Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Skënder Hoxha: Haiku i pranverës

| E diele, 26.05.2013, 12:26 PM |


SKËNDER R. HOXHA

 

HAIKU I PRANVERËS

 

Në gjelbërimin pranveror

Qielli blu deri n’horizont

Mbulon vendlindjen time

 

Lëkundet moti në pranverë

Herë me diell e herë me shi

Vetëton e murmuron

 

Shiu lëvaret prajshëm

Si vargoj rruazesh kristali

Mbi tokën e blertë

 

Një erë e lehtë fryn

Mua më zgjon kujtime

Nuk i tremb zogjtë

 

Fluturat dhe bletët

Bredhin nëpër lule

Shtojnë hijeshinë e stinës

 

Kah kanë mbetur lejlekët

Që vinin me pranverën

bashkë me shtegtarët tjerë

 

Në prozhme, livadhe e kodrina

Qengjat kërcejnë lazdrueshëm

Përreth nënave të tyre.

 

Bujqit nëpër ara

Bëjnë punët pranverore

Për bukën e re.