtrembërua goja.
-Janë
shumë. As mos të të shkojë ndër mend!
-Pse,
shumë të duket të japësh një apartament për një deputet?
-As që
bëhet fjalë!
-Si të
duash, por ta dish, ai që qe këtu para teje na dha më shumë, por neve ajo parti
nuk para na pëlqen- ja futi kot Seferi,-
Tham të merreshim vesh e të binim në ujdi
bashkë.
Miku i
çakërdisur, i hipi makinës dhe e ngau si era, duke lënë pas një re bloze dhe
pluhuri.
-Ke për
të parë, do kthehet prapë. I njoh mirë këta biçimër. Zere se e kemi marrë
apartamentin në qytet.- I tha Sefer së motrës që gjer ahere s’kishte nxjerë
fjalë nga goja.
* *
*
Kaluan
ditë, kaluan javë dhe kërshëria për “Vezën e artë”u fashit. Vizitorët u
pakësuan shumë dhe gati ngjarja po harrohej. Bash në këtë kohë, gratë e fshatit
pllakosën portën. Ato kishin një mendim: Po sikur vezën ta vinin për të çelur
zog. Do të lindte prej saj zogu i artë? Më në fund Blerina u kandis dhe vezën e
shtruan në furrik ku ishin vënë klloçkat.
Gjithë
katundi nisi të numuronte ditët, por ditët iknin ngadalë, mezi shtyheshin,
kishte që shihnin ëndërra me zog të artë. Dhe ja: erdhi dita e shumëpritur.
Gra, vajza, fëmijë, të rinj e të reja, pleq e plaka sehirxhinj u dyndën në
oborrin e madh para qymezit. Klloçka klloçiste dhe zogjtë e sapodalë ciasnin
ciu,ciu, sa të kënaqnin shpirtin. Të gjithë ishin me sqep të verdhë, larushë e
të mbuluar me një si push të butë si mëndafsh e të kuqërremtë, me ca sy të
ndritur si rruaza të zeza. Zog të verdhë apo të artë nuk kishte.
Blerina u
përkul mbi furrik . “Veza e artë” nuk kishte çelur zog. E mori në dorë. Vende
vende e arta ishte zhveshur dhe kishte dalë një shtresë e përhinjtë si e
zbërdhylët, e ndotur nga glasat. Ky ishte fundi.
Bëri
përpara drejt daljes, në rrugicën e shtruar me kalldrëm. Përball ishte turma që
në pritje po mbante frymën.
Blerina e
plasi mbi gurë vezën. Kërciti kur u thye
dhe prej saj u derdh një lëng i trashë e i turbullt që qelbej erë squfur.
Një “Oh,
mooos…” i zgjatur doli nga gjokset si një rënkim i dhembshëm e i çuditshëm,
sytë u shqyen dhe fytyrat u shtrembëruan.
-Kaqë
ishte,- tha Blerina fare e qetë, pa iu dridhur qerpiku.
Në fillim
gjindja u hutua,por pastaj i thirrën mëndjes:
-Si? Ti
ke një muaj që tallej e gaxhitesh me neve?
-Aspak
,-tha ajo,- Pikalorja e polli vezën në tridhjet e një mars, apo jo?
-Poooo!
-Po të
nesërmen çfarë u gdhi?
-Një
prilli.
-Po një
prilli çfarë është?
-Dita e
gënjeshtrave.
-Epo u
bëftë mirë! E mbajtçi me shëndet shakanë e një prillit!
U bë
zallahi e madhe, e shanë, e kërcënuan, deshën ta pështynin, i thanë kuçkë e
zuskë, delenxheshkë, e pafytyrë, zabërhane, mashtruese, këllirë, vrromë…..Por
Seferi i vuri përpara, u tha të shporreshin dhe ua mbylli portën në fytyrë.
E vogël ishte veza që u thye te oborri i shtëpisë, por era e rëndë e saj qelbi tërë katundin.