Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Nebi Dragoti: I sëmuri politik

| E marte, 28.05.2013, 08:33 PM |


I SËMURI POLITIK

Fejton

NGA NEBI DRAGOTI

Është a nuk është rracë si rracë nga më të kulluarat njerëzore. Kështu ia ka qejfi. Rracë që kërkon preferenca në shoqëri, se, gjoja, ka intelekt (i vlerësuar vetë kështu) cilësia e parë. Rracë intelekti, për të qënë në krye, në kolltuk. Është me sëmundje kolltukofagu. Gjumi nuk e zë, ka ëndrra, luan gurë e degë për të arrirë,  patjetër,  për të arrirë medeomos sikletin që ka.

Si cjap përçor ka vënë këmborë,

kundërmon erë përç kudo që shkon,

në politikë kujton se del triumfator:

e njeh gjithkush koka sa i peshon…

Ka pasë shumë deputetë ky tranzicion:me mustqe, pa mustaqe, qethur zero, me flokë gjithë llak, tullacë, me buzë të trasha e gjuhë të gjatë gjarpri a nepërke me lëkurë njolla-njolla, larusha. Për figurë deputeti e kam fjalën, por ky deputeti del mbi deputetët, sikur ka lindur deputet nga familje deputetësh. Sikur nuk ka të tjerë për t’u ulur në parlament…se vetëm ky na qënka bir nëne, që tërë jetën të thirret deputet. E, se si mbushen gazetat me figurën e këtij burri zamani?Se si…Sa të tjerë ka që s’janë më deputet dhe nuk u dëgjohet më as zëri se ku janë e ku s’janë. Dhanë aq sa dhanë, por nuk e çmendin dynjanë që të jenë(o bjerë e vdis) prapë deputet. Mirëpo ky…sikur ka lindur deputet…sikur ky Shqipërinë, me bëmat e tija, , e bëri dritë, diell, diell, fare diell. Prandaj ia thotë mendja e gënjyer, se ka mendje “gjeniu” dhe pa qënë ky në parlament, vajmedet , nuk do të ketë as parlament që të bëhen ligje për këtë vend. Dhe Shqipëria sikur nuk ia bën dot pa këtë deputet fytyrë buzagas me zë laraske, dhelpërie e djallëzie të shtirur,  që tërhek vëmendjen duke bërë zhurmë për zhurmë. Bën zhurmë jo se i djeg zemra dhe se do të punojë për elektoratin…se këtij soji për elektoratin as i qethet fare,  se e kemi parë, se ç’bylmet ka dhënë. Asnjëherë s’e ka mbushur kovën me qumësht, por me  bajga. Fjala është se bën zhurmë për prapanicën e vet, se është mësuar kaq legjislacione me rrogë të majme, gjersa është trashur nga vithet si të jetë shtatzën. Shini i qafës e gusha i skuq si lafshë gjeldeti. Është për t’i qarë hallin se e ka shtëpinë pa bukë…Dhe, tek e fundit,  çoç i duket vetja, sikur është mbi të tjerët…i pazëvëndësueshëm si figurë me moral të lartë, por që është i pamoral në politikë. Këtë nuk e kupton:çdo të thotë i pamoral…Nuk i merr luga pilaf në një alternativë politike, e zgjat lugën tek alternativa tjetër sa majtas, sa djathtas vetëm e vetëm të qëndrojë në politikë si politikan i regjur, i spikatur,  i lindur vetëm për politikë ky politikanxhi dallaverexhi. Del me diagnozë “I sëmurë politik”. Këtë sëmundje e ka nga mideja e dhelprës për djathin e korbit. E ka këtë mide të lindur. Në kokë ka mendime të gatuara keq. ”I sëmuri politik”se analizon se ç’të mira i ka dhënë shoqërisë, që, sipas tij qënka kaq i domosdoshëm për të qënë e qëndruar si figurë historike. E flakin majtas, kërcet djathtas. E flakin djathtas, kërcet majtas. Këtij të mjeri sikur hakun ia hanë. Ka “lindur” deputet. E ka bërë veten si top në fushën e futbollit politik, ku e gjuan sa një lojtar i një skuadre dhe sa një tjetër nga kampi kundërshtar. E lëshon njëri nga sqetullat, e merr tjetri nën sqetullën e vet për ta shpëtuar e për ta bërë deputet në Parlamentin e ri, për ta vënë si gur bilardoje në këtë fushë. Dhe ata që e marrin janë interesaxhinj të regjur. Po këtë lloj guri duan ta qëllojnë me votë të gjithë, sepse është i zbuluar, ka të dridhura, sepse…elektorati të ftohë duke i parë gjithë këto akrobacira. Kudo nga vete duket si figurë e nxirë, fytyra e ekspozuar i dallon se është e zezë, e zezë;sigurisht,  morali i duket kështu. Vetë thotë:”Historia më vjen pas”, kur historinë e ka të zezë. Akrobacirat i bën vetëm e vetëm për prapanicën e vet, sepse e ka të madhe, sepse vetëm kjo i peshon më shumë se koka me idetë që ka. . . E vetvlerëson veten jashtë mase, ka zjarrmi ethesh për këtë.

Ooo, qënka lehtë të jesh tradhëtar…

Të jep votuesi shpejt një kërrabë,

me këngë baritore të bën lopçar.

Hajde, pastaj,  ti elektorat jepja votën…peshoje mirë këtë kashtë, sepse sikur ka lindur deputet. Dhe…deputet do që të vdesi ky” I sëmuri politik” i 2013-ës.