| E hene, 27.05.2013, 06:58 PM |
Rreth
romanit "Nuse në derën e hasmit" të shkrimtarit Pierre-Pandeli Simsia
Nga Prof. Bardhyl Xhama
Ndjej
kënaqësi të shkruaj, si redaktor i romanit përzgjedhur nga Shtëpia Botuese
TOENA, për romanin"Nuse në derën e hasmit" të shkrimtarit, tashmë të
mirënjohur, Pierre-Pandeli Simsia.
Do të
përqendrohem te zhvillimi i ngjarjeve të romanit, duke bërë një pasqyrë
përmbledhëse, pa u futur në vlerat e tij artistike, të cilat do bënin një
çështje më vete.
Romani
"Nuse në derën e hasmit" e merr temën nga aktualiteti i ditëve të
sotme dhe ngjarjet zhvillohen si në Amerikë dhe në Shqipëri.
Personazhet
kryesore, mendoj unë, janë dy të rinj, Lea dhe Liridoni që jetojnë në Nju Jork
dhe vazhdojnë të shkollohen. Njihen rastësisht, nisin shoqërimin dhe miqësinë,
e cila, pas shumë vështirësish dhe pengesash që u dalin, kthehet në dashuri të
vërtetë e në lidhje martesore.
Jeta e
emigrantëve shqiptarë në Amerikë përshkruhet me një vërtetësi të admirueshme,
falë njohjes së kësaj jete nga vetë emigranti Simsia për më shumë se 20 vjetë
larguar nga mëmëdheu.
Janë dy
familje kryesore që na paraqiten në roman me gjithë hallet e tyre, të kaluara
në Shqipëri apo edhe në Amerikë: familja e Liridonit, babai - Fuati, nëna -
Lavdia dhe motra - Xhilda. Në krahun tjetër janë të afërmit e Leas, e motra -
Vjola me bashkëshortin - Igli, që, edhe pse në mëmëdhe kishin mbaruar shkollat
e larta, detyrohen të bëjnë punë të rëndomta për mbijetesë, të përshtaten me
jetën e vendit dhe të përballen me të papriturat që u ka servirur jeta.
Edhe pse
jetojnë në Amerikë, mund të duket disi e çuditshme fillimisht, mendjen e këtyre
familjeve e turbullon zakoni i vjetër i gjakmarrjes.
Ngjarjet
zanafillëse janë të vjetra, por autori Pierre-Pandeli Simsia i ka shfrytëzuar
ato me mjeshtërinë e artistit për të na dhënë dramën shekullore, që ekziston
ende, atë të gjakmarrjes dhe të pasojave të saj në breza.
Kur
marëdhëniet dashurore midis Leas dhe Liridonit janë në kulmin e tyre, zbulohet
hataja: Familjet e tyre janë në gjak me njëra tjetrën. Pra, pak a shumë, Lea do
të shkojë nuse në derën e hasmit (nga merr edhe titullin romani)
Fuati, në
rininë e tij, ka vrarë pa dashje një bashkëmoshatar, të afërmin e nënës së Leas
dhe, megjithatë, u dënua me 25 vite burg. Kur del nga burgu e martohet, e
ndjekin për ta vrarë hasmit. Detyrohet të largohet nga Shqipëria dhe vjen në
Amerikë, më vonë merr edhe familjen. Ndërron dhe emrin, nga Aleks në Fuat,
sepse gjakmarrësit e ndjekin kudo që shkon.
Ngjarjet
e romanit më pas janë edhe më dramatike. Nëna e Leas, Evelina, nuk vjen dot në
dasëm, se nuk i japin vizë. Lea lind djalë. Shqetësimi shtohet. Aleksi - Fuat
ka frikë nga hakmarrja, ka frikë për djalin e tij Liridonin, por edhe për nipin
e sapolindur. E dinte se zakoni e kërkonte që nga meshkujt e familjes duhej të
vritej. Dhe atëhere merr një vendim, gati të padëgjuar. Për të shpëtuar të
rinjtë, niset fshehtas për në Shqipëri dhe vendos t'i shkojë hasmit t'e gryka e
pushkës që të flijohet ai dhe të shpëtojnë pasardhësit. Kjo situatë përshkruhet
me mjeshtëri dhe gjithë dramacitetin e saj nga Simsia.
Këtë
krushqi e marrin vesh edhe në Shqipëri, nëna e Leas, por edhe Xhorxhi,
kushëriri i saj, që Aleksi-Fuat i ka vrarë vëllanë dhe është betuar e betohet
se do t'ia marrë gjakun, sepse, siç thotë, "Gjaku lahet me gjak".
Xhorxhi
tërbohet dhe nuk e mban vendi.
Ngjarjet
zhvillohen përsëri dramatike, kur mirret vesh se Fuati ka arritur në Shqipëri,
madje edhe në fshat. I luten dhe kërkojn ta bindin Xhorxhin të heqë dorë nga
gjakmarrja; futet në valle Kisha, futet në valle Evelina e më në fund Komisioni
i Pajtimit të Gjaqeve.
Që të mos
zgjatem, romani ka një fund të gëzueshëm, të pranueshëm dhe realist. Xhorxhi,
brenda në Kishë, në prani të bashkfshatarëve e të Komisionit të Pajtimit të
Gjaqeve, e fal hasmin Aleks-Fuat.
Shkruajta
më parë se personazhet kryesorë janë Lea dhe Liridoni, kjo sepse rreth tyre
shtjellohen ngjarjet. Por në fakt, më duhet të pohoj se personazhet më
interesantë që mbeten në mendjen e lexuesit dhe që janë skalitur mirë dhe
mjeshtërisht nga autori, me gjithë dramacitetin e tyre, janë Fuati i pafajshëm
dhe Xhorxhi hakmarrës deri në fund.
Në roman
ka edhe plot ngjarje të tjera, sidomos me bashkatdhetarë emigrantë. Përmendim
historinë e vajzës shqiptare që del nxënësja më e mirë e të gjitha shkollave të
mesme të Nju Jorkut dhe si sportiste e taalentuar në një sport të tillë që në
Shqipëri është i paushtruar, siç është sporti i Kajakut, përfaqësohet në
kampionat e vetme me kostum dhe me flamurin tonë kombëtar, si edhe historinë e
studentit shqiptar, i cili ka rezultate të shkëlqyera në mësime dhe, si i
tillë, nga një orë mësimi del si student dhe hyn në klasën tjetër në orën
tjetër të mësimit si pedagog.
Interesante
është historia e Kostës, shok i Fuatit, i dënuar në Shqipëri për agjitacion e
propagandë, por që në Amerikë djali i tij 20 vjeçar i ka dalë nga dora, gjoja
në emër të jetës së lirë.
Atdhedashuria
është një tjetër motiv që gjen vend të gjërë në roman. Fuati përsërit disa herë
"Sa mirë është të jetosh në vendin tënd"
Përshkruhen
dilemat e personazheve nëse duhen të kthehen në Shqipëri apo jo.
Megjithatë,
tranzicioni shqiptar i këtyre njëzet e ca vjetëve fshikullohet fuqishëm nga
autori, sa herë që i vjen rasti në shteg, sidomos gjyqësori kur është fjala për
dënimin e hakmarrjes.
Romani
"Nuse në derën e hasmit" i shkrimtarit Pierre-Pandeli Simsia, që vë
dorën e pajtimit në një nga plagët më të rënda të shoqërisë sonë është një
prurje e re në letërsi dhe kam bindjen se do të pritet mirë nga lexuesi dhe
kritika letrare, sepse në këtë libër do të gjejnë jo vetëm mesazhe edukuese, po
redhe një stil dhe gjuhë të admirueshme.
Dua të
përgëzoj Shtëpinë Botuese "TOENA" për botimin cilësor dhe kopertinën
tërheqëse që i ka bërë këtij romani, por edhe për përkrahjen e përparësinë që u
jep në botimet e saj shkrimtarëve emigrantë.
Si redaktor i romanit, dua të falenderoj zotin Simsia për këtë vepër letrare cilësore që na ka sjellë. E falenderoj dhe i uroj krijimtari cilësore edhe në të ardhmen.